Friday, 29 August 2014

Fundgushti dhe Spleen

SPLEEN

Jam bërë  si mbret i një vendi të begatë
Rinosh por i plakur, zengjin por i paaftë.
Që përbuz përuljet e të tijve mentorë
Mërzitur nga lehjet e besnik[ve langorë
Që nuk zbavitet më nga gjahu, skifterët
Nga turma që gajas kur vrasin të mjerët
Nga këngët gazmore të më t’mirit bufon,
Përçartjet e marra të dikujt që lëngon;
Sarkofag ju kthye i madhërishmi shtrat
Zonjushat e ngjyera  nuk e lenë rehat
Dhe s’dinë  si ta joshin me të tyret veshje
T’i marrin fantazmës të fundit buzëqeshje;
Alkimisti që nxjerr dhe nga gurët flori,
Më kot përdor tretësa të gjejë mendjes së ti;
Dhe as banjot plot gjak ku romakët e vjetër
Lakuriq futeshin, që të zgjatnin jetën,
Nuk ja ringjallin dot trupin e zalisur,

Në rremba ujë rrjedh prej Lithit, Ferrit nisur.

Tuesday, 26 August 2014

Nje tjeter Spleen e Bodlerit

SPLEEN

Më se njëmijë vjet mënjanë kam kujtime
Boro plot sirtarë, të mbushur me shënime,
Me vargje, thirrje gjyqi, letra dashurie
Krrela flokësh pështjellë me fletë llogarie,
Mbajnë më shumë të fshehta se truri im i brishtë.
Si një piramidë, zbrazëti e trishtë,
Si varr i përbashkët,  plot kufoma mbushur
-Jam vec një varrezë nga hëna përbuzur
Ku të gjetët vargje si pendimi zvarrgur
Hanë pa mëshirë të vdekurit e dashur.
Jam buduar i vjetër plot lule të tharra
Me petka démodé, ndrresa të palara
Me Bushe të zbehta, pastele vajtonjës,
Vetëm, të spërkatur" parfum kutërbonjës.

S’ka gjë më të gjatë se të zvargurat ditë
Kur nën flokët e rëndë të t’brymosurit vit,
Mërzia, kjo pljellë e kureshtjes së vdekur
Të përjetshmen arrin në kët bot’ të mekur.
-Tashmë më nuk je e gjallë krijesë!
Veë një bllok i gurtë n’Saharën pa vesë,
I gjithi pështjellë nga tmerre dyzuar
Një i plakur Sfinks nga bota harruar,
Mes nayrës së egër, prej hartës i fshirë,

Kur dielli zë e fshihet, i bie tëndes lirë

Monday, 25 August 2014

FEJA DHE MORALI (A janë klerikët ruajtësit e Moralit?)

A janë klerikët ruajtësit e Moralit?


Besoj se nuk ka mes miqve të mij ndonjë, që do i përgjigjej kësaj pyetje me PO. Jo vetëm nuk janë, por asnjëherë nuk kanë qënë.
Si të tillë ne nuk kemi pse të identifikojmë moralin e një shoqërie apo të një organizimi fetar, apo edhe të një sekti, me veprimet e klerikëve.
Nga shprehjet e para, që kam dëgjuar i vogël rreth priftërinjve ortodoksë, ka qënë shprehja “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë“. Edhe pse nuk dua ta përgjithësoj, për gjithë priftërinjtë tanë të themi të 100 viteve të fundit, përsëri një të vërtetë të madhe ka në këtë thënie. Dhe kjo jo sepse në natyrën e klerikut është karakteristikë kryesore hipokrizia, por se standartet e moralit të predikuara në Kishat dhe tempujt e tjera fetare kanë qënë gjithnjë të larta dhe të vështira për tu plotësuar nga të gjithë klerikët. Gjithashtu, shpesh “profesioni” i priftit, hoxhës apo i babait të teqesë, konsiderohet jo i vështirë dhe që mund të sigurojë një jetë mbi mesataren ndaj jo të gjithë ata që ju futen studimeve fetare kanë vokacionin e duhur për tu bërë mësues dhe udhëheqës shpirtërorë të një bashkësie.
Ndaj me të drejtë flitet për skandalet e priftërinjve katolikë, ortodoksë, të rabinëve apo myftijve, për mashtrimet e televangjelistëve e të tjerë. Faji i tyre është moralisht dy herë më i dënueshëm, sepse mbi ta bie edhe faji i hipokrizisë.
E megjithatë, po e përsërit , që nuk duhet të ngatërrojmë veprimet e një prifti pedofil apo të një imami luftënxitës, me doktrinën fetare. Për më tepër duhet të pranojmë, që në fushën e Moralit, doktrinat fetare jo vetëm i kanë paraprirë shoqërisë, por edhe nëse në aspekte të caktuara të tij kanë mbetur pas zhvilimeve shoqërore, institucionet fetare kanë ditur t’i përshtatin. Sigurisht , që jo të gjitha institucionet fetare apo sektet kanë të njëjtin fleksibilitet kur bëhet fjalë për pranimin e ndryshimeve.
Ka raste ekstreme të “mbrojtjes së moralit”, si psh të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që del rrugëve dhe ndëshkon të rinjtë që vishen ndryshe nga normat e përcaktuara nga Ajatollahu, por kjo ka ndodhur edhe në regjimet totalitare e sidomos në ato komuniste. Të ngjashme ishin daljet e Mehmet Shehut dhe instruktorëve të rinisë në Tiranë, që ndalnin të rinjtë flokëgjatë apo vajzat me minifunde në vitet ’70. Më në masë ishin veprimet e Gardistëve të Kuq në Pekin e Shangai. Të gjithë këta i atribuojnë vetes cilësinë e Rojeve të Moralit qoftë ky shiit, komunist apo i ndonjë ideologjie tjetër. Këta, por edhe gjithë të tjerët, që pretendojnë këtë gjë, nuk janë gjë tjetër veç kopje të këqija të së Pamoralshmes.

