Sunday, 24 January 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (RAI)


Unë:
Ne vazhduam të mbanim në ballkon “vibratorin” me të cilin kapnim “jugosllavin” deri sa na dërguan fjalë dhe e futëm brenda ballkonit ku nuk dukej nga jashtë. Edhe për zërin e tv, mamaja ankohej kur ishte lart e të theshte “dëgjohet në tërë shkallën e do na hapësh ndonjë avaz”, kurse ti i përgjigjeshe duke qeshur “armikun duhet ta njohësh që ta luftosh”. Nuk kishe frikë?

Ai: Dihej nga të gjithë, që të gjithë i shikonin kanalet e huaja, me përjashtim të ndonjë “partiaku fanatik”, që “kthente kurizin, kur në tv shfaqej Titoja”. Nëse nuk bëje komente rreth atyre që shikoje, mjaft të kishe hequr ose “fshehur” antenën dhe nuk të bënte gjë njeri. Edhe në atë kohë terrori, nuk arrestuan ndonjë vetëm se shikonte kanalet e huaja “kapitaliste dhe revizioniste”. Ata të cilët arrestoheshin për “veprimtari armiqësore, mund t’ju përmendej në gjyq ndjekja e radiove apo televizioneve të huaja”, por më tepër bëhej fjalë për Radio-Vatikanin dhe “Zërin e Amerikës”.

Unë: Ti vazhdove edhe në vitet ’70 dhe ’80, të dëgjoje 2-3 orë në mëngjes RAI-n në radion "Olimpia" që kishim në kuzhinë dhe të mbaje shënime. Të interesonte kryesisht politika?

Ai: Jo vetëm politika. Shënime mbaja përgjithësisht për ngajrje të kulturës, historisë, sportit si edhe kuriozitete. Politikën ndërkombëtare e ndiqja rregullisht dhe nuk kishte nevojë për të mbajtur shënime. Kishte shumë informacion dhe kuptohet që ishte shumë më i ndryshëm se ai që përcillte RTSH-ja. E kisha bërë gjatë gjithë jetës dhe dihet që nuk mund të ketë gazetarë të vërtetë, të cilët nuk informohen mirë.

Italianët kishin një jetë politike të brendshme shumë të trazuar, por pasqyronin gjithashtu gjërësisht edhe ato që ndodhnin në Francë, Angli, Gjermani dhe Amerikë. Më të pakta ishin lajmet rreth “kampit socialist”, që mbetej pjesërisht i mbyllur edhe për korrespondentët italianë.

Unë: Kishe simpati për politikanët francezë duke nisur me De Golin dhe duke vazhduar me Pompidu, Miteran, por kujtoj që veçanërisht pëlqeje Zhiskar Desten. Pse?

Ai: Unë i pëlqeja francezët, jo vetëm se isha frankofil që në fëmijëri, por edhe se francezët ishin të vetmit europianë të pavarur nga Amerika dhe Bashkimi Sovjetik. Anglezët , gjermanët, Italianët dhe grekët ishin plotësisht të varur nga politika amerikane. Vendet socialiste po e po të varur nga Bashkimi Sovjetik. Gjithashtu Zhiskar D’Esten ishte jo vetëm një politikan i ri në moshë, por edhe përfaqësonte një parti të qendrës, midis golistëve dhe socialistëve. Më dukej më realist në politikat e tij proeuropiane se sa politikanët e tjerë dhe gjithashtu më liberal dhe paqedashës. Një ngjarje kuptimplotë ka qënë kur  do kurorëzohej Huan Karlosi I Spanjës dhe Zhiskar D’Esten, atë kohë President I Francës, kërcënoi se nuk do merrte pjesë në ceremoni, nëse do ishte i pranishëm edhe diktatori Pinoshe i Kilit. Por duhet të shtoj se këto ishin përshtypje të krijuara nga komentet e gazetarëve Italianë të radios, se gazetat franceze, që vinin në Bibliotekën e Korçës në atë kohë ishin shumë të pakta.

Unë: E mbaj mend mirë që në vitet ’60 dhe ’70 ti ishe kundër anglo-saksonëve. Edhe unë u rrita si i tillë nën ndikimin tënd. Nga se vinte kjo, apo ishte thjesht reflektimi i politikës anti anglo-amerikane, që ndiqej në Shqipëri?

