Thursday, 13 January 2022

Feudo-socializmi shqiptar dhe pasojat e tij (2)

 


(vijim)

Karakteristikat e shoqërive feudale janë organizimi mbi bazën e fiseve, tribuve dhe principatave dhe mungesa e qyteteve të mëdha. Ekzistojnë marëdhënie aleancash dhe armiqësish midis grupeve, si dhe marëdhënie të vasalitetit dhe bindjes brenda grupit. Shoqëria shqiptare ishte e tillë. Kishte në të copëzim sipas krahinave dhe fiseve, si dhe vrasje pas krahëve, hakmarrje brez pas brezi dhe dukuri të tjera më të vogla karakteristike të mesjetës feudale. Regjimi i Zogut kishte bërë shumë pak për të “ajrisur” shoqërinë shqiptare. Tashmë “komunistët” e Hoxhës mendonin të modernizonin shoqërinë shqiptare duke përjashtuar marëdhëniet në stadin fillestar të kapitalizmit dhe duke ngritur një ekonomi përgjithësisht të centralizuar në industri dhe pjesërisht të centralizuar në bujqësi. Shembulli i vetëm në botë ishte ekonomia dhe shoqëria sovjetike, të cilës vetë komunistët shqiptarë nuk i njihnin as avantazhet dhe as të metat.

Fituesit e luftës (komunistët) mbetën me të njëjtën mendësi feudale të krahinave dhe tribuve në raport me armiqtë dhe brenda partisë së tyre. Fise dhe krahina të tëra, sidomos në Veri ishin të shpallur armiq dhe të persekutuar, ndërsa fise të tjera dhe zona krahinore ishin të privilegjuarit që gëzonin pushtetin. Myslym Pezët, Haxhi Lleshët, Jaho Gjolikët me kompani, jo vetëm shijonin përfitimet e pushtetit për familjet e tyre, por ishin në gjendje të bënin shumë edhe për fisin dhe për zonat nga vinin. Byroja Politike dhe Komiteti Qëndror ishte në shumicën e saj me njerëz të lidhur me krushqira dhe nga klane të caktuara si ai i Kapos, i Shehajve dhe Klosëve të Mallakastrës, e të tjerëve. Ndaj edhe marëdhëniet brenda Partisë Komuniste ishin të besnikërisë zinxhir dhe jo të barazisë, si presupohej të kishin “shokët” apo “qytetarët” e një organizimi revolucionar. Në ndryshim nga feudalët tradicionalë, feudo-socialistët ishin pa pasuri të familjes, por me pushtet.

Kjo solli egërsinë dhe ekzekutimet në masë jo vetëm të “feudalëve armiq”, por edhe të atyre të së njëjtës parti. Përveç se në kohën e terrorit sovjetik të viteve ’30, nuk ka asnjë vend europian ku janë ekzekutuar aq shumë kundërshtarë politikë sa në vitet ’40 dhe ’50 në Shqipëri. I vetmi regji që ka vrarë më shumë ka qënë ai i Kmerëve të kuq të Kamboxhias, të cilët gjithashtu ishin feudo-socialistë dhe zhduknin etnitë dhe fiset e tjera.

Organizimi vertikal i partisë-shtet në kohën e diktaturës ishte i ngjashëm me sistemin e shkallëzuar vertikal të feudal-vasalëve në sistemin feudal. Në krye ishte Sekretari i Parë tek i cilin jepnin llogari anëtarët e Byrosë Politike, sejcili prej këtyre të fundit kishte në varësi dy vasalë, që ishin Sekretari i Parë i Rrethit dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe këta të fundit kontrollonin drejtorët e ndërmarjeve, sekretarët e partive dhe kryetarët e kooperativave. Vërtet që të gjithë betoheshin për besnikëri ndaj idealit dhe Udhëheqësit, por ai të cilit i trembeshin më shumë ishte epror-feudali i drejtpërdrejtë.

Blloku i udhëheqjes në Tiranë ishte një lloj “oborri mbretëror” që të kujtonte monarkitë mesjetare. Atje luheshin intrigat familjare dhe partiake, krijoheshin tarafe dhe krushqi, tregohej zelli dhe përkushtimi ndaj “monarkut” dhe “aristrokratëve” poshtë tij. Vërtet nuk bëhej fjalë për gjak blu, por të banuarit në Bllok ishte tregues se i përkisje kastës më të lartë të shoqërisë shqiptare. “Oborre aristokratësh” më të vegjël kishte në qytetet e mëdha, që ishin qëndra të rretheve me popullsi dhe me ekonomi më të madhe.