Sot flitet shumë rreth rolit ‘regresiv” të predikonjësve islamikë në xhamitë e qyteteve europianë dhe të Amerikës së Veriut. Edhe pse nuk dua ta mohoj këtë fakt, se nuk di përqindjen e predikuesve, që kërkojnë kthimin e Sheriha-s apo edhe Xhihad-it kundër të pabesëve, në raport me ata , që predikojnë paqen dhe virtytet morale universal, theksoj se nuk duhet të ngatërrojmë klerikët me Islamin. Në fillimin e Luftrave Botërore edhe pse Kishat nuk ishin nismëtaret e konflikteve të përgjakshme, krerët e tyre i bekuan trupat e krishtera austriake, gjermane, ruse, franceze, angleze, amerikane, kanadeze, etj. për të vrarë njëri tjetrin në e mër të Zotit dhe Kombit. 

Sunday, 24 August 2014

Kur i numuronte asnjë nuk i shkonte.

Kjo më shkoi në mendje, kur lexova sot lajmin se Ad Fulloni do i numurojë gjithë paratë e Bankës Kombëtare, se duket se janë mangut më shumë se ato 7 milion dollarë të vjedhura. Personi i Ad Fullonit më ka bërë gjithnjë të ve buzën në gaz, për shkak të një historie , që tregohej kur ishim në vitet e para të Universitetit. Atë kohë, Fulloni ishte pjesë e një grupi të rinjsh simpatikë, që kryhesoheshin nga Piro Koleka(basketbollisti i njohur) dhe që rrinin çdo darkë në sofatet e sipërme në Kafe Gjirokastra. (Besoj se pak vetë e kujtojnë edhe këtë nofko-toponim të Tiranës. Kështu quhej në vitet 50-60 lulishtja pas Skënderbeut, se në të mblidheshin shumë gjirokastritë, që nuk donin të prishnin para kafeneve.)
Grupi i Piro Kolekës binte në sy, se ishin djem, që kishin mbaruar universitetet dhe rrinin të veshur mirë. Ishin si tip “beqarë të pëlqyeshëm” për atë kohë. Ad Fulloni ishte një biond simpatik, pak i fryrë, të cilin dukej që e ngacmonin dhe ngacmonte. Historia, që erdhi deri tek veshët e brezit tonë, që ishim rreth 6-7 vjet më të rinj se ata ishte kjo:
Në ato vite, besoj se gjithë e kujtojnë, se të rinjtë bënin më shumë dashuri jashtë, se ishte shumë e vështirë të kishe shtëpinë “bosh”. Një apartament i një familjeje në plazh, ose në një dasmë diku larg, ishte një “asset’ I pacmuar për të rinjtë, që mund të kishin “akses”. Natyrisht, nuk ishte  e pazakonshme, që pas një pasditeje apo paraditeje dashurie, djemtë, ashtu si tek kënga e famshme e Mia Martinit, t’ju tregonin shokëve me hollësi për aventurën e dashurisë. Fulloni kishte disa ditë, që kërkonte një çelës apartamenti ‘bosh” për “njonën, që sa kishte rregullu”. Më në fund, njëri nga të rinjtë e grupit i dha për një pasdite të vetme çelësat e apartamentit të tij. Në darkë, në vendin e zakonshëm përballë Bashkisë së sotme, Ad Fulloni gjithë entusiazëm u bashkua me grupin he pas pyetjes së zakonshme “E Fullono si dole?” filloi të tregonte plot ngjyra dhe humor gjithë aventurën erotike, mes komenteve dhe pyetjeve të shokëe të tij. Pas më shumë se një gjysëm ore tregimi pikant, i zoti i apartamentit ju drejtua Ad Fullonit duke i thënë: “Bjer mr dreq çelsat se jan t’komodinës!”

