Wednesday, 10 September 2014

Idetë dhe Marrëzia e Madhështisë

Mbase nuk ka kufi të prerë mes Lindjes së Ideve të rëndësishm dhe asaj, që klinikisht quhet Marrëzia e Madhështisë. Për më tepër unë nuk kam ndonjë bagazh në studime psikologjike, që të mund të jap qoftë edhe një opinion modest në këtë fushë. E megjithatë e di, që po mos u dashurove pas një ideje, po mos e vure në qendër të veprimtarisë ditore dhe po mos presësh një rezultat marramendës prej saj nuk mund të kesh përkushtimin e nevojshëm, i cili është në bazën e e Realizimeve të Mëdha.
Këto po mendoja këto ditë, ndërsa lexoja shumë kalimthi disa nga diskutimet rreth një ideje për ndërtimin e një Memoriali tek Lëndina e Lotëve. Ka një pasion për të admiruar nga disa prej ideatorëve, për ta bërë atë pjesë të Korçës të paharrueshme, bile madhështore.
Sigurisht, që në diskutime të tilla nuk mungojnë skeptikët, të lëkundurit apo edhe ata , që kundërshtojnë për hir të të kundërshtuarit, ose se nuk kanë qënë vetë ideatorët e “Përjetësimit të Lëndinës”. Eshtë e natyrshme dhe ndodh në çdo lloj diskutimi publik jo vetëm në Korçë e Shqipëri, por në të gjithë botën.
Korçarët, tradicionalisht, janë karakterizuar nga sensi i masës, në ndërtimet qoftë individuale apo edhe publike. Ka qënë kjo gjë, që bëri , që në mesin e viteve ’30 të ishte qyteti më modern , por dhe më i këndshëm për të jetuar në Shqipëri. Ishin të rralla rastet kur njerëz të pasur donin të ndërtonin gjëra “të papame” për t’ja u kaluar të tjerëve. Kjo logjikë mbizotëroi edhe në ato pak monumente, të cilat u ndërtuan gjatë asaj periudhe. (Luftëtari Kombëtar mbetet monumenti më i mirë në Shqipëri edhe sot.)
Ndryshimi i kësaj logjike erdhi vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit të Diktaturës dhe më flagrant ishte në kompleksin e shtatores së Enver Hoxhës.
Por duket, që “mikrobi” i gjërave të “paharrueshme”, “madhështore”, “misionit të brezit” e të tjera komplekse të tilla kanë mbetur tek ne. Harrojmë të bëjmë një raport të ekuilibruar të historisë, me karakterin e qytetit, me raportet njeri-hapësirë brenda tij e të tjera si këto.
Të dashuruarit pas idesë të Memorialit përdorin si argumenta në favor të tij rëndësinë e Emigrimit në Historinë e Korçës, dëshirën e emigrantëve për të gjetur vetveten, përgjegjësinë e brezit tonë para të Ardhmes, gjendjen ‘e mjeruar” të Lulishtes sot e deri në krahasimin me Memoriale si ai i arritjes së emigrantëve në Nju Jork. E gjitha kjo vjen nga një dashurim jo i shëndetshëm me një Ide.
Lëndina e Lotëve si është sot ka nevojën e një “rifreskimi”, për të ruajtur karakterin, që ka pasur kur është ndërtuar. Për fat të mirë, ata që e kanë ideuar në atë kohë, së bashku me autorin e Shatërvanit, i dhanë asaj qoshe të Korçës një fizionomi “jo dramatike”, e cila mund të ndodhte lehtë në atë kohë, kur sulmohej Emigracioni. Eshtë një qoshe e qetë dhe gjithë diell, ku njerëzit mund të çlodhen e të sodisin një vepër arti të arritur. Sigurisht, që shatërvani duhet restauruar e të kthehet në gjendjen e mëparshme. Përsa i përket komenteve rreth “llambushkave” e të tjera si këto, sot në botë teknikat e ndriçimit janë aq të arritura, sa krijohen edhe vepra arti vetëm me ndriçim artificial. Për ndërhyrje të këtij lloji ka nevojë vetë objekti dhe patjetër për një përmirësim të thellë të gjelbërimit përreth.
Për fatin tonë të mirë, mjeshtri Kristaq Papaargjiri ishte një artist që e donte të bukurën dhe nuk donte të bënte “zhurrmë“ me ato që gdhendte me duart e tij. Të tillë ishin edhe të mëdhenjtë Vangjush Mio dhe Kristo Sotiri. Një sens i tillë i duhet edhe artistëve të sotëm korçarë, për të ruajtur atë traditë të së bukurës, që flet madhërisht pa qënë “e marrë“.



