(vijim)
APK: Jo! “Betonizimin e qyteteve” nuk e solli korrupsioni i
administratorëve të bashkive, edhe nëse ata ishin shumë autoritarë ose jo. Ai
ka erdhur si rrjedhojë e një lëvizje të fuqishme njerëzish drejt qyteteve
(sidomos në zonën Tiranë- Durrës), prirja e të gjithëve për të jetuar sa më në
afërsi të qendrës së qytetit dhe dëshira e investitorëve për të pasur fitime sa
më maksimale. “Korrupsioni” ishte një lloj katalizatori, i cili e shpejtonte
procesin, por nuk e krijonte. Do ndodhte edhe nëse kryebashkiakët nuk do ishin
të korruptuar, me ndryshimin e vetëm, që do ishte më i ngadaltë dhe më pak i
mprehtë. “Atribuimi”, që i bëhet rolit të kryetarëve të bashkive, është një
lloj “reklame”, që ata vetë e pëlqejnë, për të treguar se mund të vendosin për
gjithshka dhe për të rritur “kuotat e tyre të përfitimit” në tregun e
ndërtimeve.
Le të marrim si shembull qytetin e Korçës, ku edhe pse
administratorët kanë qënë jo më pak të korruptuar se ata të qyteteve të tjera,
nuk ka ndodhur betonizimi, ose më mirë të themi ndërtimet e larta prej betoni
kanë qënë shumë më minimale se psh në Vlorë apo në Fier. Ka qënë “fryma” e
popullsisë të qytetit dhe jo
administratorët, që ka bërë, që qyteti të ruajë karakteristikat e tij më të
mira arkitekturore dhe të kthehet në më i vizituari në Shqipëri. Duhet thënë si
shtesë se gabimet më të mëdha , që janë bërë në ndërtimet në qytet, kanë qënë
pikërisht ato ku investitore ka qënë Bashkia, si psh Kulla Vrojtuese,
Biblioteka e re e ndonjë tjetër.
Përsa i përket pyetjes së dytë që shtroni, edhe nëse prishen
disa ose edhe shumë monumente me vlera të traditës, kjo nuk do të thotë se
arkitektura bën hapa prapa. Të kuptohemi unë jam më shumë për “konservimin” e
arkitekturës me vlerë dhe për ndërtimin e vlerave të tjera në zona të reja, por
kjo nuk do të thotë se duhet shmangur një proces që ka mijra vjet që ndodh në
qytete si Roma, Londra, Parisi, Madridi e gjetkë, ku ndërtimet e reja zenë
vendin e të vjetrave pa i ulur vlerat arkitekturore të qytetit por në të
kundërt. Ne nuk e dimë se si do ishte Parisi i sotëm, po të mos ishte miratuar 170
vjet më parë plani i përgjitshëm i Haussman, por do të ishte ruajtur Parisi
mesjetar. Do ta kishte shkëlqimin e sotëm, që e bën qytetin më të vizituar në
botë? Mund të kishte të tjera “ngjyra” tërheqëse? Por është e kotë të diskutojmë
për situata hipotetike. Në rastin e Tiranës, nëse e ke fjalën për vepra
konkrete, si Teatri Kombëtar a ndonjë tjetër, atëhere duhet të ndalemi më gjatë
në veçantinë e çdo rasti pa përgjithësuar, se nuk ka vend për përgjithësim.
Unë: Cili është mendimi i juaj për rastet më flagrante si ai i
Stadiumit Kombëtar dhe i Teatrit Kombëtar, që mund të krijojë precedent edhe për
ndonjë ndërtim të lartë edhe atje ku është sot Muzeu Kombëtar apo edhe tek Pallati i Madh i Kulturës?
AKP: Këtu po flasim për prirjet në arkitekturën e sotme
shqiptare dhe jo për rastet e objekteve të veçanta dhe se si janë trajtuar ligjërisht
dhe profesionalisht nga ana arkitekturore dhe urbanistike. Problemi i tyre
lidhet me vendndodhjen dhe pronësinë publike ndaj ka pak të bëjë me mënyrën se
si konceptohet arkitektura. Nëse ato do ndodheshin diku në periferi, nuk do
kishte as ”zhurrmë“ dhe as debate “të kryqëzuara”. Bëhej fjalë për interesa jo
të vogla financiare ndaj edhe palët kanë qënë të motivuara nga këto interesa për
qëndrimin pro dhe kundër. Opinioni im është, që në çdo vepër arkitekturore jo të
përsosur, mund të ndërhyhet me shtesa dhe vëllime, që nuk cënojnë, por në të
kundërt i shtojnë vlerat.
Unë: Po le të merremi me faktin “arkitekturor” tani, që Arena
Kombëtare është përfunduar dhe është drejt kristalizimit projekti përfundimtar i
kompleksit të Teatrit Kombëtar. Për mendimin tim, i pari është shumë prapa
stilit që përcakton arkitekturën e stadiumeve në këtë shekull dhe nuk e kam
fjalën për shembujt më të mirë, si stadiumi i Pekinit me autorë firmën Herzog & De Meuron, ai i Al-Wakrah në Katar i projektuar nga Zaha Hadid, por edhe ata të një
investimi më të vogël si ai i Kazanit i projektuar nga Popoulos, Allianz Arena i projektuar gjithashtu nga Herzog & De Meuron, rikonstruksioni i
stadiumit të Marsejës, ai i Wuyanit në Kinë etj. Tek Arena Kombëtare mungon tërësisht
plasticiteti , që duket qartë në shembujt e sipërpërmendur, gjë që është e meta
kryesore e veprës dhe jo kulla e shumëpërfolur. “Rigjiditeti” i formës së tij,
bëhet edhe më i rënduar nga ngjyra e objektit, ku çuditërisht i është shmangur
të bardhës që mbizotëron në gjithë kompleksin Universitar, pjesë e së cilit ka
qënë stadiumi i Tiranës në origjinën e tij. Për arsye të kota (ndoshta nën
trysninë e ruajtjes së basorelievit të parë) është lënë e paprekur hyrja në
tribunën qëndrore, gjë që nuk është në harmoni me asnjë element të strukturës së
re.
(vijon)
No comments:
Post a Comment