Thursday, 10 June 2021

Mëngjes i ngathët

Mëngjes,

I ngathët mëngjes mes gjelbërimit,

Nën hijen e çuditshme të një panje,

Hije e varur si hamok.

Në të dua t’i preh mendimet

Për ditën që do zgjatë pafundësisht.

I përpirë nga një e ëmbël kotësi,

Stepem të çapit këmbëzbathur ,

Kur dielli ka ndalur pse duhet unë të ec,

Hieja si hamok e varur

Mes gjetheve drita ngec.

Nuk e ndjek frymëmarrjen

Nga poret gjithshka thith;

Në degët e panjës hija varet,

E lëshuar,

                Pa trajtë

                                E mistershme

Si një mith.

Dhe po t’i preh mendimet

Dot s’do i kthej në ëndërr,

Këmbët e zbathura gjelbërimin prekin

Ndërsa jam i përpirë në një kotësi të ëmbël.

 

Wednesday, 9 June 2021

Gabova kur shkrojta që Rama nuk do e shkarkojë Metën


Më 29 prill të këtij viti, postova një shënim timin të titulluar “A do e shkarkojë Rama Ilir Metën?”, ku i sigurt parashtroja opinionin tim se Rama nuk ka asnjë arsye për ta bërë dhe nuk do ta bëjë. Gabova dhe kjo nuk është as hera e parë dhe as e fundit për mua.

https://kuendemi.blogspot.com/2021/04/a-do-e-shkarkoje-rama-ilir-meten.html

Nuk kisha parasysh “bastin” që kishin vënë amerikanët për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe largimit nga skena politike e dy “lojtarëve” që e kishin penguar: Berisha dhe Meta. Pas shpalljes “non grata” të Berishës (krejt e papritur për mua) e kuptova se jo vetëm kisha pak informacion rreth “gjeopolitikës” amerikane në Ballkan, por edhe se kisha mbivleresuar Ramën dhe Berishën.

Situata politike në Shqipëri tashmë është krejt e ndryshme. Eshtë e favorshme për politikanë të rinj, pak të korruptuar për të zëvendësuar kastën e vjetër edhe pse në një shikim të shpejtë mund të duket si forcim i pushtetit të Ramës. Sot më shumë se kurrë Rama ndjen se nuk ka pushtetin e plotë në Shqipëri edhe pse ka kontroll të plotë brenda partisë të tij, e cila i ngjet një Brigade Sulmuese të kohës së luftës. E megjithatë është shpejt për tu hedhur hedhur përpjetë nga gëzimi. Ka shumë të ngjarë që Basha të jetë në krye të PD-së, që do të thotë ende kontroll i Berishës në një tjetër detashment partizan. Shtatori nuk ka për të sjellë ndonjë Parlament cilësisht më të mirë se të mëparshmit ndaj loja politike do jetë e ngjashme. I vetmi ndryshim:

Amerikanët e kanë demostruar hapur se ç’kërkojnë prej klasës politike shqiptare dhe nuk mund të bëhen më lojra me ta.

Reagimi i Ramës (jashtë parashikimit tim) ka të bëjë pikërisht me këtë mesazh të Amerikës, kur shpalli Berishën “non grata”. Mos kujtoni se mund të na vërtitni ne! Ndaj edhe votimi i tij demostrativ në Kuvend është për t’i treguar ambasadores Kim se do i bëjë ato, të cilat i ka premtuar.

Sigurisht që amerikanët e dinë mirë se cilët janë Gramoz Ruci, Erion Veliaj, Taulant Balla, Erion Braçe dhe të tjerë lepuj të stanit të Partisë Socialiste. As kanë ndonjë iluzion se këta njerëz mund të sjellin Demokracinë në Shqipëri. Por vetë amerikanët nuk mund të “prodhojnë“ politikanë të ndershëm dhe të pakorruptuar.

“Fabrika” e prodhimit është ky popull, i cili duhet të kuptojë se ka shumë e shumë gjëra për të ndryshuar dhe më kryesorja është rikthimi tek Ndershmëria në marëdhëniet midis njerëzve, në biznese, në institucionet shtetërore, në shkolla dhe spitale, në familje.

Ne vetë duhet të kuptojmë se kemi një ide shumë shumë të gabuar se ç’është Shoqëria e Ekonomisë së Tregut. Nuk është shoqëria ku Nderi nxirret në treg!