Këtij njeriu i dhamë shumë vite më parë çelësat e Bankës së Shtetit!

Saturday, 23 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i Muhametit dhe ndikimi në Shqipëri.)

Morali i Muhametit dhe ndikimi në Shqipëri.

Ballkani jetoi 5 shekuj nën qeverisjen e Turqisë, si dhe pati edhe disa dhjetra vjet më parë, kontaktet me fenë islame dhe me moralin, që rridhte prej saj. Nuk jam njohës i mirë i Kuranit, por me sa di nga librat e studiuesve të paanshëm, me përjshtime të vogla përmban të njëjtat parime morale me judaizmin dhe deri diku edhe me fenë e krishterë.
Eshtë interesante ngjashmëria që ka Muhameti me Budën, Shën Agustinin dhe Shën Franceskun përsa i përket kthimit në një jetë shpirtërore dhe shumë të moralshme duke u larguar nga jeta “e suksesshme”.
Të gjithë patën “iluminime” të çastit, që sollën ndryshime diametrale në jetën e tyre. Vërtet, që përhapja e fesë islame në Gadishullin Arabik nuk u arrit vetëm nëpërmjet predikimit, por pati edhe konfrontime të armatosura me kundërshtarët paganë, por kjo më tepër në sajë të përndjekjes së dhunshme, që i bënë kundërshtarët Muhametit dhe pasuesve të tij.
Ka shumë debate sot në Botën e përparuar si dhe në Shqipëri, që duan të paraqisin fenë islame s një besim fetar të prapambetur, apo edhe agresiv e të pamoralshëm, por e vërteta nuk është ashtu. Ndryshimet në moralin e të krishterëve dhe myslymanëve në Shqipëri nuk kishin thuajse asnjë ndryshim. Edhe rastet e poligamisë(të lejuar në fenë islame, për kushtet e Arabisë të Mesjetës)në Shqipëri ishin shumë të rralla. Ka qënë ky moral i njëjtë, që ka sjellë atë që quajmë tolerancë fetare, se sa për tolerancë ne Ballkanasit apo edhe Mesdhetarët nuk shquhemi.

Spekullohet edhe me të metat e popullit tonë apo edhe të Ballkanasve të tjerë, se ato janë si rezultat i prapambetjes, që la tek ne Turqia apo feja islame. Ne ndryshojmë shumë pak nga Kalabria dhe kalabrezët apo edhe zona të tjera të Mesdheut ku nuk ka shkelur këmbë turku. Edukata e punës, solidariteti mes njerëzve, raporti me institucionet gjyqësore e të tjera gjëra të ndryshme me Europën Veriore nuk i kanë rrënjët thjesht në islamizmi, por më shumë në kushtet klimaterike dhe në morali i katolikëve dhe ortodoksëve, që ka ndryshim me atë të protestanëve.

Friday, 22 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i të krishterëve të para-Konstantinit.)

Morali i të krishterëve të para-Konstantinit.

