Tuesday, 10 August 2021

Tereza Kesovija vs Goran Bregoviç


Lasgush Poradeci pëlqente të përsëriste thënien “Arti ka vetëm një cilësi –Të parë“. Eshtë më se e vërtetë, por po aq edhe sa fakti që ka një renditje të artistëve në gjenij, të jashtëzakonshëm, të mëdhenj dhe …artistë.

E bëra këtë hyrje disi kontradiktore për tu marrë me një fragment të një çështje mjaft të gjerë dhe që do shumë kohë dhe vend për tu diskutuar dhe që është raporti midis popullaritetit të artistit dhe cilësisë të artit të tij. Mora shkas nga një shënim i shkurtër i një simpatizuesi gjysëm të fshehur të Hitlerit, i cili aludonte se Tereza Kesovija është shumë herë më e madhe si artiste se “Bregoviç-ët e politizuar të Festës së Birrës”.

Gjithkush ka të drejtë të preferojë një lloj arti ndaj një lloji tjetër, një lloj artisti ndaj një artisti tjetër, por është e rëndësishme që kur bën deklarata krahasuese në publik, pavarësisht nga preferencat që ke, duhet të “gërmosh” pak për të mësuar se kush është Goran Bregoviç dhe a qëndron vërtet kaq poshtë “këngëtares me kulturë franceze-kroate Tereza Kesovija”.

Mjafton karriera e tij si kompozitor i kolonave sonore të mbi 30 filmave, që të perceptosh vlerat e tij si muzikant. Dhe janë filma jo vetëm të regjisorëve sllavë, por edhe të të mirënjohurve Pedro Almadovar dhe Filip Rusëlo. Si asnjë kompozitor dhe muzikant tjetër ballkanas dhe sllav, ai ka bërë të njohur në rrethet më të larta të muzikës bashkëkohore meloditë me motive ballkanase. Nuk po zgjatem me këngët, koncertet dhe bashkëpunimet e tij muzikore me shumë yje të muzikës europiane dhe vlerësimet e profesionistëve për to.

Tereza është padyshim këngëtarja më e njohur dhe më e sukseshme e Jugosllavisë së Titos dhe para viteve ’70 ka pasur edhe një karrierë të shkurtër, por të sukseshme në Francë. Gjithashtu turnetë e saj në Europë kan qënë shumë të sukseshme. Por bëhet fjalë për një këngëtare shumë të mirë të muzikës së lehtë dhe jo për një muzikante. Të krahasosh nivelin e saj artistik dhe njohjen në botë me atë të Goran Bregoviçit është si të krahasosh Minan me Enio Morriconen.

Simpatizanti gjysëm i fshehtë i Hitlerit, ashtu sikurse dhe idhulli i tij, ka prirje të pëlqejë rryma arti të cilat koha i ka lënë pas dhe njëkohësisht të ndikohet nga preferencat politike për të gjykuar artistët.

Bregoviçi nuk ka nevojë për Korçën dhe Festën e Birrës, por është Korça, e cila ka nevojë për të. 

Armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm…


Në kohën e fëmijërisë dhe rinisë sonë “armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm” u përpoqën të na sabotonin, sulmonin, diversonin, helmonin, në funksion të marrjes së pushtetit nga duart e popullit, por dështuan në sajë të “udhëheqjes së partisë“, “unitetit parti-popull”, “vigjilencës revolcionare” dhe “armës së dashur të popullit- Sigurimit të Shtetit”.

Nuk di nëse “armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me ata të brendshëm” morrën leje të zgjatura për disa vitet e para të ndryshimit të sistemit, por ata filluan të gjallërohen prej vitit 1997 dhe kanë arritur kulmin në ditët tona.

