Monday, 19 May 2014

Perse nuk mund te kete edhe nje dhjetvjecar permiresime ne drejtesi. (3)

(vijim)
Arsyeja e dytë, po aq kryesore, por edhe me një efekt më afatgjatë, është dobësia e theksuar e programeve universitare për përgatitjen e juristëve. Dhe këtu e kam fjalën për Universitetin Shtetëror dhe ndonjë Univeristet tjetër të mirë e jo për ato programe, që gjithkush i di se vlejnë thjesht për të prodhuar ‘juristë skarco”. Problemi i programeve të dobëta, i marrjes të diplomave me mik apo me pagesë dhe numuri shumë i madh i juristëve me diploma të marra në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni do jenë një gangrenë, që do shoqërojë jetën e shoqërisë shqiptare për një kohë të gjatë. Eshtë e vërtetë, që në Shqipëri do ndiqet modeli Mesdhetar dhe jo ai anglo-sakson në përgatitjen e juristëve, por e gjithë shoqëria duhet të jetë e ndërgjegjshme, që nëse nuk krijohen kushtet që në Juridik të shkojnë studentët më të mirë, edhe Sistemi Juridik nuk mund të shëndoshet. Vendi jonë mund të lejojë të ketë edhe programues, edhe oficerë, edhe llogaritarë, edhe mësues jo të klasit të parë, por nëse kërkon Reformë në Drejtësi, ajo fillon duke drejtuar ajkën e rinisë në ato shkolla. Dhe kjo arrihet me programe qeveritare të mira, të cilat parashikojnë edhe rroga shumë të mëdha për gjyqtarët prokurorët si dhe për avokatët.
Më ka rënë në sy në shtypin e  muajve të fundit një lloj solidariteti i heshtur dhe i hapur i gjyqtarëve. Pa dashur të dal në përfundime, për një problem të cilin nuk e njoh(dhe për të cilin mund të më hiqet vërejtje e rëndë nga një avokat, që e njeh sistemin, por ka frikë të flasë) po shtjelloj më poshtë një lloj hamendësimi tim, nisur nga ideja(ndoshta e pabazuar), që kam për gjyqtarët tanë.
Po i rikthehem sistemit të kaluar të Drejtësisë, në të cilin kanë punuar një pjesë e gjyqtarëve të sotëm. Juristët brenda atij sistemi(jo ata të ndërmarjeve të mëdha apo fermave) ishin njerëz të rëndësishëm në qytetet ku punonin dhe që edhe vetë nuk e fshihnin rëndësinë e tyre. Të ishe një gjykatës apo prokuror në atë kohë duhet të kishe cilësinë e mbajtjes së gojës mbyllur dhe ruajtjen e një lloj solemnineti dhe misterioziteti. Nuk duhej të kishe shumë mend dhe sidomos ndienjën e skepticizmit, por ato që rendita në fillim ishin domosdoshmëri. Institucionet e Diktaturës duhet të ishin autoritare e të frikshme dhe po ashtu duhet të ishin edhe përfaqësuesit e tyre. Juristët e asaj kohe rrinin me kostum dhe kravatë dhe të gjithë mbanin nga një dosje ose çantë, ku nuk ishte e thënë të kishte gjithnjë shkresa ose dokumenta të tjera. Kam vënë re, që njerëzit që kanë më pak në kokë, janë më të talentuarit për tu paraqitur të rëndësishëm. Flasin pak, nuk prononcohen dhe zhvillojnë gjatë karrierrës një nuhatje  për veprime që sjellin sukses edhe para.
Sistemi i sotëm i drejtësisë në Shqipëri u “strukturua” nga juristë të këtij lloji. Disa prej tyre e kanë të vështirë të shkrujnë edhe një letër një faqëshe, e jo më të shkruajnë ndonjë artikull për ndonjë gazetë juridike. E megjithatë, ata zhvilluan këtë system që funksionon “për bukuri “ sot. Sistemin e avokatëve sekserë, të sugjerimeve se si mund të monovrohet për të luajtur me afatet për të nxjerrë dikë nga burgu, të daljes kundër apo pro në shumicë e pakicë për të mbuluar gjurmët e sa e sa marifete të tjera për të luajtur me ligjin, të cilat unë nuk kam si ti di. Por mbi të gjitha, si në kohët e “frikës së madhe”, ata vendosën “kodin e heshtjes dhe solidarizimit me njëri tjetrin”, tamam si funksionojnë organizatat kriminale.
Edhe pse nuk di të sugjeroj ndonjë gjë se si mund të luftohet kjo gjendje, them që diçka duhet parë rreth imunitetit të gjykatësve.
Tabloja që paraqita edhe pse jo e plotë, për shkak të njohjes time të cekët, është një tablo tepër e errët dhe aspak shpresëndjellëse. I shkrojta këto rrjeshta, për t’ju thënë atyre miqve të mij, që janë larg vendit, ose nuk kanë pasur të bëjnë me Drejtësinë, që jo vetëm është shumë e vështirë “shëndoshja”, por edhe ajo që trumbetojnë me të madhe ata që janë sot në pushtet është thjesht përpjekje, për të kontrolluar Drejtësinë, e cila deri më sot kontrollohet më tepër nga Berisha.
Eshtë për të ardhur keq, që rreth saj flitet pak nga njerëzit e mençur dhe të paanshëm në vend. Eshtë baza nga fillon shëndoshja e shoqërisë e për të duhet të ketë një lëvizje të akademikëve, sociologëve, shkrimtarëve, artistëve, klerikëve, historianëve e doemos të juristëve më të mirë.
Në të kundërt, shoqëria shqiptare do hiqet zvarrë edhe shumë vjet në llucën ku ka rënë!

No comments:

Post a Comment