Një organizim i tillë ekonomiko-shoqëror, tepër rigjid dhe ku mungonin liritë, nga ato ekonomike dhe deri në ato politike dhe të fjalës të lirë ishte i destinuar të dështonte. Nuk kishte asnjë lloj motorri, që mund ta bënte të funksiononte për një kohë të gjatë. Shqipëria varej nga ndihmat sobjetike dhe kineze dhe kur u ndërprenë edhe këto të fundit, i gjithë vendi mori një të tatëpjetë të tmerrshme. Por edhe para të tatëpjetës, Diktatura pat kuptuar që qytetet që po rriteshin në vitet ’50 nuk mund të mbaheshin pa një popullsi të madhe në fshat. Prodhimet industriale nuk ishin konkuruese në tregun botëror dhe një pjesë e tyre përdorej nga konsumatori i brendshëm dhe një pjesë shkonte dëm. Vetëm prodhimet bujqësore (deri diku dhe ato të minierave) ishin “lënda djegëse” për makinën e prapambetur me avull të ekonomisë shqiptare. 70% e popullsisë vazhdoi të ishte e detyruar të jetonte në fshat edhe pse po çvishej dita ditës ng a pronësia. Kjo popullsi, pavarësisht nga propaganda boshe do mbetej në mendësinë e saj feudale; e përkulur para të fuqishmëve, në përpjekje për të arritur ndonjë të mirë në sajë të lidhjeve fisnore apo të rryshfeteve. Ishte baza e shoqërisë shqiptare të kohës së Diktaturës.

(vijim)

Wednesday, 12 January 2022

Feudo-socializmi shqiptar dhe pasojat e tij


Shqipë ria kaloi një periudhë të gjatë nën një nga diktaturat më të egra në botë, e cila padrejtësisht është quajtur nga vetë Diktatori si Diktaturë e proletariatit dhe nga kundërshtarët si diktaturë komuniste. Nuk ishte as e para dhe as e dyta, por e një lloji feudo-socialist, e ngjashme disi me atë të Bashkimit Sovietik, të Kinës, Koresë së Veriut dhe Kamboxhias.

As marksizmi nuk ishte ideologjia sunduese apo udhëheqëse e diktaturës shqiptare, por fragmente të tij të përzjera me pjesë nga bolshevizmi, nga nacionalizmi shqiptar dhe nga një ateizëm primitiv.

Marksizmi ka spjeguar qartë dhe në mënyrë të argumentuar shkencore, që nuk mund të ketë socializëm dhe diktaturë të proletariatit pa proletariat. Në Shqipëri, një vend me 80% të popullsisë në fshat dhe gjithashtu pa pjesë të shoqërisë “të çveshura plotësisht nga pronësia dhe kapitali” nuk mund të kishte përkrahje të ideologjisë marksiste dhe as shtresë njerëzish të interesuar për të vendosur socializmin. Në të njëjtën kohë në Shqipëri shoqëria dhe marëdhëniet ekonomike kishin mbetur tërësisht feudale dhe kishte vetëm disa elementë mikroskopikë të marëdhënieve ekonomike të sistemit kapitalist.

Po si arritën të merrnin pushtetin komunistët (feudo-socialistët) në mesin e viteve ’40?

Edhe Partia Komuniste, e cila drejtoi dhe kontrolloi Frontin nacional-çlirimitar, ishte një grupim njerëzish me ide të paqarta rreth teorisë marksiste. Me përjashtim të Sejfulla Malëshovës, Koço Tashkos dhe Zef Malës, të gjithë të tjerët kishin jo vetëm njohuri shumë të cekëta rreth socializmit dhe komunizmit, por nuk kishin asnjë përvojë as të lëvizjeve sindikaliste apo të lëvizjeve politike të majta. Një pjesë e patën përqafuar si dëshirë për të luftuar fashizmin italian, një pjesë nga urrejtje-zilia për të pasurit dhe një pjesë si mundësi për të ardhur në pushtet dhe për të përfituar prej tij. Dhe bëhet fjalë jo vetëm për fshatarët dhe zanatçinjtë, por edhe për studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve të huaj. Edhe idealistët mes tyre nuk kishin të qartë se si do ndërtohej shoqëria dhe shteti dhe pse duhet të ndiqeshin idetë komuniste.

