Friday, 29 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (PKSH-ja)


Unë:
Ishte pushtimi i Shqipërisë, që të hodhi në krahun komunist? Të pyes, se kur takuam, më 1995, të afërmit e tu në Turqi, ata na shprehën habinë se si mund të ishe bërë komunist.

Ai: Kushërinjtë e mij nës Stamboll, u lindërn dhe u rritën në një shtet si Turqia, që jo vetëm ishte proamerikan se ishte kundër rusëve, por edhe një gjysëm diktature ushtarake, e cila nuk lejonte korrente të tjera pro të majtës apo komuniste të propagandonin idetë e tyre. Gjithashtu, për shkak të politikës kundër jo-turqve në Stamboll, të ndjekur në stil të gjerë pas Luftës së Dytë Botërore nga qeveria, gjithë të krishterët ortodoksë, për të patur mbrojtje ishin mbledhur pas Patrikanës së Stambollit dhe komunizmi për ta ishte një lëvizje kundër fesë, moralit, familjes dhe pronës private. Ishte si një "gogol" për ta. Ndaj më duket e natyrshme që ata janë habitur. Ndoshta, një rol mund të kenë luajtur edhe letrat, që kam këmbyer me ta në vitet '60 dhe '70. Duke qënë i ndërgjegjshëm, që çdo gjë kontrollohej nga Sigurimi, brenda tyre, kishte jo vetëm kujdes, por edhe fraza rreth "jetës së lumtur" në Shqipërinë socialiste.

Unë: Po si u lidhe me rrethet e majta në Korçë?

Ai: Në Korçë nuk kishte rrethe politike të majta apo të djathta në kuptimin e politikës tradicionale europiane. Në familje nuk kishin ndonjë prirje të caktuar ndaj politikës. Ndikimi më I madh ka qënë nga mësimet në Liceun Francez, ku studimi I revolucionit frëng zinte një vend me rëndësi, bashkë me idenë e madhe “Liberte, fraternite, egalite”. Nuk mund të mos të të rrëmbente një ide e tillë. Për më tepër, më kishte ndodhur edhe një tragjedi familjare me falimentimin e babajt, largimin nga Stambolli dhe vdekjen e tij. Kur nisa të kuptoj rreth jetës shoqërore e politike të Shqipërisë, më ra në sy, që gjërat ishin në fazën embrionale, krejt ndryshe nga ato që dëgjoja në Radiostacionet e huaja për jetën politike në Itali Francë e Gjermani. Nuk kishte asnjë grupim politik të njohur apo klub politiko shoqëror. Në Korçë, shtresa e pasur e tregëtarëve ose nuk angazhoheshin ose i mbanin avazin Naltmadhënisë dhe më pas, një pjesë e mirë, Italisë fashiste. Mungonte shtresa e aristokracisë, nga e cila zakonisht dalin protagonistët e grupimeve politike të çdo krahu. Edhe pse ishte qyteti më i zhvilluar i Shqipërisë, shumica e popullsisë së saj vinte nga fshatrat përreth, nga ato të Kolonjës, Leskovikut apo edhe Përmetit dhe numuri i njerëzve të shkolluar ishte i pakët. Ishte një qytet, i cili po merte zhvillim dhe kishte prirje për tu kthyer në një qytet modern, por ishte ende në hapat e para. Nuk dëgjohej gjë as për Grupin komunist dhe vetëm shoqëria "Puna", që ishte një lloj sindikate, bënte ndonjë veprimtari politike, si Demonstrata e Bukës e vitit 1936, ku morën pjesë  shumë qytetarë, bile edhe nxënësit e Liceut Francez. “Puna” pat dalë edhe me listë elektorale në zgjedhjet për këshillin bashkiak të vitit 1938 dhe kishte fituar plot vende, sa kreu i saj, KoçI Xoxe u zgjodh nënkryetar i Bashkisë së Korçës.

Unë: Ka qënë dikush me rëndësi në jetën tënde, që ka ndikuar në kthimin drejt ekstremit të majtë?

