Tuesday, 6 June 2017

Fyerje ndaj poezisë apo seksit?

Rastësisht, pasi lexova të njohurat vargje erotike të Cajupit, më doli para një poezi erotike (nuk duhet edhe ta quaj të tillë) e poeteshës Rita Filipi, e shkëputur nga vëllimi “Vrima”, që ka fituar një çmim para disa vitesh. Nuk di nëse të ashtuajqurat vargje ishin fyerje më e madhe ndaj Poezisë apo ndaj Seksit. Më fëlliqur nuk mund të shkruhet rreth aktit seksual të dy adoleshentëve të virgjër. Ndoshta është e vështirë, që brenda një poezie erotike të ketë edhe pikturë impresioniste, edhe balet modern, edhe muzikë barok, por të paktën një përpjekje të thjeshtë për një element sado të vogël të tyre.
Nuk mund të shkruhet kështu?


Ti më prêt sytë duke fshehur,
A thua se e kemi të parën here.
E mëndafshta rrobë mbi supet nderë,
I imi ngrehur,
Mendja jote ngrehur,
Thithat nxehur
A është dimër a pranverë?
Të linjtat dua të t’i gris
Nga padurimi;
Me sytë gjysëm mbyllur
Ti më thua:
“Mos nis!
Ler’ të të kalojë eksitimi!”
Ndaj unë shtrihem pranë teje ngadalë,
Dhe sytë mbyll i mekur,
Aromën tënde me flegra thith,
“Lodruesin” nuk ta cik në shalë,
Nuk dua para kohe të kthehet “i vdekur”.
Dhe ndjej majat e gishtave,
Që lehtas kërkojnë
Të qafës rruazë, që ndjen aq shumë,
Një ëmbëlsi e çmendur,
Një dridhje indesh,
Një përvëlimë,
Trupin përshkojnë,
A jam në erë,
Në tokë zhyer
Apo në gjumë?
Dhe ndërsa thonjtë
Ende pa u thyer,
Mbi shpatulla egërsisht më ngulen,
Me dhëmbë lehtas të kafshoj thithat,
Me mendje drejt pjesës së vyer,
Mezin e ngreh
Mes këmbëve sulem.
Oh afsh zhurritës
Që na ndez kurmet,
Sërish do na djegësh Ferrit “të bukur”?
Djersët përzjerë,
Me një vrull kapitës,
Thellë brenda teje,
Tashmë jam futur.

Sunday, 4 June 2017

C’fshihet pas “kartabiankës” ndaj arkitektëve të huaj?


