Sunday, 12 December 2021

Si mund të krijohet një opozitë kundër Ramës?


Shqipëria ka nevojë për një opozitë ndaj Ramës dhe partisë së tij, e cila është në pushtet. Eshtë më mirë të thuash se janë të nevojshme dy lloje opozite, njëra e Majtë dhe tjetra e Djathtë, pasi vetë Rama nuk ka dhe as nuk ndjek një program të caktuar ideologjik. Partia e tij është një repart i përbërë nga karrieristë, opportunistë dhe fanatikë, të cilët janë në gjendje të sigurojnë vota të mjaftueshme për t’a mbajtur në pushtet.

Eshtë e domosdoshme krijimi i një partie, ose lëvizjeje të natyrës social-demokrate, e cila do kërkojë me ngulm krijimin dhe funksionimin e sindikatave, decentralizimin e pushtetit, mbrojtjen e minoriteteve dhe mjedisit dhe mbi të gjitha mbrojtjen e interesave të punonjësve dhe shtresave në nevojë. Nuk ka parti në Shqipëri , e cila e bën këtë dhe Rama jo vetëm ndjek një politikë në favor të ashtuquajturve “oligarkë“, por edhe shprehet hapur që është kundër lëvizjes sindikaliste.

Po në të njëjtën shkallë është e domosdoshme të krijohet një parti (lëvizje) e djathtë e cila të bazohet në vlerat e konservatorizmit atlantik dhe që ka si shtylla lirinë ekonomike, aparatin shtetëror të vogël e të decentralizuar, taksat e ulëta dhe mbrojtjen e vlerave të familjes dhe shoqërisë shqiptare. Partia Demokratike edhe pse hiqet se është e tillë, në praktikë ka treguar se është shumë larg këtyre vlerave.

Duket si një punë titanike, e cila kërkon kohë, njerëz dhe mjete financiare, por është e vetmja mundësi për të mos i zgjatur jetën këtij regjimi kleptokratik. Ndoshta sytë duhen hedhur jo shumë larg, por në Kosovë, ku me gjithë problemet, duket se spektri politik është më I plotë dhe ka forca në të dy krahët që i kundrvihen politikanëve hajdutë të 15 vjetëve të fundit.

Për fat të keq këtë gjë shumë pak e kuptojnë në Shqipëri mes atyre, që flasin me zë të lartë dhe i dëgjojnë. Edhe analistë të paanshëm dhe kundër Ramës si Fatos Lubonja, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati e kanë më të lehtë të kritikojnë ambasadoren amerikane dhe Departamentin e Shtetit, se sa të mobilizojnë mendërisht njerëz me orientime të ndryshme politike kundër armikut të vërtetë të demokracisë shqiptare, që është kleptokracia pa parime ideologjike.

Nëse do të rrëzosh Ramën, nuk mund të mbrosh as Bashën, as Berishën dhe as Metën dhe aq më pak partitë e tyre. Duhet të dalësh në televizione dhe rrugë si Bepe Grilloja para 15 vjetësh në Itali dhe të klithësh “Të gjithë në shtëpi!”

Klasa ekzistuese politike shqiptare është thellësisht e korruptuar dhe pa asnjë lloj parimi!

Nuk ka se kë të përzgjedhësh me Ahmetajve, Çuçëve, Pollove, Braçeve, Dumave, Peleshëve, Kryemëdhenjve, Veliajve, Bylykbashëve, Topallëve, Spahijve e me rradhë.

Nëse shoqëria shqiptare nuk është në gjendje të krijojë ende një lëvizje të tillë, atëhere do duhet të presim deri në bashkimin me Kosovën për t’u emancipuar politikisht.

Ndoshta nuk do jetë më larg se pas 10 vjetësh!


Saturday, 11 December 2021

“Varrimi” i çuditshëm i Sali Berishës


“It’s the final countdown” (Eshtë i fundit numërim) ishte shtylla zanore e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të PD-së për të rizgjedhur Sali Berishën në krye të partisë së tij. Numurim zakonisht i përdorur për lëshimin e anijeve kozmike në hapësirë, që përkon me “groposjen e kufomës politike” të doktor Berishës.