Ai: Përsëri ti po përdor terma që i përkasin spektrit politik të një shteti të madh dhe me traditë në jetën politike. Në atë kohë në Shqipëri kishte njerëz që anonin nga e Majta dhe nuk ishin komunistë, gjithashtu kishte simpatizantë të komunizmit, kishte dhe njerëz të tjerë të kënaqur me politikën e Zogut, si edhe shumë pak njerëz me ide fashiste. Unë shoqërohesha me moshatarët e mij të Liceut ose të mëhallës. Mes tyre kishte me ide përparimtare por nuk njihja ndonjë komunist të formuar apo që të kishte lexuar shumë nga Marksi apo të tjerët.

Të rriturit në familje, dajot Loni dhe Markoja nuk interesoheshin për politikë dhe ky i fundit kishte kujtime jo të mira nga Revolucioni i Tetorit, kur kishte qënë emigrant në Odesa. Po ashtu, vëllai im Nesti ishte i prirur ndaj tregëtisë dhe një jete të lehtë, si ajo që kishte bërë në Stamboll. Materiale të ndaluara qarkulluam tek njëri tjetri në Lice, kryesisht pas pushtimit italian dhe ishim  të gjithë në një mendje, përjashto këtu dy-tre bashkënxënës, që ishin proitalianë ose nuk donin të dinin se ç'ishte pushtimi i vendit apo ndarja në klasa e shoqërisë. Atë kohë krijuam edhe një gazetë të klasës, ku shkruanim bashkë me dëshmorët Gjikë Kuqali e Kristaq Tutulani, e të tjerët si Stefanaq Polloja, Zija Xholi e Fatmir Gjata. Por, të gjithë, kishim një njohje të shumë të cekët të marksizmit.

Unë: Kur u binde që ishe komunist? Kur të pranuan në Parti?

Ai: Nuk të bën antarësimi në një grup apo parti, të ndjehesh apo të kesh një botkuptim të caktuar për jetën apo për shoqërinë. Unë kam ndjerë thellë atëhere, që vetëm një majtës bashkim i pjesëve më përparimtare të shoqërive europiane, mund të nxirrnin botën nga moçali i thellë i përgjakshëm në të cilin ishte zhytur, kur ushtria gjermane, pasi kishte marë Parisin ishte kthyer e po përparonte drejt Moskës. Atë kohë kuptova, që demokracitë perëndimore kishin dështuar, pasi kishin lënë të vinte në pushtet Hitleri nëpërmjet zgjedhjeve dhe për më tepër nuk e kishin ndalur oreksin e tij luftënxitës para Mynihut dhe më pas. Për mua, vetëm një lloj tjetër shoqërie mund të sillte normalizim në qytetërimin e shekullit të XX dhe sidomos një paqe të qëndrueshme.

Në janar të vitit 1943 u pranova antar i Rinisë Komuniste, që ishte e njëjtë si të quheshe kandidat për antar partie. U pranova në Partinë Komuniste të Shqipërisë bashkë me disa të rinj të tjerë në gusht të vitit 1944. Celulën, ku bënja pjesë, e drejtonte Vandush Vinçani, me të cilin ruajta marëdhenie të mira deri në fund të jetës. Ai vinte nga një familje bejlerësh, në gjendje shumë të mirë ekonomike, por ishte gati për të sakrifikuar çdo gjë, për një jetë më të mirë për të gjithë dhe sidomos për largimin e pushtuesve nga Shqipëria. Duhet të dish gjithashtu, që Partia ishte në ilegalitet të plotë dhe jo kushdo mund të pranohej anëtar. Duhet të kaloje një sërë provash për ta merituar atë. Me librezën e antarësimit (triskën) u pajisëm në një ceremoni zyrtare në Tiranë më 1945, të drejtuar nga Koçi Xoxe, atë kohë sekretari organizativ i PKSH dhe figura e dytë pas Enver Hoxhës.

(vijon)

No comments:

Post a Comment