Unë nuk kam ndërmend të vdes së shpejti dhe analizat veç një
kolesteroli të ngritur, kanë dëshmuar se nuk kam asnjë sëmundje nga ato që
quhen “që të bitisin”. Megjithatë, si na kanë mësuar të parët, vdekjen e kemi
prapa veshit dhe unë për fat të mirë apo të keq i kam të dy veshët. (Vërtet, ku
ju rrinte vdekja atyre që u prisnin veshët qëmoti?)
Po ç’të ka kapur me vdekjen këtë të shtunë në sabah, që nuk është
as “e shtuna e pulave” mund të më pyesni me shumë të drejtë dhe unë nuk do jem në
gjendje t’ju kthej xhevap. Se vdekjen edhe pse e mendomë shpesh e kemi zët ta
zemë në gojë, e sidomos në kafenera të tipit FB. Nuk është se dhe kam ndonjë dëshirë
për të qarë sot, po qe se do citoj aktoren e njohur të humorit Spanja Pipën, që
shpesh më theshte:”Mos ke marrë vesh për ndonjë të vdekur taze se aq na qahet,
sa ç’të të them!”
Me një të njohurin tim, në kafene po flisnim për Steve Jobs
dhe meqë ai është më i ri dhe më i lëçitur në këto punët e kompjuterave, e
pyeta se a ishte e vërtetë, që Steve nuk ishte aq gjeni sa e bënin dhe që ishte
një biznesmen shumë i ashpër. Ai e pohoi dhe tha:”Gjëja më e mirë që mund të bësh
në këtë botë, nëse të tjerët do të flasin mirë për ty, është të vdesësh!”
Kishte të drejtë.
Ne kemi një lloj nderimi për të vdekurit, që duhet ta ketë
zanafillën që në kohët kur njerëzit krijuan jetën e përtej varrit dhe I mbulonin
të dashurit me gjithë stoli apo armë. Sigurisht, në atë kohë ka qënë nderim i përzjerë
me frikë, se të vdekurit mund të ngriheshin natën e t’ju bënin ndonjë gjëmë.
Dhe kështu, duke kaluar në qytetërimet dhe lindjet e besimeve fetare, të
vdekurit janë pjesë e jetës sonë, po aq sa të gjallët dhe me një status të veçantë-
atë të nderimit dhe idealizimit të tyre.
Po a i bëjmë dobi vetes, fëmijëve tanë dhe brezave të tjerë
duke i idealizuar ata , të cilët nuk janë më mes nesh? Eshtë një temë delikate,
se ka përbrenda raportin tonë me të vërtetën, me historinë, por edhe me njerëz
të cilët nuk mund të mbrohen nëse i akuzon për diçka. Ndaj shumë njerëz
preferojnë ose të heshtin rreth tyre, ose të thonë veç të mirat, sepse dihet që
edhe djalli vetë nuk i ka të gjitha të këqija.
Ndoshta, një zgjidhje e mesme, duhet bërë për figurat
publike, të cilat në mënyrë të ndërgjegjshme kanë zgjedhur atë drejtim të jetës
së tyre. Rreth tyre, duhet thënë e vërteta edhe pse mund të mos jenë më gjallë,
sepse është shumë e rëndësishme edhe për të sotmen, por edhe për të ardhmen.
Nuk ka kuptim të mbajmë rezerva dhe aq më pak të idealizojmë Skënderbeun, Ahmet
Zogun, Ismail Qemalin, Fan Nolin, Enver Hoxhën, Nënë Terezën, Faik Konicën, Luigj
Gurakuqin, Ramiz Alinë, Azem Hajdarin, Ibrahim Kodrën, Lasgush Poradecin,
Adrian Klosin e plot të tjerë. Jo vetëm që gënjejmë veten dhe ata që vijnë më
pas, por dëshmojmë edhe për hipokrizinë tonë të thellë të përmbledhur në mënyrë
lakonike në shprehjen:
“Vdis pa të të dua!”
Shën Katerinë, 17.05.2014
No comments:
Post a Comment