Pushtetin komunistët e fituan nga që u vendosën përkrah forcave aleate, ndërkohë që kundërshtarët e tyre nacionalistë ishin edhe të paorganizuar mirë politikisht dhe të lëkundur në qëndrimin ndaj Boshtit.

Terrori i fundit të luftës dhe i viteve të para të pasluftës lidhet kryesisht me mentalitetin e prapambetur feudal të shoqërisë shqiptare. Vërtet ndikim kishte edhe nga metodat e Rankoviçit në Jugosllavi, por terrori i çlirimitarëve shqiptarë pat nisur më herët, madje ishte kritikuar edhe nga emisarët jugosllavë në Pleniumin e Beratit. Ishte rrjedhojë e mendësisë të hakmarrjes dhe besnikërisë ndaj prijësve, të dyja këto dukuri tipike të shoqërive feudale. Terror të ngjashëm në vitin e fundit të luftës patën ushtruar edhe kundërshtarët e çlirimtarëve, madje ballistët ishin edhe më të prapambetur se jo vetëm ishin kundër pjesëmarrjes së grave në luftë, por çetat e tyre edhe kishin përdhunuar femra në fshatrat e lidhura me Frontin.

Në njëfarë mënyre fitimtarët e luftës dhe të pushtetit më 1944 dhe 1945 nuk dinin ç’të bënin me pushtetin e fituar. Nuk kishin as përvojë qeverisëse dhe as ide të qarta. Ndaj edhe veprimtaria e tyre ishte mbrojtëse dhe shkatërruese. Si shkatërrues ata vranë me gjyqe të sajuara dhe pa gjyqe një numur shumë të madh kundërshtarësh politikë, klerikësh katolikë, por edhe pjestarë të Frontit që kundërshtonin qëndrimet e tyre ekstremiste. Si  mbrojtës ata përndoqën formacionet e armatosura të kundërshtarëve kryesisht në Veri të vendit, për të mbrojtur pushtetin që posa kishin shtënë në dorë. Me përjashtim të nismave për zhdukjen e analfabetizmit dhe të reformës agrare, nuk kishte asgjë revolucionare dhe në dobi të shoqërisë shqiptare. Tatimet e jashtëzakonshme për fitimet e kohës së luftës dhe persekutimi i shtresave të pasura dëmtoi shumë ekonominë e vendit dhe mundësinë për një rimëkëmbje të shpejtë. Nga ana tjetër as kredi nuk mund të merrnin nga amerikanët për shkak të qëndrimeve thellësisht antidemokratike të kundërta me ato që kishin premtuar.

(vijon) 

Tuesday, 11 January 2022

Banesa kolektive me “lëmashk”


Të gjithë arkitektët gabojnë. Edhe më të mirët mes tyre. Ndaj ka një lloj etike për të qënë I kujdesshëm ndaj veprave të kolegëve, sepse duhet më parë të njohësh arsyet përse projektuan një objekt të veëantë në një mënyrë, që përgjithësisht konsiderohet e gabuar.

Unë nuk di se cili ose cilët janë autorët e një banese kolektive, e cila do ndërtohet së shpejti në zemër të Korëës, në rrugën dikur të shpallur muze, (rr. “Jovan Cico Kosturi”). Kritikat e para kryesisht lidhen me afërinë që ka me Mësonjtoren e Parë, por objekti ngrihet në një zonë që është jo vetëm qëndrore, por dhe me cilësi arkitekturore të spikatura, ndaj projektimi i tij është në vetvete delikat. Kushdo që ta kishte marrrë përsipër do e kishte shumë të vështirë.