Tuesday, 9 September 2014

Pse nuk duhet prekur Lëndina e Lotëve

Ka disa javë, që disa njerëz me dëshirë mbase të mirë, kanë hapur një diskutim në FB rreth riformulimit të lulishtes së Lëndinës së Lotëve duke e kthyer në një lloj memoriali për Emigracionin. Nisma të tilla për qytetin nuk kanë asnjë të keqe. Qytetarët e Korçës e mendojnë hapësirën e qytetit, historinë e tij, zhvillimet shoqërore në një mënyrë të larmishme. Pikërisht nga këndvështrime të tilla dalin ide, që ose përqafohen nga të gjithë e duken të godituara, ose mbështeten nga autoritetet dhe mund të dalin edhe të arritura apo edhe dështake, si dhe ide, që nuk gjejnë përkrahje po mbeten ide.
Personalisht, gjithnjë kam menduar, që lulishtja e vogël me shatërvanin e saj, janë nga pjesët e qytetit ku ka pak vend për ndërhyrje të reja. Nuk më pëlqente një lloj ‘vakëfi” i ngritur këto kohë dhe që kishte bllokuar shkallët. Por nuk është vetëm kjo arsyeja, që mendoj se lulishtja me Shatërvanin në qendër duhet vetëm të restaurohen dhe të ndriçohen më mirë. Më poshtë po rradhit edhe disa arsye të tjera:
·         Vërtet që vendi i Lëndinës së Lotëve ka marrë atë emër aq poetik, në një kohë kur të rinjtë apo burrat ndaheshin nga familjet e tyre për të shkuar në një kurbet të largët si ata të Amerikës, Argjentinës apo Australisë, por nuk duhet të harrojmë, që theksimin e “kurbeti- kjo plagë e madhe” e bëri pikërisht Diktatura, e cila mbylli përfundimisht rrugët për bashkimin e familjeve korçare. Një theksim i kësaj ideje me skulptura , që përshkruajnë vuajtje apo dhimbje, është në kundërshtim me idenë e sotme të lëvizjes së lirë të njerëzve. Shatërvani i ngritur në mesin e viteve ’60 i shoqëruar me një pllakë e plotëson më së miri spjegimin e toponimit “Lëndina e Lotëve”.
·         Një tjetër arsye është, që shtërvani në vetvete është një nga arritjet më të mira në gur të traditës korçare. Eshtë ndoshta vepra më e mirë e mjeshtrit Kristaq Papaargjiri, i cili vazhdoi dhe përsosi traditën e gdhendjes në gur për të cilën Korça shquhet në Shqipëri dhe më gjerë.

·         Arsyeja e fundit është, që veç gjërave që stonojnë shumë, në një vendbanim nuk mund të veprohet me logjikën, që sot do ndryshojmë gjërat e bëra jo mirë dje. Eshtë një nga gabimet më të mëdha , që ndosh në arkitekturën botërore dhe për të cilën qytete vetë vendosin rregulla të forta. Logjika “të prishim për hir të së resë“ është në thelb e gabuar. Dhe as edhe një zgjidhje e ndërmjetme e bashkëjetesës së shatërvanit me “diçka të re” nuk mund të shkojë. Ajo “përmendore guri” neoklasike, është në harmoni me arkitekturën e Korçs të paraluftës dhe e përmbush edhe rolin përkujtimor të ndarjes së familjeve nga Kurbeti. Ai kënd i qetë dhe i paqtë në Korçë nuk ka nevojë për më tepër dramë.

