Thursday, 5 October 2017

Je suis…separatist!

Ky shekull do jetë i separatistëve. Ce mos jemi dhe neve!
Të ikën truri bre të mendosh ce si kemi qënë dhe ce si na lanë këta legenat e Tiranës.  Qëmoti, kur beheshin ballo në Korçë, tërë këta që na hiqen tani si modernë i mbanin gratë me ferexhe. Neve me ferexhe i vishnim vetëm për Karnavale dhe në ballo me maska.
Po të jemi Republikë Autonome si në vaftin e Themistokliut ja u vëmë kufirin në Plloçë tërë këtyre tiranasve e nga ç’janë dhe t’ju kërkosh paranë që të hysh në Korçë. Do ta japin ce s’bën ore! Ce nga do t’i hapin sytë ata?!
Ta kthesh edhe paranë në napolon e në lopka e ta vësh edhe kursin si të duash, Ce po të kontrollosh kursin e parasë e bën ekonominë si të duash. Ne jemi pikë kyçe bre, si katinar hesapi. I bllokojmë të tëre edhe durrsakët edhe grekët! Pale këta elbasanllinjtë e drogës. Një të vënë bllokadën dhe nga do e shpijen mallin? Fushën e aropllanëve e kemi, që vinin nga këto linjat internacionale, që në kohën e Zogut. Kisha gjyshen e një shoku që me aropllan vinte në Tiranë ce e zinte tomobilli.
Ne kemi tërë mëndtë në Tiranë dhe Amerikë. Sikur gjysmit të vinë e të jenë në kokën e Republikës së Korçës jemi llaftari. Dy më të pasurit o, janë Zamiri i Bitijes, që kishin blerë shtëpinë e inxhinjer Plluskës dhe Gigoja i Piro Jotit që rrinte në Mapoja. Sikur njëri të vijë e nuk na çan topi! Universitetin, që e kanë patur këta devollinjtë dhe doli i pari në Shqipëri, pop o të sjellim Ndreçkën e Vangjos së Mishit ose Valkë Kalkën dhe të bëjmë dhe Akademinë e Voskopojës, tërë truri i Ballkanit këtu do vijë të studiojë.
Po sikur vetëm bukë me qiqër të eksportojmë dhe s’kemi nevojë për më shumë. Kemi Festën e Birrës, të Lakrorit, Karnavalet e Qershorit, ato të Shkurtit dhe ato të Polenës, që të të mblidhen nga tërë bota. Po të shtojmë edhe Festën e Dromkave, atë të Cigaridhkave dhe Festivalin e Ashikëve jo këto hotelle që s’dalin, po edhe ato jashtë territorit të Republikës nuk do mjaftonjnë.
Qeveria të jetë nga të katër duart. Dora e kaurëve, e muhamedanëve, e çobenëve dhe nga dora e evgjitërve. Ce të tërë kanë të drejtën e tyre!
Dhe të bëhet me të vërtitur. Një vit kryeministri kaur, një vit muhamedan, një vit çoban, një vit evgjit dhe një vit kaur. Mbyllet një legjislaturë. Pastaj fillojmë nga fillimi: Një vit kaur, një vit muhamedan e me rradhë.
Dhe të shikosh si do na bashkohen me rradhë Leskoviku, Përmeti, Follorina, Manastiri dhe Pogradeci. Ce pas të pasurit dhe të sqojturit vinë të tërë.
Në Evropë që vitin e parë do na futin. Kemi nam të mirë ne korçarët. Me Amerikën po tejendanë.
Mund ta kemi Nikon kondra kësaj idheje se është Ministër i Bujqësisë, po dhe ay është lavrak dhe e kupton ce ku është aveniri. Mund të dojë dreq e në kryeministër, po sefte duhet të deklarohet është kaur apo muhamedan, se dy mandate rresht andej nga bostanet ka!
Dhe që ta mbyll, po thërres si Kia në kohën kur ishte xhandar i Francës:

Je suis separatist!

Wednesday, 4 October 2017

Viti i …Dhive!

