Kjo më shkoi në mendje, kur lexova sot lajmin se Ad Fulloni
do i numurojë gjithë paratë e Bankës Kombëtare, se duket se janë mangut më shumë
se ato 7 milion dollarë të vjedhura. Personi i Ad Fullonit më ka bërë gjithnjë
të ve buzën në gaz, për shkak të një historie , që tregohej kur ishim në vitet
e para të Universitetit. Atë kohë, Fulloni ishte pjesë e një grupi të rinjsh
simpatikë, që kryhesoheshin nga Piro Koleka(basketbollisti i njohur) dhe që
rrinin çdo darkë në sofatet e sipërme në Kafe Gjirokastra. (Besoj se pak vetë e
kujtojnë edhe këtë nofko-toponim të Tiranës. Kështu quhej në vitet 50-60
lulishtja pas Skënderbeut, se në të mblidheshin shumë gjirokastritë, që nuk
donin të prishnin para kafeneve.)
Grupi i Piro Kolekës binte në sy, se ishin djem, që kishin
mbaruar universitetet dhe rrinin të veshur mirë. Ishin si tip “beqarë të pëlqyeshëm”
për atë kohë. Ad Fulloni ishte një biond simpatik, pak i fryrë, të cilin dukej
që e ngacmonin dhe ngacmonte. Historia, që erdhi deri tek veshët e brezit tonë,
që ishim rreth 6-7 vjet më të rinj se ata ishte kjo:
Në ato vite, besoj se gjithë e kujtojnë, se të rinjtë bënin
më shumë dashuri jashtë, se ishte shumë e vështirë të kishe shtëpinë “bosh”. Një
apartament i një familjeje në plazh, ose në një dasmë diku larg, ishte një “asset’
I pacmuar për të rinjtë, që mund të kishin “akses”. Natyrisht, nuk ishte e pazakonshme, që pas një pasditeje apo
paraditeje dashurie, djemtë, ashtu si tek kënga e famshme e Mia Martinit, t’ju
tregonin shokëve me hollësi për aventurën e dashurisë. Fulloni kishte disa ditë,
që kërkonte një çelës apartamenti ‘bosh” për “njonën, që sa kishte rregullu”. Më
në fund, njëri nga të rinjtë e grupit i dha për një pasdite të vetme çelësat e
apartamentit të tij. Në darkë, në vendin e zakonshëm përballë Bashkisë së
sotme, Ad Fulloni gjithë entusiazëm u bashkua me grupin he pas pyetjes së
zakonshme “E Fullono si dole?” filloi të tregonte plot ngjyra dhe humor gjithë
aventurën erotike, mes komenteve dhe pyetjeve të shokëe të tij. Pas më shumë se
një gjysëm ore tregimi pikant, i zoti i apartamentit ju drejtua Ad Fullonit
duke i thënë: “Bjer mr dreq çelsat se jan t’komodinës!”
Këtij njeriu i dhamë shumë vite më parë çelësat e Bankës së
Shtetit!
No comments:
Post a Comment