Ndërtimet e banesave kolektive në zona të formuluar mirë kanë një shtytje të parë, që është interesi i ndërtuesit dhe pronarit të truallit për të patur një sipërfaqe sa më të madhe ndërtimi të mundshëm për shitje. Nuk ka asgjë të keqe në qëllimin e tyre, por kjo krijon vështirësinë e parë, sepse vëllimet përgjithësisht projektohen si kubike (si format vëllimore më racionale dhe më të lira) dhe nuk mund të jenë në harmoni me objektet përreth. Për më tepër kur rruga “Jovan Cico Kosturi” është një rrugë e ngushtë.

Ç’ka ndodhur me projektin e paraqitur për miratim dhe tashmë të miratuar?

Eshtë zgjidhur mënyra më e keqe vëllimore e mundëshme.

Eshtë trajtuar nga ana arkitekturore në mënyrën më të varfër të mundëshme.

Për t’i mbuluar shëmtinë e fasadës jugore është veshur pjesërisht me lëmashk.

Eshtë shumë e vështirë ta futësh edhe në një kategori apo stil arkitekturor të caktuar. Monotoni ëarjesh vertikale, që duhet të jenë dyer, ballkone të ngjashme me ato të godinave të plazheve të kohës së Diktaturës dhe një tarracë e “qethur” krejtësisht e patrajtuar.

Përreth ka shumë lloj objektesh nga ato të arkitekturës popullore, të asaj me elementë të neo-klasiëizmit, të stilit rumuno-bizantin, të stilit eklektik dhe deri të brutalizmit, ndërsa objekti që po nis të ndërtohet në vitin 2022 është krejtësisht i varfër dhe pa shprehje.

Pse të ndërtohet kështu?

Pse të miratohet kështu?

Të ndërtojmë më keq se më 1872, se më 1922, se më 1962 dhe se më 1992?

Ndoshta është vonë të bëhen korrigjime, por asnjëherë nuk është e pamundur.


Monday, 10 January 2022

I mbytyri të mbyt!


Deri dje Berishën e kam quajtur një “të vdekur politik”, që ec dhe flet. Më e saktë do ishte që Saliu është një “i mbytyr politik” dhe sikundër thotë populli që “i mbytyri të mbyt”, edhe ai po e shpie në fund të detit gjithë PD-në.

Përpëlitjet e tij nga demagogjia boshe në thirrjet për revolucion, nga shtirja si shpëtimtar i pluralizmit në thirrjet për dhunë, nga sulmet ndaj “Lul Bravës” tek elozhet ndaj “dyerthyesve paqësorë“, janë ekzaktësisht pëpjekjet e dikujt që është gati i sigurt se po mbytet, por kapet me thonj pas çdo trupi që i gjendet pranë për ta marrë edhe atë me vete. Procesi i “mbytjes” së tij ka nisur pa dijeninë e publikut rreth vitit 2019 dhe vitin që shkoi u bë i njohur me shpalljen zyrtare “non grata”.

Por a është “mbytja” e PD-së një tragjedi për shoqërinë shqiptare? A është e vërtetë se demokracia jonë hibride do jetë më keq akoma për shkak të mungesës së opozitës në Parlament? A do thellohet mjerimi i shqiptarëve nën katër vitet e regjimit të Ramës pa opozitë?

Duke nisur nga pyetja e fundit unë mendoj se gjendja e mjeruar e shqiptarëve do mbetet e njëjtë. Madje një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare do kuptojë se kanë shpresuar në një opozitë të rreme, hipokrite dhe po aq të korruptuar sa edhe pozita. Në luftën për pushtet brenda PD-së në këto 4 muaj u hoqën të gjitha maskat dhe njerëzit nuk ushqejnë më iluzione. Po kuptojnë se duhet të merren seriozisht me jetën politike shqiptare dhe të kërkojnë politikanë të rinj.

Përballë qeverisë Rama në Parlament vërtet do jetë një opozitë anemike, e copëtuar dhe pa autoritetin e duhur, por e ngjashme ka qënë edhe më parë, madje për mëse dy vjet opozita nuk ishte pjesë e pushtetit legjislativ.

“Mbytja” e PD-së e parë në një plan historik afatgjatë është një bekim për shoqërinë shqiptare. Një parti pa një ideologji të caktuar, e drejtuar në tridhjet vjet nga një autokrat i sëmurë, i paskrupullt, i aftë për çdo lloj krimi që e mban në pushtet vetëm dëm i sjell vendit. Po mos kishte Berishë nuk do kishte Ramë! Sado e sëmurë të jetë shoqëria shqiptare, brenda saj ka antitrupa që do fillojnë të bëjnë pastrimin hap pas hapi të politikës shqiptare brenda opozitës dhe më pas brenda Partisë Socialiste që kontrollohet plotësisht nga Rama.