Gjithshka është simbolike!
Në botën tonë arbërore, të lashtë dhe shumë të munduar, simbolika e “shenjtërisë“ së Dhisë rikthehet me shumë vonesë.
Jo më kot Heroi jonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, kishte në përkrenaren e tij një kokë dhije. Eshtë shkruar se ai i vendosi brirët e dhisë në kokë, pasi i kishte shpëtuar ndjekjes nga turqit duke ndjekur shtegun e dhive të egra, diku në afërsi të Martaneshit, por kjo nuk është e mbështetur në fakte. Mund të jetë edhe më thellë në histori. Se brirë vendosnin në përkrenare edhe Vikingët, por ishin brirë demi. Edhe përkrenaret e gjetura para Vikingëve kishin brirë të mëdhenj dhe për më tepër jo turi prej “dhiçke”, si në atë të Heroit tonë.
Që dikush, si Artan Lameja apo Auron Tareja, ka zbuluar një dokument tepër të vlefshëm dhe të panjohur për lidhjen e Skënderbeut me dhitë, kjo është e sigurt edhe pse po mbahet shumë e fshehtë në rrethet pranë Kryeministrit.
Ndoshta, fshehtësia ka të bëjë me edhe me raportet tona me Gjermaninë, sepse dihet, që romakët quanin “cornuti”, gjermanët për shkak të brirëve në helmeta, por si pasojë e  sjelljes tepër liberale të grave teutonike, shprehja më vonë mori kuptimin fyes “brinjar”, që në gjithë Mesdheun njihet si cilësim i leshkove, që ja u dredhin gratë. Ndaj rikthimin e kësaj teme Merkel e quan po aq fyese sa cilësimin e by… të saj të shëmtuara nga Berluskoni.
E megjithatë hapat u hodhën.
Ngritja e kultit të Rigertas dhe lidhja e saj me Romën, ka të bëjë drejtpëdrejt me ngritjen e  kultit të dhive.
Në fillim, për të mos rënë në sy, do propozohet nisma e Ministrisë së Bujqësisë “Dhija çan bllokadën”, për të vazhduar më tej me nismën e Ministrisë së Arsimit “ 1 dhi + 1 cjap = Fermë ”. Eshtë në shqyrtim edhe ideja e Manastirliut për një sensiblizim të gjithë grave shqiptare “Të kontrollojmë gjinjtë, si ja pa delja dhisë - Cdo ditë!”  Në fund, do jetë nisma kulturore-shpirtërore e Ministrisë së Kulturës “ Në Europë jo si këmbët e dhisë, por si kryet e bukur të saj!”
Për festimet gjatë vitit, që vjen, jnë porositur në Kinë nga Vilma Nushi, një million përkrenare , kopje të asaj të Skënderbeut, të cilat do ju shiten, nxënësve dhe studentëve të dalluar, pas mbarimit të semestrit të dytë. Sigurisht, që nisma e biznesmenes është në kuadrin e PPP-vë dhe me finanacim nga fermerët taksapagues.
Krahas titullit “Bleta Punëtore” do jepet edhe titulli “Urdhëri i Dhisë“ me tre klasa, për kontrbute të shquara në fushën e shpikjeve dhe racionalizmeve, ku si motivacion bazë do jetë thënia “Usta është dhia, që i bën kakërdhitë e barabarta”.

Me sugjerimin e akademikut Fuga, do hiqen nga të gjithë tekstet e letërsisë në shkolla dhe universitete, i refrerencave të librit të Daniel Defosë “Aventurat e Robinson Kruzoit”, për shkak se heroi shumë i njohur i librit, gjatë izolimit shumëvjeçar në ishull, ka abuzuar seksualisht me dhitë.

“Ju japim fjalën e nderit/ Kullat më lart do i çojm’!”