 Para disa muajsh, një postim i kryeministrit Rama në fejsbuk, i pasqyruar edhe në shtyp, të risjell në mendje diçka, që disa nga qytetet tona e vuajnë prej shumë vjetësh- Angazhimin në mënyrë të vazhdueshme të disa firmave të huaja arkitekturore.
Rama, shkruante për ndjekësit e tij, se Muzeu Mesjetar i Korçës ishte nominuar në konkurimin e ArchDaily, si kandidat për të fituar çmimin “Ndërtesa e vitit 2017”. Nuk bëhet fjalë për një dizinformim nga vartësit e tij, por për një shtrembërim të së vërtetës nga kryeministri i vendit , për të reklamuar një vepër të Rilindjes Urbane dhe më shumë akoma, për të justifikuar “ushqimin” me një numur rekord projektesh të një firme gjermane (Bolles +Willson), që jo vetëm nuk është mbi mesataren në vendin e saj, por sidomos me projektet e realizuara në Shqipëri, ka treguar se është nën nivelin mesatar të studiove shqiptare.
Sjellja e arkitektëve dhe urbanistëve  të huaj, lidhet me emrin e Edi Ramës, kur ishte kryetar bashkie. Nuk është ide e keqe, për disa arsye:
E para, se sjell eksperiencën shumëvjeçare të studiove të perëndimit, një eksperiencë, që nuk kishte sit a kishin studiot tona, për shkak të izolimit të Shqipërisë.
E dyta, se për vetë natyrën e ekonomisë së tregut dhe të globalizmit, nga konkurimi i ideve të ndryshme arkitekturore dhe urbanistike, mund të përfitohet gjithnjë zgjidhja më e mirë për qytetet tona.
E treta, filozofia arkitekturore e të huajve ndryshon nga ajo, që është mësuar gjatë 50 viteve të fundit në Shkollën Shqiptare të Arkitekturës, për vetë faktin se bazat e saj u ngritën duke u mbështetur në shkollat e Europës Lindore.
Por si çdo dukuri pozitive edhe kjo ka “a priori” të metat e saj, që lidhen me vështirësinë për të tërhequr studio shumë të njohura, sepse vetë investimet në Shqipëri janë relativisht të vogla dhe gjithashtu tregu i ndërtimeve nuk është gjigand. Bashkë me të ekziston edhe rreziku i cilësisë të projekteve. Kush ka punuar në studio të europiane apo të Amerikës së Veriut e di se jo të gjitha projektet trajtohen me të njëjtin seriozitet. Projektet e vendeve në zhvillim, për vetë faktin se kanë një oponencë profesionale dhe ligjore më të dobët, punohen disi “shkel e shko”.
Ka edhe një të metë të madhe ekonomike, sepse lejon , që paratë, që shpenzohen në projektim të shkojnë jashtë ekonomisë sonë.
Por të gjitha anët pozitive dhe negative do balancoheshin nëse do kishte një veprimtari normale të tregut në projektim.
E vërteta është ndryshe. Rama vazhdimisht ka favorizuar të huajt dh e veçanërisht gjatë periudhës të të ashtuquajturës “Rilindje Urbane”. Arkitektët e huaj të preferuar të kryeministrit marrin jo vetëm projektet e mëdha publike, por edhe investitorët privatë “detyrohen” të bëjnë projektet në këta arkitektë.
Shembulli më tipik është arkitekti australian Pitër Uillsën, bashkëpronari i firmës gjermane “Bolles + Willson”, i cili ka pasur “kartabianka” për të projektuar në Tiranë dhe Korçë.
Ka diçla tepër të dyshimtë në lidhjet e firmës me kryeministrin, pasi pavarësisht nga projektet e saj mesatare mç botë, i janë dhënë pa konkurs vepra që nisin me plane rregulluese dhe vazhdojnë me muzeume, rikonstroksione teatrosh, parqe lorjash për fëmijë, biblioteka, stadiume, ndërtesa qeveritare, zona rekreative etj. etj. Mbi të gjitha, në Tiranë dhe në Korçë, investitorëve privatë ju kërkohet të bëjnë projektet në këtë firmë, siç është rasti i shtesës 35 katëshe të hotel Tiranës dhe disa banesave shumëkatëshe në Qendër të Korçës.
Rrallë gjen në Europë, studio projektimi, që mund të sigurojë projekte të një larmie të tillë. Në përgjithësi edhe ato më të shquarat kanë një sektor të caktuar të projektimeve.
Duke marrë në konsideratë edhe dështimin e disa projekteve të saj, diskutimet që kanë shoqëruar disa projektet të tjera dhe reklamën, që i ka bërë vetë kryeministri bashkë me disa anëtarë të qeverisë, projektuesit Pitër Uillsën. të le të dyshosh, se ka një mekanizëm të dyshimtë “korrupsioni” pas tij. Nuk është e pamundur, që nëpërmjet arkitektit dhe shumave të majme , që ai merr (shumë më të larta se sa tregu i projektimeve në Shqipëri), të kalohen një pjesë e parave publike në xhepat e qeveritarëve pa zhurrmë dhe pa lënë gjurmë. E njëjta skemë mund të përdoret edhe për ndërtimet private. Në të kundërt nuk ka se si të spjegohet “orientim-detyrimi” nga qeveritarët, që projektet të bëhen nga Pitër Uillsën. Një veprim i ngjashëm dënohet ashpër nga ligji në vendet me demokraci të zhvilluar.
“Rilindja Urbane” ka shumë cene nga logjika ekonomike mbi të cilën është bazuar dhe deri në mënyrën se si është zbatuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Përdorimi në shumicën e projekteve, i vetëm të dy-tre studiove të huaja është njëri nga aspektet e saj negative.

E keqja është se për korrigjimin e “projekteve të papërgjegjshme” do duhet shumë kohë dhe fonde të konsiderueshme për qeveritë e së ardhmes.

Saturday, 3 June 2017

Moesta et errabunda (Ch. B.)

Më thuaj nëse zemra të niset flur Agatë
Larg oqeanit të zi dhe të ndyrit qytet
Drejt një oqeani tjetër me shkëlqim të pamatë,
Blu, i qartë, i thellë si virgjëria vetë?
Më thuaj nëse zemra të niset flur Agatë

Deti, i madhi det na lehtëson mundimin!
Djalli i dha detit zërin e gërvishtur
Që si organo t’pafund e kthen thëllimin
Dhe të tundë djepin, këtë detyrë të ndritur?
Deti, i madhi det na lehtëson mundimin!

