Friday, 16 May 2014

Prostitutat

Kur ishim fëmijë, nuk ja dinim kuptimin kësaj fjale, se përdoreshin të tjera në zhargonin e përditshëm të mëhallës. Të gjithë i dinë, ndaj nuk është as nevoja dhe as vendi t’i përsëris. Më duket se nuk ka ndonjë fjalë të thjeshtë shqipe për to, se të gjitha ato që më vijnë ndërmend janë sllavisht, turqisht dhe italisht. Pra në të shkuarën kemi qënë një popull ‘bajagi” i ndershëm. (Edhe fjala “e përdalë“, e cila përdoret në Veri, është një cilësor që përcakton një femër me një moral të dyshimtë, por jo që ushtron profesionin më të vjetër në botë.)
Fjala “prostitute”, që ka hyrë thuajse në gjithë gjuhët e vendeve të zhvilluara, rrjedh nga latinishtja dhe ka kuptimin e parë, të një femre, e cila qëndron më këmbë në një vend publik dhe ofron trupin e saj kundrejt parave. Më vonë, janë shtuar edhe meshkujt që bëjnë të njëjtën gjë, si dhe në fund meshkujt e femrat që ofrojnë talented ose ato që kanë në dorë, përsëri për të përfituar, por jo në mënyrë të drejtë.
(Sigurisht jo të gjitha prostitutat lexojnë në fjalorë kuptimin e “titullit” të tyre, se në të kundërt nuk do ndjeheshin aq të përçmuara në një botë ku prostitucioni gëlon.)
Nuk di pse mu kujtuan sot, të gjorat prostituta dhe pikërisht një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Familjes…Hë po…4 këshilltarë të djathtë të Këshillit Bashkiak të Korçës, kishin kaluar në krahun e Majtë, në krahun e Kryetarit të Bashkisë. Nuk di se cilët janë dhe nëse janë miq të vjetër të tij, që në kohët kur “vritej e pritej” për të Djathtën Europiane. Nuk di edhe nëse kalimin nga krahu tjetër e kanë bërë duke ndenjur më këmbë. Mund të ketë edhe arsye vërtet të thella parimore ky kalim. E njoh cekët situatën politike të qytetit tim, si dhe njerëzit e rinj që përpiqen për ta bërë sa më të sigurt e më të bukur.
Do muaj më parë, pata përmendur një prostitutë arbëreshe, prishjen e imazhit “të gjakut tonë të shprishur”, që më shkaktoi takimi me të, por shkarazi përmenda, që nuk kam asgjë kundër prostitutave. Ndjej keqardhje për to, se kanë zgjedhur një profesion të lehtë në dukje, por me shumë rreziqe brenda, që ju shkatërron jetën në shumicën e rasteve dhe në disa më ekstreme i bën edhe të humbin jetën.
Nuk di a duhet të ndjej të njëjtën keqardhje për prostitutat-politikane apo ato intelektuale në Atdhe. Janë të shumtë, të kategorive të ndryshme dhe me çmime të ndryshme. Ministra, gazetarë, deputetë, këshilltarë bashkiakë, kryetarë bashkish apo komunash, shkrimtarë, historianë, gjykatës, analistë dhe botues. Një pjesë e tyre, ata të zgjedhurit, kur betohen rrinë më këmbë dhe përsërisin formulën e betimit me dorën në zemër, në flamur ose duke prekur pjesë të turpshme të trupit për mos u mësyshur! Në mendje kanë se sa para do fitojnë prej atij çasti duke prostituar vulën, firmën, mendjen, prapanicën.
Në publik edhe pse i urrejnë, masat e përvojtura ju përulen se një ditë do trokasin në dyert e tyre për të mbaruar punë. Njëri tjetrin e quajnë të shkathët, të guximshëm, dinak, “të papam”, të lehtë, skile etj. Tamam si prostitutat e rrugëve quajnë njëra tjetrën mes tyre. Hë po…zihen në sytë e botës edhe më shumë se ato të rrugëve!
Nuk di ç’të shtoj më rreth tyre. A ka ndonjë Ditë ndërkombëtare të Prostitutave?


No comments:

Post a Comment