(vijim)
Unë: Vendimi përfundimtar ma merr mendja që të dërmoi?
Ai: Më pak se sa e mendoja. Ndoshta isha më i qetë dhe
e prisja që do ndodhte. Në të njëjtën kohë, nuk më kishin lëvizur nga drejtor i
Muzeut. Kisha filluar edhe t'ju shmangesha përplasjeve të drejtpërdrejta me
"çinovnikët" e Partisë.
Unë: Aq të pakulturuar ishin Shambllinjtë, Gaqo
Pisha, Petrit Dumja, Myftar Grabocka dhe "çinovnikët" e tjerë.
Ai: “Shambllinjtë“ (Ollga, Kiçua, Raqi
dhe Peti), nuk kishin pasur mundësi të shkolloheshin. Ata kishin qënë shumë
aktivë në lëvizjen komuniste, kuptohet sipas atij komunizmi që mund t’ju
"rructe" mendja e tyre. Dy të parët ishin komunistë të orëve të para,
ndërsa më të rinjtë, të vitit 1942. Megjithatë, qenia në Parti, sidomos në kohë
lufte, nuk të ndihmon as të shkollohesh dhe as të paisesh me kulturë. Edhe pas
Clirimit, duke patur poste me rëndësi dhe ndoshta edhe paaftësi për të kryer
shkolla, gati të gjithë, nuk kryen studime të plota, megjithëse si militantë të
flakët Partie, mund të studionin kudo në Lindje. Kur jepja Historine e Partisë
së Partisë Komuniste të BS, në gjimnazin e Korçës si mësues i jashtëm, në një
nga mësimet rreth parimeve të Leninit mbi zhvillimin e industrisë së rëndë, si
degë me përparësi për zhvillimin e vendit, e theksova që të gjithe vendet, edhe
Shqipëria, duhet te kete si parim kryesor të
zhvillojë industrinë e prodhimit të makinave si industri kryesore, që të forcon
ekonomikisht e të bën të pavarur. Dy ditë më vonë, më thirri në komitet Raqi
Shamblli e më hoqi vërejtje, që kërkoja pavarësinë ekonomike të vendit, kur ne
kishim Bashkimin Sovjetik, që do na ndihmonte për çdo gjë! Kur i tregova se ku
e kisha lexuar dhe që ishte një nga pikat bazë të ekonomisë politike të
socializmit, murmuriti nëpër dhëmbë dhe dolëm nga zyra. E njëjta gjë vlente edhe për oficerin madhor të
asaj kohe, Petrit Dume.
Unë: Në
fillimin e viteve '90, kam takuar rastësisht një nga trashëgimtarët e
ish-Valbonës, që kur mori vesh si i kujt isha më falenderoi, sepse i kishe
ndihmuar njerëzit e tij kur ju morën banesën për ta bërë Muze. Ishte para apo
pas përjashtimit?
Ai: Para. Ishte edhe një nga akuzat, por pa
shumë peshë, sepse për ndihmën, që i kisha dhënë asaj familjeje, kisha marë
edhe miratimin e Komitetit të Qytetit. E megjithatë, ata i rrjeshtonin për të
patur një numur sa më të madh "faktesh", që kisha "rrëshqitur në
pozitat e borgjezisë". Pothuajse kurrë nuk e kuptova mirë si funksiononte
sistemi i dënimeve në Parti. Edhe në rast se akuzat ishin plotësisht pa baza,
ose të paargumentuara, po qe se nuk kishe mbështetje në Byronë Politike, një
vendim i organeve të partisë në rreth nuk mund të kthehej. Nga ata që kisha
njohur mirë gjatë Luftës dhe më vonë, në Byro ishte vetëm Liri Belishova. Nuk
kisha patur marëdhënie të afërta me Enver Hoxhën, për t'i kërkuar të takohesha
dhe gjithashtu shumë e shkurtër dhe pa ndonjë mbresë shumë të mirë, kishte qënë
njohja me Mehmet Shehun gjatë formimit të Brigadës së Parë. Të tjerët ose ishin
përjashtuar më parë, ose kishin vdekur.