Me një entusiazëm të zakonshëm të “foltoreve”, ose të ritualeve të tjera të përmortshme për të përcjellë figurën e Berishës në përjetësi, shqiptarët që vetquhen të djathtë, me një devocion që të sjell në mendje daljet dhe përcjelljen e Enver Hoxhës, votuan për të gjitha dëshirat e fundit të “të ndjerit politik”.

Në mënyrë të ngjashme me ceremonitë funebre në vendet perëndimore dhe sidomos në Amerikë, të pranishmëve ju paraqit edhe një “video-nekrologji” e 31 viteve të fundit të Berishës në politikë, ku spikasnin takimet me presidentët republikanë amerikanë. Një natë më parë edhe vetë Berisha në një ndërhyrje në emisionin “Opinion” të Fejzos, fliste për veten në vetën e tretë duke deklaruar se kush ishte Sali Berisha, ç’kishte bërë Sali Berisha dhe ç’do të bënte Sali Berisha.

Të binte në sy, se si në të gjitha varrimet shqiptare (sidomos të sekteve myslimane) shumica dërmuese ishin burra të veshur me xheke të zeza, por mungonin klerikët. Nuk mund të thuhet me saktësi se si ishte përqindja e grupeve përbërës të këtij manifestimi madhështor funebër, por grupet ishin si më poshtë:

·         Berihaistët – ata që shkojnë gjithnjë pas berihajt duke menduar se tani do ndodhë diçka e madhe që do ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

·         Dinakët- ata që mendojnë se mund të përdorin “të vdekurin politik” për të hequr qafe Bashën dhe më pas të marrin në kontroll PD-në dhe bashkë me të favoret që sjell politika nëse do qeverisin një ditë.

·         Budallenjtë - ata që nuk ndryshojnë dot kurrë mendje dhe këtë e quajnë si forcë të karakterit.

E pranishme ishte edhe “ndërkombëtarja” Evi Kokalari Angelakis, si përfaqësuese e Trump, ose si quheshin këto detyra në kohën e Napoleonit- “komisarja e jashtëzakonshme”.

Berisha e kishte përgatitur ngutshëm “varrimin e tij politik”, sepse kishte shumë gjëra që stononin, por dihet që në funerale bëhen gjithnjë gabime, se janë të papritura dhe nuk ka shumë kohë të përgatitesh. Ceremoni më të vogla do ketë për të 7-tat, të 40-tat, 6 muajt dhe deri sa të bëhet një vjetori dhe më pas emri i Berishës do mbetet në përjetësi si bashkëkryetar nderi i PD-së me tropojanin tjetër Azem Hajdari.

Çfarë do ndodhë me Bashën?

Tashmë Basha është një tjetër “kufomë politike”, por ende jo i gatshëm për të organizuar “funeralin” e tij, me shpresë se vizita në SHBA do e kthejë nga një manekin dylli në një udhëheqës karizmatik politik.

Ngushëllime familjes demokrate!

Bota “e errët” e telefonave të dhjetorit 1990 (fund)


 (vijim)

Sot është më i mundshëm një gjykim pa emocione edhe pse me shumë hamendësi për ato çka ndodhën në Tiranë dhjetorin e vitit 1990. Një pjesë e mirë e protagonistëve kanë vdekur dhe ata që janë gjallë nuk duan të hedhin dritë mbo atë që në të vërtetë ka ndodhur, ku përfshihen telefonatat, takimet sekrete, udhëzimet e njerëzve me lidhje të drejtpërdrejta me Ramizin dhe njerëzit e afërt të tij. Por ka një dukuri, e cila nuk përmendet kurrë dhe që për mendimin tim është sinjifikative, sepse ndryshon nga fazat e tjera historike të Shqipërisë. Shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk u përzjenë dhe as nuk u ftuan kurrë të merrnin pjesë në ndryshimet politiko-shoqërore të vendit.