Monday, 8 September 2014

Fullani, Maks Velo dhe Grida Duma

Pushimin dyjavor nga shtypi shqiptar, ma prishi një kolegu im, i cili mes një bisede dje më përmendi, një intervistë të Maks Velos në “Ballkan”, ku flitej për Kullën e Korçës. Prisja, që Veloja, si anti-Pelesh prej 6 vjetësh, të ishte kundër Kullës dhe nuk u gabova. Ajo, që nuk prisja ishte pjesa tjetër e intervistës, e cila ishte e mbushur me anti-gegizmin dhe atni-islamizmin e Maks Velos. Nuk është hera e parë, kur arkitekti, që ka bërë vite në burg, shprehet pro Europës kristiane dhe kundër islamizmit, por intervista e djeshme e tejkalonte urrejtjen e një njeriu të sëmurë, ose e dikujt që do të jetë me çdo kusht në qendër të vëmendjes edhe pse për këtë të tjerët mund ta quajnë “ të lajthitur” ose dashakeqët mund t’i heqin edhe ndonjë dru.
Befasinë e intervistës së Maks Velos e tejkalonte shumë herë lajmi për arrestimin e Fullonit. Ky i fundit mu dhims më shumë se Maksi, se edhe pse ka të përbashkët me Velon dëshirën për të rënë në sy, mbase nuk e meriton arrestimin. Por si kam shkruar diku, Shqipëria edhe pse vendi im dhe të cilin e njoh më mirë, nuk mund të parashikohet. Institucionet atje nuk i nënshtrohen ligjeve të zakonshme të arsyes, por një amalgam lidhjesh, ndikimesh politke, veprimesh partizançe, interesash çasti e ku e di unë se çfarë. Tirana është më e komplikuar dhe më e çorientuar se koka e Maks Velos, që merret me politikë, letërsi, kritikë, arkitekturë, pikturë dhe antigegëri. (Këtë fjalën e fundit nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Ose është dukuri, e cila nuk është njohur as para një shekulli, ose Zogu dhe sho Enver kanë arritur ta ç’rrënjosin nga bota shqiptare).
Për t’i vënë kapakun e artë çudisë sime të së djelës, diku ishte edhe një intervistë e Grida Dumës, e cila dukej se kishte shkuar me pushime të gjata prej ditës kur u vra bankieri Santo. Intervista ishte shumë e gjatë dhe unë u mjaftova me përgjigjen ala-Duma të pyetjes së parë, ku Grida shpjegonte ose nuk shpjegonte se pse opozita shqiptare po të shkojë në Parlament do jetë si “luani në kafaz”.
Shprehja “luani në kafaz”(e quajmë në shqip vendin e rrethuar me hekura ku mbajmë kafshët e egra kafaz apo e përkthen nga anglishtja Grida?)më bëri t’i lidh të tre. Dumën , Velon dhe Fullonin.
Maksi I gjorë, ndenji kohë të gjatë në “kafaz” dhe të një lloji të tmerrshëm si ai i Spaçit. Me flokët e tij të gjet[ të kujton ndonjëherë luanin edhe pse nuk ja njoh trimërinë. Ata, të cilët e knë njohur para burgut rrëfejnë , që ishte dikush , që donte me çdo kusht të binte në sy. Më shumë se luani, këtë gjë e bëjnë kafshët e bukura ose shumë shpendë.
Fullonin e shkretë sa e futën në kafaz dhe nuk besoj se do e mbajnë gjatë se nuk ka arsye as për tu arrestuar. Edhe Fulloni, më shumë se luan duket si e cilësonte poeti Agim Vinca, sin jë pallua.
Mbetet luanesha jashtë kafazit(mos e dhëntë I Sipërmi të hyjë) Grida Duma. Duma është një tjetër pallua pa mend, që ka një lloj ndikimi në opozitën e sotme dhe që paraqitet dhe e ëaraqesin si mentaliteti perëndimor në politkën shqiptare. Dikush, para disa muajsh më tregonte, se rama po bënte ç’ishte e mundur, të tërhiqte Grida Dumën në kampin e tij. Lexova diçka në një blog të saj dhe u tmerrova. Nuk thuhej asgjë dhe as dinte se ç’donte të theshte. Dhe kjo zonjë e bukur mund të jetë pas disa vitesh një minister kryesore apo edhe kryeministre në një Qeveri të Djathtë.
Ashtu si “i bukuri” Fullon, që drejtoi financat e vendit për 10 vjet.
Ashtu si “i pashmi” Velo, të cilit nuk i japin portofol ndaj detyrohet të shpërthejë me urrejtje ndaj gegëve, myslimanëve dhe gjithë njerëzve, mjaft të thonë disa që i rrinë pranë tavolinave “Ke shumë të drejtë Maks!”


