Saturday, 23 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Kristo Konoja dhe "Lulja e Kujtimit"-2)

 


(vijim)

Unë: Si nisi bashkëpunimi për operan “Lulja e Kujtimit”?

Ai: Pas suksesit të operetës “Agimi”më 1954, që u vu në skenë nga Pallati i Kulturës i Korçës, kishte përpjekje nga kompozitorët dhe poetët shqiptarë për të krijuar operan e parë shqiptare, si me temë ashtu edhe me autorë. Dy ishin kompozitorët, që mund të ndërmernin një vepër të tillë mbi supe, Prenk Jakova në Shkodër dhe Kristo Konoja në Korçë. Si një përpjekje paraprake, bashkë me Konon menduam të bënim një vepër më të vogël, që mund të vihej në skenë nga forcat artistike të qytetit dhe kështu lindi opereta “Së bashku jeta është këngë“. Libretin e mora përsipër bashkë me Leko Skalin, i cili kishte talent për vjershërim dhe njëkohësisht njihte mirë edhe ligjet e skenës se ishte aktor i teatrit të Korçës prej disa vjetësh. Me Lekon njiheshim që në Lice, por ai ishte dy klasa poshtë meje dhe më shumë ishim njohur pas lufte. Lekoja kishte bërë përpjekje edhe të shkruante pjesë teatrale me një akt dhe më të gjata. Kishte “shkëndija” të mira në poezinë me metrikë të rregullt, që ishte edhe ajo që përdorej më shumë në një libret operete.

Opereta, me premierë më 1958, pati shumë sukses në atë kohë dhe u interpretua mjaft mirë nga Mihallaq Zallëmi, Piro Sulioti, Pandi Raidhi, Marika Balashi, Gaqo Jorganxhiu, Dhimitra Mele,  Vani Trako dhe të tjerë këngëtarë dhe aktorë korçarë. Ndaj më tej vazhduam të njëjtin bashkëpunim për të bërë libretin e operas “Lulja e Kujtimit”, i bazuar mbi romanin me të njëjtin emër të Foqion Postolit. Ishte një ngjarje dramatike dashurie e lidhur ngushtë me përpjekjen e atdhetarëve shqiptarë para shpalljes së Pavarësisë, për të mos lënë Korçën në duart e grekëve.

Unë: Ishte opera e parë shqiptare?

Ai: Jo. Më parë u vu në skenën e teatrit të Shkodrës më 1958 opera “Mrika” e Prenk Jakovës me libret të Llazar Siliqit dhe dy vjet më pas e vuri edhe Teatri i Operas.  Premiera e operës tonë u dha në Tiranë javën e parë të nëntorit 1961. Në rolet kryesore ishin sopranoja Marije Kraja, që luante Olimbinë dhe tenori Xhoni Athanas, që interpretonte rolin e Dhimitrit. Në rolet e tjera interpretonin baritoni Avni Mula, mexosopranoja Rozmari Jorganxhi, tenori Kristaq Antoniu e të tjerë. Ishin pra disa korçarë edhe në rolet kryesore, si edhe kompozitori Kostandin Trako si mjeshtër kori.

Nata e parë pati një pritje të shkëlqyer nga ana e publikut. Atë kohë, Teatri i Operas kishte shumë këngëtarë të rinj, të posakthyer nga studimet në vendet e Europës lindore, që plotësonin më të vjetrit, që kishin studiuar në Francë dhe në Itali. Kështu që edhe në netët e dublantëve (Nina Mula në rolin e Olimbisë dhe Ibrahim Tukiçi në rolin e Dhimitrit) duartrokitjet ishin të pandërprera.

Unë: Për 16 vjet me rradhë, “Lulja e Kujtimit” nuk ishte më në repertorin e Teatrit të Operas edhe pse operat kombëtare numuroheshin me gishta. Pse?

Ai: Në mesin e viteve ’60 filloi ajo që kemi përmendur, gërshetimi i orientimeve të Partisë për revolucionarizimin e jetës së vendit e frymëzuar nga Revolucioni Kulturor në Kinë dhe “lufta e brezave”, të cilën e kemi zënë disa herë në gojë. Kështu që edhe Foqion Postoli, edhe Konoja konsideroheshin që kishin vepra “të prapambetura”, që nuk pasqyronin “hovin revolucionar të masave”. Të atyre viteve janë romani “Dasma” i Kadaresë, që u bë edhe film me titullin“Përse bie kjo daulle”, filmi “Horizonte të Hapura” me skenar të Dritëro Agollit dhe regji të Viktor Gjikës ku ngrihej figura e heroit nga klasa puntore, filmi “Plagë të vjetra” po me skenar të Dritëroit dhe me regji të Dhimitër Anagnostit, që pasqyronte luftën ndaj “zakoneve prapanike”, filmi “Montatorja”, romani “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit, dramat “Shtëpia në bulevard” dhe “Ngjarje në fabrikë“ të Fadil Paçramit etj. Për më tepër edhe muzika sinfonike dhe operistike quheshin “të të kaluarës” dhe pa interes për rininë. Opera “Lulja e kujtimit” në sytë e aparatçikëve ishte një vepër e romantiçizmit shqiptar, gati gati mikroborgjeze. Të vetmet vepra me temë historike, që u nxitën të krijoheshin në atë kohë, ishin ato për Skënderbeun, në kuadrin e festimeve të mëdha për 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar. U kompozuan dy opera të titulluara “Skënderbeu”.

