(vijim)
Unë: Atëhere nëse marrim në konsideratë këto dy shembuj dhe
disa të tjerë të gabuara në Korçë, që thuajse të gjithë kanë qënë fitues
çmimesh ndërkombëtare, atëhere cilat janë veprat (dhe ndërhyrjet) arkitekturore
në Shqipëri, që janë në një hap me kohën?
APK: Janë shumë vepra të tilla, të mëdha e të vogla, kryesisht
me autorë arkitektë shqiptarë. I qëndroj mendimit se arritjet më të mira
realizohen kur investitorët priren drejt një arkitekture të kohës dhe njëkohësisht punojnë
me projektues që kanë të njëjtim “afrim” drejt formulimit të hapësirës në
një truall dhe një situatë të caktuar.Do hapja një parantezë, që hapi më i madh
në arkitekturën shqiptare është hedhur në formulimin e interiereve, të cilat në
shumë mjedise sociale, tregëtare, rekreative, të banimit etj. nuk lenë mangut
ato çka shprehen në mjediset e ngjashme europiane.
Unë: Meqë hapët këtë parantezë, ju mendoni se konceptimi i një hapësire
funksionale duhet të nisë nga interieret e të zhvillohet më pas në gjithë
kompleksitetin e veprës?
APK: Për të mos u “hardallosur” në një diskutim të pafund
teorik do përmend një shprehje të Oskar Nimajer, e cila më duket se jep në mënyrë
lakonike se si duhet ta konceptojmë pikënisjen drejt një vepre të arrirë
arkitekturore: “Vepra ime nuk ndjek
parimin – forma ndjek funksionin- por
- forma ndjek bukurinë- ose më mirë
akoma – forma ndjek femëroren-“
Unë: Atëhere le të themi se në cilat vepra të 20-30 viteve të
fundit në Shqipëri ju shihni të materializuar idenë e Nimajer, kuptohet në
konteksin e kohës sonë?
APK: Në më të mirat do përmendja kompleksin e banesave “Magnet”
të Libeskind në Tiranë, kompleksi i
vilave “Marine” me autorë arkitektët Kondakçi
dhe Shënediela në Sarandë, Qendra
Tregëtare “Toptani” në Tiranë e ark. Winny
Mass, “Yacht Hotel” në Vlorë, disa projekte vilash si “Villa E” në Sarandë
e grupit Boiken Construction, “Earth
House” në Tiranë e Molos Group të
Prishtinës, vila në Gjirin e Lalzit nga AGMA
Studio etj., në të cilat gërshetohen mirë një arkitekturë racionale moderne edhe
plastike, me atë tradicionale mesdhetare.
Unë: Po a janë të mjafta për tu përmendur vetëm këto “kokrra”,
kur në 30 vjetët e fundit në Shqipëri janë ndërtuar mijra e mijra objekte nga
më të vegjëlit tek më të mëdhenjtë? Për të mos përmendur shumë, unë po cek
vetëm disa, që kanë qënë fitues çmimesh ndërkombëtare, si Sheshi Skënderbej,
Muzeu Ikonografik i Korçës, Hotel – SPA në
Kavajë, Rikonstruksioni i Teatrit të Korçës, shkolla “Servete Gaci” në Tiranë, apo veprat e rëndësishme të Stefano
Boeri-t, që po ndërtohen në Tiranë.
APK: Po më duhet të ripërsërit, se fizionominë e arkitekturës së një vendi nuk e përcaktojnë 10, 20 apo
edhe 100 vepra, të arritura ose jo. Cështja e dytë që prekni është nëse
veprat, që kanë fituar çmime ndërkombëtare gjatë viteve të fundit duhen
konsideruar apo jo të arrira dhe në një vijë me veprat bashkëkohore në botë dhe
e treta më ngjan se është nëse veprat e mëdha që po realizon Boeri në Tiranë janë të avangardës së
arkitekturës së shekullit të XXI.
Unë: Pak a shumë këto janë.
