Tuesday, 6 May 2014

Përse është e rrezikshme propaganda pro “të pakorrupueshmëve”.

Nuk doja të bëja kët shkrim-përgjigje ndaj një shkrimi të sotëm në FB, por e ndjej si të rrezikshëm ndaj dhe do mundohem të jap një përgjigje demaskuese.
Në kohërat e krizave të mëdha ekonomike të shekullit të kaluar, (por edhe në këtë shekull), janë ngritur shpesh lart zërat kundër korrupsionit të politikanëve, dështimeve të sistemit politik ekzistues dhe sidomos kundër ‘butësisë“ së tij. Këto ndodhën menjëherë pas luftës së parë në Itali, në kohën e Republikës së Vajmarit në Gjermani, në Spanjën ku kishte fituar e Majta. Ishte e vërtetë, që sistemi parlamentar nuk funksiononte mirë, kishte rrënie ekonomike dhe rritje të krimit, si dhe rënie të krenarisë kombëtare të Kombit. Dhe faji për këtë i vihej udhëheqjes së vendit dhe jo pa të drejtë. Ideologët kryesorë populistë kërkonin një system të drejtë e të ashpër për të rikthyer vendet e tyre në lavdinë e të shkuarës. Kështu njerëzit, që nuk kishin parë deri atë kohë se ç’ishin Diktatorët që lindnin pas demagogjisë së “Republikës së Virtyteve” të thënë 130 vjet më parë nga jakobini Robespier i ndoqën pas Musolinin, Hitlerin dhe Frankon.
Më i “pakorruptueshmi” ishte i dyti. Sigurisht nëse me korrupsion mendojmë thjesht shfrytëzimin e pushtetit për pasurim personal apo për luks dhe qejfe. Edhe pse kishte në dorë gjithë Gjermaninë, ai kishte në llogarinë e tij vetëm të ardhurat nga shitja e “Mein Kampf”. E megjithatë është njeriu më i rrezikshëm, që ka lindur për sa kohë njihet historia e shkruar e Njerëzimit. Ishte i”korruptuar” nga dëshira për të shpënë në dhomat e gazit të gjithë ata, që mendonin ndryshe nga ai. Ishte “i korruptuar” në të gjitha indet nga etja për të bërë realitet një shoqëri si ajo e fantazive të tij të sëmura. Për fat të keq miliona e ndoqën dhe ndodhi ajo që ndodhi. Por për fatin tonë të keq, miliona të tillë janë gati edhe sot të ngrenë kultin e “të pakorruptueshmit”. Atij që shpie në gijotinë me mijra, për të pastruar shoqërinë me Terror, që të vijë një e ardhme e ndritur, si ajo që ka ëndërruar në apartamentin e tij të vogël.
Bota ka njohur në disa mijëvjeçarët e jetës së saj me dhjetra figura udhëheqësish altruistë, të sakrificës, të pakorruptuar as nga lavdia dhe as nga pushteti. Nuk po ndalem të përmend emrat e tyre.
Por të bësh hosana për Robespierin dhe të quash të korruptuar Dantonin, pasi ke shprehur simpatinë e fshehur për Hitlerin dhe më të hapur për Marinë Lë Pen, do të thotë të përkundësh ndienjën e fshehur të “mbinjerëzve”, që kërkojnë një shtet të fortë për një shoqëri të pastër!
Kjo nuk është gjë tjetër veç thirrje e hapur për fashizëm!
Kishte mijra pseudointelektualë dhe njerëz të kamur, që ndihmuan me fjalë e shkrime ardhjen e Hitlerit në fuqi nëpërmjet votive në Gjermani. Shumë syresh e dinin që ishte i çmendur, por ju pëlqente fakti që mund të bënte ta ndiqnin njerëzit e varfër birrarive kur mbante fjalimet e tij të zjarrta. Donin një pushtet të fortë si alternativë ndaj “degjenerimit” të shoqërisë gjermane të kohës së Vajmarit. Dhe përfunduan ata vetë dhe miliona njerëz në gërmadha!
Ja pse janë të rrezikshme shkrimet që thurrin lavde për ata, që kanë ushtruar terror shtetëror!

Dhe janë po aq të rrezikshme edhe ato “like”, që vihen lehtë, pa menduar se ku shpie jakobinizmi!

No comments:

Post a Comment