Fitorja e një femre me mjekër në Festivalin e fundit
Europian na bëri të gjithëve të mendojmë edhe njëherë rreth raportit tonë me
problemin “gay”. Eshtë një temë, që thuajse të gjithë i shmangemi, sepse jemi
rritur në një shoqëri të çuditshme. Nga njëra anë hiqej si e Majta më e
përparuar dhe në anën tjetër i fuste homoseksualët në burg, po njëlloj si bënin
Diktaturat e Djathta. Tradicionalisht, që në fillimet e shek. të XX-të,
komunistët ishin pro-gay dhe për një liri seksuale. E megjithatë, në Shqipëri
si çdo gjë që është sëprapi edhe i ashtuquajturi komunizëm ishte një lloj
kaçamaku, që do më shumë faqe ta ç’koqitësh.
Pra ne u rritëm me një përbuzje për homoseksualët, e
kultivuar kjo në mjediset familjare e shoqërore, sepse në shtyp apo në libra
problemet e seksit ishin tabu. Por duhet të pranojmë, që shoqëria shqiptare
ishte shumë injorante për problemet e seksit në përgjithësi.
Kjo sjell sot, që ne të kemi droje të shoqërohemi me “shokë
gay”, të mendojmë ndonjëherë me frikë“mos na del ndonjë nga fëmijët gay”, apo
edhe thjesht ta ngremë çështjen e mbrojtjes së të drejtave të tyre,se mos të
njohurit mendojmë me dyshim “Po ky ç’ka që i mbron kaq shumë këta pedet?” E
megjithatë homoseksualët janë dhe problem i tyre ekziston. Mjafton ky fakt që
të na bëjë të mendohemi dhe të rektifikojmë bindjet tona rreth tyre.
Konçita ose Tomi është një “drag queen”, që këndon bukur.
Për të mos u hequr shumë “mendjehapur” duhet të them që në rast se ndodhem në
një tryezë feste, nuk do ulesha pranë saj, por të njëjtën gjë do bëja ndaj një
babushka me shumë qime në fytyrë. Eshtë thjesht një lloj imazhi me të cilin nuk
jemi mësuar të hasemi çdo ditë. Duam apo nuk duam ne, mendja është struktuar
gjatë jetës me modele të caktuara të së bukurës apo të së natyrshmes. E njëjta
gjë do vlente për një femër a mashkull të mbuluar fund e krye nga tatuazhet.
Por pikërisht këtu mbaron liria ime për të zgjedhur vendin ku të ulem dhe
fillon liria e Konçitës apo babushkës, që të ulet ku të dojë. Askush nuk ka të
drejtë ta përçmojë, t’i hedhë shikime të këqija apo më shumë akoma ta fyejë me
fjalë. Njerëzit që janë të ndryshëm apo shumë të ndryshëm nga ne janë shumica e
kësaj bote ndaj po të jemi me mend është e mira t’i pranojmë.
Para disa vitesh, një individ/e shumë inteligjent/e ndërpreu
lidhjen martesore se ishte gay. Nuk mund ta kishte bërë hapur në Shqipëri,
sepse e tillë ishte shoqëria, por e bëri në emigrim. Nuk dua të them se është
një gjë fare e thjeshtë për familjen apo të njohurit. Por dua që ai/ajo apo
njerëzit e tij/saj të mos kenë brengën shtesë të “C’do thonë bota!” Besoj se
cilido gay që ka pasur një të kaluar në marëdhënie “jo-gay” kalon një dramë
psikologjike brenda vetes deri sa vendos të dalë hapur. Një lloj tjetër drame
kalojnë familjarët. Por atë që duhet t’ju kursejmë është drama, që ju
shkaktohet prej mendimeve tona të mykura. Dua t’ju them hapur njerëzve të
tij/saj” Jini krenarë për veten tuaj dhe për njeriun tuaj! Ajo që bën nuk i
takon tjetërkujt!”
Problemi i homoseksualëve do vazhdojë të jetë gjatë në jetën
e shoqërisë njerëzore. Shkenca ende nuk ka thënë fjalën e fundit, se pse
ekziston dhe a varet nga faktorë të tjerë jo biologjikë apo hormonalë.
Le t’ju lemë kohë shkencëtarëve dhe duke qënë njerëz
besimtarë apo jo le të duartrokasim në fund të këngës Konçitan!(Sigurisht ata
që pëlqejnë atë lloj muzike dhe atë lloj interpretimi.)
No comments:
Post a Comment