Fajin e ka… Shqipëria Etnike!


Tridhjet vjet më parë, Gaqoja i Mitit, që ju ishte afruar të 75-ve, më theshte se tani e rëndësishme është kjo puna e Shqipërisë Etnike. “Do marrim jo vetëm Kosovën dhe Camërinë, po edhe tërë fshatrat përreth Athinës, Usterin dhe një pjesë të Bostonit!” Nuk qeshte, po tundte kokën me të njëjtin seriozitet, si atëhere kur tallej me bëmat e Stalinit dhe Enverit, apo kur vinte në dukje hipokrizinë e njerëzve.

Mu kujtua dje, kur lexoja një Urdhër Ekzekutiv të Gjumashit Xho, se Shqipëria për shkak të korrupsionit hyn në vendet që mund të cënojnë Sigurinë Kombëtare të Amerikës. Mu kthjellua edhe ç’ka kisha pasur të turbullt rreth shpalljes “non grata” të Berishës.

Vërtet duhet të ketë patur një plan afatgjatë të Shqipërisë Etnike të hartuar nga patriotët më të flakët shqiptarë, mes të cilëve promotor duhet të ketë qënë Berisha. Më në fund do arrihej të ndërtohej Shqipëria e plotë në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kosovë dhe Camëri, Plavë e Guci, Luginën e Preshevës dhe Strugë, fshatrat përreth Athinës dhe disa ishuj pranë Peloponezit dhe një pjesë të Kalabrisë dhe Siçilisë. Asnjë pëllëmbë më tepër se ç’na është dhënë nga vetë Perëndia.

Diçka e tillë si Protokolli i Zionit i hartuar nga hebrenjtë e Europës Lindore dhe që po zbatohet me zjarr, hekur dhe durim nga shteti i Izraelit.

Po Siguria Kombëtare e Amerikës ku preket këtu?

Patriotizmi i Berishës dhe i të tjerëve si ai është aq i zjarrtë, aq i mbështetur në fakte dhe dokumenta, aq i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, sa jo vetëm Usteri (Worcester) ku shqiptarët përbëjnë shumicën, por një pjesë e mirë e shtetit të Masaçusets do i bashkohet vullnetarisht Shqipërisë Etnike. Këtë Amerika nuk ka se si ta lejojë dhe po hedh këto hapa ligjore.

Ndoshta një rol “tradhëtor” mund të ketë luajtur edhe juristja dardhare Eva Millona, e cila ka qënë në dijeni të planit të hollësishëm të Shqipërisë Etnike dhe krejt papritur, pas shpalljes “non grata” të Saliut, emërohet pikërisht ndihmëse e sekretarit të Sigurisë të Mëmëdheut në SHBA.

Cilët patriotë të tjerë do goditen nga Amerika si mbështetës të planit për Shqipërinë Etnike?

Kuptohet që i pari do jetë Ilir Meta, që nga shërbimet e huaja pat mësuar që ekziston një plan për likuidimin e tij me dron, kur të shkojë në Mali me Gropa dhe më pas të tjerë patriotë të kulluar dhe të pakorruptuar. Edhe arrestimi i Thaçit dhe i UCK-istave të tjerë për gjoja “krime lufte” duhet të jetë pjesë e këtij plani amerikan për të goditur më të zellshmit shqiptarë që do ndërtojnë Shqipërinë Etnike të së ardhmes.

“Le të bashkohemi si një trup i vetëm rreth Saliut për të mbrojtur të drejtat tona dhe për t’i dhënë dërmën Amerikës!”- do theshte Gaqoja i Mitit po qe se do ishte ende mes nesh dhe do largohej duke tundur kokën dhe duke folur me vete rreth gomarllëkut tonë legjendar të përzjerë me një hipokrizi të pështirë.

 

Tuesday, 8 June 2021

“Kur vjen behari dhe qershitë“


Në qershor diçka ndodhte në anët tona, që kishte shpënë dikë që të shkruante se pikërisht në atë muaj, në kodrat dhe malet, ku behari është pak më i vonuar se në trevat e tjera, “vajzat e bukura, faqkat paputhura/ andej kërkojnë djemtë“. Jo vetëm melodia që në refren i përngjiste një himni dashurie, por edhe vargjet ishin të goditura, se kënga ka mbetur ndër më të kënduarat në festat dhe gëzimet e anëve tona.