Ndryshe nga ç’kishte ndodhur gjatë Rilindjes Kombëtare dhe pas Luftës së Parë Botërore, ku shumë atdhetarë shqiptarë kishin lënë Kairon, Bulureshtin, Stambollin dhe Amerikën për të ngritur lëvizjen dhe shtetin kombëtar, asnjë atdhetar shqiptar me banim në Kosovë, Zvicër, Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara nuk u përfshi në ndryshimet që zunë fill në dhjetor të vitit 1990. Ata që drejtonin opozitën u kujdesën që askush nga jashtë, që mund të njihte më mirë pluralizmin partiak, ekonominë e tregut apo marëdhëniet parlament-qeveri etj. të bëhej pjesë e opozitës. Sigurisht që kjo ishte edhe dëshira dhe ndoshta porosia e komunistëve të Ramiz Alisë. Kampet politike do mbeteshin tërësisht pronë e atyre që jetonin brenda vendit. E njëjta dukuri vazhdon të jetë në fuqi edhe sot në Shqipëri, ku të dy partitë kryesore i tremben si djallit, diasporës shqiptare.

Atdhetarët shqiptarëqë jetojnë jashtë përgjithësisht janë më mendjehapur, më tolerantë dhe më pak të manipulueshëm se ata që jetojnë brenda vendit. Eshtë e vështirë t’i mbash në kontroll duke ju bërë shantazhe me dosje apo me kërcënime të tjera. Ndaj edhe peisazhi politik shqiptar është shumë herë më i varfër se ai i fillimit të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Mungojnë personalitetet e shkolluara mirë dhe me integritet. Nëse tani nuk mund të bëhet më fjalë për “telefonata” nga Sigurimi i Shtetit, apo nga “shoku filan” i Komitetit Qëndror, trysnitë vijnë nga mesazhet dhe telefonatat e atyre që janë pranë Edit dhe Saliut apo pranë Metës dhe Bashës.

Lëvizja prokapitaliste në Shqipëri u mboll keq dhe nga duar të këqija.

Gjithashtu nuk ka qënë asnjëherë e lirë, edhe pse mund të ketë patur periudha të një kontrolli kaotik. Një kontroll i plotë nga një kupolë e vetme nuk ka qënë asnjëherë i mundur, por ajo u drejtua në një shtrat të caktuar, i cili nuk e lejonte të jepte rezultat e duhura në të mirë të shoqërisë shqiptare. Një privatizim shumë i keq, një praktikë e kthimit të pronave shumë e keqe, një dekomunistikim shumë i keq i shoqërisë, bënë që vendi për 30 vjet të mbetej në një gjendje të amullt korrupsioni dhe krimi të organizuara, e cila ka bërë që mos rreshtë asnjë çast dëshira e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi.

Si përfundim duhet thënë hapur:

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

Një vend I vogël dhe i varfër, me një histori shumë të shkurtër të shtetit dhe të pluralizmit, me një traditë të dobët të pushtetit juridik, i izoluar gjatë nga bota e huaj, me një “tekstil” të çoroditur shoqëror, i kontrolluar deri në qelizë nga Partia dhe Sigurimi nuk mund të “prodhonte” një shoqëri të emancipuar, të hapur dhe të lirë, të ngjashme me ato të vendeve të Europës së Veriut.

Pjesët kryesore të shoqërisë shqiptare kanë të nevojshëm “idhujt drejtues” dhe porositë që ju vijnë direkt dhe indirekt nga ata. Mungesa e klasave dhe shtresave shoqërore, si dhe ndryshueshmëria e shpejtë e tyre bëjnë që individët mos ndjehen kurrë të lirë dhe të sigurt. Këta individë nuk janë në gjendje të mendojnë e të veprojnë me kokën e tyre, por do presin gjithmonë se ç’udhëzim do ju vijë nga lart dhe që përputhet me interesat e tyre imediate.

Ndaj edhe pse duhet nderuar lëvizja që lindi për kaldajën e Qytetit Studenti dhe për mungesën e dritave, ajo duhet zbritur nga piedestali ku e kanë vënë sepse ishte e manipuluar, e kontrolluar dhe rezultoi në një Shqipëri me kaldaja dhe me drita, por nga e cila njerëzit vazhdojnë të ikin.

Këtë ka bërë “bota e errët e telefonave”

Friday, 10 December 2021

Bota “e errët” e telefonave të dhjetorit 1990 (2)

 


(vijim)

Me një fjalë nuk kishte deri në prag të dhjetorit asnjë shënjë se po organizohej një grupim politik apo një lëvizje as mes intelektualëve në Tiranë, as mes të rinjve dhe as mes të deklasuarve dhe të përndjekurve për të ndjekur shembullin e shoqërive të Europës lindore. Çdo sinjal pritej nga lart, kryesisht nga Ramiz Alia dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt. Ishin po nga lart ku thurreshin mesazhet kontradiktore jo zyrtare se “Ramizi do të bëjë ndryshime po nuk e le Nexhmija me konservatorët”, “të huajt nuk do ndërhyjnë në Shqipëri se duan ta lenë si shembull negativ të sistemit socialist për popujt e tjerë“ dhe “ne nuk jemi as Lindje dhe as Perëndim.”

