Friday, 22 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Kristo Konoja dhe "Lulja e kujtimit")


Unë:
Kur isha i vogël, nga emrat e parë që dëgjoja të përmendëshin në shtëpi, ishte ai i Kristo Konos. Me të kishe një miqësi në vite. E dija që ishte kompozitor shumë i mirë (atë kohë diskutohej nëse ai apo Prenk Jakova ishte më i miri në Shqipëri) dhe mbaj mend, që kur solle librin e sapobotuar “Mjeshtra të monumenteve muzikore”, e hapa në fund(n[ Pasqyra e L[nd[s) dhe për çudinë time nuk gjeta emrat e Pietro Maskanjit dhe të Konos. Rreth të parit, sa kishim parë në kinema të luhej një film rreth tij, ndërsa Konon e kisha parë shumë herë në shtëpi dhe isha i bindur q[ ishte ndër më të mëdhenjtë. Ti më the duke buzëqeshur, që jo të gjithë kompozitorët janë përfshirë në libër, sepse janë vënë më të shquarit. Libri ishte përkthyer nga Zana Shuteriqi dhe nuk kishte autor. Ndoshta ishte një lloj përmbledhje e nxjerrë nga shumë libra.

Ai: E kujtoj atë libër dhe ishte i mirë. Sillte shumë njohuri rreth jetës dhe veprave të mjeshtrave botërorë. Ndoshta duhet të ketë qënë përkthim i ndonjë botimi rus, se brenda tij përfshiheshin edhe shumë kompozitorë rusë jo më të njohur se Maskanji psh., bile mungonte edhe Bizeja.

Me Kristo Konon isha njohur që kur isha student në Liceun Francez, se më jepte muzikë. Ishte 15 vjet më i madh se unë dhe kuptohet, që nuk kishim pasur ndonjë shoqëri, deri sa nisa punë si drejtor i Radio Korçës më 1947 dhe me ish-profesorin tim filloi të më lidhte shumë veprimtaria kulturore. Ato vite Konoja ishte në kulmin e pjekurisë si kompozitor dhe vazhdoi të kompozonte pjesë sinfonike, poema vokalo-instrumentale, kantata, përpunime të këngëve popullore, si dhe vepra të tjera më të vogla. Ishte në të 40-tat dhe ende nuk kishin filluar të ktheheshin nga studimet në vendet e Lindjes, kompozitorët që do shquheshin në vitet ’60 dhe më tutje. Ishte i qetë, i përmbajtur dhe bënte një jetë shumë të rregullt. Edhe pse e kishin kërkuar disa herë të transferohej në Tiranë, pasi kishte shumë nevojë për të, kishte zgjedhur të rrinte vetëm në Korçë. Pat studiuar në Itali për klarinetë në vitet ’20-‘30, por kishte ndjekur edhe kurse të kompozimit dhe pat udhëtuar edhe në Francë dhe Austri për të parë ekzekutimin e veprave sinfonike dhe operistike. Tregonte shpesh rreth tyre.

Unë: Rrallë herë vinte vetë për vizitë tek ne. Përgjithësisht ishte me Melin, bashkëshorten e tij dhe ndonjëherë edhe me të motrën, Maqkën, me të cilën jetoi gjithë jetën.

Ai: Kiçoja (si e thërriste Maqka) u martua vonë, por ishte shumë i lidhur me familjen. Muzika dhe familja ishin të vetmet gjëra në të cilat ishte i përqëndruar. Pak i interesuar ishte psh për sportet, nga të cilat pëlqente dhe ndiqte vetëm boksin. Nuk shprehte asnjë interes për politikën.  Punonte një kohë të gjatë në piano në shtëpi duke kompozuar dhe orkestruar, dhe dilte për një shëtitje me gruan, ose shkonte në kinema, teatër a në ndonjë veprimtari tjetër artistike. Rrallë vinte edhe në Pallatin e Kulturës, ku ishte vendi që mblidheshin të gjithë letrarët dhe artistët, si dhe shumë të tjerë, të apasionuar pas kulturës dhe artit. Qysh prej vitit 1952 kishte qënë profesion të lirë si kompozitor dhe ashtu vazhdoi deri kur doli në pension.

Unë: Po duhej të pëlqente me siguri letërsinë dhe teatrin sepse ka kompozuar të paktën një opera dhe tre opereta? Habitem, që Llazar Siliqi të kishte thënë se Konoja për të ishte “çuditnisht i pakulturum”?

Ai: Shpesh përcaktimet e një njeriu të veçantë përfaqësojnë vetëm një pjesë të së vërtetës dhe shumë herë varen nga njohja apo edhe marëdhëniet, që kanë dy krijues në një moment të caktuar. Konoja pat punuar me Llazarin për operetën e parë shqiptare “Agimi”dhe duket se patën patur ndonjë fërkim. Edhe kompozitori, si korçar tipik që ishte, i kishte vënë nofkën poetit:“Siriliqi”. Ndoshta Llazari, duke ditur që Kristoja kishte studiuar në Itali, mendonte se duhet të njihte më thellë historinë dhe letërsinë italiane. E megjithatë, Konoja ishte njohës i historisë dhe mitologjisë. Jo vetëm kishte interes për periudhën e Rilindjes Shqiptare, për të cilën kompozoi operan “Lulja e Kujtimit”, por kishte nisur edhe të kompozonte në vitet ’60 operan “Prometeu”. Nuk e vazhdoi sepse nuk e inkurajoi Enver Hoxha, që i sugjeroi të kompozonte një opera me temë nga jeta e klasës puntore. Nuk kompozoi kurrë një të tillë.

(vijon)

No comments:

Post a Comment