(Ne foto Andon Mara me piktoret Ruzhdi Goskova, Fiqiri Progri dhe skulptorin Llazi Dengo)
Unë: Po në Korçë ndjehej, në fundin e viteve ’60, “lufta e brezave”?
Ai: Më pak, megjithëse ishte gjallëruar, me ardhjen e Todi
Lubonjës. Nga” të rinjtë“ deri në atë kohë kishin botuar nga dy libra vetëm
Vangjush Zikoja, Dhori Qiriazi dhe Teodor Laçoja dhe një libër Guri Miçinoti.
Të pakta ishin edhe botimet e më “të vjetërve” si të Sotir Andonit, Arsinoi
Binos dhe Miço Kallamatës. “Lufta e brezave” ishte përqëndruar në kapjen e
postit të Kryetarit të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe
Konoja kishte thuajse një vit, që ishte zëvendësuar nga Laçoja, ndërsa vendin
e Vangjush Tushit, si sekretar për Artet
Figurative e pat zënë skulptori Avni Bilbili.
Unë: Po ku shihej më shumë inkurajimi i të rinjve përballë të
vjetërve në jetën kulturoro-artistike të qytetit?
Ai: Todi shquhej për arrogancë, të cilën e kishte në natyrë,
por ja jepte edhe posti i antarit të
Komitetit Qëndror. Duke qënë se sa kishte lënë postin e lartë të kryeredaktorit
të “Zërit të Popullit” dhe kishte qënë shumë afër Enver Hoxhës, ndërsa Ramiz
Alinë e kishte mik të ngushtë, sillej me mospërfillje edhe ndaj sekretarit të
parë të rrethit, që atë kohë ishte Mihallaq Ziçishti. Kishte njohje të përcipta
të filozofisë dhe arteve, por dallohej mes aparatçikëve të tjerë të Tiranës,
ndaj dhe kishte bindjen se ishte “kokë“ në fushën e kulturës. Erdhi “me shpatë“
në Korçë dhe mblodhi rreth vetes krijues të rinj dhe që i shkonin për shtat
bindjeve të tij rreth kulturës dhe artit. Por jo gjithnjë mbështeste më të
talentuarit dhe më të mirët. Në hije mbetën jo vetëm Konoja, Tushi, Rafael
Demboja, Nella Sinaeri, Sokrat Mioja, Skënder Arrëza, por edhe deri tek Lasgushi, i cili atë kohë
jetonte në Pogradec, qytet i cili mbulohej nga dega e Korçës. Ishte për një
“asgjesim” total të artit të së kaluarës dhe prirjen drejt modernizmit, që në
përgjithësi të shpie në qëndrime të gabuara, pasi arti ka nevojë për vazhdimësi
dhe larmi. Vërtet përkrahu të talentuarit Qiriazi, Mihallaq Luarasi, Teodor Laço,
Vangjush Furrxhi, por edhe mediokrit si dirigjenti Rikardo Jorganxhi dhe
grafisti Andrea Themeli. Në kulturë ishte për masivizimin e lëvizjes artistike
nëpër shkolla dhe ndërmarje prodhuese, sa edhe “kërcënonte” drejtuesit e
Teatrit se do ja u jepte skenën vetëm amatorëve, por kjo nuk ishte ide shumë e
mirë, se vërtet mund të evidentonte talente të reja, por “sasia” në art është
gjithnjë në dëm të “cilësisë“. Pra ishte
një lloj masoviku i kulturës.
Unë: Me një fjalë ti u ndjeve mirë, kur Todi u rikthye në Tiranë,
si Drejtor i Radio Televizionit Shqiptar?
Ai: Po. Nuk e duroja dot arrogancën e tij, sepse më lidhte ndonjëherë
edhe puna si gazetar i Radios, sektor i cili mbulohej nga Lubonja. Për më
tepër, në kohën e tij më larguan edhe nga Këshilli Artistik i Teatrit, gjë të
cilën e bëja me dëshirë, si shumë punë të tjera të papaguara, që lidheshin me
kulturën dhe artin në qytet. Duhet të të them se Todi ishte funksionari i lartë
partiak më fodull dhe arrogant, që kam parë dhe njohur në Korçë. As Mihallaqi
(Ziçishti) nuk ishte aq kapadai sa Lubonja. Në Korçë kishin punuar edhe shumë
të tjerë, si Piro Kondi, Haki Toska, Ramadan Xhangolli, Petro Dode e ndonjë
tjetër, që ishin shumë më të njerëzishëm se Lubonja dhe Ziçishti. Todi “vriste
e priste”, i veshur gjysëm ushtarak me gozhup kinez dhe çizme dhe me makinën
pas. Pat përcjellë edhe dy familje punonjësish të bankës nga apartamentet e
tyre mbi Bankën e Shtetit për të pasur një apartament sa më të madh për veten,
Lirinë dhe djalin e vogël.
