Thursday, 4 January 2018

Kanë superpasanikët tjetër standart të familjes?

Ka bërë shumë bujë, një libër rreth administratës së Trump, që pritet të dalë në qarkullim më 9 janar. Autor është gazetari amerikan Michael Wolf, që njihet edhe si autor i biografisë të Rupert Murdoch-ut, manjatit australian të Medias.
Dje, reagimet ndaj një pjese të shkurtër të botuar të librit zinin vendin kryesor në lajmet në Amerikë. Ka shumë informacion rreth mënyrës se si funksionon Shtëpia e Bardhë e Trump-it dhe shumë detaje rreth karaktereve të saj dhe marëdhënieve midis tyre.
Më ra në sy, një pjesë jo shumë e lidhur me politikën, por me marëdhëniet midis Trump-it dhe Ivankas. Gjtihmonë është folur se marëdhëniet familjare janë shumë të rëndësishme për Presidentin dhe Ivanka është më e preferuara mes fëmijëve. Më poshtë është pjesa e librit, që flet për një aspekt të marëdhënies baba-bijë:
“Ivanka ka mbajur një lloj marëdhënie me të jatin, që nuk mund të quhet e zakonshme. Ajo jo vetëm , që ka ndihmuar në bizneset e tij, por edhe në korigjimin e problemeve të jetës së ]iftit Trump. Ivanka konsideron thjesht biznes ngritjen e brand-it Trump, fushatën e tij elektorale dhe tani edhe strukturimin e administratës së Shtëpisë së Bardhë. Ka një lloj distancimi të saj nga i jati, deri në përdorimin e ironisë, kur tallet mes të tjerave edhe me mënyrën se si i mban flokët. Ajo ju tregonte me hollësi miqve të saj se si krijohet krehja e tij e njohur- një “ishull” tullë, të cilit i është bërë edhe një hollim skalpi me operacion, dhe i rrethuar nga tufa me flokë të dendur, të cilët pasi bashkohen në qendër dhe më tej hidhen pas dhe mbahen nga një llak i fortë. Ngjyra, tregonte ajo për të qeshur, është e një prodhimi “Just for Men”, që po të aplikohet për një kohë më të gjatë bëhet m[ e errët. Padurimi i Trump bën , që të dalin gjysëm të verdha dhe gjysëm portokalli.”
Paragrafi i mësipërm të ]udit. Eshtë një mënyrë tepër “ordinere” për tu tallur pas krahëve me babanë 70 vje]ar.
A janë superpasanikët të përqëndruar vetëm në suksesi dhe paratë dhe gjërat e tjera nuk kanë shumë vlerë për ta?
Nëse Trump-in e kam konsideruar gjithnjë një narcisist anormal dhe komentet e tij rreth trupit të Ivankas në një intervistë me Howard Stern (Intervistuesi e pyeste për të bijën dhe i thoshte , që a mund të them se ka “alamet by..sh” dhe Trump-i përgjigjej – po alamet i ka) i quaja si devijim mendor i një egoisti të pakufi, nuk di se si mund ta përcaktoj sjelljen e të bijës.
Ndodh vetëm me ta?

Në botën që njoh unë, të tilla komente për anëtarët e familjes bën vetëm vulgu i vulgut.

E pandreqshmja (Charles Baudelaire)

Një Qënie, një Formë, një Ide
Prej kaltërsish niset dhe bije
Në një Stiks* të plumbët, plot hije
Ku syri i qiellit dot se sheh;

Një Engjëll, i ngutur shtegëtar
Kërkon shprishjen t’dashurojë
Përpëlitet të notojë
Thellë një makthi të paparë,

Dhe lufton ankthesh vdektarë!
Kundër një stërmadhe vorbull
Që errësirash e sjell rrotull
E bën të çirret si i marrë;

Një magjistricë e  padenjë,
Me ankth rrëmon thellë me gishta
Në mes të gjarpërinjve bishta
Dritën dhe kyçin të gjejë ;

