Viti 1972 ishte viti i fundit i një “lirie” të rreme. Të
rinjtë ishim më të gëzuar se kurrë, kishin filluar të visheshin e të rrinin si
bashkëmoshatarët e tyre në Jugosllavi dhe Itali edhe pse nuk ishte e lehtë të
gjeje veshje të ardhura nga jashtë. Ishte kohë lulëzimi për rrobaqepësit privatë,
e sidomos për të të rinjtë, që kishin mësuar të qepnin sipas modës. Askush nuk
i kushtonte vëmendje fushatës elektorale në Amerikë. Vera ishte e gjitha Lojrat
olimpike të Mynihut, Finalet e Kampionatit Europian të Futbollit dhe dominimi i
Ajaksit, si dhe plazh. Rizgjedhja e Riçard Niksonit ishte shumë larg. Njerëzit
kishin filluar të shpresonin se do jetonin si në Jugosllavi, në paqe dhe pa
problemet, që kishin vendet e tjera rrotull. Në Itali ishin “vitet e plumbit”
me shumë bomba dhe vrasje nga ekstremistët e të dy krahëve. Në Greqi ishin ende
në fuqi colonelët dhe pamjet e filmit “Zeta” na bënin të mendonim se kishte
shumë terror shtetëror.
Niksoni u rikthye në qendër të komenteve, tashmë jo për
Vietnamin dhe hapjen me Kinën por për skandalin e Uotergejtit. Ishte një cikël
informacioni , që kujtoj më shumë se çdo gjë tjetër e vitit 1973 edhe pse nuk
arrija mirë të kuptoja, se ç’ndodhte në hollësi dhe as rreth rolit të
Uashington Post. Përsëri, babai çdo gjë e mësonte nga radioja italiane, të cilën
e konsideronte më objektive se tv jugosllave. Ishte një skandal i padëgjuar dhe
më e çuditshmja ishte, që Presidenti nuk kishte fuqi ta bllokonte skandalin. Në
gusht të vitit 1974, kur Niksoni dha dorëheqjen ishim në plazh në Vlorë dhe e
kujtoj vetëm si një lloj largimi me turp, por pa arritur të kuptoja karakterin
e demokracisë amerikane, që ishte në gjendje të largonte nga posti më I lartë
një politikan të zgjedhur me votë të lirë.
Kujtoj edhe një episode të verës së 1978, kur Niksoni gati i
harruar më ngjalli sërish kureshtjen. Ishim në një turne në Sarandë dhe kur
hanim mëngjes në Turizmi i Sarandës shikoja Javer Malon, që lexonte një libër të
trashë blu të titulluar “Les memoires de Richard Nixon”. E kisha zili
ish-ambasadorin fytyrëgjatë, që mund të lexonte një libër, ku rrëfeheshin shumë
sekrete të botës së shekullit të XX-të. Disa vjet më vonë pashë “Të gjithë njerëzit
e Presidentit” me Redford dhe Hoffman dhe arrita të kuptoja diçka më shumë nga
forca e shtypit në Shoqërinë Amerikanë. Megjithatë, doja të dija më shumë rreth
Presidentit më të mprehtë të pasluftës. Si
ishte e mundur, që dy gazetarë të rinj të zellshëm, edhe pse të orientuar nga “grykëthelli”
të arrinin të rrëzoning njeriun më të fuqishëm në vend?
(vijon)
No comments:
Post a Comment