Rrëmbemë mua vapor! Më merr ti fregatë!
Larg! Larg! Balta është bërë nga tonat lotë
-          Vërtet herë herë zemra jote Agatë,
Thotë: Larg brengës, krimit, dhimbjes së kotë
Rrëmbemë mua vapor, më merr ti fregatë?

Sa larg që ndodhesh parajsë erëmirë
Ku nën të kaltrin qiell ka veç dashuri,
Ku të gjithë duhen dhe duhen të dlirë,
Ku zemra kridhet në të pastër kënaqësi!
Sa larg që ndodhesh parajsë erëmirë!

Po e blerta ëndërr e dashuris’ në rini,
Me shëtitjet, këngët, puthjet dhe buqetat,
Violinat që tingëllonin kodrës përbri,
Me mbrëmjet me verë, që nxirrte të fshehtat,
- Po e blerta ëndërr e dashuris’ në rini,

E pafajshmja parajsë e joshjeve të fshehta,
Më larg se India, më larg është se Kina?
A mundet ta zgjojmë me thirrje të mek’ta,
Ta ngjallim sërish me të arta cicërima,

Të pafajshmen parajsë të joshjeve të fshehta?

Friday, 2 June 2017

Pragzgjedhjesh 1928 - 2017


  90 vjet janë një jetë e tërë për një  njeri, qytet apo vend. Gjithashtu ka vende dhe qytete me stabilitet ekonomik dhe politik, ku 90 vjet sjellin fare pak ndryshime.
Ishte një lajm krejt i parëndësishëm në shtypin shqiptar, që më bëri të mendoj për zgjedhjet e 90 viteve më parë në Korçë.
Lajmi i djeshëm, ishte për mbështetjen që i jepte këngëtari korçar Gena, një kandidati për deputet, të cilit nuk ja kisha dëgjuar ndonjëherë emrin dhe që tani nuk e kujtoj.
U mundova të kujtoja emrat e korçarëve të shquar, që konkuronin, mbështesnin apo pyeteshin për kandidatët e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në vitin 1928. Munda të sjell menjëherë në mendje një dyzinë syresh, që fillonin me Mihal Gramenon, Eshref Frashërin dhe vazhdonin me Sotir Pecin, Xhafer Ypin, Sali Butkën, profesor Kondën, Koço Kotën, Pandeli Evangjelin, Selim Mborjen, Kristo Floqin, Nuçi Naçin, Koço Gramenon e të tjerë.
Me sa ndjek tani shtypin shqiptar, emrat e korçarëve që lakohen më shpesh janë vëllezërit Prifti, Niko Peleshi, Eli Fara dhe Gena.
O kohë, o zakone!
E di se kë mbështet Peleshi dhe Gena, por ende nuk kam mësuar, nëse mbështesin ndonjë kandidat Eli Fara dhe vëllezërit Prifti. (Ndoshta tre këngëtarët nuk kanë ndonjë preferencë politike.)
Diçka shumë e rëndë ka ndodhur në mekanizmin e “seleksionimit të njerëzve” në Korçë.
Eshtë një shenjë jo e mirë për të tashmen dhe të ardhmen.
Emigracion në masë kishte dhe në ato vite. Popullsia ishte sa gjysma e popullsisë së sotme. Shkalla e arsimimit ku e ku më e ulët. E megjithatë…
“Korça – Qyteti ku dua të jetoj” ishte një slogan në një fushatë zgjedhjesh vendore.
“Korça – Qyteti ku dua të vdes” do jetë slogani im për të ardhmen.
Të paktën atje ku do prehem janë edhe të shumëshquarit, që përmenda në fillim të shkrimit.

(Sa për më të rinjtë Prifti, Peleshi, Fara dhe Gena, uroj të kenë sa më shumë ymër).

Pasditen e nje lajmi te keq

Sot,
Dielli ishte shtruar këmbëkryq bregoreve.
Në pështjellimin e jeshiltë
Të fushave të përkulura
U ula edhe unë.
Pyeta:
“Nuk do ketë më kuaj,
Jele të tundura,
Trokthe në mbrëmje,
Qëndrime më këmbë në gjumë?”
Përse do na duhet gjelbërimi,
I pamati gjelbërim i pranverës?
Pelën nuk do ndjekin mëzat e rinj,
Nuk do dëgjohet më hingëllimi
I gjogut, që i jep shkelmin derës
Dhe fluturon hapësirave,
Kur është diell si sot,
Por dhe në stinën e shirave.
Dua të bëhem njësh me dheun,
Që tani nuk është më i huaj,
Të ndjejë dhe ai se jam pjesë e tij;
Ndaj e mbroj,
E puth,
E selit
Dhe lutem, që kurrë mos jetë pa kuaj.