Duket si një premtim i mbajtur, në një “përshëndetje të Pionierëve të Ramë-Veliajt” në një Kongres të Fshehtë të Ndërtuesve të mëdhenj, gjatë fushatës elektorale të këtij viti, se sa për premtimim ndaj zgjedhësve tiranas në fushatën vendore ishte krejt i kundërt.
Por tani janë premtuar qiellgërvishtëse dhe qiellgërvishtëse do bëhen! Përderi sa të “mbretërojë“ Princi i Arbërisë Rama dhe “delfini” i tij Lal Eri!
Po pse domosdoshmërisht duhen ndërtuar kulla në Tiranë dhe kush është i interesuar për to?
Nëse do krahasojmë Tiranën me 4 qytete europianë, të një madhësie të ngjashme, si Zurihu, Torino, Shkupi dhe Selaniku, që tani, Tirana ka jo vetëm numurin më të madh të qiellgërvishtësve, por planifikon të ndërtojë edhe dhjetra të tjera.
Në Zyrih, edhe pse nën trysninë e kërkesave të shumëkombësheve finanaciare, deri para disa vitesh nuk lejohej të ndërtohej mbi lartësinë 40 metra (12-13 kate), ndërsa edhe tani, që lejohet deri në 80 metra, vetëm në zonën industriale të tij.
Kufizime të më të forta kanë Torinoja dhe Selanik. Por edhe në Shkup, ku mund të mendohet se politikanët dhe ndërtuesit punojnë në të njëjtin sinkronizim si tek ne,  projektimet stërmëdha dhe të shtrenjta nën okielon “Skopje 2014” janë orientuar drejt parqeve, monumenteve dhe gjallërimit të zonave historike, në një “kiç nacionalist” absurd si e kanë quajtur kritikët, por që nga pikëpamja urbanistike është më pak i dëmshëme se “kullëzimi “ i Tiranës, që po ndodh në periudhën Veliaj.
Ka dy mundësi, që “investitorët” të miklohen nga ideja e ndërtimit të qiellgërvishtësve, pa qënë grup i fuqishëm investitorësh dhe në një vend, ku popullsia sa vjen dhe zvogëlohet.
E para është mundësia e ngjashmërisë në mentalitetin e investitorëve në Tiranë me ata të Las Vegasit të viteve ’60, kur tentohej “të ndërtoj më bukur dhe më lart se rivali”. Dhe dihet se kazinot e Las Vegasit u ndërtuan kryesisht me paratë e krimit të organizuar dhe më të shumtëtë e krerëve mafiozë ksihin ego të mëdha po pak shkollim.
Mundësia e dytë, është mungesa e plotë e informacionit ekonomiko-demografik, e ngjashme me kohën e bumit të ndërtimit të banesave, që i bën investitorët të mendojnë se “qiellgërvishtësja” e tyre mund t’i “kullufitë“ të tjerat nëpërmjet konkurencës dhe pas “bumit” të kalohet në rregullore të tjera urbanistike, të cilat ndalojnë ndërtimet shumë të larta. Edhe pse nuk tingëllon shumë e logjikshme, paqëndryeshmëria e Ramës në raport me urbanistikën e Tiranës, ndalimi për 3 vjet i lejave të ndërtimit, ndryshimi disa herë i planit rregullues ju jep kurajë investitorëve klientëtë tij të mendojnë “sa të kemi shefin, rregullat i bëjmë si duam ne”.
Por kush mund ta ndalojë revanin e Ramës dhe Veliajt në lejimin e vëllimeve stërmëdha prej betoni apo edhe prej xhami, që e dëmtojnë hapësirën e kryeqytetit, që dëmtojnë edhe ekonominë e tij dhe e bëjnë edhe më tej një nga kryeqytetet europiane me kushtet më pak të mira për të jetuar?
Zëri i urbanistëve dhe arkitektëve shqiptarë është thuajse tërësisht i fashitur. Disa nga “arkitektët me akses” të hershëm, vazhdojnë të bëjnë “ingranazhin lidhës” mes investitorëve, Bashkisë dhe arkitektëve të huaj të Ramës, Stefano Boeri dhe Peter Wilson.
Profesionistët e tjerë të punësuar në Bashkinë e Tiranës apo në qeveri, luajnë “duartrokitësin shpjegues” për veprat e “papame” të arkitektëve të huaj.
Opozita  është shumë “ e kujdesshme” në çështjet e urbanistikë-ndërtimit, se ka gjynahet e veta dhe të njëjtit klientë-investitorë.
Të vetmit kritikë të palëkundur mbeten Fatos Lubonja dhe Gentian Kaprata, por vetëm me dy zëra, sado të fuqishëm, nuk mund të përballet fronti “i përbindshëm” Qeveri-Bashki- Investitorë.
Amatorizmi i shoqëruar me korrupsion të madh, është formula më adekuate për shkatërrimin e urbanistikës së qendrave të banuara. Dhe në Tiranë këto dy përbërës të kësaj formule janë tashmë të kristalizuar.
A ka ende mundësi për të ndalur “pionierët e Ramës”?

