Se sa i shëndoshë është Atdheu, këtë e di edhe bufi, një
shpend, të cilit nuk i dihet orientimi seksual.
Por këtë nuk e dinë aq mirë, 55 intelektualë shqiptarë në dy
anët e kufirit, që kanë firmosur një peticion në mbrojtje të familjes dhe kundër
lëvizjes gay. (Mungonin në të firmat e dy intelektualëve brenda 48-shes sime, të
cilët janë shprehur hapur si 55-ët e listës.)
I hodha një sy të shpejtë listës dhe nuk dallova mes tyre
emra mjekësh. Mbase ka, dhe do jetë akoma më keq për shoqërinë shqiptare, nëse
mjekë të mirënjohur dalin kundër përcaktimeve të Organizatave Botërore të Mjekësisë,
dhe ta quajnë homoseksualizmin “kundër ligjeve të natyrës”.
E kam përmendur në shënime të tjera, që më shumë se “persekutimi’
i hapur i homoseksualëve, më shqetëson prirja drejt ekstremit të djathtë të
shoqërisë sonë. Parrulla “Familje e shëndoshë- Atdhe i shëndoshë“ është pikërisht
e tillë. Përzjerja e familjes me atdheun është e qëllimtë dhe dashakeqe. Sigurisht,
që firmëtarët nuk mund të thërresin “Ndalni Lirinë! Na shkatërron atdheun!”, që
është nënteksti i hapur i parrullës së tyre.
Atdheu ynë i dashur është në rënien morale më të thellë që
ka parë gjatë 500 viteve të fundit. Eshtë korruptuar gati çdo qelizë e jetës
shqiptare në të dy anët e kufirit. Nuk dua të ndalem e të analizoj shkaqet, por
nuk janë nga Liria edhe pse shumë nostalgjikë të periudhës së Enver Hoxhës apo
të Titos bëjnë me faj pikërisht Lirinë. Aq më pak janë fajtorë njerëzit që kanë
një orientim të ndryshëm seksual.
Por pse këta profesorë e doktorë, në vend të bashkojnë zërat
në luftën kundër korrupsionit dhe bjerrjes morale të shoqërisë shqiptare,
ngrihen kundër homoseksualëve?
Them që tek ne është kultivuar thellë “burracakëria”, se e
kemi shumë të lehtë të sulmojmë më të dobtit.
Në një vend, ku sipas
një gazetari të specializuar në Krimin e Organizuar, ekziston një nga Mafiat më
të forta të drogës në Europë dhe që nuk mund të preket, se është e lidhur me
politikën dhe sistemin e kalbur të drejtësisë, të ashtuqujturit profesorë, doktorë,
studiues dhe poetë lëshojnë sirenat e alarmit kundër ‘perversionit”.
Eshtë e vërtetë që në Shqipëri dhe Kosovë ka perversë.
Ata janë pikërisht intelektualët që shesin shpirtin e tyre në
favor të kufizimit të Lirisë!
No comments:
Post a Comment