Edhe autori e ka theksuar se bëhet fjalë për vajzat në vitet e para të adoleshencës dhe jo ato që një qershor më parë janë puthur dhe mbase kanë luajtur e qeshur pak më shumë mezhdave. Përse ndodh pikërisht në qershor dhe jo në maj apo në korrik, kjo nuk kuptohet në vargjet e këngës dhe nuk ka asnjë studim të mirëfilltë, por studimet rreth seksit në vendin tonë janë ende në fazën e tyre fillestare dhe herët a vonë edhe në kjo dukuri mund të hidhet dritë.

I gjithë entusiazmi që ngjall refreni i këngës dhe zakonisht përbën edhe hyrjen e saj, shuhet në strofën ku autori i thotë syzesës që nuk duhet të ishin dashuruar se do hidhëroheshin më vonë. Ka mundësi që kjo të ketë ndodhur diku nga fundi i gushtit ose shtatori, por se pse mbetet shumë e paqartë. Vazhdon të theksohet se dashuria në qershor vërtet është e ëmbël, por pas disa muajsh të hidhëron. Diçka duhet të lidhet me martesën.

Nuk di se sa shtresëzime janë shtuar gjatë viteve në këngë, por krahasuar me lirizmin e disa strofave, njëra ku autori nuk i drejtohet më vajzës faqepaputhur, por “satëme dhe titeti”, të bën të dyshosh se duhet të jetë bërë nga ndonjë “i pagdhendur” se i mëshohet faktit që “vajzat mbushin gjashtëmbëdhjet vjet dhe duhet të martohen!” Ky shtresëzim problematik nuk kishte se si mos ju binte në sy të huajve, që mbrojnë të drejtat e minorenëve si dhe gazetarëve konservatorë vendas, që demaskojnë Kabalën dhe pedofilinë e Demokratëve të Klintonit. Përpjekje për ta ndryshuar janë bërë edhe nga grupi i                   “4 Vaskave”, të cilët tani në bujtinat e Korçës, kur e këndojnë për jabanxhinjtë, moshën e martesës për vajzat e kanë rritur në 18 vjet.

Por “efekti qershor” nuk vepron vetëm tek faqkapaputhurat e anëve tona, por edhe tek gazetarët e pakorrruptuar dhe të virgjër politikisht, të cilët këto ditë kanë vrapuar andej këtej nëpër botë për të gjetur njëri tjetrin, “që të shkruajnëëëëë të vërtetënëëëëëë“. Të djelën e parë të qershorit e kanë mbërthyer njëri tjetrin dhe jo vetëm që janë lidhur në një Union (që është pak a shumë një martesë kolektive), por dhe janë betuara se “në mundkë dhe në sëmundkë, në qershor e në dhjetor”, do shkruajnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër veç të vërtetës. Eshtë themeluar pra UGPSHD, që në dallim nga mediat e blera dhe thellësisht të korruptuara të Atdheut, do ushqejë publikun shqiptar vetëm me fakte dhe të vërteta të verifikuara nga tre, katër dhe deri pesë burime të ndryshme. Si garanci për ata që e njohin dhe nuk e njohin gazetarinë shqiptare, kryetar nderi i Unionit është zgjedhur gazetari me banim në Zvicër Skçnder Buçpapa, që ka qënë dikur drejtor i RTSH-së më të pavarur, më profesionale dhe plotësisht të pandikuar nga politika. “Nderi objektiv” i kryetarit të nderit të ngjall shpresë, se “gazetarët mbushin 60 vjet dhe duhet të skopiten!”

Ky është i bukuri qershor i anëve tona, që veç qershive sjell edhe gjallërim të hormoneve sensuale dhe të atyre që lidhen me të vërtetën objektive.

Po hëngre shumë qershi ka të ngjarë të sëkëlldisësh rropullitë dhe shumë hormone të lidhura me seksin shkaktojnë gjithashtu probleme, por me të vërtetën objektive njeriu nuk ngopet kurrë!

Postimi me numur 1600


“Paskam dërdëllisur si tepër këto 10 vjet!” ishte mendimi i parë që më erdhi në, kur pashë rastësisht se poezia “Shtëpia Soho” ishte postimi me numur 1599 në blog-un tim 10 vjeçar.