Por sigurisht që gjatë gjithë vitit kishin “valuar” telefonat e zyrave dhe ato të shtëpive me këshilla, porosi, presione, urdhëra, sugjerime dhe vjelje mendimesh apo edhe përgatitje skenarësh.

Fakti ishte që 99% e popullsisë të qyteteve, përfshi edhe vetë fëmijët e byroistëve ishin të pakënaqur dhe prisnin reforma rrënjësore për të përmirësuar gjendjen ekonomike.

Mund të thuhet me siguri se në qarqet e larta të Partisë nuk ekzistonte mundësia e një komploti për të rrëzuar ose vrarë Ramiz Alinë, sepse edhe ata më konservatorët e dinin gjendjen e mjerueshme të thesarit të shtetit dhe pamundësinë për të marrë diku ndihma ekonomike që t’i mbanin më këmbë. Ndaj hezitimi për të bërë reforma vinte nga pavendosmëria e Alisë, si edhe nga një stepje dhe mosorganizim i gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare. Në mbledhjen e gushtit me intelektualët(thuajse të gjithë komunistë), dukej që Ramiz Alia mezi priste ngritjen e tyre në grup për të kërkuar pluralizëm, por frika dhe padija e tyre nuk i linte të kërkonin në kor vendosjen e pluralizmit politik dhe rihapjen e institucioneve fetare. Çuditërisht Ramiz Alia e bëri këtë lëshim shumë shpejt pas takimit me studentët në dhjetor të atij viti, pra katër muaj më vonë.

Po si ndodhi që javën e parë të dhjetorit, studentët konviktorë u ngritën në një protestë, që vetëm në pak ditë do sillte ndryshimin e historisë së Shqipërisë?

A luajti rol “bota e errët e telefonave” në Tiranë?

Nga dokumentat sekrete të Ministrisë së Brendëshme rezulton se gjatë nëntorit ka sinjalizime nga Drejtoria 3 e MPB, për një revoltë të mundshme të konviktorëve gjatë festimeve për 28-29 nëntorin. Studentët u dërguan në shtëpi për festat dhe festimet në Tiranë u bënë të kufizuara. Regjimi po mundohej të orientohej në situatat e reja ndërkombëtare dhe duke pritur sidomos zhvillimet në Bashkimin Sovjetik, ku popullariteti i Gorbaçovit ishte në rë rënie. Gjithashtu vëmendja botërore nuk ishte e drejtuar aspak ndaj Shqipërisë për shkak edhe të Luftës së Gjirit me Sadam Hyseinin.

Ndaj edhe lëvizja studentore ose ishte krejt e rastësishme, ose duke parë se ç’rezultate arrriti në një kohë të shkurtër, ishte e organizuar nga segmente të regjimit për t’i dhënë mundësinë Alisë të dilte në njëfarë mënyre nga qorrsokaku politiko-ekonomik në të cilin ishte futur Shqipëria. Eshtë interesante se protestat e organizuara nuk filluan nga rinia studentore e Tiranës, që ishte edhe pjesa më e përparuar dhe më e mirëinformuar e rinisë shqiptare.

Kishte një kontradiktë, që regjimit edhe i duhej kohë për të zgjatur ndenien në pushtet, por njëkohësisht vështirësitë ekonomike po bëheshin të padurueshme për popullsinë dhe zgjatja e kohës nuk e ndihmonte klikën në pushtet. Miopia politike e Alisë, Foto Çamit, Piro Kondit, Sofokli Lazrit dhe të tjerëve, që konsideroheshin si më liberalë mes komunistëve ishte shumë e pakuptueshme. E tillë që sot, kurora e dafinave si shpëtimtarë të Shqipërisë ju atribuoet Azam Hajdarit, Arben Brocit, Akli Fundos, Shenasi Ramës apo Tefalin Malshytit dhe të tjerëve pas tyre. Asnjëri nga të sipërpërmendurit nuk mund të kishte formimin filozofiko-politik për të udhëhequr një “lëvizje revolucion”, që brenda tre ditësh arriti një sukses , të cilin as vetë studentët nuk e kishin menduar.