Mbytja” e PD-së është i vetmi shërbim që po i bën Shqipërisë “i mbyturi” Sali Berisha.

Po e kemi ndjekur kudo“Dinamon” shoku Vaskë!


Përfshirja e disa hallexhinjve në “gjurulldinë“ e fundit të Berishës më kujtoi një ngjarje shumë të vocërr të 40 viteve më parë në Tiranë. Nuk di pse më ka mbetur në mendje hallexhiu që tha këto fjal[ në dera e Klubit Dinamo, atje ku sot ngrihet një ndërtesë e lartë e njërit prej miqve të të gjithë kryeministrave, Bashkim Ulajt.

Hallexhiu ishte një punëtor shtatshkurtër dhe flokërënë, që si unë dhe shumë të tjerë priste në dera e Klubit për të siguruar një biletë për ndeshjen Dinamo-Ajaks e vlefshme për Kupën e Kampionëve. Shoku Vaskë ishte Vaskë Afezolli, oficer madhor i Ministrisë së Brendëshme dhe shef i klubit sportiv “Dinamo”. “Ajaksi” i viteve ’80 nuk ishte më ai i kohës së Krojfit, Neskensit dhe Hulshof, por ishte një ekip shumë i mirë, me danezët Lerbi dhe Andersen në krye. Nuk di kush na kishte thënë që tek zyrat e Klubit mund të shiteshin bileta, se nuk kishte arsye të gjendesha atje, ndonëse ishte një ndërtesë para të cilës kaloja disa herë në ditë në rrugën nga konviktet për në fakultet.

Tifozi i “Dinamos” ishte i veshur si shumica e punëtorëve të varfër të asaj kohe dhe duket që ishte besnik i ekipit, se jo vetëm e njihte shokun Vaskë, por në zërin e tij kishte edhe një trishtim, që nuk mund ta harroj. Shoku Afezolli nga ana e tij, me nervozizmin e një nëpunësi që do të largojë grupin e padëshirueshëm nga dera e zyrave përsëriste se nuk kishte bileta për të shitur. Të gjithë e dinim që shoku Vaskë na gënjente ndaj prisnim ende me besimin se diçka do ndryshonte dhe me zëmërgjërësi, blloku me bileta të rezervuara mund të shpërndahej edhe mes anonimëve si unë dhe të tjerëve, që nuk mund të siguronin bileta me mik.

Nuk di se si gjeta biletë më vonë dhe e pashë ndeshjen me shokun tim të shtrenjtë Bin Xoxi, por kujtoj që e gjithë tribuna në jug të stadiumit “Qemal Stafa” ishte bosh dhe shoku Vaskë na kishte përcjellë duarbosh kot. Ndoshta edhe besniku i “Dinamos”, që e kishte ndjekur ekipin e zemrës edhe jashtë Tiranës kishte mundur të gjente një biletë për të parë një ndeshje të rëndësishme.

Kujtimi im dhe lidhja me “besnikët” që shpresojnë, ka të bëjë me trishtimin e njerëzve që japin gjithshka për një njeri, ekip, parti ose kauzë dhe si shpërblim marrin përbuzjen. Janë njerëz të pafuqishëm, pa lidhje, pa para, si janë shumica e njerëzve në çdo vend, por që shpresojnë tek mirësia njerëzore dhe tek shpërblimi për besnikërinë. Nuk kanë asgjë më shumë se shpresa edhe pse e dinë që i kanë përdorur dhe do i përdorin dhe në të ardhmen ata, të Plotfuqishmit si padronët e shokut Vaskë dhe të tjerët që kanë ardhur pas tyre.

Sunday, 9 January 2022

Për “qëndrestarët” e dhunuar


Ka patur dje dhe sot, disa demokratë të dhunuar nga falangat e Berishës, që po i kujtojnë atij se sa “besëprerë“ është ndaj atyre që e kanë mbështetur në vitin 1997 dhe më pas, që hyjnë në grupin e vetëmburrur të “qëndrestarëve”.

