Tuesday, 19 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Brumi i zjarrtë)


Unë:
Më kujtohet një e dielë e vitit 1970, kur duke hapur gazetën “Drita” si bëje çdo drekë të diele, gjete një artikull të shkurtër kritik për librin tënd të posabotuar “Brumi i zjarrtë“. Autori ishte një letrar i ri nga Gjirokastra i quajtur Thanas Dino, të cilin nuk e njihje. U dëshpërove, se ta lexonim në fytyrë, por nuk the gjë. E lexova edhe unë. Ditë më pas më spjegove se cili ishte Dino dhe shtove, që duhet të ketë pasur ndonjë porosi nga Braçeja (Ibrahim Uruçi), ose nga rrethe të tjera letrare të Tiranës, që kishin kohë që “godisnin” brezin e vjetër, në kuadrin e të famshmes “luftë e brezave”.

Ai: Ishte një deduksion logjik i imi, se as pyeta redaksinë e “Dritës” dhe as këmbeja me njeri në Tiranë, diskutime të tilla, të llojit “thashetheme rrethesh letrare”. Duke punuar një kohë të gjatë në gazetari, e dija se shpesh artikujt shkruheshin me porosi dhe ju jepeshin më të rinjve edhe “me pika” për të mos dalë emrat e autorëve të vërtetë, të cilët edhe mund t’i njihje. Dinoja duhet të ishte student në Tiranë dhe atë kohë shumë të rinj silleshin rreth Fadil Paçramit, Kadaresë dhe Uruçit, që ishin krerët e “lëvizjes letrare të brezit të ri”.

Unë: Ti mendon se mund të kishte një prej tyre? Kishin kaq shumë kohë të sipërmendurit të lexonin çdo botim të asaj kohe?

Ai: Botimet ato kohë nuk ishin aq të shumta. Vëllimi im me tregime kishte fituar çmim të tretë në konkursin kombëtar të vitit 1969, ndaj nuk është se nuk përbënte interes. Gjithashtu nuk mendoj se dikush kishte ndonjë inat personal me mua, ndonëse Paçramin e kisha njohur mirë kur punonim paslufte në BRASH(Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare- sh.im) dhe nuk kisha pasur marëdhënie të ngrohta. Të kam thënë që më dukej edhe e çuditshme, që Fadili kishte filluar të shkruante drama pasi kishte kaluar të dyzetat, sepse në kohën kur e njihja nuk kishte treguar ndonjë talent letrar apo gazetaresk. Artikulli për mua ishte në kuadrin e një “sulmi” ndaj letërsisë , që ata e quanin dogmatike dhe që ishte përqëndruar kryesisht ndaj romancierëve Jakov Xoxa, Sterjo Spasse, Shefqet Musaraj, Ali Abdihoxha e ndonjë tjetri; dhe në poezi ndaj Lasgushit, Aleks Caçit, Fatmir Gjatës, Andrea Varfit, ndërsa në dramaturgji ndaj Kol Jakovës, Spiro Comorës dhe Skënder Luarasit. Në hije ishin lënë edhe librat e Dhimitër Paskos, që ishte prozatori më i mirë shqiptar i pasluftës.“Betejat e mëdha” pra ishin mes krijuesve në Tiranë, për të zënë pozitat e larta të “tempullit të letërsisë“.

Unë: Ti e pate shkruar vëllimin në “përgjigje” të lëvizjes për “emancipimin e gruas”, që kishte nisur pas Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror më 1967?

Ai: Më të shumtat e tregimeve të atij vëllimi unë i kisha botuar më parë në revistat “Nëntori” dhe “Ylli”, por edhe atmosfera e kohës kishte ndikim në përmbledhjen me tregime “Brumi i zjarrtë“. Gjithnjë e kam parë si çështje kryesore të përparimit të shoqërisë, barazinë e burrit dhe gruas. Ti e kujton se si shkonim familisht në stadium për të parë ndeshjet e futbollit. Që kur u martuam me Sofikan shkonim kudo bashkë, pa përfillur mjedisin injorant të asaj kohe, të cilëve ju dukej e çuditshme që edhe gratë të ndiqnin futbollin. Kjo vinte edhe nga që vinim nga një qytet më i përparuar si Stambolli. Edhe Nesti (i vëllaj- sh.im) shkonte bashkë me Lefterinë në pishinën e qytetit dhe ajo ishte e vetmja grua atje. Korça megjithëse më e përparuar se qytetet e tjera shqiptare, përsëri mbetej një qytet provincial ballkanik. Në atë kohë për të cilën flasim, sa kishin filluar të punonin gratë si shitëse, kamariere apo banakiere dhe këto punë nuk ishin të preferuara për qytetaret korçare ndaj kryesisht punësoheshin gra të ardhura nga fshatrat. Kishte ende shumë vajza të mira në mësime që sa mbaronin të mesmen, familja i fejonte menjëherë për të mos i lënë të shkonin në universitet në Tiranë. Ndaj dhe tregimet e atij vëllimi, të cilat prekin edhe këto tema ishin të frymëzuara dhe i shkruaja pa sforco.

Unë: A ishin skematike?

Ai: Varet se çfarë quajmë skematike. Mua më dukeshin më shumë të tilla disa tregime të Kadaresë, që të pëlqenin ty, si “Emblema e Dikurshme”, i cili ishte një ilustrim letrar i Luftës së Partisë për të zbuluar grupet sabotatorë të naftës, por ti si dishepull i “brezit të ri” nuk arrije ta kuptoje atë.

No comments:

Post a Comment