Bashkimi i disa pedagogëve me studentët nuk mund të ishte një veprim krjetësisht spontan dhe i pavarur nga “telefonat”. Sali Berisha, Gramoz Pashkoja ishin anëtarë partie dhe me plot lidhje miqësore dhe farefisnore me bllokun. Lidhje të ngjashme kishin Arben Imami, Genc Ruli dhe ndonjë tjetër. Mes lidhjeve të “klanit tropojan” të Mehmet Elezit u afruan edhe Besnik Mustafaj dhe tropojanë të tjerë. Ishte një ndryshim i nisur thuajse nga Hiçi. Nga mbajtja e protestës të izoluar në Qytetin e Studentit dhe në dekretimin e menjëhershëm të pluralizmit dhe formimin e partisë së parë opozitare, ishte një ortek politik shumë i çuditshëm dhe i pakrahasuar me ndonjë ngjarje tjetër të ngjashme në botë. Më pas, me ndërhyrjen e “telefonave” u formua partia e dytë opozitare nga Sabri Godo dhe Vangjush Gambeta, dy intelektualë që nuk ishin thirrur në takimin e gushtit, po me lidhje me Ramiz Alinë me shokë.

“Telefonuat” funksionuan për të ngritur degët e PD-së në rrethe atë dhjetor. Në Korçë, dy organizatorët e degës së PD-së dhe më vonë deputetë ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. E njëjta tablo ishte edhe në disa qytete të tjera të mëdha. Ndaj si e konstatuan me të drejtë në atë kohë disa dissidentë të vërtetë si Kasëm Trebeshina “fëmija kishte lindur i vdekur”. Nuk ishte fjala vetëm për PD-në por për të gjithë lëvizjen opozitare.

(vijon)

Thursday, 9 December 2021

Bota “e errët” e telefonave të dhjetorit 1990


E kujtoj thuajse shumë mirë atë ç’ka ndodhi në dhjetorin e vitit 1990, të pasqyruar ato ditë nga televizioni shqiptar, gazetat dhe bisedat me miqtë, por asnjëherë nuk kam ditur dhe nuk kam mundur të mësoj se ç’thuhej telefonave dhe në kulisa të tjera të errëta të Komitetit Qëndror, Presidencës dhe Ministrisë së Brendëshme.

Bota “e errët” e telefonave ka qënë pjesë e rëndësishme e jetës shqiptare nën Diktaturë dhe në vitet e para të tranzicionit. Nëpërmjet saj jepeshin porositë, që nuk duhet të ishin të dokumentuara me shkrim. Telefona kishte vetëm në zyra dhe në shtëpitë e funksionarëve të lartë dhe të mesëm, si dhe të njerëzve të zakonshëm që punonin në sektorët e urgjencave si ata të shëndetsisë, zjarrfiksave, telekomunikacionit dhe të ushtrisë. Ishte një përqindje e vogël e popullsisë. Por edhe familjet me telefona, edhe pse përgjithësisht të besuara të regjimit, nuk flisnin hapur telefonave se e dinin që mund të përgjoheshin lehtësisht. Një pjesë jo e vogël e çentralisteve punonin për Sigurimin e Shtetit, përveç pjesës të Degëve të Brendëshme, të cilat punonin veçanërisht për përgjimet.

I gjithë viti 1990 ishte një vit thuajse absurd dhe pa trajtë, sepse regjimi i kishte bërë të gjithë tërësisht të pakënaqur, të gjithë shtetet e Europës Lindore po kryenin transformimin e shtetit-parti, e megjithatë brenda Shqipërisë ishin të pakët ata që e kuptonin se sa mund të rezistonte Ramiz Alia me Byronë Politike. Këtë ndoshta nuk e dinte as Alia vetë, sepse sinjalet e atij viti edhe nga lart ishin shumë kontradiktore. Megjithëse e dinte që arkën e shtetit e kishte bosh dhe kredi nuk mund të merrte pa kushte nga Perëndimi, megjithëse njerëzve ju mungonin edhe ushqimet bazë dhe nuk mund të shkonte shumë kohë pa një revoltë, përsëri me pavendosmërinë e tij për të përcaktuar se ç’ishte në dobi të tij, të familjes dhe të gjithë byroistëve, Ramiz Alia lëkundjes mes domosdoshmërisë për të bërë reforma të kontrolluara dhe sigurisë që i jepte kontrolli mbi organet e dhunës dhe ushtrinë.

