Friday, 30 May 2014

A luftohet kanceri nga jashtë?

Ky shënim, merr shkas nga një shkrim shumë i mirë i Fatos Lubonjës, botuar dje në “Panorama”. Lubonja ripërsërit një anatomi të vërtetë të shoqërisë së sotme shqiptare dhe ndalet në problemin e drogës, Lazaratit dhe reagimit të politikanëve shqiptarë rreth këtij problem. Në fund, ai nënvizon, se pastrami i “kancerit” të korrupsionit të shoqërisë shqiptare mund të vijë vetëm nga jashtë dhe citon një gazetar amerikan të specializuar në krimin e organizuar dhe drogën, që e krahason Shqipërinë me Cikagon e Al Kapones e si rrjedhojë, vetëm një forcë si federalët e “Untouchables” mund ta rregullojnë.
Nuk po e përsëris historinë e Al Kapones, se të gjithë e njohim mirë kryesisht nga filmat, por dua të them që përse është dukuria shqiptare jo e ngjashme me atë të Cikagos së Al Kapones. Në Shqipërinë e sotme nuk është thjesht problem i mosndëshkimit të krimit, ose i përfshirjes së shtetarëve, policisë apo gjyqtarëve në një rrjet të krimit të organizuar. JO. Problemi është më i thellë. Eshtë pikërisht ai që prek edhe Lubonja duke thënë “…edhe korrupsioni kapilar, edhe piramidat financiare, edhe shkatërrimi I territorit dhe natyrës me çimentifikimin e tyre, edhe universitetet private që shesin diploma, edhe…janë variante të ndryshme të këtij manifestimit të këtij tumori”. Një “kancer” i përmasave të tilla nuk mund të luftohet nga jashtë edhe sikur “ndërkombëtarët” të kenë dëshirën dhe vullnetin për ta bërë.
Them që nuk duhet të presim asgjë nga të huajt, sepse ata jo vetëm janë të pafuqishëm nga ana legjislative dhe financiare të ndërmarrin ndërhyrje të tilla, në një vend kaq të sëmurë, por ata nuk i kanë zgjidhur këto problem brenda vendeve të tyre. Nuk kemi pse të shkojmë larg, por vetëm të përmendim Italinë dhe Greqinë, të dy vende d he shoqëri të krimbura në mëyra të ndryshme. E para nga Mafiat dhe korrrupsioni. E dyta thjesht nga korrupsioni n[ institucionet shtetërore. Po i përmend këto dy vende se janë të ashtuquajtura “perëndimore” dhe njëlohësisht anëtarë të Eurozonës. Për vendet e ish-lindjes, panorama është shumë e ngjashme me atë të vendit tonë.
Duke pare vetem dy dhjetëvjeçarët  fundit, kuptohet se sa indiferentë kanë qënë Bashkimi Europian apo Shtetet e Bashkuara(ndërkombëtarët) ndaj problemeve të Italisë dhe Greqisë. Të dy shtetet shkuan deri në prag te falimentimit, nga keqadministrimi i fondeve publike dhe zhytja deri në grykë në borxhe. BE-ja(Gjermania) ushtroi ndaj tyre presion për të aplikuar politika të ashpra ekonomike dhe vendet u futën më thellë në krizë dhe njerëzit u varfëruan dhe u dëshpëruan më shumë. Nuk dolën as përgjegjësit për këtë gjendje, as u dënuan dhe as ndryshuan klasat politike në këto vende. Problemi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në strukturat shtetërore nuk u ndal edhe pse ka patur politikanë të arrestuar apo edhe të dënuar. Askush nuk duhet të ushqejë ndonjë iluzion se problemet e mëdha të Italisë, Greqisë, apo më keq të Shqipërisë do i zgjidhë dikush nga jashtë. Në Itali dhe Greqi e kanë kuptuar dhe forcat e brendshme përpiqen të organizohen për të krijuar “antikorpet”, që mund të lëftojnë sëmundjen e shoqërive të tyre. Edhe pse shpesh ato paraqiten në forma ekstreme apo populiste, tregojnë se qytetarët e këtyre vendeve duan të shpëtojnë veten dhe shoqërinë ku jetojnë. Të tilla janë Lëvizja “5 yjet” e Beppe Grillos apo Partia e re e Cipras, fituesja në zgjedhjet e fundit në Greqi. E megjithatë edhe këto përpjekje mbeten të kufizuara sepse një pjesë e mirë e elektoratit nuk shkon të votojë, sepse nuk i beson më kërkujt.
Gjendja në Shqipëri është shumë më e komplikuar. Në veçoritë kryesore negative do veçoja mungesën e ndienjës së Solidaritetit, e shkatërruar gjat 5 dekadave të Diktaturës, mungesën e një ekonomie të strukturuar mirë, mungesa e plotë e institucioneve shtetërore dhe joshtetërore me ndikim të madh në popullsinë e vendit. Njerëzit dhe sidomos të rinjtë e çoroditur nuk dinë se rreth cilit “flamur” të mblidhen për të kërkuar ndryshime rrënjësore. Feja? Morali? Drejtësia sociale? Nacionalizmi? Të drejtat e njeriut? Komunizmi?
Deri tani ka një flamur që duket se i bashkon të gjithë. “Të bëhemi të pasur!” Dhe askush nuk rreket t’ju spjegojë, që kjo jo vetëm është e vështirë dhe nuk mund të arrihet nga të gjithë, por që po u bë shpejt dhe në rrugë jo të ligjshme, në shumicën e rasteve është shkatërruese. Ka patur edhe një flamur tjetër, disi më abstrakt “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, por askush nuk e di se ç’kupton me atë Europë.
Pjesës më të pastër të shoqërisë shqiptare, që është rinia e gjimnazeve, universiteteve apo edhe ata që kanë mbaruar, i duhet së pari një flamuri vetëm , ai i kërkesës të përmbushjes së të drejtës për Punë dhe i pjesëmarjes në qeverisjen e drejtpërdrejtë. Mund të thuhet se kjo është një fjalë goje dhe se me këtë ekonomi të vendit dhe krizën ende të pambyllur europiane, askush nuk është në gjendje të sigurojë punë për të gjithë e sidomos për të rinjtë në Shqipëri. Rinia duhet të kuptojë, që këto forca politike në Shqipëri nuk sjellin asnjë shpresë për vendin dhe edhe në disa dekada, gjendja do jetë si në Greqi, Itali dhe Spanjë, papunësia midis të rinjve është në shifra mbi 40%. Flamujt e përdorur deri tani nga partitë, si ai ‘i luftës kundër korrupsionit”, “përmirësimit të drejtësisë“, “luftës kundër drogës”, janë flamuj të rremë, ndaj bashkimi rreth tyre është vetëm humbje kohësh dhe energjish. Të rinjtë duhet të kenë t[ qart[ se brezi i jonë(i baballarëve të tyre), i ka lënë në baltë dhe edhe nëse ju ka siguruar një makinë apo studime brenda apo jashtë shtetit, po ju le një gërmadhë institucionesh, që e quan Demokraci.
Kjo është e vetmja mënyrë, me të cilën mund të largojnë nga pushteti brezin e korruptuar dhe të mund ndihmohen edhe nga strukturat “burokratike” europiane apo amerikane.

Në të kundërt të gjithë do lëngojmë gjatë nën dhimbjen, që sjellin metastazat e kancerit tonë shoqëror.

No comments:

Post a Comment