Asnjëherë nuk është vonë për tu ngritur e mbrojtur “ajrin dhe diellin” që i takon çdo qytetari.

Tuesday, 3 October 2017

Punë dhe siguri…lerini dhitë!

Nga çdo vend i botës, vendasit largohen për dy arsye, të cilat në varësi të kohës dhe vendit alternohen duke dalë njëra para tjetrës.
Janë ekonomia(puna) dhe siguria.
Të gjithë arsyet e tjera janë të dorës së tretë.
Valçt më të mëdha të emigracionit shqiptar të post-diktaturës janë ato ’91-’92 të lidhura me gjendjen e mjeruar ekonomike, të vitit ’97-’98 të lidhura me ekzistencën e bandave dhe rënien e forcës së shtetit dhe këto të viteve 2016-17, të lidhura edhe me gjendjen ekonomike edhe me sigurinë e biznesit dhe jetesës. Kuptohet, që numuri i njerëzve ka qënë i ndryshëm si edhe përbërja e tyre sociale e ndryshme. Ka edhe një ndryshim tjetër me valën e parë. Një pjesë e mirë mendonin të shkonin e të fitonin para në Perëndim, për tu kthyer e ndërtuar jetën më mirë në Shqipëri. Tani filozofia është për një “ikje pa kthim” ose “largim me çdo kusht të fëmijëve për studime jashtë, me shpresën të mos kthehen më“.
Por sa pasqyrohen dhe analizohen problemet ekonomike në kompleksin e tyre dhe ato të sigurisë, gjithashtu në kompleksin e tyre nga mediat tona?
Shumë pak.
Për të parën ka informacion të cekët, të pamjaftueshëm dhe shumë pak shkrime profesionale se ku është gjendja e sotme e ekonomisë shqiptare, treguesit kryesorë të saj dhe tendencat. Rrallë herë, vetëm tek Birn mund të gjesh diçka serioze dhe objektive.
Për të dytën, pranohet nën zë ose me plot gojë, “se gazetarët dhe analistët kanë frikë!”
Por këto dy probleme janë probleme ekzistenciale të shoqërisë shqiptare.
Do lejohet, që ajo të tkurret ende dhe pas dhjetë vjetësh mos ketë as pensione 100 eurosh për popullsinë e plakur?
Do lejohet ende “emigrimi i trurit” drejt vendeve më të zhvilluara, bile edhe drejt Katarit, Dubait dhe Kazakistanit?
Do lejohen ende “pastrimi i parave” të krimit nëpërmjet kullave të dhëna plot dashamirësi nga Rama dhe Veliaj, kulla , që i bëjnë më të ligjshëm dhe më të fortë mafiozët?
Nëse flamurin kundër krimit dhe dështimit ekonomik, nuk është në gjendja ta mbajë si duhet opozita e copëtuar, nëse lëvizjet e reja poplitike, populiste apo jo, u tretën si kripa në ujë, nëse organizatat jo qeveritare janë anemike, atëhere përpjekjen për të krijuar një aleancë frontale kundër krimit dhe mpleksjes së tij me politikën duhet ta udhëheqin mediat.
Eshtë një problem ekzistencial edhe për to.
Nuk mund të largohen të gjithë nga vendi.
Por mund të bëjnë më shumë presion ndaj qeverisë për të luftuar Mafian Shqiptare.
Nuk mund të shkojnë të gjithë të studiojnë në Perëndim.
Por mund të shohin se si solidarizohen njerëzit në Angli, në Itali , në Spanjë kundër arrogancës së qeverive.
Nuk mund të pasurohen dot të gjithë.
Por të gjithë duhet të këmbëngulin të ketë një standart të garantuar minimal të jetesës.
Kjo Shumicë parlamentare nuk është aq e fuqishme sa duket në letër.
Korrupsioni, lidhja me krimin, klientelizmi e kanë kalbur, por para se të kalbë plotësisht gjithë vendin duhet të vihet para presionit publik, që të ndjejë edhe se mund të rrëzohet.
Ndaj çekanët duhet të rrahin fuqishëm për “Punë dhe Siguri” dhe t’ju lihet më pak, shumë më pak vend temave që i vijnë për shtat Ramës dhe Endri Fugës, duke nisur nga “sherret” në PD, reformimi i Akademisë, mbulimi i Skënderbeut, dhitë e  Gertas apo rromuzet e Robert Aliajt.

