Monday, 26 May 2014

Zaboravi ako mozes

Qëlloi , që kur nisa të shkruaja sërish herët në mëngjes për Kongresin e Përmetit dhe Komandantin isha duke dëgjuar në youtube Tereza Kesovijan duke kënduar “Zaboravi ako mozes”(Harromë po munde.) dhe i thashë vetes , që vërtet nuk të harrokemi dot Komandant! Ndaj edhe e lashë si titull edhe pse mund të sulmohem për titizëm apo mbështetje të ortodoksisë serbe. (Tereza është kroate dhe ‘mashallah!”, po shpesh miqtë e mij ultranacionalistë ngatërrojnë kroatët me serbët apo maqedoansit dhe ustashët apo çetnikët me komunistët.)
-Lena rrehat, se ti në një vërë i bie fyellit- mund të hidhet e thotë avokati im- o do mbrosh Konçitan o do shash Komandantin!- dhe ka deri diku të drejtë. Po ja që nuk e harrokam dot Legjendarin. Fajin e kanë edukatoret e kopështit, që na mësonin atë “I ke doçkat me sheqer” dhe dihet që sheqeri vepron si drogë në kokën e fëmijëve dhe nuk shkulet për qamet edhe sikur t’i bësh lavazh në makinat “sex, drugs n rock n roll”.
Këtë vit, le që po na i kujtojnë përditë, po duket se do fillojnë edhe në shkollat fillore, t’ju mësojnë fëmijëve për heroizmat e tij gjatë Luftës.
Sot, në shtypin shqiptar është botuar një intervistë e politikanit-historik apo historianit-politik Paskal Milo. Miloja jo vetëm që ngre në qiell Luftën Nacional Clirimtare, por shkon më thellë akoma. Ju kërkon “trashëgimtarëve biologjikë dhe politikë“ të kolaboracionistëve të kërkojnë falje për ato që kanë bërë etërit dhe gjyshrit e tyre! Një shprehje e tillë, nëse nuk e mban veten mirë shtrënguar pas tavolinës, të bën të të hipin xhindet, se është edhe më e poshtër se ato ‘të luftës së klasave” të Komandantit. As ai hapur nuk fliste për “trashëgimtarët biologjikë“, se e dinte që ishte thirrje e hapur për genocid.
Le të pranojmë, që gjatë luftës pati edhe nga ata që bashkëpunuan me pushtuesin. Motivet e tyre, ka patur raste, që ishin edhe patriotike dhe jo të interesit të ngushtë, por pavarësisht nga kjo, ata bënë gabimin dhe fajin e madh t’i shërbenin të huajve pushtues. Po ata jo vetëm që u ndëshkuan me pushkatim, burg të gjatë ose mërgim të përhershëm, por të njëjtën gjë pësuan familjet e tyre në disa breza dhe jo vetëm pasardhësit e drejtpërdrejtë. C’faj kishin vëllezërit Merlika, që xhaxhai i tyre kishte qënë kryeministër në kohën e Italisë, ndërsa i jati, mjeku i nderuar Asllan Merlika, jo vetëm që s’ishte marrë me politikë, por kishte shërbyer si një pediatër i shkëlqyer? Jo vetëm ata, por as fëmijët e bashkëpuntorëve apo të heronjve, s’kanë pse të pësojnë apo të përfitojnë nga ato që kanë bërë etërit.
Shumë herë, kur shkruaj për Luftën e dytë, mendoj se ç’do më thoshte im atë, që gati humbi jetën gjatë sulmit të gjermanëve në Vithkuq dhe jetoi pa u ankuar apo mburrur, me një plumb gjerman në trup. E di që nuk do më qortojë, se më ka mësuar të them e shkruaj atë që mendoj se është e drejtë. Edhe pse e dinte se kush ju kishte treguar gjermanëve rrugën për të hyrë në Vithkuq, pa u parë nga partizanët, nuk kishte treguar kurrë as më të voglën ndjenjë mërie apo hakmarrje për fëmijët e tradhëtarit. Ishte jashtë koncepteve të tij për jetën, njerëzit dhe shoqërinë.
Edhe pse nderoj atë që ka bërë babai im, i Benit dhe baballarët e tjerë të shokëve të mij, e gjykoj sot, se si të rinj që ishin, u gënjyen në çastet e kthimit të Luftës nga antifashiste në një Luftë për pushtet. Edhe pse sot, është e lehtë të gjykosh me gjak të ftohtë dhe ata nuk e kishin atë mundësi, sepse ishin në luftë, kishin ngarkesën e mocionale të atyre që ju rrezikohet jeta, ngarkesën emocionale të atyre, që ju është vrarë shoku pabesisht, ngarkesën emocionale të atyre që mund të tradhëtohen nga bashkëkombësit, përsëri them se idealistët, ata që u ngritën për të nxjerrë jashtë vendit nazi-fashizmin dhe për ta mundur në shkallë europiane, duhet të kishin bërë diçka kur u zhgënjyen pas luftës nga banda udhëheqëse me Komandantin në krye. E megjithatë këto janë hamendësitë time se nuk e kam jetuar kohën menjëherë pas Luftës. Por, unë nuk kam asnjë të drejtë të kërkoj përfitime për atë që ka bërë im atë dhe njëkohësisht nuk kam as përse të kërkoj të falur.
Po përse, o pseudohistoriani Paskal Milo, bijtë apo nipërit e stërnipërit, e atyre që i gjykon ti “kolaboracionistë“ duhet ta kërkojnë? Për t’i damkosur ti gjithë jetën për diçka që nuk e kanë bërë vetë? Për të rikthyer kultin e Luftës Nacional Clirimtare dhe të Komandantit? Për të përçarë këtë popull më shumë se është i përçarë?
Askush nuk e ka monopolin e të Vërtetës, për një periudhë të komplikuar si ajo e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Por ka një të Vërtetë Universale. Njerëzit , që kanë vrarë e shtypur duke qënë në pushtet duhen ndëshkuar dhe jo të nderohen! Fëmijët, nipërit, stërnipërit e tyre nuk kanë pse të persekutohen. Dhe kjo vlen si për soj e sorollopin e Enver Hoxhës ashtu edhe për soj e sorollopin  e Mustafa Krujës. Të dy e kanë vendin në faqet e zeza të Historisë Shqiptare dhe i pari edhe në atë të Historisë Botërore, se ka më shumë gjak në duart e tij.

Ndaj nuk mund ta harrojmë!

No comments:

Post a Comment