I bie thuajse një postim në dy ditë. Nëse do i ktheja në minuta të të folurit me vete, sa orë e ditë do bëheshin? Mbase shumë ditë duke pëshpëritur, tundur kokën dhe lëvizur duart, sikundër bëjnë shumë hallexhinj ndërsa ecin trotuareve të Kanadasë. Kam “dërdëllitur” aq shumë sa e kam lodhur edhe Miun e Gjirizave, që parapëlqen ta shkojë tëre kohën kanaleve pornografike të internetit dhe të mos e nxjerrë më kokën në “kuendemi”.

Por pas kësaj maratone llomotitjesh, unë jo vetëm që nuk i kam dhënë dot përgjigje pyetjes “Ku endemi?”, por jam edhe disa shkallë më poshtë se ku pata filluar në mars të vitit 2011. Në kokë kam edhe më të turbullta portretet e Trump, Ramës dhe Peleshit, idetë rreth marëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët janë edhe më të çoroditura, qëndrimet në temat shoqërore edhe më kontradiktore dhe kam humbur të gjitha betejat ligjore edhe pse kam patur ndihmën e pakursyer të avokatit tim , që dikur ka qënë në Berlin.

Nëse nuk do kisha harxhuar kohën për këto 1600 postime, do kisha arritur të mësoja pianon, ose do i kisha rënë kryq e tërthor më këmbë Amerikës së Veriut, ose do kisha nisur të flisja spanjisht, ose do kisha bërë një ekspozitë pikture si ajo e Xorxh Bushit, ose do kisha ndihmuar të moshuarit në shtëpitë e pleqve, ose do kisha përkthyer Kadarenë nga shqipja në korçarishten e vjetër, ose do kisha mbjellë 1600 fidanë në një tokë djerrë, ose…ose…ose…

Po unë zgjodha “t’i bija legenit” në blog dhe meqë tani nuk gjen dot më legena prej llamarine ose prej çingoje, se janë plastikë, edhe legenrënia më “ka shkuar jabana”.

Tani kam hyrë shumë thellë dhe është vonë të tërhiqem. Kam bërë armiq në këtë botë dhe në të përtejmen. Për të këtejshmit nuk më bëhet shumë vonë, se mund t’ju kërkoj 1600 herë ndjesë të pandjerë dhe “koka e falur nuk pritet”. Për të përtejmit jam fare i papërgatitur. Ndoshta ata falin më me lehtësi.

Po sikur dikush të jetë menduar më thellë pasi ka lexuar një postim timin dhe ka gjetur diçka nga të vërtetat që na rrethojnë?

Mbase 1600 postime kanë vlerë edhe sikur të kenë bërë të mundur vetëm kaq!

Monday, 7 June 2021

Shtëpia Soho

Na çoi kureshtja,

Në atë qoshe mes palmash.

Përreth heshtja,

Një heshtje e argjendtë,

Në fund parakrahësh burrash,

Në qafë të gjata vashash.

Për çudi veç na çikën në ballet e ftohtë

Dhe na bënë me shenjë të kapërcenim pragun.

Nën dritat e mekura

Një tjetër botë,

Si një gosti ngjyrash mbi të arta pjata;

Sy që nuk na shohin,

Buzë të mbyllura,

Duar që nuk nderen

Të shtrenjta çanta.

Kërkojmë me sy ndenjëse të lira,

Dy oaze në atë shkreti tingujsh,

Për tu ulur pak dhe të sodisim këtë mister.

Sytë na erren

Fryma na merret,

Të prek me dorë të të marr të largohemi,

Nuk përjetojmë më dot këtë tmerr.

O shtëpi e frikshme

Jo shumë larg nga deti

Nuk kuptuam se përse nuk qëndruam dot gjatë,

Ecëm të lirshëm me sandalet në dorë,

Të dehur nga liria,

Në të kripurën natë.

 

Korça në “periferinë“ e politikës shqiptare


Ka diçka që nuk shkon (mes mijra gjërave të tjera) në politikën e sotme në Shqipëri. Mungesa e ndikimit të një “lobi korçar”. E them që nuk shkon, sepse në Shqipëri mes “super të pasurve” shumica janë korçarë duke nisur me Zamir Manen, Grigor Jotin, Lekat dhe të tjerë emra, të cilët nuk i njoh. Nga përfaqësimi në politikë thuajse është shkretëtirë, ku “oazi” i vetëm është “klani Peleshi”, që në të vërtetë nuk është as klan dhe as ka ndonjë ndikim në politikën e Partisë Socialiste dhe në qeverisjen e saj.