Dhe nuk duhet pritur , që herë pas here të na shkundë nga gjumi Donald Lu!

Monday, 2 October 2017

Jo-zefinë, kjo nuk është Demokraci!


Një deklaratë e pardjeshme e zonjës Topalli, e botuar në disa gazeta shqiptare, është sinteza më e mirë e gjendjes së Demokracisë në tre partitë kryesore shqiptare. Ish Kryetarja e Kuvendit tha pak a shumë: “Po të dojë(ose deshte) Berisha, e hiqte Bashën nga kryetar për 24 orë!”
Nuk ka rëndësi nëse ajo çka tha Jozefina është plotësisht e vërtetë, pjesërisht e vërtetë apo e pavërtetë. E keqja kryesore është, se dikush, që ka pasur një post të lartë në parti dhe shtet(dhe ka treguar personalisht shenja të një autoritarizmi të tepruar) pranon se ka punuar dhe mund të vazhdojë të punojë në një organizëm, në të cilin ka vetëm rëndësi Njëshi dhe jo Demokracia! Pohimi i saj ka të bëjë jo thjesht me Berishën, por vetë me Topallin dhe të tjerët si ajo, të cilët kanë ndihmuar në rritjen alarmante të fuqisë së Njëshit brenda partisë.
E njëjta dukuri ndodh rëndom me përfaqësues të partive të tjera. Ata as nuk përpiqen ta fshehin adhurimin ndaj Njëshit, duke e quajtut “Skënderbe”, si bën Spiropali, apo duke i uruar “qeverisje jetëgjatë sa ajo e Enver Hoxhës”, sikundër bëri Erion Veliaj.
Për partinë private të çiftit Meta-Kokëdhima nuk vlen të përmendet fjala Demokraci apo kolegjialitet, apo konkurim idesh.
Për fat të keq, në njerëzit e angazhuar në politikë, “nënshtrimi” ndaj Njëshit është ku e ku më keq se në vitin 1992. Edhe pse të dalë nga Diktatura, ideja për paritet, mendim të lirë, fitoren e ideve të shumicës, lejimi i ideve të të tjerëve, ishin ku e ku më mirë se sot.
Nëse një akademik si Artan Fuga, nuk ju drejtohet hapur dhe me emra kolegëve të tij për reformimin e Akademisë së Shkencve, por ja kërkon kryeministrit, atëhere tregon se mendërisht po kthehemi në kohën, kur i shkruhej Enver Hoxhës, për të vënë dorë në këtë apo atë fushë të jetës.
Për të shkuar më në bazë, nëse një oficer policije, nuk ka miq e shokë të tij për të luftuar veprimet e kundërligjshme të eprorëve, por për këtë i shkruan Sali Berishës, atëhere mendërisht po kthehemi në kohën, kur kryetarët e kooperativave “kallzoheshin” nga kooperativistët për shkeljet e tyre me letra anonime drejtuar Partisë.
Por kjo nis me Jozefinën, Elisan, Erionin dhe shkon në të gjitha shtresat më poshtë deri sa arrihet në “fatalitetin”, se “hallet mund të na i zgjidhë vetëm Kryetari ose Kryeministri”!
Demokracinë e ke shkelmuar vetë Jozefinë, kur në vend të mbyllje séancën për të mos diskretituar kryeministrin gjysëm të dehur, ju thirre gardistëve “merreni mër prej zhelesh at’!”, që debatonte me Njëshin tënd!”
Atë ditë “shkelmove” veten, pavarësisht se e ndjeve disa vite më vonë!
Ndaj më mirë, se të quash si fakt të kryer “forcën e Berishës për të hequr në 24 orë Bashën”, thënie me të cilën sërish i bën keq Demokracisë, është më mirë të mendohesh thellë se përse kemi arritur deri këtu dhe të pranosh edhe ato faje që ke!
Po njëlloj duhet të bëjnë edhe Spriopali dhe Veliaj, nëse janë në gjendje të mendojnë! Një ditë do shkelmohen nga miqtë e tyre dhe mund të përfundojnë edhe burgjeve.
Sa për Fugën, do e quaja një përpjekje të dëshpëruar për të bërë diçka të mirë për Shqipërinë edhe pse padashur forcon figurën e të Plotfuqishmit Rama!