Një i mallkuar pa qiri zbret
Shkallë pa fund, pa parmakë,
Buzë një pellgu ku duket një flakë,
Lagështia e thellë, me erë të vret,

Ku t’shohin monstra të qullët,
Me sy të gjërë plot fosfor,
Që bëjnë të shohësh më me zor,
Natës në një terr të mbyllët;

Një anije në polarin det,
E kapur si në grackë kristali
Kërkon ç’udhë ndoqi sa ndali,
Në këtë burg të bardhë që vret;

-          Pamje të pastra, përsosmëri,
Të të pandreqshmit fat në hall,
Që të bën t’mendosh “Ky Djall
Cdo gjë e bën me mjeshtëri!”

                       II

Ball’ përballë , qetë, kulluar
Zemra bëhet pasqyrë e vetes!
Bardh’ e zi, puse të t’Vërtetës,
Një yll të zbehtë drithëruar,

Një far skëterre, ironik
Pishtar hiresh satanike,
Lehtësim e lavdi unike
- Ndërgjegja që të bën të Lig!

*
Stiks- Sipas mitologjisë greke, lumi që ndan botën e të gjallëve me atë të të vdekurve.


Wednesday, 3 January 2018

Karriget me shoshkë

Ato i gjeje në shumë shtëpi në kohën e fëmijërisë sonë. Ishin po aq të përhapura sa edhe ato me shavar. Dukeshin më luksoze se këto të fundit. I kujtoj, që në ditët kur e kisha të vështirë të hipja në to. Isha i vogël dhe i shkurtër. Babaj rrinte gjithnjë në një prej tyre. Ishin tre, në murin përballë derës së kuzhinës. Kuzhina ishte dhoma e ndenies dhe e pritjes për ne. Në dy dhomat e tjera flinim. Në vitet ’60, vetëm kuzhina kishte zjarr në dimër.
Atje i prisnim edhe njerëzit, që uleshin në karriget me shoshkë. Karriget ishin disi larg nga stofa e prodhuar në NISH Metalike, që duhej lyer shpesh me varak, për tu dukur më mirë. E megjithatë dhoma ngrohej edhe pse dritarja e madhe e saj ishte në veri. Miqtë uleshin me kurriz nga dritarja dhe bisedonin me babanë. Unë mundohesha të kapja nga bisedat e tyre, që në të shumtën e rasteve ishin për albanologjinë dhe historinë. Vinte shpesh Petraq Pepoja, që fliste shumë dhe me pasion. Ishte nga njerëzit më të veçantë, që kam njohur në fëmijëri. Besonte shumë në ato, që thoshte dhe dukej shumë i ditur. Por edhe pyeste babanë. Ndoshta për gjëra, që ai i dinte më mirë nga koha kur kishte punuar në Bibliotekë. Pepoja kishte kokë të rruar dhe trup të lidhur mirë. Mbante një pardesy të çelur dhe ishte i angazhuar në bisedë gjithë kohën. Nuk linte asnjë çast të shkonte kot.
Milto Sotir Gurra ishte krejt ndryshe. I shkurtër, i qetë dhe fliste me zë të ulët. Kishte një buzëqeshje të bukur dhe të ngjallte besim.
Ishin të mëdhenj në moshë dhe dukej se shkonin mirë me stilin e karrigeve tona. Një ditë dimri, ndoshta duke dashur të sajoja ndonjë lojë, kisha kthyer njërën prej tyre me këmbë përpjetë dhe kisha lexuar “Yougoslavie”. Ato kohë, Titoja dhe Jugosllavija nuk gëzonin emër të mirë në Shqipëri. U mundova ta mbaja të fshehtë, por vrisja mendjen se si kishin ardhur nga Jugosllavija dhe se ç’lidhje kishim ne me atë vend.
Rrallë ishin në të njëjtën kohë, grupe të mëdha letrarësh apo artistësh. Kristo Konoja  dhe Nella Sinaeri vinin me gratë e tyre dhe bisedat ishin më të përgjithshme. Për letërsinë fliste më shumë Misto Markoja, që jetonte në Pogradec, por vinte herë herë në Korçë. Mistoja shkruante me pseudonimin Mirosh Markaj dhe ishte mjek. Gjithnjë serioz në bisedë. Vonë e kam mësuar, që ishte nipi i Kutelit.

