Monday, 11 January 2021

Njeriu me shumë mentorë


Sa kishim “shkopsitur” rripat e sediljeve në avion dhe ai nxorri mbiprehërsin elektronik. Kishim një rrugë të gjatë për në Vienë dhe ishte mirë të shtynim dy-tre orë deri sa të na vinte gjumi. Unë prisja të niste shërbimi i pijeve, për të porositur një “kabërne” të vogël, si bëja gjithnjë për të më zënë gjumi. Në ekranin e mbiprehrsit të fqinjit u shfaq një skenë shumëngjyrëshe, ku binin në sy gërshetimi i projectorëve pistoletë. Ai u përpoq të ndryshonte diçka, gjë që më bëri të mendoja se merrej me ndriçim skenash ose me skenografi. “Merresh me skenat?”- e pyeta. “Po” u përgjegj me buzëqeshje”Jam skenograf në Montreal”. Nga aksenti mu duk që nuk ishte kanadez, por pata droje ta pyesja më shumë

“Ju jini kanadez”më pyeti ai pas pak çastesh. “Jo tamam. Shqiptar por banoj në Kanada.” U gjallërua dhe shtoi se ishte bullgar dhe po shkonte për dy javë në vendlindje. “E kini ju fjalën “budala”?” më pyeti më pas dhe unë duke qeshur pohova me kokë. “I gjithë Ballkani e ka. E kemi marrë nga turqit,”- shtoi. Unë mendova që shumë fjalë i kemi “peshqesh” nga turqit, po kjo “budala” na shkon jo pak ne ballkanasve. Stjuardesa kaloi me “qerren” me pije dhe unë porosita “kabërnenë“ ndërsa fqinji bullgar një kafe “sade”. “Duhet të punoj tërë kohën se në Bullgari nuk prek dot gjë me dorë. Po ti me se merresh?” Buzëqeshi kur mësoi se kisha studiuar dikur për arkitekturë dhe më tha në zë të ulët: ” I kemi shumë të ngjashme profesionet ndaj po të them në mirëbesim , që këtë udhëtim e kam quajtur- Turi i Mentorëve?” Mu duk interesant emërtimi edhe pse pak i çuditshëm dhe e cyta më tej: “Po pse i Mentorëve?” “ Se çdo ditë të qëndrimit në atdhe do takoj disa nga mentorët e mij për t’ju shprehur respektin dhe për t’ju treguar deri ku kam arritur. “Cdo ditë?” pyeta pa fshehur dot habinë dhe vetëtimthi u mundova të gjeja me mendje se sa mentorë kisha në atdhe.

“Po po. Cdo ditë! i kam planifikuar me hollësi të gjitha takimet e grupuara sipas adresave, se ndodhen në qytete të ndryshme. Do zbres në Sofje dhe atje do e nis me mentorin tim të fundit, që ishte kryeskenograf i teatrit “Ivan Vazov”, ku fillova për herë të parë punë. Më pas do kem darkë me mentorët që kisha udhëheqësa diplome në universitet dhe të nesërmen një mëngjes pune me pedagogun tim më të dashur, atë të Mizansenës. Pasdite kam për të shkuar në varrezat e Kishës Bojana për të vendosur lule ne varrin e mentorit që më jepte Artin Bashkëkohor.”

“Të gjithë burra kanë qënë?”

“Jo. Butaforinë ma jepte mentorja Ana Vasilieva, me të cilën do kem një pasdite çaji në rrugën Vitosha, ku do takoj më pas për një kapuçino edhe menorin tim të konviktit Dobronovin. A sa do gëzohen kur t’ju tregoj!”

“Edhe në konvikt kishit mentor?”

“Kudo. Njeriu që keni para, asistent skenografi i ndriçimit i “Cirque du Soleil” Zheljko Zhinukov nuk është gjë tjetër veç vepër e shumë e shumë mentorëve. Disa e gdhendën, të tjerë e latuan deri sa lëmimin e fundit të tjerë ja dhanë. Si në artin e Renesansës.”

“Gjithë kohën në Sofje do qëndroni” e pyeta i trembur se do vazhdonte pambarimisht me listën e gjatë të mentorëve.

“Gjashtë ditët e para dhe do vazhdoj më tej dretj Dobruxhës. Në Dobriç kam bërër të mesmen artistike dhe atje janë protomentorët. Vladimirievi, Aleksejevi, Georgievi dhe Ilievi. Ata më hapën rrugën e bukur të profesionit, që më dukej e rrethuar nga ferrat në fillimet e saj, por lart në kodër më priste një baçe me trëndafila të mrekullueshëm, për të cilat është aq e famshme Dobruxha. Georgievi dhe Ilievi ishin të pandarë me njëri tjetrin dhe kur na spjegonin teorinë e Manipulimit të Hapësirës Skenike, gjithmonë njëri i fërkonte damarët e qafës tjetrit. Ishin spjegime dhe interpretime shumë itensive.”

“Kini patur përvoja dhe udhëheqës që të ngjallin vërtet zili.”

“Të paharrueshëm. Po regjisori Ketanov, që me zërin e tij shpellor, bënte të dridheshin dekoret dhe zbulonte menjëherë difektet në punën e marangozëve!”

“Dhe në Dobriç mbyllet turi?”

“Jo. Në Madrevo. Eshtë vendlindja ime, Atje ku mu mboll në kokë për herë të parë koncepti i skenës, universaliteti i saj dhe që nuk mu nda për gjithë jetën. Eshtë një fshat i vogël dhe në fëmijëri visheshim për festa me veshje tradicionale të krahinës. Në mesin e sheshit të fshatit, një paradite të diele, valltari Ushkurov, vuri re se ishin duke më rënë pantallonat e vogla. Isha vetëm pesë vjeçar. Valltari më i famshëm i fshatit më buzëqeshi dhe tha “Bota është një skenë e madhe, ku duhet gjithnjë të paraqitesh bukur”. Më ndihu të ngrija pantallonat dhe të lidhja me kujdes fiongo, tërkuzën, që i mbante pas mesit. Emocione që më mbetën tërë jetën të stampuara në kujtesë. Sheshi me kishën, bakallhanën dhe zyrën e komunës, dhe unë, e ardhmja e Madrevos, përkrah të famshmit Ushkurov. Eshtë 88 vjeç, por mbahet mirë dhe do rri një ditë të tërë me të. Do ndjehet krenar për mua!”

Unë hoqa edhe gllënqkën e fundit të “kabërnesë“ dhe hodha sytë për t’i kërkuar një tjetër stjuardesës. Do më duheshin shumë shishka, të kapërceja ndienjën e të ndjerit “budala”, që nuk kisha patur kurrë kaq shumë mentorë.

No comments:

Post a Comment