“Qëndrestarët” ose ata që nuk e braktisën Berishën në vitin 1997 dhe më tej janë kategoria më fanatike, më mendjengushtë, më miope dhe më e dëmshme në historinë e dhjetvjeçarëve të fundit të shoqërisë shqiptare. Pa frikë do i barazoja me vullnetarët e Enverit, por me ndryshimin se këta të fundit ishin njerëz, që propaganda shumëvjeçare ju kishte shpëlarë trutë. “Qëndrestarët” e PD-së ose më mirë të Saliut, ishin njerëz të lirë, në një sistem të lirë, që zgjodhën të qëndronin në krah të njeriut që i vuri zjarrrin Shqipërisë në vitin 1997 për të mos lëshuar kolltukun e tij.

Jetëgjatësia e Berishës në politikën shqiptare dhe gjurullditë e vazhdueshme të tij i kemi peshqesh pikërisht nga “qëndrestarët”. Mes tyre ka patur antikomunistë të vendosur, ka pasur edhe njerëz që nuk e bënin për interesa materiale, ka pasur edhe të çoroditur, ka pasur edhe dinakë. Emrat janë të shumtë, por mes më të njohurve janë Genc Pollo, Jozefina Topalli, Mero Baze, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Bamir Topi, Ed Paloka, Bujar Nishani,  dhe shumë prej pasuesve të sotëm të Bashës si Roland Bejko me shokë.

Në vitet kur PD-ja ishte në krizën e saj, “qëndrestarët” mburreshin se ishin besnikë, pa arritur të kuptonin se besnikëria e tyre ishte e llojit të besnikërisë në Feudalizëm, si vasalët ndaj sovranit të tyre. Dhe sovrani nuk ishte as populli shqiptar, as konservatorizmi, as antikomunizmi, por Berisha. Të sipërpërmendurit jo vetëm që nuk ishin në gjendje të shihnin se ç’bëri Berisha më 1997, por  trumbetonin edhe gënjeshtrat e tij për kundërevolucionin komunist, lobin grek në Amerikë dhe për komunistët e Klintonit. Dhe në vend të kishim një Berishë të burgosur, ose të paktën të larguar nga politika, e patëm kryeministër për 8 vite të tjera dhe ngatërrestar edhe për 25 vjet të tjera.

Gjatë viteve thuajse të gjithë “qëndrestarët” e provuan në kurrizin e tyre se cili ishte Sali Berisha. Genc Pollo u shkelmua jashtë partisë, Mero Baze u kthye në armiku më i betuar i Berishës, Bamir Topi u damkos si tradhëtar, ndërsa Patozi me Topallin u dëbuan nga PD-ja nëpërmjet Bashës. Por asnjë i vetëm nuk tregoi pendesë për atë që i pat bërë Shqipërisë dhe PD-së më 1997. Që pat mbështetur kriminelin Berisha në krimin më të madh të historisë së Shqipërisë pas Diktaturës.

Asnjë nga të sipërpërmendurit nuk është nga Tropoja dhe nuk e ka bërë për hir të krahinarizmit apo të kompleksit të tribusë. Zaten edhe tropojanët që kanë mbështetur Berishën gjithë kohën e kanë bërë për pushtet dhe para. Sepse kanë përfituar bajagi prej tij.

Diktatorët dhe autokratët nuk mund të ekzistojnë pa besnikë të verbër. “Qëndrestarët” janë të tillë besnikë të verbër, të cilët më pas i rrahin, i pushkatojnë ose i damkosin kur dëshmojnë lëkundje në verbërinë e tyre.

Ç’farë të kujtoj (Jorgo Dalara- Ti na thimitho)

Fëmijë isha edhe unë

Tërhiqja pikaleckat nga pas

Më ndoqën, s’më lanë në gjumë

Rrugëve të qytetit të madh.

Vrapova nuk dija ku të futem

Gërmadha dhe thika përreth

Vetminë mbartja mbi supe

Dhe shputave zjarrin që djeg.

 

Më jepni pak ujë të më ikë etja

Dhe një gur kokën për të mbështetur

Ç’farë të kujtoj dhe të fshij nga mendja

Nga ato lemeri që kam hequr.