Saturday, 3 May 2014

Kali arab dhe Ilir Meta

Thonë që Metës i dhuruan për ditlindjen një kalë arab race. Thonë, se unë as e kam parë dhe as e kam lexuar kund. Po meqë ku ka “bajga” ka edhe kuaj unë po e marr si të vërtetë, se mes 600 të ftuarve në ditlindje do ketë patur edhe një të tillë, që ka shumë para dhe shumë dashuri për Metën sa t’i dhurojë një kalë race.
Nuk ja kam idenë, se ç’ju dhurojnë këtej në ditlindjet e politikanëve apo të njerëzve me pushtet, por nuk kam dëgjuar në 15 vjetët e fundit ndonjë festim madhështor në Amerikë dhe në Kanada. Nuk e ve dorën në zjarr për Meksikën.
Kur e mendoj hollë hollë, kjo puna e kalit arab, edhe po të jetë e vërtetë, atij i duhet verifikuar pak origjina, mosha dhe sigurisht edhe aftësitë vrapuese nëse është kalë nga ata të garave. Nuk di nëse dikush mund të na ndihmojë për këtë, se vetë familja Kryemadhi-Meta me siguri nuk e ka bërë duke i qëndruar besnike shprehjes: ”Kali i falur nuk shihet nga dhëmbët”. Se mund të jetë nga ata kuajte moshuar të garave, që në Itali i shesin për të bërë sallam dhe italianët nuk e kanë për gjë të falsifikojnë dokumentat dhe një gërxho 9 vjeçar ta paraqesin me pashaportë të një 3-vjeçari. Se fundja shprehja “Bon pour l’Albanie”, që përdorej në kohën e Zogut për të diplomuarit në Europë, mund të përdoret më me efikasitet për kuajt e racës. Ndaj mund të ketë një marrëveshje mes biznesmenit rrufjan dhe mafiozëve italianë për të paguar 20 mijë euro dhe dhurata të duket si një milionshe.
Ju të dashur miq mund të më hidheni në grykë e të më thoni:” Po ti nga e di që ka qënë biznesmen dhe jo një politikan tjetër, pjesëtar i medias apo edhe familjar?” Unë do mbledh supet e do mbrohem duke thënë , që mundësia më e madhe është të jetë ndonjë biznesmen që do hedhë kalin të zerë karvanin ose autostradën, ose edhe kompaninë ajrore, se një mesazh pas këtij kalit është fshehur de! Se Rama, Kodheli, Haxhinastoja apo ndonjë politikan tjetër nuk të dhurojnë as “barrën e zgjebes” dhe jo më kalë race. E njëjta vlen për gazetarët dhe bosët e tyre. Mbase dhurata special është bërë nga biznesmeni kontrabandist Nar Koka, që ishte në tryezën kryesore me çiftin Meta, çiftin Rama dhe me vëllanë e tij Teri. Nari mund ta ketë edhe kalë të vjedhur xhambazësh, se kur ka qënë në burg ka njohur disa të tillë.
Mund të jetë edhe një dhuratë e ndonjë biznesmeni shumë të afërt me Ramën, i cili duke ditur lëvizjet e fshehta që po bën Meta për t’i gllabëruar PS-në, i dhuron kalin me mesazhin që do i duhet një ditë tamam si Rikardit të III, që klithte “Një kalë, një kalë, jap mbretërinë për një kalë“. Në këtë rast kali mund të jetë vërtet race dhe me një vlerë të konsiderueshme, se jo vetëm që ka paguar biznesmeni, porse Rama bën hesap që pas disa vitesh t’i marrë Metës LSI-në, një pjesë të pasurive bashkë me kalin dhe t’i lerë vetëm Monikën Krymodhe.
- Po mirë këta që i kanë vënë punët e Shqipërisë dhe të tyret më terezi, po kalin arab pse e përgojon?- mund të më pyesni me plot të drejtë.

Kur nuk kam se ç’ju bëj “gomerëve”, sigurisht që nuk mund të sulmoj zebrat. Në Shqipëri nuk kanë erdhur ende. Ndaj i lëshohem plot inat kalit arab!

No comments:

Post a Comment