APK: Veprat më të mira bashkëkohore në Shqipëri mund të shërbejnë si “lokomotiva” në rritjen e prirjeve pozitive të arkitekturës edhe pse nuk përcaktojnë dot fizionominë e saj. Ndaj ato që përmenda më lart jo vetëm janë të zgjidhura mirë nga ana vëllimore dhe e dritë-hijes, por janë ndërtuar edhe me material që gjenden në vend, duke ruajtur origjinalitetin e traditës, por në të njëjtën kohë duke mos tejkaluar koston. Me një fjalë janë të arritura jo thjesht se është shpenzuar shumë, por se është projektuar bukur dhe me mençuri. Ndaj “fryma” e tyre do jetë shumë ndikuese në investitorët dhe arkitektët vendas e të huaj.
Përsa i përket veprave të vlerësuara me çmime, të cilat i përmendët,
duhet të nënvizoj, se jo të gjitha çmimet, që jepen sot në botën e arkitekturës
kanë të njëjtin prestigj. Shpesh herë në disa nga web site-t , që japin çmime,
aplikojnë vetëm një numur i kufizuar arkitektësh, që kërkojnë të reklamojnë veprat
e tyre dhe marrja e një çmimi të tillë nuk ka asnjë vlerë në Botën e Arkitekturës.
Shembull më flagrant është çmimi, që ka marrë në site-n BIGSEE, firma Bolles+Wilson për Rikonstruksionin e Teatrit
Korçë, që është ndërhyrja më “idiote foshnjore” në një fasadë të “modifikuar” në
vitin 1972. Probleme më pak të mëdha kanë edhe çmimfituesit e tjerë.
Veprat e Boeri-t meritojnë të ndalemi pak më gjatë.
Veçoria që bie në sy në veprat e urbanistit Italian është përdorimi i vëllimeve të pastra gjeomerike, si një të tërë ose në përsëritje t[ gërshetuara në një objekt. Ka disa dhjetvjeçarë, që arkitektët më të mirë në botë i janë larguar një përqasje të tillë ndaj arkitekturës. Risia e Boer-it qëndron në mpleksjen e një arkitekture disi “kubiste” me një arkitekturë “të gjelbër”, sidomos në disa nga veprat e tija të quajtura “pylli vertikal”, ku vëllime të mëdha vertikale betoni e qelqi (gati qiellegërryese), vishen me një “kamuflazh” bimor, i cili jo vetëm sjell një paraqitje më organike të vëllimit, por edhe ndihmon sipas Boer-it cilësinë e jetës së banorëve të qytetit. Mendimi im personal është që kjo “arkitekturë hibride” nuk ka të ardhme. Nuk besoj se duhet të ndërtojmë pyje mbi dhe rreth strukturave stërmëdha të betonit. Edhe estetikisht ato të krijojnë përshtypjen se sheh ndërtimet e braktisura rreth Cernobilit, ku natyra dhe vegjetacioni i janë mbivendosur betonit dhe metalit. “Arkitektura e gjelbër” duhet të shpjerë njerëzit sa më pranë natyrës dhe të zgjerojë sipërfaqet e gjelbra në zonat me dendësi dhe jo të ndihmojë për jetgjatësinë e “downtowns” me qiellgërvishtëse. E ardhmja është drejt një arkitekture “më horizontale”.
Një problem më serioz krijon për zonën ku po ndërtohet “Blloku
Cube”. I konceptuar si një kub i mirëfillëtë ngjyrë ari, objekti të shqetëson
me “thirrjen” e tij gati si të një objekti fetar. Nëse koncepti ze fill nga
pushteti i pakufizuar i ish-Bllokut, i gërshetuar me një gjunjëzim të shoqërisë
së sotme ndaj Arit, apo më keq akoma , si një kujtesë se shoqëria shqiptare është
në shumicën e saj e fesë islamike, atëhere është vërtet një konceptim i frikshëm.
Kubi i Boer-it ka për të mbetur një pikë negative tërheqëse për vizitorët e
huaj në Shqipëri.
Unë: Si përfundim pas këtij dialogu, nuk kemi ende asgjë të
qartë se cila është fryma e arkitekturës shqiptare të sotme dhe prirjet e saj në
të ardhmen.
APK: Mos prit nga një bisedë e vetme të mund të rrokim dicka
kaq të madhe dhe komplekse sa është mënyra e ndërtimit në një vend me shumë
vendbanime urbane dhe rurale. Kete rradhë sa gërvishtëm pak cipën.
No comments:
Post a Comment