Thursday, 4 September 2014

Vetëm në Amerikë

Niksoni, ka qënë Presidenti, i cili më ka nxitur kureshtjen më shumë se çdo President tjetër amerikan. Ndoshta, sepse ishte figura kryesore politike në botën jashtë Shqipërisë, kur fillova të më tërhiqte politika. Më mirë duhet të them, që lajmet rreth asaj ç’ka ndodhte në botë, filloi të më interesonte po aq sa futbolli apo librat “e verdhë“. Në vitin 1968, kur Niksoni u zgjodh President i Amerikës, nuk dija shumë rreth ndarjes së politikës amerikane në dy partitë kryesore edhe pse babaj m’i përcillte thuajse të gjitha lajmet e rëndësishme, që dëgjonte nga RAI. Më shumë mësoja gjatë verës, sepse atëhere rrija pranë tim eti, kur ai dëgjonte lajmet e mëngjesit. Babai e fillonte ditën e punës më 9.00 për shkak të orarit të reduktuar si shkrimtar dhe unë nuk shkoja në shkollë. Lajmet e orës 8 ishin më të hollësishmet dhe lajmet e para të ditës. Në shtëpi nuk dëgjonim lajmet në Radio-Tirana, sepse babai i lexonte në zyrë, ndërsa ne të tjerët nuk kishim ndonjë interes të madh për to. Gazetat “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, që përcillnin lajmet politike nuk na vinin, ndaj informacioni rreth ç’ka ndodhte në botë ishte nga RAI. Darkave unë nuk i kushtoja vëmendje “Radio Sera”, që ai dëgjonte, se ose isha jashtë duke luajtur ose kisha erdhur i lodhur dhe lexoja ndonjë libër, që më tërhiqte.
Vitin , që Niksoni zëvendësoi Xhonsonin, e kujtoj so vitin e Cekosllovakisë dhe vrasjes së Bob Kenedit. Vrasja e Kenedit nga ima atë u komentua si hap prapa në politikën amerikane. Kishte simpati për të vëllanë e vrarë dhe edhe pse nuk më tregonte shumë hollësi për Bobin, e cilësonte si humbje të madhe. Nuk kujtoj të shprehte tronditje, por në ato vite atentatet ndaj figurave politike nuk ishin një gjë e pazakontë.
Niksoni ishte për mua një figurë antipatike, që kishte përfituar nga vrasja e një të riu përparimtar dhe kishte zënë vendin e njeriut më të fuqishëm në botë. Kishte vetëm diçka , që më pëlqente tek ai. Hunda karakteristike, që e bënte të vizatohej lehtë si karikaturë. Në lapsin e Zef Bumçit, karikaturistit të “Hostenit”, të cilin e pëlqenja shumë, Niksoni ishte më qartë i dallueshëm se Xhonsoni. Nën ndikimin e Bumçit edhe unë kisha filluar të bëja karikaturat e para, të cilat sigurisht ishin karikatura karikaturash.
Gjatë katër vieve të para të presidencës së tij, nuk kujtoj ndonjë gjë të madhe rreth Niksonit. Vërtet emri I tij lakohej gjithë kohën rreth Luftës së Vietnamit, por dukej se lajmet në Italia i dominonte emri i Kisingerit me ecejaket e tij të vazhdueshme në gjithë botën.
Shkurti i vitit 1972 ishte pika kur figura e Niksonit m’u bë simpatike. Vizita e Niksonit në Kinë dhe trasmetimi i saj në televizionin jugosllav ishte nga ngjarjet më të papritura dhe më pozitive për ne. Dukej se në atë kohë të një lloj liberalizmi tek ne, gjithshka do shkonte mirë edhe në marëdhëniet me Amerikën. Vizitat e shqiptaro-amerikanëve në Korçë ishin shtuar dhe njerëzit kishin filluar të shpresonin në “hapjen e rrugëve”. Vetëm një oficer nga Skrapari, që jetonte mbi ne, një natë duke parë lajmet e Shkupit tek ne, tha , që edhe në organizatën bazë ju kishte thënë, “që hunda e Niksonit po ju hyn edhe këtu”. Ishte gjysëm i dehur.

Cifti Nikson, i veshur me pallto të kohës në atë dimër të Pekinit, dukej shumë modern dhe shpresëdhënës. Ende i kam në sy ato pamje bardhë e zi të transmetuara për javë të tëra nga tv jugosllav dhe të komentuara pozitivisht prej tyre. Ishte edhe një shpresë për mbylljen e luftës në Vietnam.
(vijon)

No comments:

Post a Comment