Në ditët e para të marsit 1997 mblidheshim shpesh në zyrën time. Ishim një grup shokësh që njiheshim prej një jete dhe që e kishim parë atë thuajse me të njëjtin vështrim. Kush më shpejt e dikush pak më vonë, ishim kthyer në kundërshtarë të regjimit edhe pse baballarët i kishim patur përkrah tij. Kishte një lloj ankthi dhe shumë humor të zi në bisedat tona, kur ngjarjet në Vlorë po shkonin ditë për ditë e më keq. Shpresonim në një hap prapa të Berishës, për të mos lejuar një konflikt të armatosur, ndërsa disa prej nesh ndiqnin në gazeta reklamat e VEFA-s, që ishte “piramida” e fundit që nuk kishte rënë. Ferdi, që kishte future një shumë të konsiderueshme, tregonte duke qeshur reklamën e VEFA-s në gazeta “Koha Jonë” dhe theshte: “Ka akoma edhe pesë topka. Do rezistojë!” (Topkat ishin pikat e mëdha të zeza në reklamë, pas gjithsejcilës ishte një nga “asetet” e mëdha të kompanisë- Trageti, hotelet, etj.)
Atë mëngjes, kur ishte vendosur gjendja e shtetrrethimit, të
paktën për Tiranën e Vlorën, nxituam të shkonim në shtëpinë time për të parë në
tv se si do shkonte seanca e rizgjedhjes së Presidentit. Në Parlamentin
shqiptar nuk kishte asnjë parti veç asaj Demokratike. Të paharrueshme ishin
momentet e betimit të Sali Berishës, kur qëndronte drejt, me një shikimin e një
gjysëm të çmenduri, që e ka gdhirë tërë natën, por është i vendosur t’i shkojë
deri në fund qëndrimit në pushtet.
Gati nuk na besohej se ç’po shihnim. Ishte si prelud i një
Diktature tjetër. “Deri këtu arriti?!!”-
tha Ferdi dhe të gjithë nuk u përgjigjëm, se kishte shprehur atë që mendonim atë
çast.
Kjo skenë m’u kujtua ditën e mërkurë, kur pashë të filmuar
thirrjen që ju bënte Trump, përkrahësve të tij ekzaltuar, për të shkuar drejt
Kongresit Amerikan!
Edhe pse mendoja se kurrë nuk do çuditesha më prej tij, kjo
ishte shumë shumë e tepërt. Alogjike. Antiamerikane. Vetvrasëse. Idiote. Jo produktive.
Jetëshkurtër. E dëshpëruar.
Nuk arrij të kuptoj nëse pushteti i sëmur aq shumë mendërisht
këta njerëz, sa të arrijnë në veprime politike të tilla, që dëmtojnë më shumë
veten se cilindo tjetër(Nuk ju bëhet kurrë vonë për të vrarët, se për ta nuk
vrasin shumë mendjen edhe politikanët gjoja paqësorë, që derdhin lotë
krokodili).
Si e kanë thënë e shkruar mijra e mijra gazetarë e studiues
të angazhuar e të paangazhuar në politikë, “The Donald” është rasti më ekstrem i
politikanit narcisist dhe egocentrik. (Të ngjashëm nga politikanët që njoh mund
të quaj vetëm Edi Ramën.) Por si mundet kjo qënie, kaq e përqëndruar në
mbijetesën e saj politike dhe financiare, të bëjë një marrëzi të tillë, që e
detyron të lëpijë atë që pështyhu brenda 24 orësh?
Ndoshta përkrahësit mendjengushtë të Trup, do më përgjigjen “
ku e gjen dot ti me mendjen e vockël se ku fle lepuri!”
Vërtet nuk e gjej dot.
Veç uroj që lepuri dhe lepujt mos flenë një ditë në barqet
tona!
No comments:
Post a Comment