Nuk flitej kurrë për politikë. As përmendeshin edhe çka ndodhte në botë edhe pse shpesh ju referoheshin shkrimtarëve dhe artistëve të huaj. Më tepër klasikëve. Dukej e panatyrshme një diskutim rreth politikës. Nuk besoj se i shmangeshin bisedave të tilla, por i kujtoj që ato tema nuk prekeshin. Babaj ishte i mirëinformuar, se në të njëjtën karrige, ku rrinte edhe kur vinin miq, çdo natë dëgjonte më 7.30 “Radi Sera”. Shpesh më tregonte edhe mua se çndodhte në botë, jashtë atyre, që jepte Radio-Tirana në lajmet. Ndiqte fatin e pacientëve të Kristian Bernar, mjekut që bëri transplantin e parë në zemër; komentet rreth dasmës së Zhakëlinë Kenedit me Onassis; lajmet rreth premierave të Kallasit dhe m’i spjegonte me durim Po ashtu edhe plot lajme të tjera rreth artit dhe sportit. Në mendje krijoja portrete dhe figura njerëzish, që nuk i kisha parë, se ende nuk kishte hyrë televizioni. Gjithshka babaj e dëgjonte në RAI, duke ndenjur në karrigen e tij të preferuar me shoshkë. Kur lodhej, vinte edhe një tjetër ku shtrinte këmbët dhe që ishte për mua pozicioni i tij më i pëlqyeshëm. Hipja në këmbët e tij dhe prisja të më tregonte.

Luçiana (kapitulli 16 i "Klecka 22" nga J. Heller)

Luçiana


E gjeti Luçianan vetë, në një tryezë të Klubit të oficerëve aleatë, atje ku e kishte lënë majori Anzak, që i dehur ishte bashkuar pranë banakut me ca oficerë, që këndonin, gjë që dëshmonte se nuk ishte vetëm i pirë, por edhe budalla.
“Dëgjo, unë do kërcej me ty, po mos të shkojë mendja se do fle me ty” i tha ajo, para se Josariani të hapte gojën.
Kush ta kërkoi?”e pyeti Josariani.
“Nuk do të flesh me mua?” u hodh ajo e çuditur.
“Nuk dua të kërcej me ty!”
Ajo e rrëmbeu për dore dhe e shpuri në pistën e kërcimit. Dansonte ku e ku më keq se ai, por kjo nuk e pengonte të shkrihej e tëra në një melodi xhitërboks me një kënaqësi të papërmbajtur, që ai nuk e kishte hasur ndokund, deri sa këmbët e tij nisën të bëheshin gjithë miza, ndaj e shkuli nga pista dhe e tërhoqi drejt tavolinës, ku vajza që duhet të kishte tundur më parë, i lagavitej Arfit me duart rreth qafës së tij, ndërsa bluza ngjyrë portokalli i ishte ulur poshtë sytjenave të bardha dhe në të njëjtën kohë këmbente fjalë të ndyra me Haplin, Orrin, Kid Sempsën dhe Xhonë e Uritur. Thuajse ishin pranë tyre, kur Luçiana papritur e shtyu drejt një tavoline bosh, ku mund të rrinin vetëm të dy. Ishte me të vërtetë një vajzë e gjatë, e kolme, dëfrenjëse, me flokë të gjata e fytyrë të bukur, ngacmuese, flirtuese, e këndshme dhe joshëse.
“Mirë“ tha”Po pranoj të më heqësh darkën, por mos të të shkojë mendja se mund të flesh me mua.”
Kush të tha?” pyeti i çuditur Josariani
“Nuk do të flesh me mua?”
“Nuk dua të të heq darkën.”