Saturday, 6 September 2014

Vetem ne Amerike (2)

(vijim)

Viti 1972 ishte viti i fundit i një “lirie” të rreme. Të rinjtë ishim më të gëzuar se kurrë, kishin filluar të visheshin e të rrinin si bashkëmoshatarët e tyre në Jugosllavi dhe Itali edhe pse nuk ishte e lehtë të gjeje veshje të ardhura nga jashtë. Ishte kohë lulëzimi për rrobaqepësit privatë, e sidomos për të të rinjtë, që kishin mësuar të qepnin sipas modës. Askush nuk i kushtonte vëmendje fushatës elektorale në Amerikë. Vera ishte e gjitha Lojrat olimpike të Mynihut, Finalet e Kampionatit Europian të Futbollit dhe dominimi i Ajaksit, si dhe plazh. Rizgjedhja e Riçard Niksonit ishte shumë larg. Njerëzit kishin filluar të shpresonin se do jetonin si në Jugosllavi, në paqe dhe pa problemet, që kishin vendet e tjera rrotull. Në Itali ishin “vitet e plumbit” me shumë bomba dhe vrasje nga ekstremistët e të dy krahëve. Në Greqi ishin ende në fuqi colonelët dhe pamjet e filmit “Zeta” na bënin të mendonim se kishte shumë terror shtetëror.
Niksoni u rikthye në qendër të komenteve, tashmë jo për Vietnamin dhe hapjen me Kinën por për skandalin e Uotergejtit. Ishte një cikël informacioni , që kujtoj më shumë se çdo gjë tjetër e vitit 1973 edhe pse nuk arrija mirë të kuptoja, se ç’ndodhte në hollësi dhe as rreth rolit të Uashington Post. Përsëri, babai çdo gjë e mësonte nga radioja italiane, të cilën e konsideronte më objektive se tv jugosllave. Ishte një skandal i padëgjuar dhe më e çuditshmja ishte, që Presidenti nuk kishte fuqi ta bllokonte skandalin. Në gusht të vitit 1974, kur Niksoni dha dorëheqjen ishim në plazh në Vlorë dhe e kujtoj vetëm si një lloj largimi me turp, por pa arritur të kuptoja karakterin e demokracisë amerikane, që ishte në gjendje të largonte nga posti më I lartë një politikan të zgjedhur me votë të lirë.