Në një takim me zoom për problemin e Mësonjtores së Parë Shqipe në Mars të këtij viti, ish-ambasadori i Shqipërisë në Angli Mal Berisha bëri një deklaratë të fortë, e cila më la të kuptoja shumë gjëra që nuk i dija. Edhe nëse nuk e përcjell “mot a mot” fjalën e tij, pak a shumë ishte: “Ne si komb kemi mbetur pa Teatër Kombëtar, pa Galeri Artesh, pa teatër të Operas…ekzistojnë në Tiranë grupe që financohen nga jashtë për të na lënë pa traditën kulturore dhe një komb pa kulturë…” Sigurisht mendova që formacioni i këtij diplomat-historiani duhet të jetë nga shërbimet inteligjente tonat dhe i mora si të vërteta. Më parë kisha dëgjuar për grupe islamike në Tiranë që financohen nga Arabia Saudite, për grupe terroriste që financohen nga Gylen, për grupe politiko-financiare që financohen nga Sorros, për grupe fundamentalistësh ortodoksë që finanacohen nga Kisha Greke dhe mendja ma merr që do ketë edhe shumë grupe të tjera që finanacohen nga rusët, sërbët, kinezët, mongolët, izraeilitët dhe indianët, për të dobësuar kombin tonë dhe pushtetin demokratik të dalë nga zgjedhjet jo të vjedhura ndonjëherë.

Këto ditë zv.kryeminstri Braçe edhe pse nuk shkon me ministrin Peleshi, ka zbuluar grupe të caktuara që venë zjarret të vëna nga një shtet i huaj Piroman dhe sa të zbulohen dhe të kapen këta duhen dënuar si terroristë sipas tij. Kuptohet që anëtarët e qeverisë sonë kanë burime të sigurta informacioni. Ka grupe terroriste që sabotojnë prodhimin e imonikëve, që nxitin ndërtimet pa leje, që tentojnë zhdukjen e pelikanit kaçurrel, që nxitin prodhimin e kanabisit, që prishin shtretërit e lumenjve dhe që nxjerrin shitës ambulantë qepkash pa lejë në kryeqytet.

Veprimtaria e “armiqve të jashtëm në bashkëpunim me ata të brendshëm” është itensifikuar më shumë se kurrë. Ndaj ka disa muaj që shoh me dyshim çdo të njohur timin në Shqipëri. Përfshi këtu edhe avokatim tim në Tiranë, i cili bën vizita të shpeshta në Gjermani. Një kushërire nga Tirana që më dërgoi një dhuratë “bajagi” të shtrenjtë për rrogën e saj si mësuese, ja ktheva menjëherë se mund të jetë pjesë e grupit të armiqve që duan të sabotojnë sistemin arsimor kombëtar. Nuk dua t’i lëndoj të afërmit e tjerë për të cilët kam gjithashtu shumë dyshime.

Shqipëtarë vigjëloni!

Uji vjen me orar, por hasmi nuk njeh orar!

Monday, 9 August 2021

Shpirtrat na janë shkrumbuar prej kohësh


Lajmet rreth zjarreve në Shqipëri bëhen gjithnjë dhe më tronditëse. Tani edhe në Voskopojë, ku është dëgjuar rrallë të bien zjarre. Shpreson që të fillojnë sa më parë shirat, ose të vijë një shpëtim tjetër nga qielli. Të dhimbsen pyjet e bukura që shkrumbohen, fshatrat që rrezikohen të digjen dhe ku askush nuk i ka shtëpitë e siguruara, si dhe zjarrfikësit e palodhur që kanë pak mbështetje nga ajri, se shteti shqiptar ka shumë pak mjete.

Dhe mbi të gjitha trishtohesh se sheh që shpirtrat e inteligjencës shqiptare janë bërë shkrumb prej kohësh. U mundova në disa nga mediat më të njohura në Shqipëri të gjeja një analizë rreth shkaqeve të zjarreve të këtij viti, të arsyeve pse shteti është kaq i gjunjëzuar, i asaj çka mund të bëhet rreth mikroklimës në të ardhmen dhe gjeta Hiç.

Në dy javë të editorialeve të përditshme të Mero Bazes kishte vetëm Sali Berisha, Ilir Meta, Albin Kurti dhe Goran Bregoviç. E njëjta gjë në gjithë të quajtura analiza të autorëve të tjerë. Po njëlloj tek media tjetër pro-qeverisë Shqiptarja.com, tek e cila i vetmi shkrim i sheqerosur rreth zjarreve ishte një i Mira Kazhanit për vajzat zjarrfikëse.

Por edhe tek mediat pro-opozitës ishte e njëjta gjë. Shkrime proBerishës dhe kundër Sorrosit, pro Albin Kurtit dhe kundër Bregoviçit, pro Bashës dhe kundër Ramës. Asgjë rreth shkatërrimit të shtretërve të lumenjve, ndërtimeve pa leje, ngrohjes globale, që kanë sjellë zjarret e jashtëzakonshme në Shqipëri. Duket që dhe opozitës “i digjet barku” më shumë për Teatrin prej pupuliti që u prish tinëzi nga Rama-Veliaj se sa për djegien e pyjeve shqiptare.

