Saturday, 30 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (PKSH-ja 2)

(vijim)



 Unë: Të erdhi keq kur të përjashtuan?

Ai: Sigurisht që u trondita.  Ishte një shkëputje me dhunë nga  një ëndërr, të cilën e kisha patur që herët. Të kontribuoja aktivisht për një shoqëri më humane dhe më të drejtë. Largimi nga Partia, sipas asaj që dija e mendoja në vitin 1950 e vriste atë ëndërr. Kishin kaluar vetëm 5 vjet nga fitorja e popujve mbi fashizmin dhe entusiazmi për rindërtim e për një botë në paqe dhe begati, ishte në kulm jo vetëm në Shqipëri e në vendet e bllokut socialist, por në të gjithë Europën, në Amerikë e në Azi. Unë u ndjeva i lënë mënjanë.

Unë: Ti për herë të parë, ma ke zënë në gojë, kur isha në vitin e fundit të universitetit dhe duhej të plotësoja një formular, ku të shënohej edhe arsyeja e përjashtimit. Më tregove shkurtimisht historinë dhe më the që motivi ishte "për mendjemadhësi". Kështu e shënova edhe unë në atë formular. Si është historia e plotë?

Ai: Ajo fillon në fundin e vitit 1948, kur isha Drejtor i Radio Korçës. Ishin disa përplasje me Peti Shambllin(atë kohë sekretar që mbulonte agjit-propin) e të tjetër punonjës të komitetit të partisë, që donin të fusnin hundët në punët e Radios, pa ditur jo vetëm nga gazetaria, por as dhe nga parimet më të  thjeshta propagandistike të një sistemi totalitar. Ata kërkonin një program 24 orë pandërprerje e deri në dhënie të lajmeve nga më të rëndomtat, të veprimtarisë të Komitetit të partisë të rrethit. Meqënëse nuk "ju vija pas ujrave" më larguan nga drejtimi i Radios dhe më ngarkuan me ngritjen e Muzeut të qytetit. Përsëri me Petin nuk shkoja mirë. Ishte tepër i pakulturuar dhe arrogant. Përplasje të ngjashme kishte patur edhe me të tjerë drejtues të sektorit të kulturës, me të cilët unë isha në të njëjtën organizatë bazë, prandaj kërkonte me ngulm të bëheshin spastrime ndaj disa intelektualëve, të cilët, sipas tij e shokëve të tij, ndiqnin linjën e Niko Xhoçkës dhe kishin rënë në pozitat e borgjezisë.

Unë: Kush ishte Niko Xhoçka dhe ç'lidhje kishe ti me të?

Ai: Niko Xhoçka kishte qënë Sekretar i parë i Korçës dy vjet më parë dhe më pas kishte patur një detyrë më të ulët, pas disa fërkimeve me Udhëheqjen në Tiranë. Unë me të kisha patur vetëm lidhje pune dhe një respekt reciprok. Ishte njeri i librave dhe më i logjikshëm se të tjerët, por asnjëherë nuk kisha biseduar me të rreth ndonjë gjëje tjetër, që nuk lidhej me Radion ose me Muzeun. Një prej akuzave qesharake, ishte që atij i kisha treguar një thirrje për popullin për të dhuruar objekte me vlera muzeore, para se t'ja tregoja Byrosë së Komitetit të Partisë. Ndërkohë Nikoja ishte kthyer në fshatin e tij në Progër dhe u tërhoq plotësisht nga jeta politike dhe kështu edhe e shpëtoi “kokën”.

Unë: Po ishin të mjafta "mosbindjet" ndaj Peti Shambllit, për të të përjashtuar nga Partia?

Ai: Për ta patur më të plotë akuzën, trilluan edhe historinë e dezertimit nga Lufta Nacional-çlirimtare, kur u ktheva për tu mjekuar në Korçë, të cilën ta tregova më parë. Por edhe kjo histori nuk do ishte e mjaftueshme, po të mos kishte ndodhur diçka me Liri Belishovën, që solli finalen e "meselesë" sime të përjashtimit për dezertim, mendjemadhësi dhe rënie në pozitat e borgjezisë.

