Sunday, 18 May 2014

Gjeneralët shqiptarë.

Ka një dekadë, që qarkullon në Internet, legjenda që gjeneralët(le të themi prijsat ushtarakë) më të mirë gjatë Historisë së Njerëzimit kanë qënë shqiptarë. Përveç Skënderbeut(të cilin nuk e dimë se ç’gradë arriti në ushtrinë osmane), janë pa patur asnjë diskutim Aleksandri i Madh(i lindur diku jo larg Kukësit) dhe Napoleon Bonaparti, vërtet i lindur në Korsikë, por nga një familje arbëreshe nga Toskëria, prej të cilës mori emrin edhe Toskana, ku Bonapartët u ngulën në emigrimin e parë!
Diskutimi a janë a nuk janë shqiptarë këta të dy është i gjatë, i kotë dhe i pazgjidhshëm. Do e pranojmë pa vërtetim, për të vazhduar më poshtë me gjeneralët pasardhës. (Sigurisht do e lija pa përmendur Pirron e Epirit, se ja djallos biografinë ajo shprehja “Fitore si e Pirros!”)
Në ushtrinë turke pati shumë gjeneralë shqiptarë, të cilët bënë të mundur zgjerimin e kufijve të Perandorisë Otomane deri sa Turqia e mori të tatëpjetën dhe generalët nuk u morën vesh nga përfunduan. Ushtria shqiptare u formua dikur nga viti 1913, ose dhe më vonë, dhe Partia e riformoi më 10 Korrik, se gjeneralët ja kishin mbathur nja dy ditë para 7 prillit. Në zjarrin e luftës u poqën nja dhjetë copë gjeneralë për një vit e ca muaj, si gjeneral leitnant Enver Hoxha, gjeneral kolonel KoçI Xoxe, gjeneral diëka Mehmet Shehu e me rradhë.  Se si mund të bëheshin gjeneralë një që nuk kish mbaruar dot biologji, një llamarinist dhe një që kishte bërë vetëm një vit shkollë ushtarake, shpjegohet fare kollaj me faktin, që ne shqiptarët e kemi në DNA të qënit luftëtarë dhe strategë. Se pse nuk i pëlqente Komandantit grada e gjeneralit, këtë nuk e ka zhbiriluar as studiuesi Blendi Fevziu, por vetëm dihet që më 1966 tërë gjeneralët u bënë “kaput” pa spaleta dhe nga vitet ’70 ca u bënë edhe “kaput” fare.
Por populli jonë që nuk mund të rrinte dot pa gjeneralë, e dëshmoi me vepra duke rrëzuar tërë shtatoret e Komandantit civil dhe duke mbajtur vetëm atë me spaletat e gjeneralit brenda Shkollës së Bashkuar, ose më mirë të themi fidanishtes së gjeneralëve.
Po i ndërpres këto rrjeshta rreth historisë tonë të lavdishme, e cila nuk ka se si mos ketë brenda strategë ushtarakë, për të dhënë një lajm të hidhur- Eshtë arrestuar për vjedhje gjeneral brigade Syrja Gjoka. E akuzojnë për diçka të vjedhur në ushtri dhe jo si vjedhës ordiner. (Këtë sqarim e bëj për dashakeqësit, që mund të thonë, se meqë Syçka është nga Labëria është afërmendsh që do vjedhë).
Lajmi i vjedhjes dhe arrestimit nuk do më bënte përshtypje po mos ishte në një kohë me një seri lajmesh që lidhen me gjeneralë: “Historia e drogës në FA si përrallat e Tom Sojerit- tha gjeneral Moisiu”, “Dy ushtri shqiptare në Ballkan do i kishin zili gjithë vendet- tha gjeneral major Jeronim Bazo” e të tjera njoftime të rëndësishme  si këto.
Duhet të pranoj, që kam një lloj alergjie nga lajmet me gjeneralë, se kur vendosa “t’ja mbath nga sytë këmbët nga atdheu”, situatën e kontrollonin gjeneralët Gazidede dhe Zhulali (rahmet paçin) dhe gjeneral Agim Shehu. Dhe e kontrollonin aq mirë sa s’mbeti depo armësh dhe burg pa u hapur dhe për herë të tretë në 60 vjet Shqipëria mbeti sërish pa gjeneralë dhe pa ushtri deri sa erdhi një ushtri “paqeruajtësish” e drejtuar nga një gjeneral kopuk italian.
Tanimë, duket gjërat janë më mirë, pasi edhe dy nga tre presidentët e fundit i kemi ushtarakë. (Këta që mbarojnë Akademinë ushtarake quhen akademikë apo akademista?) Ushtria më e fortë se kurrë, trupat në Afganistan po shkëlqejnë dhe aerodromet ushtarake po i rrethojnë me blloqe betoni, që mos hyjnë makinat e atyre që bëjnë dashuri fushave të hapura. Gjeneralë duhet të jenë një dorë e mirë se ka të tillë të Majtë, të Djathtë dhe të depolitizuar. Vetëm kam një merak. Po sikur t’i hipë në kokë ndonjërit prej tyre që të ndjekë shembullin e Lekës së Madh, Bonapartit apo Kastriotit ç’mund të ndodhë në Ballkan e më gjerë?
Ndoshta përgjigjen më të saktë mund ta jepte Faik Marshalli, por edhe ai duhet të ketë vite, që prehet pranë ushtarakëve të tjerë të famshëm shqiptarë.




No comments:

Post a Comment