Të gjithë “shpirtrat e djegur” të inteligjencës shqiptare janë të blerë. Nuk ka rëndësi nëse i kanë blerë Ciçikovët e majtë apo ata të djathtë. Kushtoka më lirë të blesh gjithë intelektualët e një vendi (përfshi këtu Akademinë e Shkencave) se sa dy helikopterë për të shuajtur zjarret.

 

Sunday, 8 August 2021

Më mirë që nuk kemi helikopterë!


Në këtë vapë gushti me lajme zjarresh, plagosjesh, shpejtësish skëterre, arratisjesh, nuk ka se si mos të të bëhet koka çorbë dhe në të të shoqërizohen nocione dhe ide nga më të çuditshmet. Për shembull edhe pse ndjehem keq për mungesën e mjeteve të fikjes së zjarreve, papritur më lindi idea “Shyqyr që s’kemi shumë helikopterë!”

Po e shtjelloj më poshtë se si lindi dhe se nuk është aq dashakeqe. Po lexoja se si disa të dënuar me burgime të gjata, apo në pritje dënimesh të rënda u kapën në përpjekje për t’u arratisur nga burgu 313 me çarçafë të lidhur njëri pas tjetrit. Një arratisje shumë e vjetër në analet e arratisjeve nga burgjet, ose le ta quajmë ala Matias Shandorf. Dhe cilët donin të iknin me çarçafë (që mund të mos jenë edhe të fortë për shkak të abuzimeve me tenderat e blerjeve për burgjet)? Pikërisht disa të dënuar për trafikim kokaine, që ka të ngjarë të kenë dhjetra miliona euro.

Kërkonin të iknin me çarçafë pikërisht se nuk ka helikopterë!

Na kujtohen arratisjet e bujshme me helikopterë në Greqi dhe Francë dhe plot të tjera janë realizuar me sukses në Amerikë. Po janë realizuar se në këto vende ka helikopterë.

Dikush mund të kundërshtojë e të thotë se helikopterët që nuk janë do ishin në kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk kishte se si të përdoreshin nga organizatat kriminale për arratisje kriminelësh nga burgjet! Po edhe radarët e Adriatikut nga Ministria e Mbrojtjes kontrollohen, por ndizen e fiken sa herë ju duhen trafikantëve të marihuanës. Këtu bëhet fjalë për trafikantë kokaine që janë në gjendje të paguajnë pilotët, mekanikët, drejtorët e drejtorive dhe deri në Ministri i Mbrojtjes.

Ndaj dhe çdo e keqe, sa do e madhe e ka një të mirë. Nuk shuajmë dot zjarret se nuk kemi helikopterë, por ndalojmë arratisjet e kriminelëve pikërisht duke mos patur helikopterë.

Eshtë gusht dhe temperaturat janë shumë të larta! Kërkoj ndjesë për çdo spërdredhje të logjikës së zakonshme që mund të ketë ky shkrim.

Ndajnatë

Kur mbrëmja ulet aq ngadalë,

Se dielli nuk do të ikë,

Pjesë të qiellit mbetur varur degëve të panjës

Dhe gjumi më ulet në qerpikë;

Ti edhe pse ikën diku më vjen

Për të më kundruar.

Unë bëj si i përgjumur,

Frymë thellë marr

Buzët lëviz,

Me qetësinë mbuluar.

Ti do të kërcejmë

Por dhe gjumin nuk do të më prishësh,

Fillon numuron çastet e verës,

Do arrish në njëmijë,

Dhe do kthehesh sërish,

Nga fillimi do nisësh.

 

Niko nuk je pe Asbesti!


Zjarret po vazhdojnë të përvëlojnë Shqipërinë dhe duket që Ministri i Mbrojtjes ka mbetur i vetëm për të përballuar këtë luftë të vështirë me natyrën. Duket që Rama e ka braktisur se lufta me zjarret është e humbur. Në të kundërt kryeministri i kudondodhur kur vjen fjala për përurime, pritje vaksinash në aeroport dhe dorëzim tapish tek fshatarët do kishte nxjerrë fytyrën e tij në frontin fitimtar të luftës kundër zjarreve. Por ka zgjedhur të lerë Nikon si kryezjarrfikës, pasi e ka lënë me një helikopter të vetëm. Shteti shqiptar u detyrua të  marrë me qera dy helikopterë privatë për të bërë diçka kundër zjarreve, me sa mund të bëhet me tre helicopterë në mbi njëqind vatra zjarri. Makina e Partisë Socialiste ka vënë në ndihmë të Ministrit të Mbrojtjes vetëm thashethemet se zjarrret janë të qëllimshme, vihen për të dëmtuar imazhin e PS-së e të tjera dëngla si këto. Por asgjë më shumë as për shuarjen e zjarreve dhe as për Ministrin e Mbrojtjes.