Në prill 1950, Liria ishte rehabilituar dhe ishte sekretare e Komitetit Qendror dhe antare e Byrosë Politike. Kishte ardhur e deleguar në një aktiv të Partisë në Korçë, i cili zhvillohej në Kinema "Morava". Atë mëngjes prisja para kinemasë të nisesha për punët e Muzeut në Tiranë me autokinemanë dhe po lexoja gazetat e ditës. Makina po vonohej dhe filloi të binte shi, prandaj hyra në hollin e kinemasë e po vazhdoja të lexoja gazetën. Në holl dëgjoheshin nga altoparlanti diskutimet në aktiv, por nuk po ju kushtoja vemendje, deri sa dëgjova, që e kishte marë fjalën Liri Belishova dhe mes të tjerash po theshte " Duhet të kemi kujdes edhe nga komunistët që manifestojnë kapadaillëk, si Andon Mara, të cilit nuk i pëlqejnë këto që themi ne, por ka dalë në korridor e po lexon gazetën, kur flasim ne. Dhe këtë e bën qëllimisht". Dikush që kishte shkuar në banjë e më kishte parë e kishte shpënë fjalën në presidium. Ishte fjala e mbylljes së seancës dhe i çuditur dhe i indinjuar, prita të dilnin në pushim dhe ju afrova Lirisë duke i kërkuar të shpjegoja, që unë nuk isha në punimet e aktivit. Nuk pranoi të më dëgjonte duke thënë "Nuk kam ç'të diskutoj me ty!" Këto ishin fjalët e fundit, që dëgjova nga një shoqe, me të cilën kisha punuar në BRASH, fjalë që vendosën rrjedhën e jetës time. Të inkurajuar nga Liria, Peti dhe pasuesit, bënë një mbledhje të fundit të organizatës bazë, ku nuk mundën të mernin mbështetje të plotë për përjashtimin tim dhe të të tjerëve. Disa ditë më pas, atë që donin të bënin, e vendosën në byronë e Komitetit dhe më vonë në Pleniumin e rrethit.

Unë: Në një dokument të lënë pas, ti përshkruan shkurtimisht se c'ndodhi gjatë javëve të përjashtimit tënd nga Partia e Punës. Eshtë plotësisht e saktë, ajo çka i ke shkruar Kolegjiumit të Komitetit Qëndror, apo ka edhe të tjera ngjarje dhe marëdhënie me individë të ndryshëm, të cilat nuk i ke përmendur?

Ai: Ato që kam shkruar në lutjen për rishikimin e përjashtimit nga Partia, është përgjigja ime zyrtare, ndaj akuzave që më ishin bërë. Nuk më ishte lejuar të shkoja në mbledhjen e Pleniumit të Rrethit, ku do merej në shqyrtim përjashtimi im dhe i të tjerëve, ndonëse parashikohej në statut. Unë nuk kisha pasur mundësi të mbrohesha dhe detyrimisht do e bëja në organet e larta të Partisë. Nuk mund të shkruaja për shkaqet e vërteta, që ishin pas përjashtimit tim, sepse do vulosja me dorën time vendimin e marë në Korçë, dhe gjithashtu mund të krijoja më shumë probleme për vete dhe familjen në të ardhmen.

Unë: Domethënë ti i shkruaje udhëheqjes së Partisë për një padrejtësi e madhe, që të ishte bërë, pa patur besim në ta? E them këtë, se e gjithë letra ësht një lloj mbrojtje "ligjore" për të hedhur poshtë akuzat mbi të cilat ishte mbështetur vendimi për përjashtim.

Ai: Unë i njihja se ç'mall ishin antarët e Kolegjiumit të Komitetit Qëndror. Një pjesë i kisha njohur vetë, për të tjerët kisha dëgjuar dhe në përgjithësi e dija se ç'mund të ishin ata që do rishikonin çështjen time. Partia nuk kishte mbushur ende 10 vjet ekzistencë, nga të cilat vetëm 5 ishin të një periudhe normale. Jo më shumë se një vit më parë, ishte bërë një spastrim rrënjësor në aparatin e saj dhe sigurisht, që në krye do kishte jo vetëm nga ata që nuk dinin se ç'ishte komunizmi, por edhe ndonjë që nuk dinte të vinte firmën e tij. E megjithatë, unë nuk doja të mos bëja pjesë në Partinë Komuniste. E konsideroja në fillimet e saj dhe shpresoja se gradualisht do fillonte të ngjante me partitë e tjera komuniste në Lindje e Perëndim. Për më tepër, përjashtimi ishte bërë kundër çdo rregulli dhe asnjëra nga arsyet, që ata kishin paraqitur, nuk qëndronte, ndaj s'kishte pse të mendoja, që ndjekja e proçedurave që përcaktonte Statuti i Partisë, do ishte një përpjekje e pashpresë.

Unë: E cilat sipas teje ishin arsyet e vërteta?

