“Pse merresh me doçërit?”- do më pyesë këshilltari juridik I
avokatit tim, se nuk do diskutime të kota dhe të tilla që mund të lëndojnë
padashje ndonjë doç të njohur e të panjohur. Po i përgjigjem që nuk kam asgjë
kundër tyre, sepse jo vetëm nuk i ka pyetur njeri kur i solli në këtë jetë, por
shpesh, disa që kam njohur janë më të zgjuar se të tjerët dhe si rrjedhim edhe
më interesantë. Mua më pëlqen të vras mendjen rreth fjalëve, që kanë një
tingëllim të veçantë në shqipen tonë të dashur dhe të gjej se pse të pëlqen më
shumë të përdorësh këtë fjalë se sinonimin e saj. Psh “doç” është ku e ku
përpara sinonimit “kopil”. Më pëlqen edhe se është një fjalë që nuk mund të
kthehet në folje. Shpesh, autorët shqiptarë mendjendritur dhe jo vetëm mendjendriturit,
krijojnë folje nga emrat dhe emra nga foljet, por me emrin “doç” nuk ju ka
ndritur. Me “kopil” po, se përdoret folja “kopiloj” edhe pse kuptimi nuk është ‘veproj si fëmijë illegal”, por “punoj
si shërbëtor I ulët në një derë tjetër”. “Doçoj” jo vetëm nuk është përdorur
deri më sot, por edhe arradhja e gazetarëve me disa diploma në Shqipëri e
Kosovë e ka zor t’i gjejë një kuptim e ta përdorë në mënyrë efikase.
Para 6 muajsh, Parlamenti Italian nxorri një ligj, ku
shkruhej se prej vitit 2013, të gjithë fëmijët Italianë do trajtoheshin
njëlloj! Domethënë deri në vitin 2013, “doçërit” në Itali nuk kishin të njëjta
të drejta me fëmijët e ashtuquajtur të ligjshëm. U ndjeva krenar për popullin
tim, që edhe para Luftë së Dytë i kishte trajtuar “të paligjshmit” njëlloj si
gjithë të tjerët dhe pas Luftës kjo ishte sanksionuar me ligj. Nuk di sa ka të
bëjë kjo me udhëheqësit shqiptarë të shekullit të XX-të. Se edhe pse udhëheqës
me shumë pushtet edhe Zogu dhe Enveri nuk ishin në gjendje të hiqnin tërë popullin
pas hunde në çështjen e “doçërisë“. Ka diçka më të thellë, që duhet t’i ketë
rrënjët thellë në historinë e lashtë të këtij populli të shumëvuajtur. Një miku
im hedh dyshimin se mbase ka të bëjë me copëzimin e terrenit dhe mungesën e
rrugëve. Duke mos patur mundësi këmbimi dhe martesash larg, shqipfolësit
detyroheshin të çiftoheshin shpesh mes fisit dhe si dihej nga më të mënçurit
mes tyre, këto lidhje shpesh sillnin degjenerimin e llojit. Ndaj ndoshta
kryepleqtë nëntëdhjetvjeçarë mezi prisnin të vinin balozët apo kuqalashët
nordikë dhe këtë ngazëllim ja përcillnin gjithë tribusë. Se dhe s’ka se si
spjegohet ndryshe që mes një fshati të madh rondokposhës toskë, dalin dy tre
familje me kuqo të gjetë dhe të egër(Nga ndoshta rrjedh edhe shprehja- Kuqoja
më i mirë ka vrarë t’anë!...se e kuptonte që nuk ishte babai i vërtetë).
Ndaj, po të pranojmë hamendësimin e shokut tim, kryepleqtë, që mezi prisnin
ardhjen e taborrit me kuqo, apo edhe të kuqos shtegëtar, nuk mund të detyronin
veriorët teutonë të martoheshin me bijat e fshatit. Thjesht mirëprisnin dhe
vlerësonin doçërit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment