Saturday, 3 May 2014

Shtojcë për shkrimin "SHSHA"

Mësova diçka dje, që më detryron të shkruaj disa rrjeshta, si shtojcë e shkrimit “Shkolla Shqiptare e Arkitekturës”. Duke qënë kaq larg Tiranës, por edhe i shkëputur nga kontaktet me Universitetin e Tiranës, nuk kam ditur, që ing. Tamara Gjoka(Eftimi) është e sëmurë dhe kalon një pjesë të kohës në një karrocë me rrotëza. Zysh Tamara(si e thërrisnim gjatë viteve të shkollës)nuk duhet të jetë më shumë se 67-68 vjet, por sëmundja i ka cënuar duket një pjesë të energjive fizike. Uroj të jetë sa më e përkohshme kjo gjendje dhe ajo t’i kthehet aktive jo vetëm jetës familjare, por edhe veprimtarisë profesionale!
Këto rrjeshta janë një reflektim njerëzor, për ata njerëz me të cilët kemi filluar rrugën e gjatë të profesionit. Shumë syresh nuk janë më. Do përmend vetëm ata të Katedrës së Arkitekturës, se me ta kishim edhe marëdhëniet më të afërta dhe më vonë e konsideruam veten kolegë të tyre.
Më ngjan, se i pari që u largua ishte ing. Ilia Papanikolla. Për Ilian kishim një simpati të veçantë, se jo vetëm dinte të spjegonte mirë, jepte gjithshka nga bagazhi I tij, por kishte edhe një “dorë“, që do ja kishte zili çdo arkitekt në botë. Skicat e tij në dërrasën e zezë shpesh na linin gojëhapur. Ilia pati një infarkt, kur ishim studentë dhe kur shkuam ta vizitonim në Spitalin nr 1 na tha me të qeshur “hëëëë…për pak e preva bietën për andej!” Na vinte keq për të, se na dukej që në sëmundjen e zemrës kishte ndikuar edhe një frikë e vazhdueshme e tij nga përndjekja. Vinte nga një familje e pasur korçare dhe ishte martuar me sa di me një të huaj. Pyesja shpesh për të dhe vonë mësova se kishte ndërruar jetë në Itali, ku edhe kishte punuar si arkitekt për shumë vjet.
Ndoshta në të njëjtën kohë duhet të ketë humbur jetën në rrethana tragjike ark. Miriam Bubsi. Miriami nuk na dha mësim, se posa ishte emëruar pedagog, kur ne ishim në vitin e tretë. Ai jepte mësim në vitet e para, por e kishim njohur kur ishim bashkëstudentë. Miriami ishte i talentuar dhe dukej një profesionist me vullnet e sqimë. I hapur dhe shumë i butë, pa asnjë lloj agresiviteti, i gjori Miriam u gjet i vrarë në Dajt. Ende nuk kam lexuar të jetë zbardhur misteri i vrasjes së tij rreth  vitit 1998.
Ka shumë vjet, që është larguar Shefi i Katedrës, profesor Besim Daja, një nga themeluesit e Universitetit të Tiranës. Profesor Besimi ishte një njeri babaxhan dhe që dëgjohej në nivelet e larta, ku vendosej për çështjet kryesore të ndërtimeve në qytetin e Tiranës, qytet të cilin e njihte mirë. Prof Besimi na jepte një nga lëndët kryesore- Bazat e Projektimit. Kishte cilësi të mira njerëzore dhe duhet të jetë larguar i qetë, në një moshë të shtyrë dhe i rrethuar nga dashuria e familjes dhe e miqve të tij. Eshtë e çuditshme, që nuk ka asgjë të shkruar në Wikipedia rreth jetës së tij. Eshtë një nga arkitektët e parë të diplomuar pas Luftës së Dytë Botërore. Kishte studiuar në fillim në Beograd e më pas në Moskë.
Parvjet u largua papritur prof. Enver Faja. E kisha takuar herën e fundit në studion e Agron Lufit më 2004 dhe ishte plot vitalitet dhe dukej shumë i ri. Folëm gjatë, kryesisht për problemet e Urbanistikës së Tiranës dhe rolit negativ të Bashkisë së asaj kohe. Më vonë pata mësuar, që projektonte dhe jepte mësim pa ndërprerje. U cudita kur mësova për shuarjen e tij, se kishte mbetur në mendjen tonë, po aq i ri sa ishte në kohën kur ne ishim studentë. Ishte një Urbanist që fliste me shumë pasion për të gjitha problemet që lidheshin me ndërtimet, mjedisin etj. Na dha lëndën e Urbanistikës së Qyteteve si dhe atë të Fshatrave, gjatë dy vjetëve të fundit të studimeve.