Ai: E vërteta është ajo që të spjegova më lart. Peti Shamblli e të tjerë funksionarë  partiakë, nuk pëlqenin qëndrimin tim jo të përkulshëm ndaj shumë veprimeve e urdhrave të tyre, të cilat lidheshin me Radion dhe me fushat e tjera me të cilat unë meresha dhe që ai, si sekretar për agjit-propin, i mbulonte. Ndoshta rol luante edhe zilia ndaj meje, Nuçi Kondilit e Pandi Markos, si njerëz më të shkolluar  se ata. Ato që shprehnin në bisedat me njëri tjetrin, zyrave të Komiteteve, u munduan t'i realizonin si masa të ashpra, duke na përjashtuar Partia, të cilën e konsideronin të tyren. Ishte e paturpshme, që vetë Peti, i cili vinte të paktën një herë në javë në bazën ku mjekohesha, e më vonë në shtëpinë ku rrija, për të marë përkthimet e Buletineve të Luftës, të cilat i përgatisja gjatë natës duke dëgjuar Radiot e huaja, 6 vjet më vonë, të kërkonte me të madhe që unë të përjashtohesha se kisha “dezertuar” gjatë luftës.

Unë: Po Sekretar i Parë, në atë kohë ishte Rita Marko. Kaq forcë kishte Peti, apo edhe me Ritan kishe patur fërkime?

Ai: Rita nuk donte që unë të përjashtohesha. Këtë ma tregonte Ropi Cifligu, që atë kohë ishte anëtar i Byrosë së Komitetit të Partisë dhe burri i kunatës sime, Dhorkës. Peti me të tjerët këmbëngulën dhe arritën të bindnin edhe Ritan, Ai në thelb ishte po i njëjti militant karrierist i pashkolluar, që nuk dinte nga binte Komunizmi dhe aq më pak dinte rreth problemeve të gazetarisë, Radios apo Kulturës. Në vetevete duhet të ishte në një mendje me ta, pë t'ju treguar vendin disa “intelektualëve komunistë që ju pëlqente mendja”, por në atë kohë ka qënë më i butë dhe i përmbajtur.

Unë: E shfaqje ti hapur një lloj epërsie intelektuale dhe kulturore ndaj tyre?

Ai: Mbase jo fare hapur dhe shpesh, por sigurisht që nuk e fshihja. Isha 27-28 vjeç, zotëroja disa gjuhë të huaja, kisha jetuar në një qytet të madh të huaj, isha plagosur rëndë gjatë Luftës dhe kisha ende një plumb në trup, e më duhej t'ju thoja peqe-lepe Peti Shambllit, Gaqo Pishës apo Petrit Dumes. Edhe njëfarë nervozizmi më kishte mbetur nga depresioni i dy viteve më parë, të cilin e kisha kaluar pa marë mjekim. Megjithatë, duke qënë ende disi i huaj në Shqipëri, sepse nënshtetësinë shqiptare kisha pak kohë që e kisha marë dhe duke njohur cilësitë prej intrigantësh të të pashkolluarve, isha i kujdesshëm në ato që thoja. Akuzat për mendjemadhësi, ishin kryesisht për mospërshëndetje në rrugë!

Unë: Të kujtohet që nise një periudhë krijimi të ethshme, shumë skematike gjatë verës 1950?

Ai: Perjashtimi nga Partia ishte goditje e rëndë, e cila më përmbysi shpresën për një jetë të bukur 6 muaj pas martesës. Kisha mbështetjen e Sofikas, e cila më jepte kurajo, por edhe ajo ishte vetëm 21 vjeç. Ishin netë të tëra pa gjumë. I tronditur se si do vazhdonte jeta dhe krijimtaria ime, e herë herë më dukej, se çdo gjë e kishte humbur kuptimin. Unë kisha ëndërruar të ndërtonim një botë të re, të ndryshme nga ajo që kishim jetuar dhe jo vetëm që përballë kisha injorancën dhe padrejtësitë, por edhe isha mënjanuar me forcë nga lufta për të bërë gjëra të mira për vendin dhe sidomos për njerëzit, të cilët  kishin mbetur pa gjë. Shpresë kisha në lutja që i kisha bërë, por kisha frikë, se Liri Belishova, e të tjerë miq të Peti Shambllit do kthenin përgjigje negative. Dhe ashtu ndodhi. Asaj kohe të tensionuar të pritjes, i përkasin disa vjersha e tregime ”shumë të trembura”, ku dëshmoja me forcë besnikërinë ndaj Partisë dhe vijës së saj.

(vijon)

No comments:

Post a Comment