Monday, 25 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (RAI-2)


(vijim)

Unë: Po a kishe patur iluzione se Lufta e ftohtë do zbutej në kohën e Kenedit? Ti më kishe folur me simpati për të, bile ndiqje me kureshtje edhe fatin e vejushës Zhaklin Kenedi, kur do martohej me Aristotel Onasis.

Ai: Kenedi ishte i ri d he përkrahës i ndryshimeve në politikën botërore. Të paktën kështu shikohej nga vendet europiane. Atë kohë dukej që atentati ndaj tij u bë nga forcat konservatore ndaj dhe figura e Kenedit u ngrit shumë në sytë e njerëzve që aspironin për paqe. Edhe më vonë, familja e madhe Kenedi mbeti përkrahëse e paqes në botë. Për Zhaklinën flitej në komentet e Radios , që ishte shumë e bukur dhe sa për Onasis kisha simpati se jo vetëm ishte nga Ballkani, por vinte nga Turqia, njëlloj si edhe unë. Kishte qënë një emigrant i varfër, i cili e kishte bërë vetë pasurinë dhe famën. Mbetej një figurë komplekse , por shumë simpatike.

Unë: Po ti ato vite nuk tregoje ndonjë simpati për grekët, bile i quaje “këta palo grekët”. Nga se vinte kjo apo nga që kishin një diktaturë fashiste?

Ai: Edhe nga ajo, por kryesisht nga që kishin ndjekur vazhdimisht pas luftës së dytë, një politikë jo të mirë ndaj Shqipërisë, si dhe tepër pro-amerikane. Qëndrimi grek kishte qënë shumë negativ në Konferencën e Paqes në Paris dhe kishte vazhduar të mbetej i tillë për shumë e shumë vjet, deri sa vetëm më 1972 u vendosën marëdhëniet diplomatike me ne. Ishte një qëndrim absurd për një vend fqinjë. Nuk dëgjoja kurrë radiot greke, sepse ishin të censuruara dhe nën kontrollin e rreptë të kolonelëve.

Unë: Prandaj dhe nuk na kishe mësuar greqisht as të flisnim dhe as të kuptonim edhe pse e kishe mësuar më parë se të mësoje shqipen?

Ai: Nuk ju kisha mësuar se nuk “shtroheshit” për të mësuar gjuhë të huaja as ti dhe as jot motër. Pata provuar t’ju mësoja frëngjisht dhe e latë pas disa muajsh. Ti as anglisht nuk mësoje, kurse Edlira e linte për në fund, pasi kishte bërë mësimet e tjera dhe më kërkonte ta ndihmoja.

Unë: Po ti si e kishe mësuar anglishten? Në Lice bëje si gjuhë të dytë vetëm gjermanisht.

Ai: Ta kam thënë disa herë, që gjuhët e huaja “ndihmojnë njëra tjetrën”. Anglishtja ka një numur shumë të madh fjalësh , që rrjedhin nga normandishtja dhe janë thuajse identike në të shkruar me frëngjishten. Mjafton vetëm dëshira dhe vullneti. Unë i kisha për gjuhët e huaja. Anglishten nuk them se e zotëroja shumë mirë, se edhe në biseda me shqiptarët, që vinin nga Amerika dhe nuk flisnin shqip, nuk isha në gjendje të shprehja çdo gjë.

Unë: Meqë u rikthyem në amerikanët,më kujtohet edhe një shprehje për ta e Bernard Shout, të cilën e përmendje herë herë: “Në dhjetë amerikanë, nëntë janë budallenj.” Mendoje se ishte pranë të vërtetës?

Ai: Shou ishte një mendje e ndritur dhe dihej që në atë thënie kishte shumë ekzagjerim, sepse e tillë ishte dhe natyra e komenteve, por edhe e shkrimeve të tij. Por kishte një të vërtetë të madhe, që krahasuar me europianët, pjesa më e madhe e e amerikanëve ishin më të paditur. Kjo edhe nëse nuk dëshmonte se ishin budallenj, i bënte të stononin në biseda. Këtë e kishte vënë re jo vetëm Shou gjatë vizitave të tij në SHBA, por edhe në Korçë, emigrantëve korçarë të Amerikës ja u kishin ngjitur nofkën “qyngj pe Bostoni”, sepse kur vinin në Korçë, dukeshin që ishin “prapa dynjasë“ edhe pse jetonin në një vend të pasur e të përparuar.

No comments:

Post a Comment