Edhe pse mund të duket si e gabuar idea, që një qytet apo një zonë e caktuar të ketë ndikim dhe peshë në jetën politike të vendit është plotësisht brenda logjikës të shoqërisë kapitalisto-demokratike. Cdo bashkësi dhe çdo zonë do mundohet të tërheqë në drejtim të saj dhe të ketë sa më shumë ndikim në vendimmarrje për çështjet ekonomike dhe shoqërore.

Nuk dua të bëj asnjë individ apo grupim politik për mbetjen e qytetit dhe zonës me shumë pak peshë në jetën politike të vendit. Ka 30 vjet, që i vetmi politikan korçar që ka arritur të jetë në disa kabinete është Niko Peleshi. Para tij, jo vetëm deputetët korçarë nuk arrinin zinin vende të rëndësishme në qeveri, por edhe korçarët me banim në Tiranë ishin shumë shumë larg qëndrave ku merreshin vendimet për vendin.

Nuk e kam fjalën vetëm për investime publike në zonën tonë, se ato janë vetëm një pjesë shumë e vogël e asaj që unë e quaj peshë në politikë.

Në interesin e Korçës dhe korçarëve është që pushteti të jetë sa më i decentralizuar. Periudha kur Korça dhe zona përreth njohu bumin ekonomik ishte pikërisht fundi i shekullit të XIX-të dhe periudha deri në Luftën e Dytë Botërore. Korçarët kanë dy cilësi që ju sjellin avantazh ndaj të tjerëve dhe që janë edukata e mirë e punës dhe respektimi më i mirë i ligjeve. Këto dy cilësi po qe se shoqërohen edhe me pavarësi më të madhe të pushtetit lokal, transformohen shpejt në gjallërim ekonomik, tërheqje të investimeve të huaja, rritje të popullsisë.

Në interesin e Korçës është gjithashtu që shteti shqiptar të ketë marëdhënie sa më të mira me Greqinë dhe Maqedoninë. Janë fqinjët tanë dhe e para është dhe pjesë e Bashkimit Europian. Për fat të keq, në një pjesë të mirë të Shqipërisë është e ngulitur një ndjenjë anti-greke. Por më tepër se kaq, politika e Ramës me afrim të pakufizuar me Turqinë dhe marëdhënie të ftohta me Greqinë, ka bërë që ndjenja të tilla (të ndërsjellta) të mos shkojnë drejt zbutjes, por në të kundërt të forcohen.

Kujt duhet t’ja kërkojmë ne korçarët rritjen e ndikimit tonë në politikën shqiptare?

Askujt tjetër veç vetes! Dhe këtë e kam kryesisht me klasën e biznesmenëve korçarë që e kanë veprimtarinë kryesisht në Korçë dhe më tej me korçarët e Tiranës, ata korçarë të cilët merren me politikë dhe më tej me intelektualët, rininë studentore dhe të gjithë njerëzit e zonës sonë. Nëse duam të jetojmë më mirë ne dhe fëmijët tanë mos i kenë sytë për të ikur drejt Tiranës apo Durrësit duhet të bëjmë ç’është e mundur për të kërkuar ato ligje dhe qëndrime qeveritare, të cilat na favorizojnë. Vërtet që mund të jetë shumë e vështirë për shkak të regjimeve tradicionalisht autokrate të Ramës, por edhe vetë Rama është në gjendje të dallojë se cilët grupe kanë peshë dhe cilët janë “pendë të lehtë“.

Nëse do vazhdohet duke e lënë fatin politik të Korçës plotësisht në duart e Niko Peleshit apo Aldo Manos, zona do vazhdojë të jetë plotësisht “pa probleme” për “politikanët e Tiranës”. Ata do vazhdojnë në listat e deputetëve të venë njerëz që jetojnë në Tiranë dhe nuk ju bie ndërmend për Korçën, si dhe disa “eunukë“ që jetojnë në qytet dhe që nuk shkojnë dot as në banjë pa marrë leje nga Gramoz Ruci dhe Taulant Balla.

Në çdo gosti i rëndësishmi është ai që qëndron në krye të tryezës dhe jo ai që “i bie qitharës”. Korçës jo vetëm që i kanë lënë “qitharën”, por edhe ja kujtojnë ditë e natë si “hyner’.