Monday, 25 August 2014

FEJA DHE MORALI (A janë klerikët ruajtësit e Moralit?)

A janë klerikët ruajtësit e Moralit?


Besoj se nuk ka mes miqve të mij ndonjë, që do i përgjigjej kësaj pyetje me PO. Jo vetëm nuk janë, por asnjëherë nuk kanë qënë.
Si të tillë ne nuk kemi pse të identifikojmë moralin e një shoqërie apo të një organizimi fetar, apo edhe të një sekti, me veprimet e klerikëve.
Nga shprehjet e para, që kam dëgjuar i vogël rreth priftërinjve ortodoksë, ka qënë shprehja “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë“. Edhe pse nuk dua ta përgjithësoj, për gjithë priftërinjtë tanë të themi të 100 viteve të fundit, përsëri një të vërtetë të madhe ka në këtë thënie. Dhe kjo jo sepse në natyrën e klerikut është karakteristikë kryesore hipokrizia, por se standartet e moralit të predikuara në Kishat dhe tempujt e tjera fetare kanë qënë gjithnjë të larta dhe të vështira për tu plotësuar nga të gjithë klerikët. Gjithashtu, shpesh “profesioni” i priftit, hoxhës apo i babait të teqesë, konsiderohet jo i vështirë dhe që mund të sigurojë një jetë mbi mesataren ndaj jo të gjithë ata që ju futen studimeve fetare kanë vokacionin e duhur për tu bërë mësues dhe udhëheqës shpirtërorë të një bashkësie.
Ndaj me të drejtë flitet për skandalet e priftërinjve katolikë, ortodoksë, të rabinëve apo myftijve, për mashtrimet e televangjelistëve e të tjerë. Faji i tyre është moralisht dy herë më i dënueshëm, sepse mbi ta bie edhe faji i hipokrizisë.
E megjithatë, po e përsërit , që nuk duhet të ngatërrojmë veprimet e një prifti pedofil apo të një imami luftënxitës, me doktrinën fetare. Për më tepër duhet të pranojmë, që në fushën e Moralit, doktrinat fetare jo vetëm i kanë paraprirë shoqërisë, por edhe nëse në aspekte të caktuara të tij kanë mbetur pas zhvilimeve shoqërore, institucionet fetare kanë ditur t’i përshtatin. Sigurisht , që jo të gjitha institucionet fetare apo sektet kanë të njëjtin fleksibilitet kur bëhet fjalë për pranimin e ndryshimeve.
Ka raste ekstreme të “mbrojtjes së moralit”, si psh të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që del rrugëve dhe ndëshkon të rinjtë që vishen ndryshe nga normat e përcaktuara nga Ajatollahu, por kjo ka ndodhur edhe në regjimet totalitare e sidomos në ato komuniste. Të ngjashme ishin daljet e Mehmet Shehut dhe instruktorëve të rinisë në Tiranë, që ndalnin të rinjtë flokëgjatë apo vajzat me minifunde në vitet ’70. Më në masë ishin veprimet e Gardistëve të Kuq në Pekin e Shangai. Të gjithë këta i atribuojnë vetes cilësinë e Rojeve të Moralit qoftë ky shiit, komunist apo i ndonjë ideologjie tjetër. Këta, por edhe gjithë të tjerët, që pretendojnë këtë gjë, nuk janë gjë tjetër veç kopje të këqija të së Pamoralshmes.

Sot flitet shumë rreth rolit ‘regresiv” të predikonjësve islamikë në xhamitë e qyteteve europianë dhe të Amerikës së Veriut. Edhe pse nuk dua ta mohoj këtë fakt, se nuk di përqindjen e predikuesve, që kërkojnë kthimin e Sheriha-s apo edhe Xhihad-it kundër të pabesëve, në raport me ata , që predikojnë paqen dhe virtytet morale universal, theksoj se nuk duhet të ngatërrojmë klerikët me Islamin. Në fillimin e Luftrave Botërore edhe pse Kishat nuk ishin nismëtaret e konflikteve të përgjakshme, krerët e tyre i bekuan trupat e krishtera austriake, gjermane, ruse, franceze, angleze, amerikane, kanadeze, etj. për të vrarë njëri tjetrin në e mër të Zotit dhe Kombit. 

No comments:

Post a Comment