Ai: Pjesa më e madhe e atyre që studiuan në Liceun Francez ishin kundër anglezëve. Formimi varej shumë nga tekstet e historisë dhe letërsisë franceze, që i shihte anglezët si kundërshtarët tradicionalë në dominimin kulturor dhe ekonomik të botës. “Frëngjtë“ si i quanin në Korçë, konsideroheshin si kombi më i kulturuar i shekullit të XIX dhe XX dhe njëkohësisht edhe më përparimtar. Në letërsi dhe në pikturë kishin shkollat më të mira dhe përfaqësuesit më të suksesshëm. Po ashtu në jetën operistike, teatrore Parisi ishte qëndra e kulturës botërore, ndaj nuk kishte se si mos isha i magjepsur nga kultura franceze. Të gjitha rrymat avangardiste të fundit të shekullit të XIX dhe atij të XX e kishin zanafillën në Paris. Në Angli, në vitet ’60, filluan të kishin sukses grupet e rokut, duke e kthyer Londrën në qëndrën e muzikës bashkëkohore, por ishte një lloj muzike, të cilën nuk e shijoja dhe kjo nuk kishte të bënte me të qënit frankofil apo anglofil. Përsa i përket Amerikës, në botën e kulturës e vlerësoja vetëm për kinematografinë, ndaj edhe ato që njihja dhe ndiqja në televizionin jugosllav ishin vetëm filmat amerikanë.

Përsa i përket politikës ndërkombëtare, që pas vrasjes së Kenedit, me luftën në Vietnam, Amerika ishte forca më luftënxitëse në në botë. Me skandalin e madh të Niksonit më 1973 u vu në dyshim edhe demokracia e brendshme amerikane ndaj edhe pse mund të kisha rezerva ndaj politikës zyrtare të Tiranës, më dukej që Amerika përbënte kërcënimin kryesor për paqen në botë.  Politika e jashtme e Anglisë ishte në mbështetje të asaj amerikane dhe për më tepër unë kisha qënë gjithnjë kundërshtar vendosur i monarkive.

Unë: Më 1968, ti pate shumë shpresë në fitoren e Bob Kenedit në zgjedhjet presidenciale, por gjithshka u përmbys me vrasjen e tij dhe me sa kujtoj nuk përmende emra të tjerë politikanësh amerikanë gjatë atij viti. Bile edhe më vonë nuk kujtoj të kishe ndonjë preferencë për Xhimi Karter apo për të tjerë politikanë demokratë, veç një antipatie të madhe për Reganin.

Ai: Regan ishte mishërimi i të kundërtës, se si i mendoja unë burrat e shtetit. Jo vetëm se ishte i djathtë dhe shumë konservator, por edhe më i moshuar se politikanët e tjerë dhe mbi të gjitha i paarsimuar. Nuk kishte asnjë përvojë në fushën ndërkombëtare, që e konsideroja të rëndësishme, duke qënë se Amerika ishte Superfuqia më me peshë në botë. Jeta e brendshme politike amerikane njihej jo në detaje edhe në Europë, ndaj më dukej absurditet, që një kandidat i tillë të fitonte zgjedhjet. Dhe si kishte deklaruar gjatë fushatës elektorale, Regani shtoi jashtëzakonisht buxhetin amerikan të luftës, që për mua ishte treguesi më negativ për një politikan të rëndësishëm. Gjatë 8 viteve të tij mbeta me bindjen se ishte një “kauboj”, i ardhur aksidentalisht në postin më të fuqishëm në botë.

Unë: Më 1988 doli në skenë Majkëll Dukaqis dhe ti tregove simpati për të. Të njëjtën simpati kishe treguar edhe për Spiro Agnju. Nga që ishin grekë?

Ai: Sigurisht. Nuk ishte shumë e lehtë për fëmijët e emigrantëve të ngriheshin në nivele të larta sa të konkuronin për President në vendin më të pasur në botë, ku dominonin anglo-saksonët. Të njëjtën simpati kisha për Kizingerin, që as nuk ishte lindur në Amerikë. Dhe emigrantët kishin treguar që përgjithësisht ishin më të ndjeshëm ndaj çështjeve europiane, por edhe të paqes në përgjithësi.

Unë:  Po Rusvelt që ishte anglo-sakson dhe megjithatë ka qënë për ty presidenti më i vlerësuar? Nga që ishte demokrat?

Ai: Jo. Rusvelti ka kontributin e jashtëzakonshëm të futjes së Amerikës në luftë dhe në atë kohë. Për ne që ndiqnim rregullisht buletinet e lajmeve të Luftës së Dytë, Presidenti amerikan ishte heroi, që ndryshoi rrjedhën e asaj lufte të çmendur, të nxitur nga një njeri i çmendur si Hitleri. Demokrat ishte dhe Trumani, por për mua ishte më i urryeri, sepse dha urdhër të hidhej bomba atomike në Hiroshima, veprimi më çnjerëzor i gjithë historisë të njerëzimit. Isha i sigurt, që Rusvelti nuk do e kishte bërë atë gjë nëse do ishte ende gjallë në fund të luftës. Krimi i madh ndaj Hiroshimës dhe Nagasakit më ktheu në një antiamerikan të vendosur, cilësi që nuk e kisha gjatë viteve të luftës.

(vijon)

No comments:

Post a Comment