Ajo e nxorri nga klubi dhe e shpuri në një restorant illegal, poshtë ca shkallëve të ngushta, plot me vajza qejflesha, tërheqëse, të zhurrmshme, që dukej se njiheshin me njëra tjetrën dhe plot oficerë të ndërgjegjshëm, të kombësive turli lloj, që kishin ardhur pas tyre.
....
(vijon)

Tuesday, 2 January 2018

Pjesë nga “Helmeta” (Tregim i Andon Marës i vitit 1945)

“Helmeta” është një nga tregimet e para të Andon Marës. Ishte 23 vjeç. Shqipeja e tij ishte ende e palëvruar mirë, sepse kishte vetëm 8 vjet, që jetonte në Shqipëri dhe që fliste rregullisht shqip. Në vitet e para të pushtimit italian kishte mundur të mësonte edhe më mirë shqip në Lice. Ndjehet në tregim një prirje për të ravijëzuar narracionin në trajta kinematografike, gjë, që do shfaqet më vonë edhe në tregime të tjera. Ndoshta ka qënë ndikimi i orëve të gjata në kinematë e Stambollit duke ndjekur filma pa zë. Babaj, gjatë gjithë jetës mbeti një njohës shumë i mirë i kinematografisë botërore. Me përjashtime shumë të pakta, filmat shqiptarë i quante infantilë dhe të dobët. Nuk e kisha parë kurrë të dilte i kënaqur nga salla e kinemasë, pasi kishte ndjekur një film shqiptar.

“…Mbetën helmetat e çpendosura. Po ato ishin gjithnjë më këmbë. Ngjyra e tyre u ndërrua. Nga e gjelbër u bë e hirtë. Në të dy anët e tyre u ngjit nga një kryq me krahë të thyera.
Tymi i zi, nëpër të me flakë, u ngrit edhe njëherë në qiell, më i dendur se më parë. Trikëmbëshi nuk luante nga vendi ditë e natë. Pas murit mbështeteshin njerëz të çdo moshe, gra dhe burra. Një krismë i shtrinte ata në një pellg gjaku.
Po kjo krismë e fortë dhe e tmerrshme në fillim, zuri të dobësohet. Atë e mbyti një krismë tjetër më e fortë, që shëmbi trikëmbëshat, që shleu nga rrugët gjakun e njerëzve  të pafajshëm. Helmetat ngjyrë hiri u shpuna tejpërtej, u dërrmuan.
Në qiellin e kaltër po valavitej tashi një flamur i madh, një flamur i mëndafshtë, që lëshonte hijen e tij mbi gjithë vendin.
Këtë po shikoja tani. Flamurin, helmetat e shpuara, po…dhe një vend të gjerë me gërmadha, me gurë dhe hi. Helmetat mbi gërmadhat ishin të përzjera me njëra-tjetrën.
Shenjat e vdekjes ishin të forta aty. Një njeri dritëshkurtër nuk do të shikonte dot më tej. Ay do të thoshte se vdekja ishte shtruar aty dhe s’kish ndër mendtë tundej nga vendi.
Pa s’qe ashtu.

Në mes të këtyre helmetave dhe gërmadhave unë pashë teten. Ajo u ul, mori një helmetë, e mbushi me dhe nga gërmadhat dhe u nis. U largua dalëngadalë dhe prapa saj, dalëngadalë, të tëra u zhdukën, nuk mbeti shenjë nga gurët dhe hiri i mëparshëm…”

Monday, 1 January 2018

Flisni për njerëzit e mirë!

