Kapter është një gradë më duket nënoficeri në Ushtrinë tonë,
ose ka qënë e tillë para 1966-ës. Pastaj Partia i hoqi gradat dhe oficerët dhe
nënoficerët edhe pse u thartuan pak, i zbatuan ushtarakisht direktivat e
Partisë. Rroga dhe lavdia nuk varej më nga grada, por nga detyra që kishe dhe
njësia të cilën drejtoje. E kopjuan nga kinezët, apo i shkoi mendja vetë shokut
Enver, kur mendonte ditë e natë për të mirën e atdheut socialist, këtë nuk e
kam dëgjuar as në intervistat e Nexhmije dh e Liliana Hoxhës.(Le që kjo e
fundit ka hyrë në familjen Hoxha pasi u hoqën gradat dhe edhe pse i di të
gjitha, këtë nuk ka nga ta dijë.)
Po le ta lemë sho Enver atje ku është se fundi ai kur hoqi
gradat ishte edhe Komandant i përgjithshëm edhe Gjeneral dhe që fare lehtë mund
të ishte bërë Mareshall, por thjesht se nuk donte të imitonte Titon ndenji me
një gradë më të ulët. Pra u sakrifikua vetë i pari dhe doemos pas tij dhe
qindra generalë, mijra majorë, dhjetramijra kapitenë dhe një qindmijshe e plotë me Kapterë. Kjo
ndodhi gati 50 vjet më parë dhe një numur jo i pakët i kapterëve të degraduar
ndoshta nuk janë më në mes tonë. (Me mall kujtoj ish-kapterin Selkë, ku vinim e
mernim bazën material për tu stërvitur sa më mirë për mbrotjen e atdheut).
Duke patur një kujtesë jo shumë të gjatë si popull ne
harruam se ç’u bënë kapterët e mbetur. Gjithshka që ata dhe populli kishin
krijuar në një gjysëm shekulli ishte thjeshtuar në pako gjë dhe për shumicën e
tyre nuk kishte më as punë dhe as uniformë. Do më falni, që shpesh herë mund të
quaj kapterë edhe ushtarakë të tjerë që kanë ose kanë pasur grada më të larta,
por kjo lloj injorance(për mos e quajtur mosnjohje) mua më lejohet se jetova në
një periudhë jokaptere dhe kur u rifutën kapterët, kapitenët dhe deri në
generalët, unë ja mbajta matanë oqeanit. Për të qënë i drejtë, po e quaj edhe
veten një ish-kapter rezervist, se mbas mbarimit të studimeve universitare dhe
një zbori tremujor, mu dha diploma e oficerit artilier në rezervë, pra ju
bashkova armatës të ushtarakëve të popullit ushtar.
Të ndalem gjatë në temën e popullit ushtar, dashurinë tonë
për armët, thënien që e “kemi ëarë rrugën e historisë me shpatë në dorë“ do të
thotë të shkruaj vëllime të tëra që do më tërbojnë edhe mua, e jo më lexuesit
tim të pakët, të dashur dhe zevzekë. Ndaj do ndalem në rolin e kapterëve në
jetën e shoqërisë shqiptare prej vitit 1991 e deri më sot. Në kapterët me
shkollë e pa shkollë, që kanë mbajtur me dëshirë dh e nder uniformën e
pjestarit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Do bëj një kapërcim të javës
së hidhur të marsit 1997, kur 99% e tyre i lanë depot e armëve dhe repartet
ushtarake pa zot e pa shkop, se ajo javë ka mbetur ndër ngjarjet më të
paspjegueshme për ne, që e kemi jetuar dhe vetëm stërnipërit tanë, me inteligjencën
dhe objektivitetin që do i karakterizojë, do e zbulojnë se ç’ju ndodhi gjithë
shqiptarëve me uniformë ato net dhe do ja spjegojnë atyre nga ne që do kenë
mbetur gjallë.
Po filloj me një nga kapterët më të sukesshëm të fillimit të
viteve ’90. Vehbi Allmuçën ose si të mirënjohurin President të VEFA Holding.
(vijon)
No comments:
Post a Comment