Ka një periudhë prej tre shekujsh, deri në momentin, që feja zyrtare e Perandorise Romake u be feja e krishterë. Qe prej kryqëzimit të Krishtit, në dhjetra vendbanime të Mesdheut, dishepujt e tij dhe të tjerë pasues përhapën me ngulm dhe vetmohim mësimet e tij.
Pa u ndalur në mesazhin tepër revolucionar dhe të veçantë të ideve të Jezuit duhet thënë se të krishterët e parë jo vetëm u përndoqën dhe u vranë e burgosën vetëm për mesazhin, që jepnin, por jeta tyre ishte shembull i një jete të pastër dhe plot altruizëm. Në dallim nga jeta epikuriane e qyteteve të botës romake dhe asaj helenistike, të krishterët predikonin një jetë me moral të lartë dhe plot virtyte larg lakmisë, grykësisë, seksualizmit pa fre, orgjive. Bënin një jetë të thjeshtë, me një ndienjë të fortë të bashkësisë së tyre, vlerësonin gratë dhe fëmijët etj. Ishte kjo një nga arsyet kryesore, që edhe pas treqind vjet persekutimesh, në gjithë Perandorinë Romake numuri i të krishterëve sa vinte e shtohej deri sa arriti të shpallej feja zyrtare e Perandorisë. Duhet thënë se nuk ishte Perandori Konstantin i pari , që e bëri fe zyrtare. Mbretëria e Armenisë, kishte 20 vjet, që e kishte bërë zyrtare. Dua të them, që përhapja nuk ishte rrjedhojë e përqafimit të fesë nga Konstantini dhe shteti ja u imponoi njerëzve. Eshtë e kundërta. Numuri i krishterëve ishte vazhdimisht në rritje dhe solli zyrtarizimin e fesë. Dhe këtë misionarët e parë, që ishin apostujt, si edhe ata që erdhën pas tyre e bënë me fjalë dhe me shembullin e një jete të devotshme. Nuk përdorën as thika, as shpata dhe as mashtrime.
Sigurisht, që në përhapjen e Krishtërimit ka luajtur rol edhe ideja bazë e Ringjalljes dhe e një bote të përjetshme. E megjithatë kjo nuk ishte një ide e re apo që nuk përmbahej në fetë politeiste. Tek njerëzit përreth Mesdheut, u gërshetuan me Zotin e Plotfuqishëm mësimet e barazisë mes njerëzve, të kërkimit të vlerave shpirtërore dhe jo vetëm material, të dashurisë të tjetrit po njëlloj si veten, të faljes, të kundërshtimit të dhunës, të respektit për të moshuarit, të mbrojtjes të të dobëtve, të gjetjes të së qashtrës tek fëmijët, të vlerësimit të grave, të ndihmës edhe ndaj të huajit etj.

Mësime të tilla morali dhe shembuj të një jete bazuar mbi këto mësime ishin arsyet pse krishtërimi dominoi mbi doktrinat e tjera fetare të asaj kohe.

Thursday, 21 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i qytetërimeve antike të zhvilluara)

Morali i qytetërimeve antike të zhvilluara

Sigurisht, që ndikimi i Dekalogut të Moisiut nuk kishte në 1400 vitet e para, të njëjtin ndikim që ka në botën e sotme. Arsyet janë të shumta dhe më kryesorja është ajo, se ende nuk kishte dalë në botën ]ifute(dhe jo vetëm në të) një profet i përmasave qiellore dhe me një mesazh shumë të ndryshëm nga ]’ka kishte parë deri në atë kohë bota rreth Mesdheut dhe rreth lumenjve Tigër dhe Eufrat.
Ka patur disa qytetërime të zhvilluara. Pa përjashtim të gjithë kishin pasur Fenë në përbërjen e tyre dhe gjithashtu edhe Moralin e tyre. Më të njohurit dhe më të fundit ishin ai Grek dhe Romak. Ka një prirje në historiografinë materialiste, që të ekzagjerojë ndikimin e Botëve antike Greke dhe Romake në qytetërimin e m[vonsh[m dhe sidomos në atë modern. Nuk dua të zgjatem shumë në këtë temë, sepse më intereson më tepër raporti ndërmjet Fesë dhe Moralit.
Jo vetëm në Greqinë pre-Homerike, e sunduar nga përzjerja e moralit me politeizmin, por edhe në Greqinë më të zhvilluar të kohëve të Sokratit , Perikleut, Platonit dhe Aristotelit kishte shumë barbarizëm dhe moral larg atij të kohës së sotme. 25 vitet e luftës për Trojën, të përshkruara në Iliada, janë të mbushura me krime nga më barbaret, që fillojnë me sakrifikimin e të bijës së Agamemnonit në tempull e mbyllen me vrasjen e grave dhe fëmijëve Trojanë dhe pla]kitjen e Trojës. Sakrifikimi i njerëzve dhe skllavëria janë dy nga gjërat kryesore të pamoralshme, që vazhduan deri në perëndimin e qytetërimit grek. Një lloj tjetër “skllavërimi” mes qytetarëve të lirë grekë, është ai i marëdhënieve seksuale mentor-nxënës shumë i përhapur në disa nga qytetet shtete të Greqisë së Lashtë. Ishte inkurajim i pedofilisë dhe për fat të keq ka prekur shumë mendje të ndritura të antikitetit grek.

I ngjashëm ishte barbarizmi romak(pavarësisht nga arritjet në kulturë dhe art, apo dhe ndërtime të tij). Skllavëria, ekzekutimet në masë, por edhe sakrifikimi i njerëzve në tempuj vazhdoi. Si kurrë ndonjëherë, vrasja e njerëzve me njëri tjetrin apo me kafshët ishte zbavitja kryesore e ‘të qytetëruarve”. Qindra objekte të ngjasme me Koloseun u ndërtuan përreth Mesdheut dhe në Europën Qëndrore, ku jepeshin shfaqjet “makabre” të përleshjeve të gladiatorëve.