Thursday, 15 May 2014

Cifutët

I kisha premtuar një mikut tim(jo këshilltarit juridik të avokatit tim, që më akuzon për poli-kompetencë), që të bëja një shkrim disi të gjatë rreth çifutëve. Sigurisht me ato gjëra, që kam shkëputur aty këtu dhe me ndonjë hamendje, e cila shumë shpesh hidhet poshtë nga vetë unë. E nisa premtimin e mbajtur, I cytyr nga një shkrim i Tartuffkës tim, i cili për mos u akuzuar për prirje naziste mundohet të shkruajë diçka rreth shkencëtarëve dhe shkrimtarëve çifutë, fitues të çmimit Nobël.
Pa qënë nevoja të komentoj rreth shkrimit, që vë në dukje një fakt të njohur, që ¼ e fituesve të Nobelit janë me origjinë hebre, po shtjelloj ato sa di rreth “enigmës” të këtij populli të pazakontë.
Duhet në fillim të bëj disa thjeshtime të “mitit” të çifutëve si më të zgjuarit dhe më të zotit mes popujve të tjerë. Të qënit hebre, nuk është se i përket një populli apo një race të caktuar. Vertet duhet të kesh nje lidhje gjenetike nga ana e nënës, por të qënit çifut është t’i përkasësh fesë çifute. Edhe në lëvizjen e parë të madhe të tyre jashtë Judeas(atë që quhet Diaspora e shekullit të parë të Erës sonë, edhe pse ka pasur dy të tjera para saj), jo të gjitha familjet që e quanin veten çifutë ju përkisnin gjenetikisht 12 fiseve të përshkruara në Dhjatën e Vjetër. Lëvizja e çifutëve në gjithë pellgun e Mesdheut si dhe në Lindjen e Mesme dhe më larg, kishte dhjetra shekuj që ndodhte dhe detyrimisht, jo vetëm që një pjesë e tyre ishin asimiluar, por edhe ata që e quanin veten të pandryshuar nuk kishte se si mos kishin patur perzjerje gjaku me popujt e tjerë.
Sigurisht, ruajtja e identitetit fetar dhe atij gjuhësor ka rolin e veçantë në mbijetesën e një popullsie, që edhe pse mund të mos jetë gjenetikisht identike, ka shumë gjëra të përbashkëta në filozofi, zakone apo mënyrën e jetesës. Dhe kjo vlen për të ravijëzuar shpejt e shpejt “shportën” e madhe ku përmblidhen çifutët e këtij globi.

Po fut një paragraph për të treguar, që habija jonë rreth “magjisë hebre” lidhet shumë me mungesën e madhe të informacionit , që kishim rreth tyre në kohën e diktaturës. Për shumë arsye, por kryesisht për shkak të lidhjes së Izraelit me Amerikën, si dhe të identitetit disi fetar të shtetit të Izraelit, gjatë “komunizmit” shqiptar flitej shumë pak rreth tyre. Përmendej holokausti dhe kishte edhe disa libra të mirë rreth krimeve të nazizimit ndaj tyre, por jo më shumë se kaq. Në Shqipëri nuk kishte pasur kurrë ndonjë sinagogë dhe në qytetin tim as edhe jë familje të vetme çifute. Emri i tyre, si në gjithë perandorinë Otomane ishte i shoqëruar me tregëtinë, cingunllëkun dhe një lloj sjellje prej fajdexhinjsh, por jo më shumë se kaq. Në shtëpi, rreth tyre kishte një minus më tepër, se falimentimi i gjyshit në Stamboll i “ishte faturuar” ortakut të tij çifut, por më vonë, kur isha rritur dhe ish në gjendje të vija në dyshim shumë gjëra, e kuptova që çifutët nuk ishin aq të këqinj derisa gjyshi edhe pse mes shqiptarësh e grekësh, kishte zgjedhur një të tillë për ta bërë ortak në biznes. Kjo që po them është pak a shumë informacioni që kishte i gjithë brezi im dhe para nesh, duke përjashtuar këtu njerëz shumë shumë të kënduar.
(vijim)

No comments:

Post a Comment