Unë: Po pse më 1977 u kërkua për tu përpunuar dhe për tu rivënë në skenë?

Ai: Kjo kishte të bënte me politikat, që ndiqte Komiteti Qëndror për kulturën dhe artet. Në fundin e viteve ’70 po prisheshim me kinezët dhe njëkohësisht kishte një përpjekje për të vënë në pah kulturën kombëtare. Theksohej psh, që premierat e teatrit të ishin 80% të repertorit shqiptar. Në fushën operistike ishte më e vështirë, se veprat ishin shumë të pakta, pork jo e ringjalli operan tonë. Vetëm kërkoheshin shumë ndryshime sidomos në libret. Cesk Zadeja, atë kohë udhëheqës artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit, me shkodranishten e tij mundohej ta minimizonte ripunimin duke thënë “ka i fije, ka i fije”, por duheshin hequr tablo të tëra dhe ripunuar disa skena dhe arie, për tu “aktualizuar me kohën”. Ju futëm punës me Lekon, si e mban mend, në shtëpinë tonë dhe ndryshimet ja dërgonim Konos, që punonte në shtëpinë e tij. Duheshin hequr skenat me koralet, ku tregohej bashkimi i çetave shqiptare me ato maqedonase dhe bullgare në luftën kundër Turqisë. Atë kohë marëdhëniet me “revizionistët” ishin të prishura dhe duhej edhe të “korrigjonim” historinë dhe Foqion Postolin. Figura e Dhimitrit gjithashtu u ndryshua, duke e kthyer në një të ri “të shtresës së varfër”.

Unë: Po pse e pranuat?

Ai: Nuk ishin vite për tu bërë shumë “trim” apo kokëfortë. Sa ishin goditur shumë e shumë artistë dhe shkrimtarë, që prej Pleniumit të IV të vitit 1973. Në Korçë, një vit më parë ishin dënuar me burgime të gjata piktori Vangjush Tushi, gjuhëtari Gaqo Peci dhe dirigjenti Kiço Venetiku për veprimtari kundër pushtetit popullor. I bëmë ndryshimet ashtu si mundeshim; Konoja bëri ndryshimet e tij muzikore dhe shfaqja u përgatit në disa muaj. Nuk morrëm pjesë gjatë provave dhe ne nuk na ftuan as për premierën, që u mbajt në vjeshtën e vitit 1978. Konoja, që kishte asistuar, u kthye nga Tirana shumë i pakënaqur me shfaqjen. Nuk zgjati për shumë javë të jepej në Tiranë. Duhet të ketë qënë një dështim, por unë nuk e pashë kurrë. Kujtoj vetëm që Olimbinë e luanin Edit Mihali dhe Fitore Mamaqi, ndërsa Dhimitrin, Gaqo Cakoja dhe Hysen Koçija

Unë: E megjithatë shpesh gjërat shkojnë në vendin e tyre. Më 2012, opera tuaj, të cilën e përmendje shpesh, u rivu në skenë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe u prit shumë mirë. U ndoq thuajse pa ndryshime version origjinal i vitit 1961 dhe dirigjent ishte Eno Koçoja, që ka pasur një lidhje të fortë shpirtërore me Korçën, por edhe me Konon dhe e vlerëson veprën. Këngëtarët ishin të gjithë të rinj, të cilët meq nuk ja u njoh karrierën artistike edhe nuk po i përmend me emra.

Po si ndodh jo rallë në Shqipëri, ku nuk mbrohen shumë të drejtat e autorit, ne, trashëgimtarëve të tu as na pyetën dhe as na ftuan në premierë.

Ai: Për të drejtat e autorit nuk kini ç’thoni se honoraret e libretit më janë paguar që më 1961 dhe vepra është pronë e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Ne foto Marija Kraja dhe Xhoni Athanas ne premieren e vitit 1961.

No comments:

Post a Comment