Zgjedhja e llojit të ngjyrës , që do përdorësh në një
portret, ka të bëjë shumë me karakterin, të cilin do pikturosh. Pasteli, është
një material, që përdoret kryesisht për portrete vajzash, njerëzish të vuajtur,
të moshuar, sepse jep një lloj trishtimi apo edhe gëzimi të butë. E megjithatë
receta nuk ka. Unë po e përdor sot për një lloj karakteri tjetër dhe po
mundohem ta mbaj në një lloj ‘”monokolori” gri. Pra butë dhe me ngjyrën, që
mendoj se i shkon.
Po mundohem të filloj nga një tipar, që do mbisundojë
portretin dhe jo të nis në mënyrën akademike, duke ravijëzuar kokën, ndarë në
tresh pjesët poshtë hundës, hundën dhe sipër saj si dhe duke ndarë vertikalisht
me boshtin e simetrisë. Jo sepse fytyra e tij nuk është simetrike dhe as se dua
me çdo kusht të theksoj të themi sytë, buzët apo veshët. Jo , thjesht mundohem
të mbyll sytë dhe të kujtoj ç’më binte në sy menjërë kur përballesha me të.
Ishte një buzëqeshje gri. Gri jo sepse ishte buzëqeshje e përmbajtur, por se
ishte një lloj buzëqeshje, që nuk mund ta quah as dinake, as të shtirur dhe as
dashamirëse. Ishte një buzëqeshje gri.
Në fëmijëri, shpesh i zgjedhim shokët e shoqet nga buzëqeshja.
Pastaj ndodh që afrohemi më shumë dhe pëlqejmë
të tjera tipare dhe cilësi të karakterit. Dhe kështu mbetemi shokë e shoqe për
vite, ose diku në rrugën e jetës e humbim shoshoqin. Kur jemi më të rritur,
nisim të lexojmë edhe sytë deri san jë pjesë e jona, ata më fatlumët, arrijnë të
njohin të tjerët edhe nga forma e kokëz, lëvizja e flegrave të hundës, apo nga
picërrimi i veshëve. (Kjo picërrimi i veshëve ka kuptim apo mos ja futa kot për
hir të ritmit?)
Po të kthehemi në buzëqeshja gri e bashkëmoshatarit tim dhe
të vras mendjen përse nuk ishte asnjëherë mes shokëve të mij të afërt? Thjesht
nga grija në buzëqeshje? Mbase. Edhe më vonë, kur nga që nuk kishte asnjë
talent në sporte, por donte me çdo kusht të ishte pjesë e lojës dhe buzëqeshjen
e kishte më të çelur nuk e afrova kurrë në rrethin e atyre, të cilëve ju
besoja. Mbase se kisha parë të njëjtën ngjyrë në nënqeshjen e tij, kur na
kishte ‘shitur” dhe unë i vetëm mbrohesha në një mbledhje të Këshillit
Pedagogjik? As atë kohë nuk u mundova të vrisja mendjen, sepse kishte të tjera
gjëra të shumta, që rrotullohen në kokën e një adoleshenti.
Vite më vonë, kur punonte diku si banakier, shitës bulmeti
apo perimesh, a mbase kuzhinier, kishte një lloj tjetër grije në dhëmbëzbardhje.
Ishte më e sigurt, jo vetëm nga siguria që jep paraja e fituar lehtë, por një
gri superioriteti ndaj nesh, që kërkonim pak mish, pak djathë, ose domate të
fshehura nën banak. Nuk doja të shkoja në njësinë ku punonte, pikërisht se më
bezdiste ajo gri superioriteti.
Më vonë, kur gati po e përfundoja portretin e tij në pastel,
monokolor, ai thirri, që disave prej shokëve tanë(ndoshta edhe mua) ju mungonte
karakteri, se në fytyrë, gjatë jetës na ishin shfaqur shumë ngjyra. I kujtova
shoqet dhe shokët më të mirë të mij, të cilët mund t’i njihte edhe ai. Beni,
Klara, Kati, Gjekja, Lula e të tjerë, kanë plot ngjyra në portretet e tyre dhe
plot dritë në buzëqeshje. Dhe kjo është edhe tregues karakteri.
Nuk mjafton të kesh të njëjtën ngjyrë në fytyrë. Sidomos kur
është gri.
No comments:
Post a Comment