U mundova të gjej diçka në Internet rreth pedagogut Isuf Sukaj, por nuk pata fat. Uroj të jetë shëndoshë e mirë tani që duhet t’i ketë kaluar të 80-tat. Ark. Sukaj kishte mbaruar në Ceki, si arkitekt për ndërtime bujqësore dhe na dha këtë lëndë në vitin e tretë. Po atë vit, për shkak të numurit të pakët të nxënësve dhe mosangazhimit të pedagogëve të jashtëm ark. Sukaj na dha lëndën e rëndësishme të Kompozimit Arkitekturor dhe na udhëhoqi në dy projekte Kursi, në atë të Banesës Kolektive si dhe atë të Kinemasë. Ishte shumë i interesuar të ndihmonte qytetin e lindjes Kavajën, se në vit të tretë, një periudhë u angazhova me të në projektimin e Stacionit të Trenit të Kavajës. Nuk mësova se si i shkoi filli më vonë atij projekti.
Pedagogët e tjerë të katedrës, të cilët na dhanë mësim gjatë viteve të studimeve janë arkitektët Agron Lufi, Vera Bushati(Kapo) dhe Engjëll Dhrami. Ndoshta tani janë më pak aktivë në mësimdhënie dhe merren më tepër me projektim apo konsultime. Për Lufin kam shkruar më gjatë në shkrimin “Shkolla Shqiptare e Arkitekturës”. Duhet të shtoj, që ishte pedagogu, që kërkonte më shumë nga vetja dhe dinte më shumë rreth arkitekturës bashkëkohore. Me të mund të flisje rreth çdo fushe të arkitekturës dhe të mësoje prej tij. Në fillim të vitit të dytë, Katedra bëri një përpjekje për të rifutur një studio projektimi të vërtetë brenda saj. Angazhuan edhe tre studentë të vitit tonë, përfshirë edhe mua. Lufi ishte më i angazhuari dhe më autoritari. Vazhdoi gjatë viteve të tjera me projektimin e konvikteve dhe mencave të Qytetit të Studentit ndërsa jepte mësim.
Vera na jepte Historinë e Arkitekturës dhe kishte një sjellje shumë njerëzore. Vërtet lënda konsiderohej e dorës së dytë dhe për të në atë kohë nuk kishim libra, por kujtoj që marëdhëniet student-pedagog me të ishin të ngrohta.
Më të afërta i patëm me ark. Engjëll Dhramin, i cili na jepte Vizatim të Lirë, por edhe na drejtonte në ‘pjesët” e tjera të trekëndëshit revolucionar- Punë Prodhuese dhe në Ushtarake. Enxi(si e quanim me të qeshur) ishte më i ri se pedagogët e tjerë dhe na trajtonte si të barabartë. Më vonë mësova se u profilizua si urbanist dhe drejtonte Katedrën e Urbanistikës. E takova në zyrën e tij në Universitet 10 vjet më parë dhe kishte mbetur i njëjti njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm. Nuk di se sa peshë kishte në problemet e Urbanistikës dhe arkitekturës së tiranës, por shpesh herë, specialistët nuk i dëgjon kush në Atdhe.
Këta ishin pedagogët e mij dhe të bashkëstudentëve të mij gjatë 4 vjet e gjysëm studimesh dhe mbrojtjes së diplomës. Agron Lufi drejtoi diplomën e Genc Barbullushit, e cila ishte diploma më e kompletuar dhe më serioze e vitit tonë. Nuk kujtoj nëse Enver Faja ishte udhëheqës I Linda Murthit dhe Edi Nurishmit, të cilat u diplomuan me një studim rreth Arkitekturës dhe Urbanistikës së Tiranës para Luftës së Dytë. Në Komisionin e Diplomës bënin pjesë Vera Bushati dhe Enver Faja, ndërs firma e prof. Besim Dajës do jetë gjithmonë në Diplomat tona.

Nderim për ta dhe për ato që kanë mundur të bëjnë!

No comments:

Post a Comment