Tuesday, 5 January 2021

Sa shumë të larguar!


Fotoja është e fillimit të korrikut 1986. Duhet të ketë qënë një natë përpara (ose të njëjtën) ditës së përurimit të Ekspozitës së Kulturës Popullore në Korçë. Në oborrin e brendshëm të Hanit të Trebickallinjve në Pazar. Sot nuk e di nëse Hani është kthyer në Hotel apo në diçka tjetër, brenda planit të restaurimit të Pazarit të Korçës.

Ajo që më bie menjëherë në sy është se shumë nga të njohurit e mij nuk janë më. Janë larguar, disa në një moshë të shtyrë dhe disa shumë shpejt. I fundit nga të larguarit, arkitekti Kliti Kallamata që iku kaq i ri para disa ditësh.

Atë vit punonim bashkë si arkitektë për Ekspozitën e Kulturës Popullore në Korçë. Ai kishte disa vite si arkitekt në Atelienë e Monumenteve  dhe gëzonte autoritetin e një profesionisti kompetent në fushën e restaurimeve. Ishte i gjatë dhe i bukur dhe në qytet binte në sy si një i ri me një nur artisti, që ecte i sigurt me një çantë ose një aparat fotografik hedhur në sup. Angazhimi për restaurimin e Hanit ishte jo i vogël për kohën, por ai ishte i sigurt në atë ç’ka bënte. Filluam të projektonim në fundin e vitit 1985 deri sa u realizua si një vepër e arritur. Unë merresha me interieret dhe përshtatjen e tyre për një ekspozim sa më të mirë të objekteve. Diçka ndërmjet një “interior designer” dhe një “moderatori” ekspozite. Kisha pak më shumë se një vit që isha diplomuar dhe në foto jam më i riu mes pjesëmarrësve.

Ekspozita e Kulturës Popullore, për fat të mirë, nuk kishte ndonjë ngarkesë ideologjike të kohës sikundër kishin muzeumet dhe ekspozitat e tjera. Kliti kishte siguruar një mbështetje të plotë nga nëpunësit e lartë të qytetit, që mbështesnin çdo gjë që kërkonim ne. Gjergji Cikopani ishte “truri organizator” i të gjithë punimeve, të cilat arritën pikën kulmore në prishjen e “kasaphanës”, objektit të madh me dyqane të ndërtuarnë vitet ‘59 në mes të Sheshit të Pazarit. Ishte një veprim shumë i guximshëm, që jo çdokush do e kishte miratuar në atë kohë edhe pse Kliti kishte disa vjet që ngulte këmbë të bëhej. Gjendja e Pazarit sot si qendër turistike shumë e vizituar, ze fill pikërisht me ndërhyrjet e atitj viti të Klitit dhe Gjergjit. Gjergji është ende mes nesh, por janë larguar nga jeta ata , që janë pranë tij në foto, duke nisur me shkrimtarin Petraq Zoto, instruktorin e Partisë Rrapi Qeleshi dhe seriozin e të drejtin shefin e arsimit e kulturës Kiço Melo. Shumë herët!

Me ne atë vit ishte i pandarë aktor-regjisori Petraq Marjani, që punonte si inspektor i kulturës në Komitetin Ekzekutiv. Bënte çdo ditë kilometra e kilometra të tëra nga një ndërmarrje në një tjetër për të siguruar objekte dhe çdo gjë, që duhej për realizimin e restaurim-ekspozimit. I palodhur, nuk u mërzit asnjëherë dhe bënte çdo gjë me pasion e duke buzëqeshur. S’di pse i thërrisnim njëri tjetrit “Ej Shalo!” me një aksent francez, që më duket krejt pakuptim sot. Eshtë në Florida dhe nuk di nëse i kujton ende ato muaj. Pranë tij është i mrekullueshmi miku im i mirë, Fredi Bitincka, që po bën 7 vjet i ikur rrëmbimthi. Po ashtu është larguar nga jeta kritiku i artit Riza Hyso, i cili vinte shpesh të na shikonte se ç’bënim duke dhënë këshilla rreth artit popullor dhe se si të evidentohej më mirë. Javët e fundit para përurimit kaluam shumë mbrëmje në oborrin e Hanit, duke pirë nga një gotë raki me të, shkrimtarin Miço Kallamata(babai i Klitit dhe Benit, që nuk jeton më), piktorin Ruzhdi Pulaha, Stavri Canen dhe Peçin (Petraq Marjanin) duke folur rreth artit, historisë dhe jetës. Ruzhdiun e takova para dy vjetësh në Korçë dhe mbahej mirë. Stavri gjithashtu është në Korçë dhe duhet të ketë dalë në pension. Ishte po aq i papërtuar sa edhe Peçi dhe ka bërë shumë për kulturën e Korçës. I shpejtë, i kudogjendur, i palodhur ishte edhe drejtori i Pallatit të Kulturës Hasan Malolli, me të cilin këmbenim shpesh batuta. I thërrisja nga larg: “Hasan i Dytë!” dhe ai përgjigjej duke qeshur “Mbreti i Marokut!” Nuk di se ku ndodhet. Kishte mbaruar për matematikë ashtu si Gjergji dhe Kiçoja dhe kishin të tre “mendje të mprehtë“ dhe dashuri për kulturën dhe artin.

Në fund të atij viti, Korça u vlerësua me çmim të parë mes gjithë ekspozitave të të gjithë rretheve dhe merita ishte thjesht e Klitit dhe Gjergjit(Cikopanit). Ne të tjerët patëm pjesën tonë në atë që u bë, por dy ishin liderat. Kliti ishte dhe mbeti shumë i përkushtuar ndaj Pazarit, të cilin e njihte në çdo skutë dhe në çdo detaj. Ndoshta gjatë dhjetvjeçarit të fundit, për arsye të koniukturave politike në Shqipëri, e mënjanuan pa asnjë të drejtë nga angazhimi në kompleksin ndërtimor më të dashur për të. I kishte kushtuar shumë kohë e mund dhe pa asnjë dyshim do e kishte bërë shumë më të mirë nga ç’është sot. Nuk i mungonin njohuritë, pasioni, vullneti dhe vetbesimi. Në kujtim të tij duhet të ketë të paktën një rrugë a shesh në Pazar ose në zonat e mbrojtura të qytetit, të emërtuar “ark.Kliti Kallamata”. Eshtë e domosdoshme se një ditë do jemi larguar edhe të gjithë ne , që ruajmë kujtimet e veprave dhe njerëzve. Sot për sot, qyteti e kujton si të gjallë me personalitetin e tij serioz dhe imponues, por duhet edhe brezat të mësojnë në të ardhmen se cilët kanë bërë shumë për Korçën edhe atëhere kur ka qënë më vështirë.

No comments:

Post a Comment