Nuk ndjej ndonjë keqardhje për ministrin Peleshi, se është një rrugë, të cilën e ka zgjedhur vetë, që kur i ka hyrë politikës dhe sidomos kur pranoi të bëhej pjesë e Rilindasve të Ramës. Ai e kishte të qartë se çdo të theshte të punoje për të. Do pranoje britma, fyerje, ndonjëherë edhe ndonjë grusht, por mbi të gjitha do ishe i përgatitur që të shkarkoheshe pa arsye, ose të ta linin dobiçin në derë. Nikoja i pranoi të gjitha këto për hir të privilegjeve që sjell karriera politike në një vend të korruptuar si Shqipëria dhe nuk besoj të jetë penduar për këtë. Si “hakmarrje” ndaj Ramës vepron në mënyrë të ngjashme me bashkëpunëtorët e tij.

A do e “përvëlojë“ çështja e përballimit të zjarreve për marrjen pjesë në qeverinë Rama 3?

Nga ç’ka mund të kuptosh nga shtypi dhe nga qëndrimet e krerëve të nivelit të dytë në PS, Peleshi duket si kartë e djegur për shtatorin dhe do i lihet “në administrim” si gjithnjë Qarku i Korçës. Eshtë diçka që ai e ka kuptuar kohë më parë, që në vjeshtën e vitit 2013, kur pasi u emërua zv.kryeministër mori edhe një shpurë të madhe pas nga Korça me ëndrrën e Rastinjakut se po bënte të tijin Parisin! Shumë shpejt kuptoi se në Tiranë nuk kishte të bënte me krokodilë por me pirranja, që nuk të linin as koskën po qe se ju hyje në sofrat ekonomiko-financiare që kishin ndarë.

Këtë rradhë Rama po e le të shkrumboset dhe për fat të keq ose të mirë të Shqipërisë, bashkëqytetari i im Niko nuk është pe Asbesti!

 

Saturday, 7 August 2021

Vjeshta e vitit 1982


Po shkruaj këto rrjeshta i ngacmuar nga një artikull i Dashnor Kaloçit rreth gjyqit të Kadri Hazbiut dhe të tjerëve të Ministrisë së Brendëshme. Por paraqitja e ngjarjeve të Kaloçit sipas kujtimeve të Gani Kodrës nuk do më bënte përshtypje nëse nuk do kishte qënë harresa e shumë të tjerëve që kanë jetuar në atë kohë. Disa nga që vërtet ngatërrojnë ngjarjet dhe kohët, dhe disa të tjerë që e bëjnë në mënyrë të qëllimshme.

Në një bisedë të pabotuar, që një gazetar bënte para disa vitesh me Kadarenë, ky i fundit i tregonte se pas vitit 1982 ishte “komplet i mpirë dhe nuk i bënte më përshtypje se ç’mund t’i bënte Sigurimi dhe Partia!”. Gazetari që e kishte jetuar edhe vetë atë kohë harronte se ç’ndryshim i madh ndodhi në jetën e vëndit dhe në përndjekjet, që ngjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1982.