Kujtoj edhe një episode të verës së 1978, kur Niksoni gati i harruar më ngjalli sërish kureshtjen. Ishim në një turne në Sarandë dhe kur hanim mëngjes në Turizmi i Sarandës shikoja Javer Malon, që lexonte një libër të trashë blu të titulluar “Les memoires de Richard Nixon”. E kisha zili ish-ambasadorin fytyrëgjatë, që mund të lexonte një libër, ku rrëfeheshin shumë sekrete të botës së shekullit të XX-të. Disa vjet më vonë pashë “Të gjithë njerëzit e Presidentit” me Redford dhe Hoffman dhe arrita të kuptoja diçka më shumë nga forca e shtypit në Shoqërinë Amerikanë. Megjithatë, doja të dija më shumë rreth Presidentit më të mprehtë të pasluftës. Si ishte e mundur, që dy gazetarë të rinj të zellshëm, edhe pse të orientuar nga “grykëthelli” të arrinin të rrëzoning njeriun më të fuqishëm në vend?
(vijon)

Thursday, 4 September 2014

Vetëm në Amerikë

Niksoni, ka qënë Presidenti, i cili më ka nxitur kureshtjen më shumë se çdo President tjetër amerikan. Ndoshta, sepse ishte figura kryesore politike në botën jashtë Shqipërisë, kur fillova të më tërhiqte politika. Më mirë duhet të them, që lajmet rreth asaj ç’ka ndodhte në botë, filloi të më interesonte po aq sa futbolli apo librat “e verdhë“. Në vitin 1968, kur Niksoni u zgjodh President i Amerikës, nuk dija shumë rreth ndarjes së politikës amerikane në dy partitë kryesore edhe pse babaj m’i përcillte thuajse të gjitha lajmet e rëndësishme, që dëgjonte nga RAI. Më shumë mësoja gjatë verës, sepse atëhere rrija pranë tim eti, kur ai dëgjonte lajmet e mëngjesit. Babai e fillonte ditën e punës më 9.00 për shkak të orarit të reduktuar si shkrimtar dhe unë nuk shkoja në shkollë. Lajmet e orës 8 ishin më të hollësishmet dhe lajmet e para të ditës. Në shtëpi nuk dëgjonim lajmet në Radio-Tirana, sepse babai i lexonte në zyrë, ndërsa ne të tjerët nuk kishim ndonjë interes të madh për to. Gazetat “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, që përcillnin lajmet politike nuk na vinin, ndaj informacioni rreth ç’ka ndodhte në botë ishte nga RAI. Darkave unë nuk i kushtoja vëmendje “Radio Sera”, që ai dëgjonte, se ose isha jashtë duke luajtur ose kisha erdhur i lodhur dhe lexoja ndonjë libër, që më tërhiqte.
Vitin , që Niksoni zëvendësoi Xhonsonin, e kujtoj so vitin e Cekosllovakisë dhe vrasjes së Bob Kenedit. Vrasja e Kenedit nga ima atë u komentua si hap prapa në politikën amerikane. Kishte simpati për të vëllanë e vrarë dhe edhe pse nuk më tregonte shumë hollësi për Bobin, e cilësonte si humbje të madhe. Nuk kujtoj të shprehte tronditje, por në ato vite atentatet ndaj figurave politike nuk ishin një gjë e pazakontë.
Niksoni ishte për mua një figurë antipatike, që kishte përfituar nga vrasja e një të riu përparimtar dhe kishte zënë vendin e njeriut më të fuqishëm në botë. Kishte vetëm diçka , që më pëlqente tek ai. Hunda karakteristike, që e bënte të vizatohej lehtë si karikaturë. Në lapsin e Zef Bumçit, karikaturistit të “Hostenit”, të cilin e pëlqenja shumë, Niksoni ishte më qartë i dallueshëm se Xhonsoni. Nën ndikimin e Bumçit edhe unë kisha filluar të bëja karikaturat e para, të cilat sigurisht ishin karikatura karikaturash.
Gjatë katër vieve të para të presidencës së tij, nuk kujtoj ndonjë gjë të madhe rreth Niksonit. Vërtet emri I tij lakohej gjithë kohën rreth Luftës së Vietnamit, por dukej se lajmet në Italia i dominonte emri i Kisingerit me ecejaket e tij të vazhdueshme në gjithë botën.
Shkurti i vitit 1972 ishte pika kur figura e Niksonit m’u bë simpatike. Vizita e Niksonit në Kinë dhe trasmetimi i saj në televizionin jugosllav ishte nga ngjarjet më të papritura dhe më pozitive për ne. Dukej se në atë kohë të një lloj liberalizmi tek ne, gjithshka do shkonte mirë edhe në marëdhëniet me Amerikën. Vizitat e shqiptaro-amerikanëve në Korçë ishin shtuar dhe njerëzit kishin filluar të shpresonin në “hapjen e rrugëve”. Vetëm një oficer nga Skrapari, që jetonte mbi ne, një natë duke parë lajmet e Shkupit tek ne, tha , që edhe në organizatën bazë ju kishte thënë, “që hunda e Niksonit po ju hyn edhe këtu”. Ishte gjysëm i dehur.

