Friday, 22 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i të krishterëve të para-Konstantinit.)

Morali i të krishterëve të para-Konstantinit.

Ka një periudhë prej tre shekujsh, deri në momentin, që feja zyrtare e Perandorise Romake u be feja e krishterë. Qe prej kryqëzimit të Krishtit, në dhjetra vendbanime të Mesdheut, dishepujt e tij dhe të tjerë pasues përhapën me ngulm dhe vetmohim mësimet e tij.
Pa u ndalur në mesazhin tepër revolucionar dhe të veçantë të ideve të Jezuit duhet thënë se të krishterët e parë jo vetëm u përndoqën dhe u vranë e burgosën vetëm për mesazhin, që jepnin, por jeta tyre ishte shembull i një jete të pastër dhe plot altruizëm. Në dallim nga jeta epikuriane e qyteteve të botës romake dhe asaj helenistike, të krishterët predikonin një jetë me moral të lartë dhe plot virtyte larg lakmisë, grykësisë, seksualizmit pa fre, orgjive. Bënin një jetë të thjeshtë, me një ndienjë të fortë të bashkësisë së tyre, vlerësonin gratë dhe fëmijët etj. Ishte kjo një nga arsyet kryesore, që edhe pas treqind vjet persekutimesh, në gjithë Perandorinë Romake numuri i të krishterëve sa vinte e shtohej deri sa arriti të shpallej feja zyrtare e Perandorisë. Duhet thënë se nuk ishte Perandori Konstantin i pari , që e bëri fe zyrtare. Mbretëria e Armenisë, kishte 20 vjet, që e kishte bërë zyrtare. Dua të them, që përhapja nuk ishte rrjedhojë e përqafimit të fesë nga Konstantini dhe shteti ja u imponoi njerëzve. Eshtë e kundërta. Numuri i krishterëve ishte vazhdimisht në rritje dhe solli zyrtarizimin e fesë. Dhe këtë misionarët e parë, që ishin apostujt, si edhe ata që erdhën pas tyre e bënë me fjalë dhe me shembullin e një jete të devotshme. Nuk përdorën as thika, as shpata dhe as mashtrime.
Sigurisht, që në përhapjen e Krishtërimit ka luajtur rol edhe ideja bazë e Ringjalljes dhe e një bote të përjetshme. E megjithatë kjo nuk ishte një ide e re apo që nuk përmbahej në fetë politeiste. Tek njerëzit përreth Mesdheut, u gërshetuan me Zotin e Plotfuqishëm mësimet e barazisë mes njerëzve, të kërkimit të vlerave shpirtërore dhe jo vetëm material, të dashurisë të tjetrit po njëlloj si veten, të faljes, të kundërshtimit të dhunës, të respektit për të moshuarit, të mbrojtjes të të dobëtve, të gjetjes të së qashtrës tek fëmijët, të vlerësimit të grave, të ndihmës edhe ndaj të huajit etj.

Mësime të tilla morali dhe shembuj të një jete bazuar mbi këto mësime ishin arsyet pse krishtërimi dominoi mbi doktrinat e tjera fetare të asaj kohe.

No comments:

Post a Comment