(vijim)
“Enverizmi” si përqasje ndaj të bërit politikë, mbeti në
fuqi edhe 30 vjet pas të famshmit vit të mundshëm të kthesës, vitit 1961. U
kristalizua më shumë në parimin e ashpër “të luftës së klasave” dhe deri sa
arriti në vitin 1978, të mos kishte më asnjë ndihmë nga jashtë dhe asnjë
mundësi të vetme për aleancë. Nisi e tatëpjeta e tij, por përderisa ekzistonte
Blloku i Lindjes, Diktatura në Shqipëri mund të mbetej në fuqi, duke shtrënguar
gjithnjë e më shumë rripin, ndaj barqeve të zbrazëta të shqiptarëve.
Ramiz Alija edhe të donte të ishte më “enverist” se Enveri,
nuk mund ta bënte se i kishte arkat e shtetit bosh dhe se nuk e kishte as “forcën
imagjinative” të Dullës, për prapaskena, likuidime dhe mbijetesë. Për më tepër
rrethanat ndërkombëtare ishin krejt të ndryshme dhe ai u detyrua ta dorëzonte
pushtetin në “enveristë“ të tjerë.
Duhet të hap një parantezë. Si “enveristë“ unë nuk quaj vetëm
ata, që e kanë akoma në zemër Enverin. Quaj arrivistët, të cilët duan të qëndrojnë
me çdo kusht në pushtet, duke mos pasur asnjë lloj ideologjie dhe duke mos u
ndalur para asnjë lloj krimi. Për mua kush më shumë e kush më pak, enveristë
janë Berisha, Rama, Meta dhe Nano. Pa përjashtim! Në Shqipëri është ende në
fuqi dhe në opozitë “enverizmi”.
Nano pati më pak vullnet për të qëndruar në fuqi me mënyrat
më makiaveliste. Jo sepse ishte liberal apo europian. Thjesht dembel.
Meta nuk ka patur mundësitë të mbetej Brenda PS-së, se nuk i
mungonin energjitë dhe ambiciet. Me më tepër durim, ai do e kishte “ngrënë kokën”
e Nanos dy tre vjet më vonë dhe mund të ishte ende numuri 1 në Shqipëri.
Berisha ishte dhe është një “enverist” i thekur, që në të njëjtën kohë shan Hoxhën.
I ka dhënë provat gjatë gjithë kohës që ka qënë në fuqi dhe sidomos në ngjarjet
e vitit 1997 dhe ato të janarit 2011.
Dhe vijmë më në fund tek ai , që sintetizon më shumë se
cilido politikan shqiptar, cilësitë e Enverit - Edi Rama.
Egocentrik dhe narcisist, Rama, që në rini ka pasur një
raport dashuri-urrejtje për Enverin. Duke qënë në kontakte me jetën e Bllokut
(për shkak të lidhjes familjare me Kolekat), Rama adoleshent dhe i ri është lëkundur
mes dëshirës për të gëzuar privilegjet e Bllokut dhe kërkesës për liri.
Ambiciet nuk i kanë munguar kurrë, por në dy fusha të angazhimit të tij rinor,
në pikturë dhe në basketball, ai nuk u ngrit kurrë ndonjëherë mbi mesataren. Ambicie të mëdha dhe arritje të vogla në
rini! Receta që krijon Diktatorët.
Të njëjtën gjë kishte pasur edhe Hoxha në rininë e tij, por
atij i mungonte edhe më shumë disiplina dhe vullneti. Të mos harrojmë, që deri
në moshën 33 vjeçare, Komandanti nuk kishte bërë asgjë në jetë. Nuk kishte qënë në gjendje të merrte asnjë provim në
Francë dhe kishte bërë dy punë të lehta të rregulluara nga miqtë, si sekretar i
konsullatës shqiptare në Bruksel dhe mësues filloreje në Liceun e Korçës.
Rama deri në përfshirjen në politikë, pat punuar si pedagog
në Akademinë e Arteve, një vend i njohur për një punë “rrumpallë“ në kohën e
Diktaturës. “Refleksionet” e tij kundër Hoxhës, në kohën kur sistemi ishte duke
rënë dhe e patën lënë jashtë partisë opozitare, ishin po ashtu reflekse të
raportit adhurim-urrejtje. Koha tregoi, që qysh kur nuk kishte bërë anëtar i PS-së,
por ishte Ministër i Kulturës ai shprehte në mjedise të ngushta miqsh adhurimin
për Enverin, jo si komunist, por si Diktator pa asnjë lloj parimi.
E gjithë karriera e tij në politikë është një imitim i karrierës
së Hoxhës, por kuptohet kjo në kushte të tjera shoqërore-ekonomike. Rama përdori
gjithë arsenalin e tij të intrigave, përçarjeve, manipulimeve, për të goditur e
larguar Nanon dhe pasi mori kreun e PS-së, nuk u ndal më. E ktheu Partinë në një
“detashment”të bindur dhe më pas në të njëjtën mënyrë veproi me qeverinë,
grupin parlamentar dhe gjithshka tjetër që mund të kontrollojë. Në periudhën e
afrimit drejt majës dhe pas kapjes së saj, edhe Hoxha, i njohur për dembelizëm,
u kthye në një njeri “i përkushtuar” ndaj mbajtjes së pushtetit dhe nisi të
punojë me orë të zgjatura për të mbajtur në lëvizje makinën-monstër, që kishte
krijuar sipas modelit Stalinist. Me të njëjtin vullnet është i angazhuar Rama,
të cilit i duhen edhe më shumë përpjekje, sepse sistemi është pluripartiak dhe
jo totalitar.
Endrra e tij – Ashtu si e çdo “enveristi”, të jetë në
pushtet deri sa të mbyllë sytë. Pastaj le t’ja heqin zvarrë Përmendoren!
No comments:
Post a Comment