Në vija të trasha pak a shumë kronika politike e vitit 1990 ishte e tillë:

·         Janar 1990, në Shkodër ishte lajmëruar një revoltë e organizuar për rrëzimin e bustit të Stalinit, por që u ndalua nga organet e Ministrisë së Brendëshme.

·         Prill 1990, Zëri i Popullit boton shkrimin e Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur”, që bënte thirrje për reforma në shumë fusha të jetës shqiptare. Flitej se artikulli ishte bërë me porosi të Ramizit.

·         Maj 1990, Sekretari I Përgjithshëm i OKB-së Perez viziton Tiranën dhe menjëherë lejohen të largohen nga Shqipëria, familja Popa, që kishte kërkuar strehim politik në ambasadën italiane prej vitit 1985.

·         Maj 1990, gazeta “Drita” boton një artikull të guzimshëm të Sali Berishës për rolin e intelektualëve në ndryshimet e domosdoshme filozofike dhe kulturore në Shqipëri.

·         Qershor 1990 vazhdojnë arratisjte nga Shqipëria dhe përpjekje për të hyrë në ambasadat e huaja.

·         2 Korrik 1990 me mijra njerëz hynë në ambasadat e huaja në Tiranë, një pjesë e mirë bazuar në lajme që u hapën gojë më gojë ose nëpërmjet telefonave. Asnjëherë nuk u mësua se nga ishte burimi i atij lajmi dhe i atij organizimi.

·         Në mes të korrikut, pas largimit për në Gjermani, Itali dhe Francë të shqiptarëve që hynë në ambasadat, Komiteti Qëndror organizoi një miting kundër tyre, ku u detyruan forcërisht të merrnin pjesë punonjësit e Tiranës, një miting i dështuar, pa asnjë brohoritje, ku u pa qartë se e gjithë Tirana ishte në anën e të arratisurve. Në emër të intelektualëve me siguri nuk kishin pranuar të flisnin Kadareja dhe Agolli, se me kokën e ulur fjalën e mbajti Kiço Blushi, një njeri i kalibrit mesatar në fushën e arteve dhe kulturës.

·         Gusht 1990, Ramiz Alia bën mbledhje me intelektualët kryesorë të Tiranës ku kundërshton çdo ide për pluralizën politik, por edhe vetë intelektualët duken fare të mpirë, përfshi këtu edhe Kadarenë, i cili si ka shkruar vetë i kishte dërguar në pranverë një letër të gjatë për të bërë reforma.

·         Shtator 1990, Ramiz Alia shkon në Nju Jork për të mbajtur fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku nuk jep asnjë shënjë se do ndjekë rrugën e reformave që po kryenin vendet e tjera të Europës Lindore.

·         Tetor 1990, Kadareja kërkon familisht strehim politik në Francë, si kundërshtar i regjimit të Ramiz Alisë.

·         Nëntor 1990, mbahet Konferenca e Talenteve të Reja në Korçë, ku as Foto Çami dhe as Dritëro Agolli nuk tregojnë ndonjë shënjë se regjimi mund të ndryshonte shpejt. Edhe kërkesat e letrarëve dhe artistëve të rinj ishin të zbehta dhe kryesisht të karakterit të ndihmës ekonomike.

 (vijon)

Wednesday, 8 December 2021

“Moj kasolle, ku na mblodhe!”

Ngjarjet politike të këtij fundviti në Tiranë, konfirmuan atë ç’ka flitet prej vitesh, që në Shqipëri nuk ka një parti të djathtë (ose të qendrës së djathtë), por një parti e drejtuar nga një njeri pa asnjë parim të qartë ideologjik, i cili veç ka ditur të mbajë në kontroll një grumbull kaotik njerëzish, ku përfshihen ish- të persekutuar, ish-sigurimsa, biznesmenë që kanë bërë para në kohët e Saliut dhe plot budallenj që e quajnë veten antikomunistë, por në veprime kanë mungesën e tolerancës dhe ashpërsinë kokëfortë të komunistëve.

