Monday, 18 January 2021

Përralla “Trump nuk bëri asnjë luftë!”


Qarkullon një gënjeshtër e sajuar mirë, që Trump është Presidenti më paqësor amerikan dhe që nuk ka nisur asnjë luftë prandaj dhe po e luftojnë jo vetëm demokratët (luftënxitës), por sidomos “deep state”. E besojnë edhe njerëz me mend dhe të informuar mirë.

Po si është e vërteta?

Në 70 vitet e fundit, të gjithë kandidatët për presidentë amerikanë , kanë konkuruar në garën presidenciale duke pretenduar se janë kundër çdo lufte dhe për paqen në botë. E megjithatë Amerika është përfshirë, ose ka filluar shumë të tilla duke nisur me atë të Koresë, Vietnamit, Laosit, Gjirit Persik, Sërbisë, Afganistanit, Irakut dhe Sirisë. Dora e SHBA ka qënë edhe në shumë ndërluftime mes shteteve dhe etnive, si dhe në luftrat civile brenda vendeve.

Pas asaj të Vietnamit, lufta me më pak përkrahje në botë ka qënë ajo e Irakut e nisur nga Bush Dabëlljuja dhe klani i tij. Nuk kishte se si mos dënohej nga gjithë kandidatët për presidentë , në zgjedhjet e 2008, 2012 dhe 2016. Në këtë drejtim Trump nuk shtonte asgjë të re. Tërheqja përfundimtare e trupave edhe nga Iraku dhe nga Afganistani kërkohej nga i gjithë opinion amerikan.

Por edhe pse Trump nuk nisi ndonjë luftë të re, kjo nuk e bën aspak paqedashës. Ai jo vetëm është nxitës dhe përçarës në arenën ndërkombëtare, por është Presidenti, që po nxit më shumë se cilido tjetër garën e armatimeve. Buxheti për shpenzime ushtarake nuk ka qënë kurrë kaq i lartë në përqindje, sa në kohën e tij. Hapur ai I bëri presion vendeve të NATO-s për të rritur shpenzimet ushtarake, që nënkupton më shumë blerje armatimesh nga industria e luftës në Amerikë. Të gjithë bizneset e lidhura me armët e vogla e të mëdha(tradicionalisht prorepublikane) e kanë Trump beniaminin e tyre.

Dhe nëse prodhohen më shumë armë, tanke, aeroplanë luftarakë, nëndetse ato do përdoren një ditë. Në të kundërt fabrikat e armëve do nisin të falimentojnë dhe në Amerikë asnjë biznes nuk ndjeu një rrezik të tillë gjatë viteve të “paqedashësit” Trump. Në të kundërt, aksionet e industrisë së armatimeve janë më lart sot se në çdo kohë tjetër.

Po a ka një kontradiktë midis veprimeve të tij dhe asaj që qarkullon për raportin e Trump me luftën në përgjithësi dhe me rolin, që duhet të luajë Amerika në botë?

Ekziston kjo kontradiktë, pikërisht se Trump ka qënë Presidenti më kontradiktor dhe më i paparashikueshëm i 100 viteve të fundit. Bile të qënit i paparashikushëm në arenën ndërkombëtare ai e quante si “cilësi të shkëlqyer” të vetes, se mund t’i zinte “në befasi “ kundërshtarët! Ishte thjesht ideja e një amatori, që ngatërron politikën e jashtme me të bërit biznes me pasuritë e patundshme. Amerika , të paktën që prej mbarimit të Luftës së Dytë, ka pasur një politikë të jashtme të përcaktuar qartë, që ka ndryshuar shumë pak, kur janë ndruar administratat. Me besimin e patundur në aftësitë e tij “transaksionale”, Trump zuri në befasi vetëm aleatët e Amerikës dhe jo armiqtë e saj. Me përjashtim të angazhimit ushtarak në Siri kundër Kalifatit të ISIS, politika e jashtme e administratës së tij dështoi ose nuk u bëri asnjë shuarje konflikti në botë.

Këshut ndodhi me konfliktin Arabi Saudite – Jemen, me sulmet e Turqisë kundër kurdëve, me konfliktin e Krimesë dhe të tjera vatra zjarri në botë. U zvogëlua në botë roli i NATO-s dhe u rrit ai i Rusisë, Kinës, Turqisë dhe Izraelit. Edhe pse këta dy të fundit janë aleatë të Amerikës, politikat e tyre të jashtme kanë qënë në kundërshtim me politikat europiane dhe ato tradicionale amerikane. Duke shtuar këtu edhe rritjen e buxheteve të luftës në të gjitha vendet kryesore në botë gjatë viteve të Trump, mund të thuhet pa frikë, se “erërat e luftrave” po ndjeheshin këto kohë më shumë se kurrë.

Politikat “Amerika mbi çdo gjë“ ashtu sikundër famëkeqja “Deutchland uber alles” sjellin vetëm luftra shkatërrimtare për Njerëzimin!

Për fat të mirë “The Donald” është larg, shumë larg një rikthimi në Shtëpinë e Bardhë!

No comments:

Post a Comment