Po i rikthehem shkrimit të lënë në mes rreth pamundësisë të
përmirësimeve në Drejtësinë Shqiptare. Pata përmendur, në pjesën e parë,
nivelin e dobët intelektual, të atyre që shkolloheshin si jurist deri në gjysmën
e parë të viteve ’80, periudhë, kur Drejtësia Shqiptare ishte në nivelin më të
ulët, për shkak të heqjes prej 20 vitesh të “të drejtës për tu mbrojtur me
avokat”, si dhe reformave të tjera të ndërmarë nga Partia. Për më tepër, njerëzit
që punonin brenda sistemit të Drejtësisë, edhe nëse kishin kapacitete
intelektuale e kishin të vështirë të vinin në dyshim apo të kundërshtonin
sistemin. Një prokuror i aftë, nuk mund të pranonte në gjyq psh, që të
pandehurit i ishte marrë dëshmia në hetuesi me dru apo tortura të tjera, sepse
shteti ishte i deklaruar kundër torturës. Ata që punonin brenda sistemit,
gjykatës, prokurorë, sekretarë, ndihmës gjyqtarë, ishin të mësuar të mbyllnin
sy edhe veshë edhe ndaj shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut apo
edhe sensit më të thjeshtë të drejtësisë. Rastet kur çështjet ju riktheheshin
hetuesisë, apo të pandehurit shpalleshin të pafajshëm ishin tepër të rralla. Edhe
kur ndodhnin ishin sipas porosive të ardhura nga lart. Në vitet ’70, shkoja
shpesh me një shokun tim më të madh se unë dhe ndiqnim séanca gjyqesh, sidomos
të hëave dhe të martave, kur sipas orarit zyrtar të atëhershëm punohej edhe
pasditeve. Nuk e harroj vrazhdësinë e gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe shpesh
edhe mungesën e qëllimshme të llogjikës. Në mendjen tonë ishte të ishim në anën
e “viktimave”, si është në natyrën e adoleshentit. Sigurisht mes tyre kishte
hajdutë edhe njerëz të dhunshëm, por më e dhunshme dhe e egër dukej makina e të
ashtuqajturës Drejtësi. Ndaj them, që njerëzit që kanë punuar për më shumë se
tre-katër vjet në atë system e kanë të shkatërruar brenda tyre sensin e drejtësisë
edhe pse mund të jenë njerëz me karakter të mirë apo edhe me kokën plot.
Ka patur një periudhë pas vitit ’85, kur numuri i studentëve
në juridik u shtua dhe niveli i tyre ishte shumë më i mirë se më parë. Për fat
të keq, pas ndryshimeve të vitit ’91, nevoja për juristë solli krijimin e “furrës
së plepave”, që “piqte” juristë për 6 muaj dhe Sistemi i ri i Drejtësisë, që po
ndërtohej sipas modeleve europiane, u mbush me juristë 6-mujorë(në 6 muaj as
ndihmës kuzhinier nuk bëhesh dot) dhe në profesionet e nderuara dhe delikate të
gjykatësve, prokurorëve, avokatëve, hetuesve, policëve gjyqësorë, noterëve kishim
tashmë juristë ‘të brumosur me sensin e drejtësisë socialiste”, juristë-plepa
si dhe një numur shumë të vogël të juristëve që kishin shkëlqyer në Universitet
dhe kishin bërë edhe specializime jashtë.
Po ku do i gjenim gjithë ata juristë që na duheshin? Vërtet
nuk kishim se ku dhe kjo është arsyeja kryesore, që edhe një dhjetëvjeçar nuk
kemi se si të shpresojmë në një përmirësim të Drejtësisë. Por ka edhe arsye të
tjera.
(vijon)
No comments:
Post a Comment