Pas vetvrasjes së Mehmet Shehut në dhjetor të vitit 1981, Enver Hoxha u mundua ta kthente në favor të tij një ngjarje, që nuk kishte si të kalonte shumë lehtë edhe brenda vendit dhe jashtë tij. Pas dërgimit të Kadri Hazbiut në zonën e Mallakstrës, e vetmja zonë ku Shehu kishte mbështetje të fortë dhe ku vendasit e kërkonin ta varrosnin me nderime, u shpërnda në organizatat e partisë e famshmja “Tablo Sinoptike”, ku Shehut i hidheshin të gjitha gjynahet e 30 viteve të Diktaturës, që kur Mehmeti ishte bërë Kryeministër. Gjithashtu me shkrim dhe me thashetheme po krijohej përshtypja në popull se krimet ishin kryer nga Ministrija e Brendëshme, gjë që mirëpritej nga shumica dërmuese e shqiptarëve. U arrestuan Ministri i Brendshëm Feçor Shehu, kushëri i parë i Mehmetit, Fiqerete Shehu, ish-zvministri i Punëve të Brendëshme Mihallaq Ziçishti dhe plot të tjerë që diheshin se i përkisnin klanit Shehu, ku hynte edhe Gani Kodra. Kadri Hazbiu kishte kohë që ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes, por përderisa nuk po propagandohej si shpëtimtar i situatës, mendohej që edhe ardhja e tij nuk ishte shumë e sigurt se kishte punuar gjatë si zëvendës i Shehut dhe gjithashtu dinte shumë rreth krimeve të Diktaturës.

Në gjithë vendin ishte një frymë lehtësimi pas 9 viteve të terrorit të egër që kishte nisur në verën e vitit 1973, pas pleniumit të IV, që dënoi Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Tashmë Diktatura po rrekej të merrte një fytyrë më njerëzore duke nxjerrë si figurë të dytë Ramiz Alinë, i njohur si më liberal mes Byroistëve. Po bëheshin më shumë përpjekje për të përhapur teorinë e vjetër “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë“.

Në shtator kisha nisur vitin e fundit në Fakultet dhe ndryshimi ishte i ndjeshëm. Flisnim më hapur me shokët që kishim folur edhe më parë rreth abuzimeve dhe absurditeteve të regjimit. Në klasë kishim edhe një vajzë nga familja Backa, të cilët posa ishin goditur si vëllezër që kishin pasur poste kyçe në Ministrinë e Brendëshme dhe atë të Mbrojtjes. Ndjenim keqardhje për të dhe megjithëse më parë i kishim ndenjur larg, u munduam t’i përcillnim një ndjenjë solidarizimi, sepse posa e kishte lënë dhe i fejuari, si ndodhte ato kohë me familjet që goditeshin nga pushteti.

Pat filluar faza e fundit e Diktaturës, 9-vjeçari i kalbëzimit, kohë kur nisën racionimet në ushqim dhe standartet e jetesës u ulën akoma më shumë. Por megjithëse Diktatura vazhdonte të godiste “armiqtë e popullit” dënimet për agjitacion dhe propagandaë ishin shumë më të kufizuara dhe kundër pushtetit filloi të flitej në rrethe më të gjëra. Njerëzit talleshin me “besnikët kriminelë“ Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti dhe të tjerë të dënuar me burgime të gjata ose dhe me vdekje, por nuk kishte keqardhje. Në të kundërt, për fëmijët e tyre të persekutuar, si ishte rasti i futbollistit Gon Dauti, që u vetëvra në internim, Vladimir Shehut të vetvrarë në Gramsh, djemve të tjerë të Mehmet Shehut të arrestuar, fëmijëve të Mihallaq Ziçishtit të internuar, njerëzit e shprehnin hapur keqardhjen.

Diktatura e Enver Hoxhës nuk ka ndjekur një vijë konstante gjatë 40 viteve që ai ishte i gjallë dhe në të ashtuquajturën Lufta e Klasave, që përkthehej në terror dhe persekutime. Paraqitja e njëtrajtshme e saj jo vetëm që është larg të vërtetës, por edhe shërben për të ritushuar figura të caktuara kriminelësh, ose për të justifikuar sjellje të caktuara të njerëzve të rëndësishëm. I tillë është edhe rasti që përmenda i Ismail Kadaresë, i cili mundohet të justifikojë shërbimet e tij ndaj regjimit në një kohë kur nuk rrezikohej aspak të burgosej dhe që është periudha pas vitit 1982. Atë vit ai kishte të tjera probleme të natyrës familjare, të cilat i zgjidhi edhe me ndihmën e Sigurimsave Neshat Tozaj dhe të tjerë.

Brezat e fëmijëve tanë dhe të tjerët pas tyre asnjëherë nuk kanë për ta mësuar historinë e vërtetë të Diktaturës dhe të viteve që jetuam ne. Eshtë hedhur shumë tym dhe janë transformuar shumë ngjarje dhe personazhe. Me trishtim më duhet të pranoj se po njëlloj as ne nuk kemi mësuar të vërtetën e pastër se ç’ka ndodhur para se ne të vinim në jetë.