Këto ishin “foltoret e Saliut”, si prova të shfaqjes së të shtunës, të cilën do e quaja pa frikë “Moj kasolle ku na mblodhe!”

E quaj të tillë jo se besoj në Basha dhe njerëzit e tij dhe as në “kasollja” që ai do mbledhë(nëse ndodh) pas një jave. Por se disa grimca të vogla, që kam parë nga foltoret e Berishës dëshmojnë për demagogji të pastër, gënjeshtra të paturpshme, ndjekës fanatikë të një udhëheqëai të korruptuar dhe gënjeshtar, nënshtrim të plotë të personaliteteve individuale dhe thirrje histerike kundër “tradhëtarëve”. Janë të ngashme me aktivet e partisë, që demaskonin Koçi Xoxen dhe më pas Tuk Jakovën, Liri Belishovën, Todi Lubonjën, ushtarakët puçistë e me rradhë. Udhëheqësi i ideonte dhe një grup i madh lakejsh kujdesej që të ishin të organizuara mirë, me frymë luftarake dhe me devotshmëri ndaj idealit dhe Udhëheqësit.

Nuk ngrihet kush të thotë “Ti deri tre muaj më parë na detyrove të rizgjidhnim këtë humbës të përhershëm, për të cilin thua tani se është i ngatërruar edhe në skandalin e milionave të makinës Toyota.” Nuk ka njeri në Shqipëri , që nuk e di se Basha ishte kukulla e Saliut, që çdo veprim i tij kishte marrë miratimin e Berishës dhe që dhjetra demokratë që kishin poste të larta u larguan nga PD-ja pikërisht se Saliu mbështeti pa asnjë kusht Bashën. Edhe Enver Hoxha që kontrollonte çdo gjë në Shqipëri, mundohej të sajonte ca komplote më të besueshme kur zbulonte tradhëtarët mes shokëve të tij.

E keqja më e madhe e Shqipërisë, qëndron në faktin se shoqëria shqiptare nuk ka lëvizur asnjë centimetër para nga gjendja në të cilën ka qënë në vitin 1945. Eshtë po aq e paemancipuar, po aq lehtësisht e manipulueshme dhe po aq e gatshme të linçojë më të dobëtit e të mbajë anën e diktatorëve të vegjël. E njëjta gjë ndodh në partinë më të madhe, e cila është në pushtet, por atje mund të justifikohet me frymën në vazhdimësi të Partisë së Punës.

Po këta antikomunistët?!

Nuk ju mjaftuan Pashkoja, Demeti, Selami e të tjerë të demaskuar dhe përjashtuar prej Saliut si “Juda”, për të kuptuar se ka diçka që nuk shkon?

Si e kam përmendur edhe më parë, prishja e Partisë Demokratike është në dobi të shoqërisë shqiptare, por tani edhe këtë e ve në dyshim, se ka pak të ngjarë që këto katër breza (baby-boomers, brezi X, milienarët dhe brezi Z) të ndryshojnë mendësinë e tyre materialist0-komuniste. Eshtë tejet e vështirë të formohet një parti e djathtë liberale, sipas koncepteve politike dhe shoqërore europiane. Mendësitë e shëndetshme shoqërore mund të prishen brenda një brezi, por duhen të kalojnë disa breza për t’u krijuar. Njëlloj si për ndërtimin e një katedraleje gotike. Për fat të keq, mendësia mbizotëruese e sotshme në Shqipëri i ngjan një kasolleje me shkopinj dhe kallama.

Tuesday, 7 December 2021

Puthja

Mes shtrojeve të akulluara

Na ngrohu puthja.

A ishte i vetmi ishull vullkanor

Në atë pafundësi të bardhë?

Majat e gishtave mardhur

I lëvizte ngutja,

Të fshehtat vende për të prekur,

Për të bashkuar ç’ka ishte ndarë.

Hëna e marrosur

Përplaset në të liqenit cipë,

E plasarit.

Buzët thithin ngrohtësinë e jetës,

E përcjellin skajeve.

Nuk mund të ndahemi

Shtrojet janë të akullta

Ndaj mbetemi tërësisht ngjit.