Thursday, 1 June 2017

In Memoriam - Koço Comi


Koçoja u largua i qetë, pa fanfara, sikundër e kishte shkuar jetën e tij prej arkitekti të saktë, elegante, pa zhurrmë.
Ishte shumë “fin” në mënyrën se si projektonte, si sillej e fliste. Më shumë se sa dikush i lindur dhe rritur në Devollin e sipërm të ngjante me një aristokrat francez ose spanjoll.
Arkitekt Comi ishte nga ata arkitektë, për të cilët dëgjoje , qysh në vitin e parë të studimeve. Konsiderohej në 3-4 më të mirët në Shqipëri dhe më i miri në projektimin e vilave. Në fundin e viteve ’70 ishte angazhuar në projektimin e vilës së Mehmet Shehut, vepër e cila u përfol së tepërmi në atë kohë dhe të cilës edhe Kadareja i kushtoi vëmendje të veçantë në veprat e pas viteve ’90. Edhe vetë arkitektit dhe “përballjes” së tij absurde me Diktaturën Ismaili i dha një vend të veçantë tek vepra e tij “Pasardhësi”.
Koço Comi i përkiste arkitektëve të arkitekturës moderne, që i kushtonin rëndësi të veçantë parimit “Form follows function” (Forma ndjek funksionin). Kujdesi i tij në trajtimin e planimetrive ishte i mirënjohur, bashkë me bindjen, se “një planimetri e saktë, e zgjidhur mirë, detyrimisht do sjellë vëllime të pëlqyeshme”. Hotel turizmi i Korçës dhe sidomos dhomat e tij të fjetjes, ishin shembuj të një zgjidhjeje racionale dhe funksionale të nivelit shumë të lartë. Të njëjtat vlera kanë pasur edhe projektet në Shkolla e Partisë, Kinoteatri Sarandë etj.
Për shkak të “rëndësisë shtetërore”, vilat e udhëheqjes të projektuara nga ark. Comi, nuk kanë qënë kurrë të studiuara nga studentët e arkitekturës.
Pasi e kisha takuar në Tiranë, kur punonte në një zyrë të vogël në ekspozita “Shqipëria Sot”, pata fatin ta takoja edhe dy tre herë të tjera në Korçë, gjatë kohës kur mendohej të ngrihej Pallati i Ri i Kulturës, pikërisht ku është sot pjesa fundore e Katedrales. Ishte një projekt, të cilit i kishte kushtuar shumë kohë dhe dëshëronte të realizohej. Fliste me pasion rreth tij, ndërsa thithte gati në mënyrë artistike, cigaret me filtër, që nuk i ndante. Nuk kishte mbushur të pesëdhjetat, por ishte autoritet në fushën e projektimit.
Ps viteve ’90, arkitekt Comi u tërhoq në Dardhë, ku kalonte pjesën më të madhe të vitit. Me gjithë eksperiencën profesionale dhe namin e mirë, kishte ndenjur larg  “lojës së ashpër të projektimit”, në Tiranën e bumit të ndërtimeve. Arkitektura i interesonte si Art.

Ishte arkitekt-artist Koço Comi.

Ti frigesh XIV

Ti frigesh,
Të këndosh me vete
Notat e këngës nën të cilën kërcyem,
Dhe pafajësisht gjoksin e ngrohtë
Dorës më mbështete.
Trembesh vetes ti pohosh
Se të më puthje doje,
Aq shumë dëshëroje,
Për krahësh të më merrje,
Të më bëje për vete.
Mes të mëndafshtash shtroje,
Që ai nga udhëtimet sjell,
Ndërsa mbi kotësinë përlotesh
Dhe frikën e atij çasti mallkon,
Që nuk të la fort më shtrëngoje
E më pas brenda qenies të më merrje,
Ti e mekur dridhesh,
Se e di që edhe nëse përsëritet ai çast,
Kur duhet të zgjedhësh mes
Pasionit,
            Mirëqënies,
                        Dashurisë,
                                    Seksit,

Sërish ti do frigesh.