Tuesday, 20 May 2014

Pjese nga "Nje nate ne Kardenas"

......

Ai ndjeu, që ajo nuk do vinte. Mbase lagështia në ajër po e bezdiste dhe dëshëronte të gjente një arsye për tu larguar. Djali i zeshkët, që po e ndiqte me sy u afrua. Nuk dukej armiqësor, por kishte pasur edhe të tillë në DëCë, sidomos nga ata që vepronin jashtë, të të famshmit “Shërbimi shtatë“. Ai kishte qënë vetëm 18 , kur kishin vrarë Gjorgji Markovin në Londër dhe edhe pse nuk kishte asnjë lidhje gjaku me të, shpesh ndjehej nervoz, kur i duhej të përmendte mbiemrin e tij para punonjësve të policisë. Priti që djaloshi ta pyeste për emrin, por i zeshkëti i pëshpëriti:
-Francez…Italian? dhe Markovi mohoi me kokë.
Kubani përballë po rrinte i stepur e diçka filloi të theshte në italisht. “…ragazze…denaro…molto giovanne.” Tjetri e kuptoi, që i kishte ndodhur sërish, si herë të tjera me të huajt. Kishte lëvizur kokën nga lart poshtë dhe të tjerët mendonin se ai pohonte. “No italiano…Ballgaria..”
Tjetri qeshi I gëzuar dhe tha me zë më të lartë“Sofia…Zhivkov”. Antoni Markov buzëqeshi lehtë. E dinte, që vendi i tij do ishte ende shumë i lidhur në vendet e diktaturave komuniste, me emrin e Zhivkovit. I foli djaloshit  në aglisht, se edhe mund të binin në ujdi për një vajzë. Tjetri filloi të spjegonte rrjedhshëm se ai kishte lidhje me vajzat më të mira të Kardenasit dhe po të paguante në dollarë do e shihte se sa pak do i kushtonte. Ai e ndaloi me dorë dhe i tha, që ishte gati të shkonte me të. Kubani qeshi dhe nxitoi të largohej duke thënë se duhej të telefononte për shokun e tij me taksi dhe për dhjetë minuta do ishte aty. Markov u ul dhe shkoi ndërmend rrugica të errëta e të ngushta, ku do përfundonte pas pak, me djaloshin e zeshkët të cilit nuk ja mësoi emrin. Sepse i dukej, që do hynte në kthina, të cilat merrnin dritën nga njëra tjetra, me ndarje gjysëm mure e gjysëm xhamash të lyera me bojë vaji dhe shtretër të ulët, me mbulesa të zbërdhylta. Nuk arrinte të dallonte, nëse ishin imazhe që i kishin mbetur nga udhëtimi në Saigon apo nga ndonjë film për jetën e prostitutave në vendet ish-komuniste. Nga dritarja e hapur e shitores së ëmbësirave vinte një erë e fortë kanelle përzjerë me banane.

“Antonioooo…” dëgjoi një zë femre nga rruga dhe ktheu kokën. Nga dritarja e një taksie dukej fytyra e saj dhe dora që valëvitej. E njohu, por për dreq nuk po i kujtohej emri. Vetëm tundi dorën dhe priti, që ajo të zbriste e t’i afrohej. Dukej më e bukur atë mbrëmje. E kuptoi që kishte zgjedhur më të mirën mes veshjeve dhe ndoshta edhe gjerdhanin më të kushtueshëm.

...... 

No comments:

Post a Comment