Unë: Cilët ishin të përjashtuarit? Po të
vdekurit?
Ai: Partia Komuniste Shqiptare ishte një
organizatë e re e një vendi të vogël, ku shumica e të antarësuarve njiheshin
ose kishin lidhje miqësie, farefisnore apo krushqie me njëri tjetrin. Në vitin
1944, kur jam pranuar në Parti, nuk kishte më shumë se njëmijë antarë. Kuptohet
pas luftës, kur nuk ishin më ilegalë, shumë antarë partie u njohën me njëri
tjetrin dhe nuk ishin pak ata, të cilët u vunë në postet më të larta shtetërore
apo partiake. Korça gjithashtu, kishte mbajtur një peshë të madhe të Luftës dhe
duke qënë edhe një nga zonat e para të çliruara, që në vitin 1943, në të ishin
formuar disa nga formacionet më të rëndësishme të ushtrisë partizane. Prandaj
që të njihje njerëz me funksione të larta në Parti dhe pushtet ishte shumë e
natyrshme. Përmënda më parë Nakon dhe Alqin, i pari i vetvrarë, ndërsa i dyti i
vrarë aksidentalisht. Në ceremoninë e dhënies të teserës së partisë, në vitin
1945, u njoha edhe me Koçi Xoxen dhe Pandi Kriston, të cilët i ndihmonin
korçarët. Ata ishin përjashtuar nga partia në vitin 1948 dhe Koçi u ekzekutua
më 1949, ndërsa Pandi Kristoja u dënua me 25 vjet burg.
Unë: Ti ke përmendur shpesh, që Ramiz Alinë e
kishe patur shok, po I kishe thënë edhe mamasë në vitet ’50, që është
mosmirënjohës? Kishe kërkuar të të ndihmonte?
Ai: Jo nuk i kisha kërkuar se jo vetëm nuk
ishte në rang të lartë në atë kohë, por ishte i klanit të Liri Belishovës dhe
nuk prisja prej tij ndonjë gjë të madhe. Piro Kondi, të cilin e kisha me të
vërtetë shok dhe ishte edhe kunat i Hysni Kapos, ndodhej atë vit në Bashkimin
Sovjetik me studime.
Ramizi ishte i
zgjuar, por karrierist dhe pak si ata, që ne i quajmë “sëmundje e butë“. Kisha
kuptuar që nuk ishte dikush në i cili mund të mbështeteshe në situata të tilla,
si kjo e përjashtimit tim nga Partia. Mund të të ndihmonte për gjëra më të
thjeshta, si psh, po t’I kërkoja, që të ndërhynte për ju të dy, nëse nuk ju
jepej e drejta e studimit, por këto ishin raste, që nuk e vinin në pozitë me të
tjerët. Sidoqoftë ishte më “i saktë“ se shumë të tjerë, që vazhduan të ngjisnin
shkallët e karrierës.
Unë: Pas shfaqjes të operetës “Së bashku jeta është
këngë“, Ramadan Xhangolli, që atë kohë ishte Sekretar i Parë në Korçë, të
sugjeroi bëje lutje për të hyrë në Parti si rishtar. Pse nuk e bëre?
Ai: Nëse mund të rishikohej vendimi i vitit
1950 dhe të konsiderohej i gabuar do isha kthyer në Partinë Komuniste(tashmë
mbante emrin Partia e Punës). Nuk kisha përse të rinisja “sënjëzaj” rrugën e
lutjeve, deklaratave të komunistëve, që më njihnin e të tjera formalitete, për
të qënë anëtar partie. Nëse jo vetëm për mua , por edhe për shumë të tjerë do
rishikoheshin vendimet e gabuara dhe do ndryshonin praktikat brenda Partisë, atëhere
do ishte një lloj organizimi me një tjetër fytyrë. Por kjo nuk mund të ndodhte
dhe nuk ndodhi.
No comments:
Post a Comment