Ka disa javë, që disa njerëz me dëshirë mbase të mirë, kanë
hapur një diskutim në FB rreth riformulimit të lulishtes së Lëndinës së Lotëve
duke e kthyer në një lloj memoriali për Emigracionin. Nisma të tilla për qytetin
nuk kanë asnjë të keqe. Qytetarët e Korçës e mendojnë hapësirën e qytetit,
historinë e tij, zhvillimet shoqërore në një mënyrë të larmishme. Pikërisht nga
këndvështrime të tilla dalin ide, që ose përqafohen nga të gjithë e duken të
godituara, ose mbështeten nga autoritetet dhe mund të dalin edhe të arritura
apo edhe dështake, si dhe ide, që nuk gjejnë përkrahje po mbeten ide.
Personalisht, gjithnjë kam menduar, që lulishtja e vogël me
shatërvanin e saj, janë nga pjesët e qytetit ku ka pak vend për ndërhyrje të
reja. Nuk më pëlqente një lloj ‘vakëfi” i ngritur këto kohë dhe që kishte
bllokuar shkallët. Por nuk është vetëm kjo arsyeja, që mendoj se lulishtja me
Shatërvanin në qendër duhet vetëm të restaurohen dhe të ndriçohen më mirë. Më
poshtë po rradhit edhe disa arsye të tjera:
·
Vërtet që vendi i Lëndinës së Lotëve ka marrë atë
emër aq poetik, në një kohë kur të rinjtë apo burrat ndaheshin nga familjet e
tyre për të shkuar në një kurbet të largët si ata të Amerikës, Argjentinës apo
Australisë, por nuk duhet të harrojmë, që theksimin e “kurbeti- kjo plagë e
madhe” e bëri pikërisht Diktatura, e cila mbylli përfundimisht rrugët për
bashkimin e familjeve korçare. Një theksim i kësaj ideje me skulptura , që përshkruajnë
vuajtje apo dhimbje, është në kundërshtim me idenë e sotme të lëvizjes së lirë
të njerëzve. Shatërvani i ngritur në mesin e viteve ’60 i shoqëruar me një
pllakë e plotëson më së miri spjegimin e toponimit “Lëndina e Lotëve”.
·
Një tjetër arsye është, që shtërvani në vetvete është
një nga arritjet më të mira në gur të traditës korçare. Eshtë ndoshta vepra më
e mirë e mjeshtrit Kristaq Papaargjiri, i cili vazhdoi dhe përsosi traditën e
gdhendjes në gur për të cilën Korça shquhet në Shqipëri dhe më gjerë.
·
Arsyeja e fundit është, që veç gjërave që stonojnë
shumë, në një vendbanim nuk mund të veprohet me logjikën, që sot do ndryshojmë
gjërat e bëra jo mirë dje. Eshtë një nga gabimet më të mëdha , që ndosh në
arkitekturën botërore dhe për të cilën qytete vetë vendosin rregulla të forta.
Logjika “të prishim për hir të së resë“ është në thelb e gabuar. Dhe as edhe një
zgjidhje e ndërmjetme e bashkëjetesës së shatërvanit me “diçka të re” nuk mund
të shkojë. Ajo “përmendore guri” neoklasike, është në harmoni me arkitekturën e
Korçs të paraluftës dhe e përmbush edhe rolin përkujtimor të ndarjes së
familjeve nga Kurbeti. Ai kënd i qetë dhe i paqtë në Korçë nuk ka nevojë për më
tepër dramë.
No comments:
Post a Comment