Në fund të fundit edhe në kohën e Skënderbeut nuk kishte Demokraci!

Sunday, 1 October 2017

Kullosni dhite e mija!

Kjo eshte Rigerta qe pasi perfundoi studimet ne Sapienza, u kthye ne fshatin e vet ne Mirditë dhe ngriti nje fermë dhish. Fjala e saj sot ne Parlamentin rural i emocionoi dhe i futi ne mendime te gjithe.
U be njecerek shekulli qe fshati eshte jashte vemendjes e megjithate na jep 20% te Produktit te Brendshem Bruto. I paorientuar, i pakeshilluar, i permbytur fermeri shqiptar ka mbijetuar. Sot u ul ne karriget e parlamentit dhe kerkoi te degjohet.
Nuk ka simbolike me te gjetur se kjo per nevojen e koalicionit me njerezit e zakonshem ne vend te koalicionit mes partive.


Këtë foto e gjej vërtet emocionuese. Edhe më shumë se fjalën e Rigertas, që emocionoi të gjithë botën shqiptare, bile edhe një dorë me hajdutë, që rastësisht janë në Parlamentin shqiptar.
Si e përmend në shënimin e tij edhe vetë Ministri i Bujqësisë, kjo do jetë “simbolika” e katër vitev të ardhme në Shqipëri. Aleancë e Peleshit të Majtë me fermerët e djathtë dhe të qendrës të dhive!
Dhe fermeri shqiptar, i cili sipas ministrit ka qënë i paorientuar, i pakëshilluar dhe i përmbytyr(e mgjithatë nuk mbillte oriz) arriti të mbijetojë për 25 vjet.
Po tani, që do orientohet, do këshillohet dhe do punojë me lagështitë optimale në cilat maja do arrijë fermeri shqiptar?!
Sa përqind të PBB-së do sigurojë Bujqësia gjatë viteve të aleancës Ministër – Fermerë dhish? Me siguri mbi 50%, po të mos llogarisim edhe kanabisin!
Sa shumë kemi ende për të mësuar nga Kongreset e Dullës!
Diskutimi i Alijes i ngriti peshë delegatët e Kongresit të 8-të. Shoqja Alije vërtet nuk e kishte bërë vetë diskutimin, për të cilët zakonisht punonin një dorë me instruktorë të Komitetit të Partisë dhe gazetarë të “Zërit të Popullit”, por sallën e emociononte dhe e bënte të shpërthente. Pastaj vinte thirrja me një lëvizje të dorës e Udhëheqësit dhe fotoja me të.
Sektori i propagandës i Komitetit Qëndror, kishte mjeshtra të asaj , që sot quhet “public relations” dhe që po përdoret bajagi mirë nga Rama dhe Peleshi.
Por ka ende vend për të përmirësuar.
Në rast se do përdorej forca regjisoriale e Përpaqes psh, në parlament mund të ishte futur edhe Kristina me një tufë dhish të corodituara, ose vetëm një tufë dhish të zgjebosura nga mungesa e rrugës dhe ujit. Atëhere edhe Rucit do i kujtohej Salaria e tij dhe dhitë e saj dhe mes lotësh mund të kthehej të jetonte atje ku e ka vendin.
Nikoja vetë duket më shumë i rudë se i dhirtë, por mund të thuhet se me séancën e djeshme ja “u lagu” tërë ministrave të tjerë, të cilët duhet të gjejnë mënyra të tjera, shumë më të sofistikuara, për të përlotur popullin me naftëtarë, muratorë dhe ushtarakë në pension.
Me admirim i duhet thënë:
-Sa p….dhi si je!

