Thursday, 15 May 2014

Familja në rrezik!

Këtë parrullë nuk e kisha dëgjuar prej kohësh, ndoshta që në vitet ’60, kur filluan të luftoheshin fejesat në djep, ato me diferencë të madhe moshe dhe poligamia. Duket që pas 50 vjetësh, familja që doli e ndryshuar pas asaj lëvizjeje, është përsëri në rrezik në atdhe dhe ndoshta edhe në gjithë Europën e Bashkuar.
Shoqëria shqiptare gjatë Diktaturës nuk ishte një shoqëri normale, ku gjërat rridhnin natyrshëm në varësi të ligjeve ekonomike dhe faktorëve të tjerë antropologjikë, fetarë, klimaterikë, të traditës etj. Rregullat në shoqëri përgjithësisht imponoheshin nga një grusht njerëzish, të Kupolës udhëheqëse, ku kuptohet fjalën e fundit e kishte vetë sho Enver. Ndaj dhe familja shqiptare nuk ishte në një hap me familjen të themi në Europën Veriore dhe perëndimore, por edhe me vendet më të zhvilluara ballkanike. Kushtet ekonomike e të strehimit si dhe tradita e familjeve patriarkale, kishte sjellë edhe forma të çuditshme familjesh, si ato me shumë kurorë, ku çiftet edhe pse nuk punonin në të njëjtën njësi ekonomike, kontribuonin me “kuotë“ për shpenzimet e përditshme e kryesisht për ushqimin. E kam fjalën për qytetet se në fshatra kishte edhe forma të tjera më të vjetra të familjes, ndonjëherë aq antike sa të kujtonin komunitetin primitiv.
Tani, në Atdhe, gjen kryesisht familje të përbëra nga prindrit dhe fëmijët e tyre. Më të rralla janë familjet ku çifti nuk është lidhur në martesë sipas ligjit, por bashkëjeton dhe mund të ketë ose jo fëmijë. Nuk besoj se ka familje me dy prindër gay dhe fëmijë të adoptuar, sepse akoma në Shqipëri nuk lejohen martesa të tilla.
Po nga se rrezikohet familja shqiptare, që sot, në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, kishte shqetësuar disa baballarë e gjyshër, që kishin marrë mundin të shkruanin shqetësimet e tyre?
Divorci- Nuk di nëse ka ende në shqipëri njerëz me dy para mend e ca shkollë, që ta quajnë divorcin një nga plagët e shoqërisë, që trondit familjen dhe si rrjedhojë edhe themelet e shoqërisë. Eshtë një e drejtë e njerëzve e fituar dekada më parë dhe edhe nëse numuri i divoeceve sa vjen e shtohet dhe nuk është për të duartrokitur, përsëri as martesat dhe as krijimi i familjeve të reja nuk është kufizuar.
Tradhëtitë bashkëshortore- flitet që në atdhe ka një rritje të marëdhënieve jashtëmartesore, gjë që sjell ose rritjen e divorceve, por edhe krijimin e atyre “martesave të hapura”, ku partnerët janë të ndërgjegjshëm për marëdhëniet jashtëmartesore të njeri- tjetrit. Po pse ndodh kjo? A është një fenomen i shoqërisë së sotme shqiptare që ka keqkuptuar lirinë apo ka ekzistuar edhe në kohën e Diktaturës? Unë mendoj, që problem i “shthurrjes morale”, që dikur i atribuohej “ndikimeve borgjeze dhe revizioniste” më shumë se me lirinë ka të bëjë me gjendjen ekonomike dhe korrupsionin në Shqipëri. Një fenomen i tillë ka ekzistuar edhe në kohën e diktaturës e sidomos në fshatra, ku jeta ishte më e vështirë dhe puna më e rëndë. Besoj se të gjithë e kujtojnë një anekdotë rreth një mbledhjeje të fshehtë të grave të fshatit, ku diskutonin se me ke ju lejohej të flinin. Votat e plota i mori brigadieri se shënonte ditën e punës dhe të vinte në një punë më të lehtë, më pas kryeagronomi dhe kryetari kooperativës po për të njëjtat arsye. I vetmi që nuk mori vota ishte bashkëshorti. Ndaj le të vemë gishtin në plaga dhe para se të shkruajmë për prishjen e familjes, të shkruajmë për njerëzit në krye të vendit, që kanë zhytyr Shqipërinë në një llum ekonomik dhe moral.
Rritja e numurit të homoseksualëve- E vura edhe këtë me hamendje si një nga “rreziqet”, që shohin mbrojtësit e flakët të familjes. Vetë kam bindjen, që përqindja e homoseksualëve në 100 vitet e fundit në botë është rritur dhe jo për shkak të rritjes së lirive. E kam një bindje të paprovuar, por që nuk ndryshon gjë në opinionin tim rreth raportit homoseksualë-familje. Eshtë e çuditshme që edhe ata, nuk kundërshtojnë idenë e familjes, por janë shumica e tyre pikërisht për të. Duan të jetojnë nën një strehë me partnerin e tyre dhe një pjesë kërkon të martohet e të fitojë të drejtat që ju jep ligji, bile të adoptojë edhe fëmijë. Shpesh, rreth kësaj të fundit, kundërshtarët komentojnë se si do ndjehen fëmijët që kanë dy baballarë apo dy nëna në familje. Unë nuk e di se si, por e di që do rriten më mirë se në një jetimore nga ato të famshmet e dekadave të shkuara në Shqipëri apo të sotmet në Afrikë dhe Azi.
Atëhere më thoni ju lutem nga se rrezikohet familja në Shqipëri? Apo nga thëniet që kemi dëgjuar që kur jemi pjellë “u prish bota”, “humbi rrespekti”, “pleqtë si dëgjon njeri”, “fëmijët e sotëm janë të pacipë“, “s’ka më dashuri si qëmoti” etj etj.
Ju lutem më thoni o mbrojtës të Shenjtërisë së Familjes!

Atëhere do më kini edhe mua pas t’ju hyjmë me kërbaç imoralëve,homoseksualëve dhe të rinjve hipi!

No comments:

Post a Comment