Cifti Nikson, i veshur me pallto të kohës në atë dimër të Pekinit, dukej shumë modern dhe shpresëdhënës. Ende i kam në sy ato pamje bardhë e zi të transmetuara për javë të tëra nga tv jugosllav dhe të komentuara pozitivisht prej tyre. Ishte edhe një shpresë për mbylljen e luftës në Vietnam.
(vijon)

Wednesday, 3 September 2014

I fundmi Spleen

SPLEEN

Kur qielli I rëndë si e plumbtë pllakë
Peshon shpresës së humbur nga e gjata mërzi,
Rrethi i horizontit të shtrëngon si lak
Dhe si të jetë natë ditën bën më zi;

Kur Toka shëmbëllen me një burg të lagësht
Ku Shpresa përplaset me krahët e drojtur
Si lakuriq nate mureve të ashpër
Dhe kokën e vret tavanit të ndohtur;

Kur bie pa rreshtur një shi me litarë
Që ngjajn’ si hekura të nj’qelie stërmadhe
Dhe rrjetat e qullta mbi trurin e vrarë
I nder shpejt e merimangave arradhe;

Këmbanat njëheri  gjëmojnë me furi
Lëshojnë drejt qiellit një ngjethëse britmë,
Sa të humburit shpirtra që sillen në ajri,
Dhe ata bëzajnë të gjat’ mërmërimë.

Dhe mbi një vig morti, pa bujë e fanfarë,
Ngadalë në lot, më le mua Shpresa,
I pamëshirshmi Ankth fuqinë ka marrë

Mbi kafkën lakuar nder perdet e zeza.

Tuesday, 2 September 2014

Zhgjëndërr

Ne e pritëm diellin,
Pa kontrolluar parashikimin e kohës
Ishim të lumtur
Dhe i zënë s’kish si të ishte lëmshi i zjarrtë
Në një botë, që të ftonte për ta puthur
Kur gëzimi ndriste aq qartë.
Nën hapat mbi pllaka guri,
Që të buta ndjeheshin si retë,
I vjetri qytet shtrihej përgjumur,
Përreth nata,
                Një dinosaur i rremë,
                                Një kishë e bukur
Dhe gjithshka ç’shikonim e kishim vetë.
Ngadalë të përqafuar
Ndërsa perdja stërmadhe e asaj skene me dy aktorë
Nga e zezë u kthye në blu të errët,
Nuk bënim zë
Veç frymët dëgjonim,
Mbi sup të tuat flokë më rrrinin pjerrët.
Kori i natyrës në sfond mërmëriste
Gjithshka që ndjehej ishte jetë,
E errëta blu nuk kthehej e kaltër,
Dielli përtonte,
Mbase dhe i pëlqente,
Fshehur të sodiste e të na linte të qetë.