Në luftë derdhet gjak (fund)

(vijim)
Atë ditë në darkë ishte vrarë edhe i jati i Dhosit, teksa hynte në fshat. E megjithatë, ajo grua fisnike, me 6 fëmijë të pa mëkëmbur mirë, së bashku me të afërmit e tjerë, ishin kujdesur ta mbanin në jetë tim atë. Arritën t’i ndalonin hemoragjinë dhe për dy ditë e mbajtën me leng rrushi. Nuk hante dot dhe as pinte. Deri sa e nisën majë mushkës në spitalin partizan të Katundit.
Viktori Titani, infermiere në atë spital, në vitet ’70, i kishte treguar sime motre se sa pranë vdekjes kishte qënë babaj dhe me sa stoicizëm kishte duruar dhimbjet. Me gjithë përpjekjet e mjekut Petro Cani, për shkak të mungesave në mjete dhe medikamente të spitalit partizan, Andoni nuk mund të shërohej plotësisht, por ishte e domosdoshme të kurohej në qytet. Me korrierët dërguan lajm në qarkorin e Partisë, se si mund të sistemohej në një bazë, pranë spitalit, se një shtrim në spitalin e Korçës ishte i pamundur, për shkak “të veprimtarisë subversive”, që do e shpinte menjëherë në arrestim dhe ndoshta në dënim me vdekje. U njoftua i vëllai Nesti, i cili u nis menjëherë në Katund për të marë të vëllanë e plagosur. Rrugën me kuaj e bënë brenda ditës, por në Korçë ishte e vështirë të hyje, se në çdo rrugë që lidhej me qytetin kishte postblloqe. Andoni nuk mund të ecte më këmbë dhe edhe pse i veshur me kapotë, e cila i mbulonte pjesët e fashuara, dukej shumë i ligur dhe i zbehtë mbi kalë. I vëllaj ishte 9 vjet më i madh dhe i mësuar në marëdhënie me njerëzit, ndaj postbllokun e ballistëve në Voskop e kaluan duke ju folur turçe dhe duke ju treguar për Stambollin. Kur nata kishte rënë arritën në bazën e caktuar, në një shtëpi pranë Sanatoriumit, ku u kurua për disa muaj. Ishte një kohë e veçantë, kur njerëzit vinin kokën në rrezik për të ndihmuar njerëzit, me të cilin i lidhte të qënit në një mëhallë, në një fshat ose edhe vetëm duke qënë në të njëjtën lëvizje kundër fashizmit.
Ndërsa mjekët dhe infermierët e lidhur me Frontin vinin dhe e mjekonin, mësoi se kishte humbur disa shokë në luftë. Njërin prej tyre, shokun e klasës të Liceut, Guri Stratobërdhën, ballistët , që e kishin kapur, e kishin rrjepur të gjallë. Ishte një vit më i vogël se im atë.
Vërtet ishte luftë dhe në luftë njerëzit vriten, por krime të tilla të përpindëshme nuk kishte se si të mos ndiznin gjakun e pjesëmarësve në luftë dhe familjeve të tyre.
Përçarja e nxitur nga pushtuesit dhe dëshirat kriminale të atyre, që donin pushtetin me çdo kusht, bënë, që urrejtja mes shqiptarëve të arrinte atje ku nuk kishte qënë ndonjëherë.
Ishte luftë dhe në luftë njerëzit vrasin më lehtë. Ajo, që në kohë paqeje quhet çmenduri, në luftë bëhet normale. Dhe shumë gjak u derdh kot. Nga padija, nga mosorganizimi, nga shpirtrat aventurierë, nga ëndrrat e liga për tu bërë diçka i rëndësishëm pas luftës. Dhe sigurisht të tilla ëndrra thurrin më shumë mediokrit, ziliqarët, karrieristët, të pabesët.

Idealistët vdesin në luftë ose “ i dënojnë me harrim” pas saj!