“Ka plot të tillë!” i thashë një mëngjes të ftohtë dimri, një zezaku postier, të cilit po i mbaja derën hapur në ndërtesën 25 Watline në Mississauga.
“Ka plot, por është vështirë t’i gjesh.” mu përgjigj me urtësi postieri, që dueht të ishte rreth dhjetë vjet më i madh se unë.
Nuk di nëse në botë ka më shumë njerëz të mirë se të këqinj, se jo vetëm që për këtë nuk ka statistika, por se dhe nuk ka njerëz në “gjendje të kulluar të mirë“, si dhe nuk ka të tillë në “gjendje pastërtisht të keqe”. Shumica dërmuese kanë të mirat e të këqijat e tyre
Por gjithashtu ka një “rezultante dominuese”, që i ve plot njerëz në anën negative apo atë pozitive të spektrit.
Kam vite, që kam filluar të besoj diçka rreth “energjisë shpirtërore”, të ndarë në “pozitive” dhe “negative”. Edhe pse e paidentifikuar në laboratore, që mund të bëjnë të sigurt ekzistencën e saj, duket që njerëz të caktuar “emetojnë“ një energji të tillë dhe në praninë e tyre ndjehesh gjithmonë më mirë. (Ndoshta jo të gjithë ndjehen më mirë dhe mbase shumë “mërziten” kur ndjejnë “energjinë pozitive”)
Ne shpenzojmë shumë kohë duke diskutuar rreth njerëzve jo të mirë. Shumë më tepër kohë se ata vlejnë, duke “injektuar” pa dashje edhe “porcione energjije negative” brenda vetes.
Kjo ndodh mbase se shumë prej tyre janë “të rëndësishëm” dhe me veprimet e tyre ndikojnë në jetën tonë. Shumë herë, ato, që ata bëjnë kanë një efekt shumë të madh në jetën e individëve dhe komuniteteve. Duke folur dhe shkruar për ta, qoftë edhe negativisht, i bëjmë, sidomos faqe fëmijëve më të rëndësishëm se ç’janë në të vërtetë. Pa dashur i bëjmë më të pranishëm se sa janë dhe ju rritim famën dhe ju zgjatim jetën në pushtet, apo në veprimtari të tjera të tyre.
Flasim pak, shumë pak për të mirët!
Në më të shumtën e rasteve, kur largohen nga kjo jetë.
Por nuk mund të besosh tek e mira, po nuk u frymëzove prej saj. Dhe e Mira nuk është  thjesht një kategori filozofiko-morale. Eshtë tek njerëzit, që na rrethojnë. Më me shumicë tek ata më të mirët. Ndaj duhet folur rreth tyre. Edhe kur nuk janë “të suksesshëm”. Zaten varet se si e përkufizojmë “suksesin” në këtë kohën tonë të vështirë.
Gjithashtu, vitet  na kanë mësuar, që të mirët nuk janë “të rënë nga qielli”. Ka dhe tek ta plot të meta, gabime, ndonjë ves, sepse ata , të cilët nuk kanë të tilla, janë “jashtëtokësorë“.
Ne jemi lindur prej njerëzish dhe lindim të tillë.
Por më të mirët duhet t’i tregojmë me gisht, të flasim për ta, t’ju heqim kapelen kur kalojnë pranë, të mundohemi t’ju ngjasim.
Për hir të fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve.

Për të mos lënë botën të sundohet nga Lakmia dhe Ligësia!

Dielli (Charles Baudelaire)

Përgjatë sokakëve me kasollet përbri ,
Grillat e gozhduara që fshehin lemeri,
Kur dielli mizor godet pa mëshirë,
Qytetin, çatitë, grurin e pashirë,
Unë shkoj të ushtroj të shpatës mjeshtërinë,
Nuhas në çdo qoshe, që të gjej një rimë
Pengohem nëpër fjalë, njëlloj si në kalldrëme,
Vargjet më përzjehen me ato të një ëndrre.

Ky At përtëritës, armik i zbehtësisë,
Vargjet i selit, i rrit si qiparisë,
Drejt qiejsh i nis, të avulluara drojet,
Mendjet plot i mbush, edhe me mjaltë hojet.
Eshtë Ai, që i ngre të gjymtët më këmbë,
Si vajza të rendin e të këndojnë këngë,
Të lashtat i bën të lëshojnë lastarë
Shpirtit të pavdekshëm, në të blertën arë!

Dhe kur si poet, mbi vendbanimet ulet,
I përkëdhel të mjerët, ashtu siç bën me lulet,
Pa bujë e pa lakej, si mbret i përkorë,
Pallatesh hyn, por dhe tek të sëmurët e gjorë!