Unë: Po meqë Radio-Korça varej nga RTSH, a nuk mbetej ai sërish
eprori tënd?
Ai: Drejtori i Përgjithshëm, që ishte Todi, nuk kishte të bënte
fare me katër Radiot e rretheve(Korçën, Shkodrën, Kukësin dhe Gjirokastrën). Me
Thanas Nanon, që ishte drejtori i Radio Tiranës, kisha vite që njihesha dhe
kishim respekt të ndërsjelltë.
Unë: Vazhdoi “lufta e brezave” pas largimit të Todit?
Ai: Shumë më pak. Todi “tërhoqi” në Tiranë Mihallaq Luarasin,
Laçon dhe disa të tjerë dhe marëdhëniet midis krijuesve ishin më të
normalizuara. Takoheshim shpesh në Pallatin e Kulturës, diskutonim për veprat e
njëri tjetrit, për ato ç’kishim në dorë, si dhe vizitonim studiot e piktorëve
dhe skulptorëve dhe jepnim mendime për ekspozitat e tyre personale. Ishte një
atmosferë e shëndetshme, ku ndjehej herë herë rivaliteti dhe zilia, por këto
kanë ekzistuar gjithnjë në qarqet artistike të të gjithë botës.
Unë: Me një fjalë ti nuk je i mendimit se jeta kulturore dhe
artistike u gjallërua së tepërmi në “kohën e Todit”?
Ai: Gjithnjë kam pasur bindjen se sa më pak përzjehen nëpunësit
në problemet e artit dhe kulturës aq më të lira janë ato. Funksionarët e lartë,
që e njohin kulturën, e lenë në duart e krijuesve sepse e dinë që vetëm ashtu
mund të ketë cilësi. Tradita e “futjes së hundëve” nga sekretari për
ideologjinë u ndërpre pak vetëm në kohën kur sekretar ishte Vangjush Cërrava,
se më pas “i shumëdituri” Enver Halili dhe pas tij “komsomolasi” Jani Ballta
vazhduan “të udhëhiqnin” në fushën e krijimtarisë artistike. Arti dhe kultura
në Korçë vazhduan të bien dita ditës në kohët e tyre, deri sa arriti, që Korça
zinte në vendet e fundit në Shqipëri për blerje librash dhe rregjistrime në
bibliotekë. Teatri, i cili pat qënë në pararojë dhe shfaqje të tij
krahasoheshin me ato të Teatrit Popullor, filloi të renditej pas Shkodrës, Durrësit
bile edhe Fierit.
Unë: A nuk e transformoi për mirë Todi, Radio Televizionin
Shqiptar?
Ai: Transformimet në përgjithësi nuk janë të lehta dhe nëse
bëhen me nxitim edhe mund të dështojnë. Zëvendësimi i menjëhershëm i një pjese
të gazetarëve dhe redaktorëve me të rinj të prirur drejt “modernes” solli edhe
një trajtim sipërfaqësor dhe imitues të shumë emisioneve të Televizionit, që
ishin emisionet që ndiqnim më shumë në fillimet e viteve ’70, pasi Radio-Tiranën
e dëgjonim shumë pak. Duke i krahasuar me kanalet e tjera televizive të asaj
kohe, RTSH ishte pak më mirë se kanali zyrtar grek, por dukshëm më poshtë se
Televizionet Kroate dhe Sërbe, të cilët
i shihnim nëpërmjet Televizionit Maqedonas. Megjithatë, pas Pleniumit të IV dhe
largimit të Todit, Televizioni shqiptar bëri hapa prapa. Diskutonim rreth
ndryshimeve me Liri Celin, të cilën e larguan nga vendi i zv.drejtores së
Radio-Tiranës dhe e sollën Drejtoreshë në Radio-Korça
No comments:
Post a Comment