Saturday, 2 January 2021

Dialog me Arkitektin Pa Kufij (4)


 (vijim)

APK: Cështja e“Teatri Kombëtar” ka ngjashmëritë e saj me atë të Arenës Kombëtare, por edhe ndryshime të shumta. Në rastin më ideal, për mendimin tim, ajo hapësirë duhej trajtuar si një hapësirë rekreative park-teatër veror, për të krijuar “frymëmarrje” në një zonë qëndrore të qytetit, e cila ka dendësi shumë të lartë. Por në qendra e qyteteve, këto ndodhin vetëm në shtete të pasura, ku jo vetëm Kryebashkiakët janë të papërlyer, por edhe ku opinion publik është shumë shumë i ndjeshëm dhe ndikues. Ju kini bërë dikur një paralelizëm të rastit të Teatrit Kombëtar me  atë të Grand Station të Nju Jorkut. Unë do shtoja se në atë paralelizëm ka diçka që nuk shkon, se situatat janë shumëtë ndryshme. Tirana e vitit 2020 nuk është Nju Jorku i viteve ’70 dhe nuk ka për të qënë si mendësi e banorëve as edhe për 20-30 vjetët e ardhme. Nga pikpamja arkitekturore, të dy qytete mund të mos humbisnin ndonjë gjë të madhe nga prishja e objekteve. Vlerat arkitekturore të Teatrit psh ishin minimale, për të mos thënë, që nuk vlente. Për sa i përket vlerave historike, ato mund të ishin materializuar edhe në një park të hapur, edhe në një “muze butik” në një qoshe të tij e në shumë mënyra të tjera më të përparuara(dixhitale, videoprojektim etj.), që kanë nisur të bëhen pjesë e arkitekturës së sotme.

Por një “llokmë“ me kaq vlerë në qendër të qytetit, për më tepër në pronësi të shtetit, nuk kishte se si të shpëtonte pa u ndërtuar në asnjë vend të Europës Lindore e ndoshta edhe në të tjera me shoqëri më të përparuara. “Babëzia” nuk është “eskluzivitet i Bashkisë së Tiranës”.  E gjithë shoqëria shqiptare i ka sytë në trojet në qendrat e qyteteve. Refreni i shumë viteve më parë ishte: “Kush e ka këtë truall? Ka pronar? I kanë dalë pronarët? Si mund ta rregullojmë ta marrim duke dhënë ndonjë para?” Ndaj pushtetarët shqiptarë, që gjykojnë se prona publike është thuajse prona e tyre, nuk do ndaleshin dot në këtë rast pa nxjerrë një fitim maksimal. Ky është “motivi” i “krimit” tek Teatri. Por si përmenda më lart prishja e teatrit nuk përbën “krim” për arkitekturën e Tiranës. Projekti i kompleksit- Po.

Unë: Po të ndërpres, por unë nuk e kam parë projektin përfundimtar të kompleksit të Teatrit Kombëtar? Eshtë i njëjtë me atë të dy-tre viteve më parë me autor, në mos gaboj, danezin Ingels?

APK: Me ndryshime shumë të vogla është i njëjti projekt. Një grumbull i stërngjeshur kullash, që do jenë apartamente dhe zyra, dhe në një pjesë të vogël të parcelës, një strukturë interesante si të themi një lloj vëllimi, që përmban disa salla kinemash. Ato, që dominojnë janë kullat e bashkëngjitura, të cilat krijojnë jo vetëm dendësi të pazakontë ndërtimore, por krijojnë edhe një vëllim tejet të deformuar, që me çdo lloj trajtimi të eksteriereve do mbetet një llloj “gangrene” në atë pjesë shumë të rëndësishme të qendrës së kryeqytetit.

Unë: Atëhere ju bini në kundërshtim me ato ç’ka kini  thënë në pjesën (2), ku e cilësoni se “korrupsioni nuk ka ndikuar në frymën apo stilin e ndërtimeve”.

APK: Nuk mendojmë njëlloj. Përsëri më duhet të theksoj, se është e gjithë shoqëria, në mënyrë të veçantë pjesa e investitorëve, të cilët ushtrojnë trysni për të ndërtuar sa më ngjeshur në qëndër (të themi si ishin prirjet urbanistike të fundit të shekullit të XIX, në disa metropole europiane dhe amerikane) dhe administratorët (që duhet të mbrojnë interesat e të gjithëve) janë në një mendje (e në një xhep) me ta. Nuk mund të thuhet si thuhet me mendjelehtësi në Shqipëri “Po normal, investitori do sa më shumë fitime!”, sepse “po normal” është në një linjë me të edhe administratori bashkiak, edhe klienti i thjeshtë, i cili do të ketë një apartament “n’mes Tirons”. Rregullat dhe ligjet duhen miratuar nga të gjithë dhe zbatuar nga të gjithë. Kjo vlen edhe për arkitekturën dhe urbanistikën. Të “mallkosh” vetëm politikanët , nuk bën gjë tjetër veçse i zgjat jetën problemit.

(vijon)


No comments:

Post a Comment